Kristaq BALLI
Krijimtaria artistike e fotografit të shquar shqiptaro-amerikan Gjon Mili (1904-1984) mbetet një minierë e pafund “xeherorësh” të çmuar, ku sa më shumë të eksplorosh, aq më shumë drita e saj bëhet më e largët, më e mistershme. Sepse, herë pas here, nga galerat e botës së tij artistike dalin në dritë të tjera të dhëna, të tjera vepra fotografike, madje edhe libra e shkrime të panjohura të tij, të cilat e plotësojnë biografinë e tij artistike, si dhe horizontin e botës dhe shpirtit të tij human.
Gjon Mili, edhe pse një specialist i kompletuar në profesinin e tij të inxhinierit elektrik, i studiuar në universitetin e famshëm MIT të Massachusets, edhe pse një intelektual i angazhuar në sferën shkencore të elektricitetit dhe opikës, me të cilat mund të kish bërë një karierë e mirëqënie të lakmueshme materiale, preferoi t’i sfidojë ato me një tjetër profesion, me një tjetër angazhim, të cilin e filloi si amator i druajtur, por erruptiv më tej kur gjeti vetveten, pra atë të fotografit, i cili pa besuar edhe vetë, do ta ngrinte në piedestalin e një prej artistëve më të famshëm në botën fotografikem amerikane e më gjerë. Ai u bë i tillë sepse falë talentit, njohurive, pasionit, këmbënguljes, imagjinatës dhe aftësive inovative zbuloi dhe aplikoi teknika të reja të panjohura më parë dhe që i hapën fotografisë dimensuone e horizonte evolucioniste dhe shndrrime fondamentale në konceptet, strukturat dhe marrëdhëniet midis dritës, lëvizjes, kohës, hapësirës, shpejtësisë, teknologjisë.
Por Gjon Mili ynë është, gjithashtu, shumëdimensional në krijimtarinë e vet. Si fotograf, ai aplikoi në pëmasa të gjera e transformuese dritën stroboskopike, vizatimet me dritë, imazhet pa formë; ai ishte promotori dhe organizuesi në studion e tij i aktiviteteve muzikore të njohura si Jam Session me figura të shquara të muzikës dhe artistëve futuristë; si prodhues filmash ai u bë i famshëm me filmat e shkurtër muzikorë; si shkrimtar esseist ai ishte po aq i talentuar dhe produktiv dhe këtë e konstatojmë në librat e tij madhore “Dimensioni i Tretë i Pikasos”, “Gjon Mili, Fotografí dhe Kujtime”, “Magjia e Operas”, por edhe në disa shkrime të tjera të pabotuara zyrtarisht.
Gjithsesi, fotografia mbetet dashuria e tij platonike dhe e përjetshme, e cila e sakrifikoi deri në fund të jetës. Gjinitë, zhanret, temat, subjektet, stilet, personazhet, teknikat, kamerat, përpunimet laboratorike janë aq të shumta e të larmishme sa çdo njera prej tyre të mrekullon, të shtang, të sugjestionon me origjinalitetin dhe specifikën e vet. Por, mbi të gjitha, Mili mund të konsiderohet fotograf i artit dhe
artistëve, i të gjitha arteve, i të gjithë artistëve. Midis tyre, në këto rreshta do të veçoja ato të muzikantëve këngëtarëve të përbotshëm si Edith Piaf, Frank Sinatra, Billie Holiday, Ella Fitzgerald, Mary Lou Williams, Duke Ellington, Lee Wiley, Avon Long, Lester Young, Sid Catlett, Clora Bryant, etj.
