

Shkruan: Besim Muhadri
Franë Topalli nuk ishte emër i madh në librat e historisë, por ishte gur i heshtur që mbajti gjallë themelet e kombit. Ai nuk e njohu përkuljen, as para dhunës, as para ferrit të burgjeve. Ishte burrë i besës, që la pas një trashëgimi më të madhe se çdo pasuri: shembullin e sakrificës për lirinë.
Rrënjët dhe formimi
Historia e Kosovës ka njohur shumë figura të përvuajtura, të cilat nuk mbanin tituj e grada, por bartnin mbi supe amanetin e shenjtë të lirisë. Njëri prej tyre ishte Franë Frrok Topalli (1922–1990), i lindur në Kushavec të Hasit, në një familje ku besa e nderi ishin ligj i pashkruar dhe dashuria për atdheun trashëgohej brez pas brezi.
Në lagjen e Topallëve jeta ishte e vështirë, por zemrat të forta. Familja njihej për qëndresë dhe lidhjen e pathyeshme me kombin. Fëmijëria e Franës kaloi mes tregimeve për padrejtësitë ndaj shqiptarëve dhe ëndrrës për ditë më të mira. Këto rrëfime u bënë shkolla e parë e ndërgjegjes së tij kombëtare.
Një shtëpi që u bë vatër lirie – Arrestimi dhe ferri i burgjeve
Pas vitit 1945, kur Kosova ra nën kthetrat e regjimit komunist jugosllav, Franë Topalli nuk mundi të qëndronte indiferent. Ai u lidh me Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH), vazhduese e Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe e Besës Kombëtare, që udhëhiqej nga figura të njohura si prof. Ymer Berisha, Ndue Përlleshi, Marie Shllaku e shumë të tjerë.
Në Gjakovë dhe rrethinat e saj, LNDSH kishte rrjet të gjerë. Një grup veprimtarësh vepronte edhe në Kushavec, i formuar fillimisht nga Mark Tuqi nga Ujzi i Hasit, i cili më vonë u detyrua të arratisej në Shqipëri. Pas largimit të Mark Tuqit, aktiviteti i grupit që shtrihej edhe në fshatra të tjera të komunës së Gjakovës, vazhdoi nga anëtarët e tjerë si: Tomë Domgjoni, Franë Topalli, Pren Prenrecaj, Mark Prenqi, Tunë Markaj, Prenk Tuqi dhe Gjokë Prenrecaj. Ata zhvillonin veprimtari të organizuar politike dhe kombëtare, sipas programit të LNDSH-së.
Shtëpia e Franë Topallit u shndërrua në vatër lirie e strehë e sigurt për të ndjekurit politikë. Aty gjetën mbrojtje figura të njohura si Ndue Përlleshi, Nrecë Lleshi, Riza e Nrecë Gjini, Nrecë Kangji dhe shumë të tjerë. Në mbrëmjet e errëta, shtëpia e tij mbante ndezur zjarrin e besës shqiptare.
Por represioni nuk vonoi. Në dhjetor 1954, pas hetimesh të gjata dhe torturash, autoritetet komuniste arrestuan Franë Topallin bashkë me shokët e grupit. Më 13 dhjetor 1954, në Gjykatën e Qarkut në Pejë (P.nr.181/54), Frana u dënua me 8 vjet burg të rëndë, ndërsa grupi në tërësi me 35 vjet.
Të dënuarit u dërguan në burgjet famëkeqe të Jugosllavisë: Goli Otok, Sremska Mitrovica dhe Nish, ku përjetuan tortura çnjerëzore. Por as uria, as izolimi nuk arritën t’i thyenin. Franë Topalli heshti aty ku fjala mund të sillte tradhti, duke shpëtuar shumë bashkëveprimtarë. Pikërisht kjo heshtje e tij ishte arma më e fuqishme.
Një jetë nën hijen e persekutimit – Familja në kryqëzim
Persekutimi nuk u ndal me burgosjen. Edhe familja e Franës u shënjestrua: e izoluar, e përjashtuar nga çdo aktivitet shoqëror, e trajtuar si “familje e rrezikshme”. Për ta, përjashtimi ishte më i rëndë se burgimi, sepse nënkuptonte ndalim komunikimi, përjashtim nga gëzimet e hidhërimet e përditshme, madje edhe nga përshëndetjet e njerëzve.
Megjithatë, Topallët nuk u përkulën. Ata mbetën vatër e gjallë qëndrese, duke dëshmuar se sakrifica nuk është vetëm çështje individi, por edhe e familjeve që zgjedhin anën e kombit.
Pas lirimit nga burgu, Franë Topalli jetoi nën vëzhgim të vazhdueshëm të policisë sekrete. I lodhur nga torturat dhe i privuar nga e drejta për të punuar, ai mbeti i lirë vetëm në shpirt. Vdiq në vitin 1990, pa e parë Kosovën e lirë, por me bindjen se sakrifica e tij nuk kishte qenë e kotë.
Kujtime dhe dëshmi
Dekada pas ndarjes nga jeta, për Franë Topallin flitet ende me respekt. Pjetër Dema nga Marmulli, tashmë rreth të nëntëdhjetave, kujton:
“Ndër burrat më të mirë që ka pasur jo vetëm Kushaveci, por edhe Hasi e mbarë Kosova. Njeri i papërkulur, i besës dhe i fjalës. Atë nuk e gjunjëzuan dot as torturat e Goli Otokut.”
Në të njëjtën frymë e kujton edhe Blerim Zajmi, djali i Naim Zajmit – ish i burgosur politik dhe shok qelie i Franës:
“Njeri gjigant, shumë i dashur. Pas burgut vinte shpesh në shtëpinë tonë në Gjakovë dhe rrinte me orë të tëra me babain, duke kujtuar vuajtjet e tyre të përbashkëta. Edhe pse isha i ri, e kam të qartë se baca Franë ishte trim, burrë i besës dhe shumë korrekt. Tip kreshniku, që të kujtonte personazhet e baladave tona të lashta.”
Këto dëshmi janë më shumë se kujtime: janë gurë të kujtesës kombëtare që e bëjnë figurën e Franë Topallit të pavdekshme.
Përmbyllje
Franë Topalli nuk ishte udhëheqës me fjalime të zjarrta, por ishte burrë që jetoi me besnikëri ndaj idealit. Ai na mëson se liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë; se kombi nuk jeton pa kujtesë; dhe se edhe një shtëpi e thjeshtë fshati mund të bëhet kala kur e udhëheq besa dhe dashuria për atdheun.
Ai nuk la pasuri, por la trashëgimi më të madhe: shembullin e burrit që nuk u shit, nuk u përkul dhe nuk tradhtoi idealet. Sot, emri i tij përmendet me nderim në Gjakovë e më gjerë, si një nga ata që e mbajtën gjallë flakën e lirisë në kohët më të errëta.
Në kujtimet e miqve e shokëve, Franë Topalli paraqitet jo vetëm si veprimtar i qëndresës kombëtare, por edhe si njeri i thjeshtë, i dashur dhe i drejtë. Figurë e fjalës dhe e besës, që nuk pranoi të thyhej, edhe kur e vendosën përballë ferrit të burgjeve jugosllave. Dhe kështu, ai mbetet pjesë e gjallë e kujtesës sonë popullore.