-Prifti Stankoviç, me këtë rast, falënderoi Forcën e Sigurisë së Kosovës, ambasadën e SHBA-ve, si dhe KFOR-in amerikan, për ndihmën e ofruar për qytetarët e Graçanicës/
PRISHTINË, 4 Janar 2017-Gazeta DIELLI/ Sot, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) i dhuroi një donacion humanitar (batanije, jastëkë dhe mbulesa) Kishës Ortodokse Serbe në Graçanicë, ndihmë për qytetarët e komunitetit jo shumicë të këtij vendbanimi.Dorëzim pranimi i donacionit humanitar të FSK-së u bë në ambientet e Manastirit Graçanica.Në emër të FSK-së, donacionin humanitar e dorëzoi nënkolonel Afrim Veseli, shef i Sektorit për Bashkëpunim me Agjencitë në kuadër të Departamentit për Marrëdhënie Civilo-Ushtarake në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa e pranoi prifti Sergjan Stankoviç, zyrtar i Manastirit.
Prifti Stankoviç, me këtë rast, falënderoi Forcën e Sigurisë së Kosovës, ambasadën e SHBA-ve, si dhe KFOR-in amerikan, për ndihmën e ofruar për qytetarët e Graçanicës.
“Kjo ndihmë është e mirëpritur në këto kushte të vështira atmosferike dhe ekonomike. Prandaj falënderoj ambasadën e SHBA-ve, KFOR-in amerikan dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, shtoi pos tjerash prifti Stankoviç.
Ndërsa, nënkoloneli Afrim Veseli, tha se FSK-ja deri më tani ka kryer shumë projekte humanitare në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime feje dhe kombi. Ai premtoi se, FSK-ja edhe në të ardhmen, do të jetë së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës, në ndihmën e tyre si dhe në realizimin e projekteve, qofshin ato humanitare dhe projekteve tjera e që janë në shërbim të qytetarëve.
Gjithashtu, nënkoloneli AfrimVeseli falënderoi edhe ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, si dhe KFOR-in amerikan, për përkrahjen e vazhdueshme për FSK-në, edhe për dhënien e ndihmave humanitare dhe në realizimin e projekteve humanitare./b.j/