U përqëndrova tek muzikantët pasi, deri vonë, rrallë e ka ditur kush se Gjoni ka fotografuar edhe një nga këngëtaret më të mëdha të kohrave, “Mbretëreshën e muzikës Rock & Roll”, Tina Turner, fakt të cilin nuk e ka përmendur edhe vetë ai diku. Por, të dhëna të reja e foto surprizuese të tij janë hedhur në mediat amerikane, veçanërisht në Revistën “Life”, ku Gjon Mili ishte i punësuar pothuajse gjatë gjithë karierës së tij artistike dhe së fundi në arkivën LIFE.com. Ato janë foto të panjohura plotësisht në mediume, mirëpo, të konservuara me kujdes, që na vijnë sot me një përhirje nostalgjie, afeksioni, kujdesi e vëmendje të veçantë që tregojnë ndaj krijuesve të tyre të shquar në një moment të caktuar, edhe pse ata kanë shumë vite që janë ndarë jeta.
Tina Turner, me emrin e saj nativ Anna Mae Bullock, me prejardhje afro-amerikane (1939 – 2023) ka qenë një këngëtare, balerinë, aktore dhe autore. Ajo ka filluar karierën e saj muzikore nga gjysma e viteve ’50 si një këngëtare shoqëruese me grupin “Kings of Rhythm” (Mbretërit e Ritmit) të Ike Turner (zbuluesi i saj) me të cilin edhe u martua. Paraqitja në publik me emrin Tina Turner (Tina Tërner) fillon më 1960 si protagoniste e kompleksit “Ike & Tina Turner Revue”. Zëri i saj i ashpër e këlthitës tërhoqën vemendjen e kritikës muzikore dhe suksesi erdhi shumë shpejt me këngët “”A Fool in Love” (I çmendur në Dashuri), 1960. Një tur i gjatë në Amerikë me kompleksin “Kings & Rhythm” të Ike Turner do ta vlerësonte atë si “një nga më potentet e më të qëndrueshmet, më eksplozivja e të gjitha kompekseve R&B (Ritëm dhe Bluz)”. Kështu do të fillonte historia e rrugës së vet artistike në muzikën Rock&Roll, një histori suksesi që do të vinte duke u zgjeruar e rritur në mënyrë eksponenciale jo vetëm në ShBA, por në të gjitha kontinentet, në të gjithë botën, sidomos në skenat e mëdha dhe stadiumet e Europës, Australisë. Afrikës. Amerikës Latine, ku ajo ndjehej më e vlerësuar. Këngët e viteve ’60-’70, si “River Deep – Mountain High” (Thellësi Lumi –Lartësi Mali), 1966, “Proud Mary” (Maria Krenare), 1971, si dhe albumet e regjistruara gjatë kësaj periudhe, veçanërisht i pari album vetiak i Tinës “Tina Turns the Country On”, 1974 do ta afirmonin atë si një interpretuese unike për muzikën Rock & Roll . Por vlerësimet dhe renditja profesionale dhe e publikut ndaj këngëve të saj me bashkëshortin Ike Turner ishin nga më të lartat.

Në vitin 1978 ajo u divorcua nga Ike Turner dhe, kështu filloi një erë e re e krijimtarisë së saj muzikore. Së pari, në disa emisione show dhe kabaretë hollivudiane, më pas një turne në Australi dhe disa albume, midis të cilave “Love Explosion” (Shpërthim dashurie), 1978, pastaj një turne e dytë në SHBA “Wild Lady of Rock ’n’ Roll” (Zonja e Egër e Rock & Roll-it), emisioni televiziv “Hollywood Nights” (Netët e Hollivudit), 1979, albumi i dytë personal “What’s Love Got to Do with it”, i cili u shit në 5 milion kopje ne SHBA dhe 20 milion kopje në mbarë botën konsoliduan famën e karierës së saj dhe protagonizmin feminist të vlerësuar në shkallën më të lartë duke fituar, veç të tjerash, më 1985, katër çmime Grammy Award. Ajo kontribuoi për filantropi ndaj Afrikës me vokalin e saj në këngën “We Are the World” (Ne Jemi Bota). Më 1986 botoi kujtimet e saj “I, Tina” (Unë, Tina), libër, i cili u bë bestseller. Për arritjet e saj në jetë, iu dedikua një Yll në Hollywood Walk of Fame (Shëtitorja e Famës në Hollivud) dhe në St. Louis Walk of Fame (Shëtitoren e Famës në St. Luis). Në koncertin e madh në Brazil, në stadiumin Maracanȃ ajo fitoi Çmimin Botëror Guiness (Gines) për audiencën më të madhe direkte prej rreth 184.000 spektatorësh. Këngët e saj “The Best” (Më e Mira) dhe ”Steamy Windows” (Dritaret me Avull) u bënë maja e hiteve 40. Më 1991, Ike dhe Tina Turner u vendosën në Rock and Roll Hall of Fame (Holli i Famës Rock & Roll). Me këngën “I Don’t Wanna Fight” (Nuk Dua të Luftoj) ajo u radhit e para në Top listën e 10 këngëve hit. Pas shumë performancave e turneve të tjera, në vitin 2005 u nderua nga Kennedy Center Honors. Presidenti George W. Bush e cilësoi Tina Turner me komplimentin e tij si “mjeshtëri natyrale, energji dhe sensualitet” dhe duke iu referuar këmbëve të saj si “më të famshmet në biznesin e show-t”. Artistja dhe pronarja e mediave Oprah Winfrey thotë: “Ne nuk duam tjetër hero. Ne na duhen më shumë heroina si ju. Tina, ju më bëtë krenare ta shqiptoj emrin tim g-r-u-a.” Turneu me rastin e 50-Vjetorit të krijimtarisë “Tina Live” më 2009 korri sukses të bujshëm. Tina konsiderohet si një prej 100 këngëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohrave (Nr. 17)

Jeta e saj artistike më se 50 vjeçare e karakterizuar nga talenti i rrallë muzikor, zëri vullkanik dhe performanca sensacionale, puna intensive dhe e palodhur në aktrim dhe balet, energjia shpërthyese fizike e shpirtërore, suksesi i padiskutueshëm i këngëve, koncerteve, turneve, por edhe tharmi i brishtë feminist e sensual që inspiron dhe inkurajon gjithë vajzat e gratë e botës, e kanë cilësuar atë si divën dhe ikonën muzikore, “feniksin e Rock and Roll-it”, “seks simbolin e rock-ut”, “superstarin e MTV”, “testamentin e dashurisë, dhimbjes dhe seksit”. “një nga më të nxehtat e më eksplozivet…” artisten femër më të suksesshme të Rock & Roll, një prej artistëve bestseller botërorë të të gjitha kohrave, me rreth 180 milion disqe të shitur dhe i kanë atribuar kurorën e “Mbretëreshës së Rock and Roll.” Gjatë një koncerti të përbashkët në Birmingam -Angli më 1985, këngëtari i famshëm David Bowe është shprehur se “Duke qëndruar pranë saj më dukej sikur isha në vendin më të nxehtë të universit”, etj.
“Kur Tina Turner ngjitej në skenë – nuk kish rëndësi sa e madhe ose e vogël Ishte skena, apo turma e spektatorëve – nuk mund të përmbahej joshja e saj shpirtërore dhe sensuale.” (Ben Cosgrove, LIFE.com, 2024)
Ndaj edhe Gjon Mili shfrytëzoi ekzekutimet e saj për ta fotografuar atë, krahas të tjerash, duke iu përshtatur idesë së flakadanit dhe furtunës prej drite që, pë 65 minuta, nuk u shua asnjë çast. Midis dhjetra shkrepjeve me teknika të ndryshme, strobe dhe të ashtuquajturat “fotografi pa formë” janë një prurje e re teknologjike dhe nje metaforë po aq e përshtatshme imazherike për Tina Turnerin.
Të 15 fotot e rralla me ngjyra të Gjon Milit, në mënyrë shumë shprehëse e të larmishme e paraqitin këtë virtuozitet shpërthyes të këngëtares gjatë një koncerti direkt.
