Shkruan:Shefqet Kërcelli/
Hapësira ujore detare në vendin tonë historikisht ka qenë një teatër lufte midis fuqive të ndryshme. Rezultat i këtyre betejave, përplasjeve dhe lundrimeve të shumta janë dhe minat detare, silurat apo lloje të tjera të municioneve luftarake të gjetura ndër vite nga anije të Forcës Detare, të peshkimit dhe nonjë rast dhe tregëtare. Sidoqë janë bërë mjaft operacione për pastrimin e këtyre “iriqëve” të detit, është e pamundur që ti pastrosh atë përfundimisht. Rrymat e detit, relievi i thyer i fundit të tij, gjallesat dhe bimësia nënujore, krijojnë kushte për strehimin e tyre dhe vështirësi në zbulimin dhe asgjësimin e municioneve detare. Rasti më i fundit ishte zbulimi dhe asgjësimi i një koke silure disa metra larg bregut në perëndim të ishullit tonë historiko-ushtarak, që tashmë po e kthejmë dhe në turistik. Ishte një mbetje e Luftës së II-të Botërore. Në grykën e Otrantos dhe hapësirat përreth nëndetset kanë vepruar që në Luftën e I-rë Botërore. Zhytësit tanë të QZH, Pashaliman kryen disa zhytje për përcaktimin e saktë të vendndodhjes të këtij “iriqi” dhe mënyrën e asgjësimit të tij. Ishte një operacion me vlera të shumëanshme civilo-ushtarake që kërkontë ndërthurjen e disa masave por dhe pjesmarrjen e specialistëve nga disa reparte të FA. Mbi këtë bazë Shefi i Shtabi të Përgjithshëm të FA nxori një urdhër të vecantë për asgjësimin e këtij “iriqi” të rrezikshëm, me rrezik potencial, që ishte ngurosur në thellësi të vogla afër bregut. Natyrisht këto lloj operacionesh kërkojnë njerëz të specializuar, mjete dhe masa të forta sigurie. Me një proces të përshpejtuar nën drejtimin e Zv/komandantit, Kapiten i Rangut të II-të Engjëll Sinanaj dhe stafit të Flotiljes u morën masat e nevojshme për crrënjosjen nga fundi i detit të këtij “iriqi”. Në një kohë rekord u lajmëruan të gjitha institucionet shtetërore dhe private të Vlorës për zhvillimin e këtij operacioni dhe ndërprerjen e lëvizjeve të mjeteve detare në këtë rajon, gjatë zhvillimit të operacionit. Një operacion në dukje i thjeshtë kërkoi bashkërendimin ndërinstitucional civil por dhe midis disa reparteve të FA, Forcës Detare, Policisë Ushtarake, KML dhe grupit mësimor të EOD në Qëndrën e parë Stërvitore të ngritur për këtë qëllim në rang FA me ndihmën e ODS.
