Kriza financiare që ka kapur buxhetin e shtetit është konfirmuar edhe prej guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Në konferencën e radhës ku u paraqit ecuria ekonomike e vendit Ardian Fullani deklaroi se janë rritur ndjeshëm shpenzimet, janë ulur të ardhurat dhe është rritur deficiti me 2 herë më shumë. Sipas kreut të Bankës Qendrore kjo situatë do të kufizojë mundësitë e qeverisë së re për të marrë borxh në pjesën e dytë të vitit.
“Sot Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi raportin mujor të politikës monetare. Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë në nivelin 3,5%. Gjatë muajit korrik inflacioni ka qënë 1,6%, duke pësuar rënie në krahasim me muajin e kaluar. Kjo është një rënie e përkohshme, u shkaktua nga çmimet e ulëta të cmimeve të stinës. Rritja ekonomike mbetet e ulët, ndërsa të dobëta janë edhe investimet private.Burimet e rritjes ekonomike janë të dobëta dhe të pasigurta. Kushtet monetare janë të përshtatshme për përmbushjen e objektivit në një periudhë afatmesme” tha ai.
Përsëri guvernatori i Bankës së Shqipërisë përsëriti apelin për uljen e borxhit publik në vend.
Lidhur me të ardhmen, Fullani tha se në hartimin e politikave fiskale duhet të kihet parasysh, ruajtja dhe përmirësimi i qëndrueshmërisë së borxhit publik.