Kërkimet tona, duke qëmtuar koleksionin e revistës Life, na çojnë në faqet e numërit të saj të dt.18 Dhjetor 1970, (f. 57-61, Vol. 69, NO 25) ku ndeshemi me rubrikën “Tina Turns On” (A solid soul hits it in a big way – Një shpirt i fortë e zbulon atë në mënyrë bujare. Fotogafuar nga Gjon Mili), ku janë botuar disa prej këtyre fotove, madje edhe me disa spjegime që qartësojnë detaje rreth setit fotografik të tij për Tina Turner. Me nëntitullin “Sukses i shkëlqyer i një këngëtareje me shpirt të fortë – Tina flakëron”, përbri njërës shkruhet kjo diçturë: “Në Las Vegas, Tina këndon një këngë të bashkëshortit të saj Ike Turner. Ai shkruan këngët, luan në kitarë dhe është drejtues i grupit “Ike & Tina Turner Revue”.
Dhe më poshtë: “…Ajo ngjitet në skenë si një vrundull, si një pemë Krishtlindjesh e fryrë nga erëra të forta…” , “…Interpretimi i këngës “I’ve Been Loving You too Long” (Jam dashuruar me ty shumë gjatë) ndryshon nga stili i saj i zakonshëm, por konsiderohet më sensual…”. “ Unë i jetoj këngët e mia”, thotë Tina, e cila bën edhe koreografinë deri në detaje…” …Tina bërtet, shkelmon, djersitet, noton duke kënduar” (Tina Turns On: LIFE, Dec 19, 1970, pp. 57-61)
Fotografitë “verbuese” të Gjon Milit përfshijnë vitalitetin, zhdërvjelltësinë dhe lëvizjet pa pushim të Tinës në skenë. Për 65 minuta rresht, ajo nuk e ndalon kërcimin. Në këto foto ajo cilësohet nga kritikët si një “uragan” dhe “një revolucion seksual femëror”. Në vitin 1970 Tina ishte 31 vjeç dhe sapo kishte filluar dekadën e dytë të karierës së saj artistike me një bagazh të sigurt suksesesh, bashkë me Ike Turner. Ndërkaq, Gjon Mili dhe pse tashmë 66 vjeç, nuk i ishte ndarë pasionit dhe profesionit të tij dhe bashkëpunonte ende me revistën “Life”. Si dukej, performanca ekstravagante dhe në lëvizje të përhershme e Tina Turnerit e kishin ngacmuar atë, veç të tjerash, për t’iu rikthyer realizimit të fotove në teknikat e tij të hershme me ndriçim stroboskopik, apo “fotot në lëvizje ”, por edhe me një teknikë të re, të krijuar nga vetë ai, atë të “imazheve pa formë”. Fotot, të cilat përfshijnë portrete, torse, figura të plota, tablo të përgjithshme të kompleksit, etj., janë me ngjyra, ku dominojnë frekuenca bluje e violeti, por mbi të gjitha, ato kanë në thelb karakterin variabël të këngëtares, kur ajo interpreton balada të trishtuara shpirtërore, apo këngë ritmike me atmosferë shpërthyese Rock ‘n’ Roll-i. Edhe pse në një koncert direkt, Gjon Mili e ka shfrytëzuar potencialin e vet profesional e mjeshtëror në realizmin e fotove të mrekullueshme botën emocionale artistike vullkanike të një prej yjeve të artit botëror, së dyti, afeksionin dhe lidhjen e tij të pashtershme krijuese me botën e artit, veçmas me muzikën dhe së treti novatorizmin dhe format e reja të të shprehurit me gjuhën fotografike .
“ Ajo që më tërhoqi tek veprat e Milit ishte se ai kapi energjinë dhe qëndrueshmërinëe Tina Turnerit, ndjesinë e të jetuarit aty përballë skenës edhe për ata që nuk ishin në koncertin e saj – shprehet Liz Ronk, editore e këtyre fotove në prezantimin e saj “Tina Turner: Unpublished Photos of the Queen of Rock ‘n’ Roll”
Kjo buqetë fotosh, të panjohura nga opinioni artdashës është një vlerë e çmuar në galerinë fotografike të Gjon Milit, si dhe një homazh nderimi, respekti e vlerësimi që fototeka e LIFE.com, i dedikon këtij artisti virtuoz, këtij “shqiptari gjenial”.
■ ■ ■