“Butrinti” në krye të operacionit
Më ka qëlluar shpesh të jem pranë ekuipazhit të mrekullueshëm të anijes më të re të Forcës Detare, aq sa tashmë e ndjej veten si pjesëtar i saj. Madje dhe kushtet ku jetojnë këta detarë janë më komode se godinat e garnizonit. Ekuipazhi i anijes sapo përfundoi një stërvitje në det dhe shkoi të pushojë. Me shërbim atë natë ishte një nga detarët më të vjetër, Kapter Mehmet Xhelilaj. Mehmeti e ka në gjak disiplinën dhe profesionin e ushtarakut. Ai e ka filluar karrierën në ishullin e Sazanit, ku për disa vite ka jetuar dhe me familjen. Pamvarësisht vështirësive familjare dhe kujdesit të vazhdueshëm ndaj njerës vajzë me probleme shëndetsore, Mehmeti i ka qëndruar në kokë detyrës së kryemotoristit në anije, bashkë me kolegët e tij Artan Kojani, Lulëzim Delaj, Gëzim Abazaj, Eduard Cela, Aldion Asamataj, Preng Gjergji, Sokol Hametaj, Patriot Salihila, Artan Kojanaj, Shkëlqim Devollaj, etj. Anija ka ditë që lundron dhe kryen patrullime për të siguruar pushuesit e shumtë dhe anijet turistike, kryesisht në hapësirat joniane. Vetëm tre ditë kam qenë në shtëpi këtë muaj më thotë, Kapiteni i anijes, Kap.Lt. Ermal Hila. Sezoni veror na kërkon sa në Palermo, Sazan dhe Vlorë. Këtë detyrë “Butrinti” e realizon duke kombinuar grafikun e lundrimin me anijen “Oriku”. Ato ja dorëzojnë shërbimin njëra-tjetrës në ujërat e Jonit, herë në traversë të shpellës së Haxhi Aliut, Gjirit të Gramës, të Bristanit, të Dafinës apo në Mezokanal. Oficerët janë gjithnjë në zbatim të urdhërave të Komandant Ermalit dhe Ilirit, në krye të detyrës. Fillimisht efektivi pjesmarrës në operacion u rreshtua në molin ku ishte bregëzuar anija “Butrinti”. Këtu drejtuesit e operacionit, Kapiten i Rangut të II-të Engjëll Sinanaj, Major Shkëlqim Cela i EOD dhe Kapiten Krist Katundi i Policisë Ushtarake, dhanë udhëzimet të vecanta për masat e sigurisë në zbatimin e këtij operacioni specifik. Ndërsa Komandant Ermali i kërkoi zbatimin rigoroz të masave të sigurisë në anije, pasi dhe shumica e pjesmarrësve në operacion imbarkoheshin për herë të parë në bordin e saj. Plus kësaj në anije kishte materiale që do ta shkulnin nga rrënjët iriqin e detit. Mbasi u siguruan se gjithëshka ishte në rregull, komandant Ermali urdhëroi nisjen e anijes. Menjëherë ekuipazhi zbatoi detyrat funksionale dhe “Butrinti” u c’bregëzua qetësisht nga baza e Pashalimanit. Ishte një ditë e qetë dhe anija, mbasi la fenerin hyrës të bazës cau me shpejtësi drejt rajonit të caktuar. Ndërkohë miqtë e shumtë ushtarakë në anije sodisnin pamjen që të afronte në të majtë gadishulli i Karaburunit dhe bukuritë e gjirit të Raguzës, Shën Vasilit, Shënjanit dhe përballë ishulli ynë i Sazanit. N/oficerët e Policisë Ushtarake Arjan Allmuca dhe Primo Gjuraj, pjesë e operacionit, sodisnin me kërshëri këtë kombinim magjepës det-tokë të natyrës. Kemi kryer me qindra detyra në tokë, herë e parë që i bashkohemi një operacionin në det, ndaj e quajmë veten me fat që jemi këtu sot, thonë ata. Po ndërsa “Butrinti” po i afrohej ishullit, komandat dhe thirjet në Urën e Komandimit shtoheshin nga minuta në minutë. Meraku ishte i madh, sepse lajmërimi i subjekteve ishte bërë një ditë më parë, ndërsa në gjirin e Japrakut po lëvizte një skaf, me sa duket s’dintë gjë. Por në ndjekje të tij u vu skafi i “Butrintit”. Tashmë thuajse gjithë ekuipazhi i anijes di ta drejtojë këtë skaf, dhe me sa pashë këtë punë ata e bënin me qef. Kështu skafi i “Butrintit” dhe skafi i zhytësave tanë, mbasi bënë verifikimin, kontrollin dhe pastrimin e rajonit nga këto mjete filluan transportin e personave dhe materialeve në vendin ku “iriqi” i detit kishte bërë fole.
Nga praktika mësimore në operacion real
Kështu i qëlloi 16 djemve të kursit të I-rë për asgjësimin e municioneve me eksplozivë. Por ndërsa ata në tokë kishin bërë dhjetra shpërthime, këtu në det situata është më komplekse, me plot të papritura e vështirësi. Natyrisht për këtë ata u instruktuan nga specialisti ynë Kap.Lt.Lace Hila, por dhe grupi ynë i zhytësave pjesmarrës në kurs, Kapter H. Velaj, N/tetar L.Beqaraj, N/tetar F. Sina, L.Jaupi e A.Bani. Duhesh kombinuar aftësia e zhytjes me kujdesin e vendosjes së ekspolizëve. Të parët që shkuan në vendin e caktuar ishin N/kolonel Arif Curaj, major Shkëlqim Cela dhe instruktorët e kursit, kapiten Klodiani, Vladimiri, Artani dhe kapter Xhovalini. Ata ngritën një Vendkomandë provizore në breg për asgjesimin e “iriqit”, afër një kabël larg. Më pas veterani i zhytësave kapter Sazan Pashollari dhe lejtnant Geisi Ago me skafin e tij transportoi djemtë e tjerë që u zhytën në thellësi dhe me kujdes vendosën materialin shpërthyes. Të gjithë vepronin me kujdes e maturi duke zbatuar instruksionet përkatëse. Vërtet “iriqi” ishte në thellësi disa djujm, por vendosja e materialit shpërthyes, identifikimi i kokës së silurës në fundit e detit, i hëngri kohë mjeshtrave tanë. “Iriqi” kishte mbi 70 vjet atje dhe ishte bërë një trup me shkëmbinjtë, llumin dhe bimësinë nënujore. Meraku ishte i madh, të gjithë i kishim drejtuar sytë tek vendi i “iriqit”. Pultin e shpërthimit e mbante Komandanti i kursit EOD, major Shkëqim Cela. Vetëm mbasi u siguruan 100% se rajoni ishte i pastër, gjërat ishin në vendin e duhur, njerzit kishin zenë distancën e caktuar dhe skafi i “Butrintit” kishte siguruar rajonin nga Kepi i Jugut në Gjirin e Shënkollit, atëherë “Butrinti” me kujdes doli në vendin e drejtimit të operacionit. Sekondat në këto raste janë makth. Do shpërthejë?! do asgjesohet “iriqi”, apo jo?! Por, në sytë e major Shkëlqimit shihja siguri. E pashë që qetësisht shtypi pultin dhe afër një milje para nesh u dëgjua shpërthimi dhe më pas shtëllynga e tymit në formë kërpudhe që ju mbivendos shpatit të kepit të Kalamit. Një britmë gëzimi shoqëroi shpërthimin nga djemtë me uniforma të ndryshme që qarkonin kuvertën e anijes “Butrinti”. Ju bashkova dhe unë gëzimit të ligjshëm të këtyre djemve. Njëherësh u ndjeva krenar si ishushtarak. Kemi dhe djem që ja bëjnë bam?- thashë me vete. Krijova besim në vetvete për këta djem që i ndoqa hap pas hap në gjithë dinamikën e këtij operacioni të vështirë. Ndjeva keqardhje për zërat keqdashës e dyshues të disa njerzve për aftësitë e djemve tanë, por nga ana tjetër duhen parë mundësitë e trajtimit rigoroz të tyre. Ndërsa uniformat tre llojëshe po gëzonin përfundimin me sukses të operacionit, trageti “Europianseaways” na përshëndeti me sirenë nga Mezokanali, pak më tutje një velierë përshkoi qetësisht gjirin e Japrakut duke shprehur mirënjohje për këtë veprim tonin. Ajo e sigurt mori drejtimin për në portin e Vlorës. Mbas këtij operacioni të sukseshëm, ushtarakët pjesmarrës me shpejtësi mblodhën materialet dhe u bënë gati për t’u rikthyer në bazën e Pashalimanit. Tashmë në anije kishin lindur miqësi të reja, sepse në mëngjes ata nuk e njihnin njëri-tjetrin, por në kthim degjoje biseda me zë të lartë, foto të përbashkëta, urime, shkëmbim telefonash. Kishte shumë sinqeritet e thjeshtësi midis këtyre djemve. Nuk kishte kuptim tjetër, ishte një miqësi e pagëzuar në një operacion real, në një beteje të vërtetë me “iriqët” e detit. Kemi djem të përgatitur, mjaft kapitenë e togerë, thotë një nënoficer i vjetër i EOD. Epo duhen tu hapet rruga, ja pret tjetri. Koha iku shpejt gjatë kthimit dhe në cerekun e orës anija “Butrinti” u bregëzua qetësisht në molin e Pashalimanit. Ushtarakët u kujdesën që baza materiale përsëri të cohej me masa sigurie në vendin e caktuar. Ata u përshëndetën përzëmërsisht me njëri-tjetrin dhe morën drejtimin e vendndodhjes së tyre. Kishin shënuar një ditë të vecantë në kalendarin e tyre dhe dukeshin të freskët, pa asnjë shënjë lodhje. Por “Butrintin” e priste lundrimi i radhës. Ajo po atë ditë do zvëndësonte “Orikun” në kordinatat e caktuara për të siguruar pushuesit e këtij sezoni.
Shtatë ditë më pas…
Operacioni i zhvilluar nga uniformat tona trengjyrëshe i shërbeu direkt forcimit të sigurisë në ujërat tona territoriale. I shërbeu gjithashtu komunitetit dhe turizmit në rajonin Vlorë-Sazan. Tani mjetet turistike të cdo lloji s’do keni frikë nga këta “iriqë” të rrezikshëm, sepse atyre ja tregojnë vendin djemtë tanë me uniformë. Këto veprime janë në përputhje me detyrën e misionin që kanë Forcat tona të Armatosura, por njëherësh dhe në të njëjtën valë me vendimet e qeverisë për zhvillimin e turizmit në këtë rajon. Tashmë opinioni duhet të dijë se nuk ka më as luftë frontale, as luftë partizane në det, por ka operacione që i shërbejnë paqes e sigurisë së vendit dhe rajonit…Shtatë ditë më pas “Butrinti” coi në Sazan 119 turistë të huaj e shqiptarë, duke celur dhe sezonin turistik në këtë ishull. Lundrimi për në ishull mbas shkuljes së “iriqëve” ishte i sigurt dhe normal. Dhe këtë siguri për hapjen e siparit turistik dhe promovimin e turizmit në Sazan e krijuan këta djem që ditë e natë patrullojnë ujërat tona. Jo vetëm këtu por në cdo cep të bregdetit ata janë të pranishëm me moton, prezencë, gatishmëri dhe kontroll të hapësirës sonë detare. Detyra të tilla detarët tanë kryejnë vazhdimisht, ata dinë cfarë bëjnë, duke marrë në sy rrezikun. Ata janë prologu dhe epilogu i turizmit në vendin tonë. Dhe në Ligjin për “Rojen Bregdetare”, Neni 5, pika g, thuhet se Roja Bregdetare ushtron kontroll në zbatimin e legjislacionit për lundrimin turistik, ndërkohë që ka ndihmuar e shpëtuar dhjetra veliera e jahte turistike. Mjaft njerëz fshihen e lavdërohen nga puna e djemve tanë të Rojes Bregdetare. Nuk e di, a është shkruar nonjë rresht për rolin e Rojes Bregdetare në “Ligjin e ri të Turizmit”, të miratuar këto ditë nga Kuvendi Popullor. Gjithsesi nga ai pozicioni im në kuvertën e urës së Komandimit të anijes “Butrinti” i uroj djemve të detit fat e mbarësi në përmbushjen e misionit të tyre fisnik.
Sazan, korrik 2015