

Rafaela Prifti/
Festivali Ndërkombëtar i Video Artit “Gjon Mili” International Video Art Festival (IVAF) Gjon Mili 2025 prezantoi një përzgjedhje dinjitoze të krijimeve nga artistë shqiptarë dhe të huaj për pesë ditë-netët e fundit të shtatorit dhe fillimit të tetorit në mjediset e Producers Club Theaters dhe natën e mbylljes në Dolby Screening Room, Nju Jork. Risia e edicionit të tretë të festivalit është ardhja në Nju Jork, pas Korçës dhe Dhërmiut, “e kësaj përvoje unike artistike, ku arti bashkëkohor vizual bashkon kultura, gjuhë dhe përvoja njerëzore të ndryshme,” thanë organizatoret Yllka Gjollesha dhe Suela Bako në natën e hapjes.
Të dyja ato i japin përparësi vijimit të misionit të festivalit si urë lidhëse mes vendeve dhe krijuesve, të vetëdishme për trashëgiminë dhe emrin e fotografit dhe artistit të madh shqiptaro-amerikan Gjon Mili. Nëpërmjet bashkëpunimit të tyre regjizorial, Suela Bako dhe Yllka Gjollesha ia kanë kushtuar filmin dokumentar Light/Dritë pionierit të dritës stroboskopike dhe lëvizjes në artin vizual, që ishte në programin e natës së fundit në Dolby. Në ceremoninë e mbylljes u shfaqën filma të përzgjedhur nga artistë të ftuar në këtë edicion dhe premiera amerikane të disa produksioneve. Mes tyre dokumentari i shkurtër Në Mes In Between (2025, 13’) nga regjizori Samir Karahoda, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare https://www.instagram.com/samirkarahoda/?hl=en është një vëzhgim i hollë i kundërvënieve që shoqërojnë emigrimin shqiptar. Filmi i shkurtër Kadillak dhe Manaferra Cadillac and Blackberries (2022, 17’) nga Suela Bako, sjell një portret prekës të rezistencës nën diktaturën komuniste https://www.instagram.com/bakosuela/?hl=en
Nën emërtimin The Skin of the Light /Lëkura e Dritës, përzgjedhjet e jurisë së IVAF 2025 kishin përfshirë krijime që hulumtojnë identitetin, kujtesën, marrëdhënien e njeriut me natyrën, si edhe qasje origjinale të ndriçimit, tingullit dhe lëvizjes. Nga programi i Festivalit të vinte dëshira t’i shikoje të gjitha seancat e tij, duke nisur nga shfaqjet e filmave të paradites dhe pasdites së datës 27 shtator, gjatë të cilave u prezantuan vepra të artistëve nga Italia The Music Box and The Tree of Life, nga Shtetet e Bashkuara The Inherit and Quary, nga Bjellorusia Lake, nga Mbretëria e Bashkuar Elemental Feelings, nga Kina Let it Grow, nga Australia In the Shadow of Small Acts etj.
Unë arrita në orët e mbrëmjes së hapjes së Festivalit që nisi me shfaqjen e filmit të gjatë dokumentar Alexander nga Ardit Sadiku. Shumë mund ta mbajnë mend historinë e bujshme të arratisjes së Aleksandër Grudës nga Shkodra me anije ushtarake në vitin 1992, por dokumentari, ku rrëfimtar është vetë Aleksandri, arrin të përçojë tek shikuesi triumfin e shpirtit njerëzor mbi egërsinë dhe terrorin që mban në këmbë diktaturën.
Prania e Aleksandër Grudës në shfaqjen e filmit dokumentar dhe fjalët përshëndetëse të këtij shqiptar-amerikan me banim në Nju Jork e emocionuan publikun. Pak minuta më vonë, në sallën e katit të dytë të Producers Club Theaters, gjendja emocionale mori tjetër kahje në aktin e monologut komik të aktorit Romir Zalla. Mes urimeve e përgëzimeve të shumta nga miq e dashamirë për standup-in e parë në Amerikë, vinte edhe dëshira për të mos e lënë të kalojë shumë kohë deri në shfaqjen e ardhshme. “Interpretimi plot humor dhe finesë i aktorit të mirënjohur Romir Zalla, solli shumë të qeshura me stand-up komedinë e tij,” tha Tefta Bejko, bashkëproducente me 90 Production Film Company.
Ajo e quajti festivalin “një dhuratë të çmuar për ne në diasporë. Ai na sjell pranë vepra artistike e kinematografike që, ndonëse shpesh nuk kanë mundësi tjetër distribucioni, mbartin një nivel të lartë artistik dhe na bëjnë të ndiejmë më afër kinemanë tonë.”
Në datat 2-4 tetor, juria e Festivalit vlerësoi me çmime në kategoritë e video artit dhe artit eksperimental, animacionin, performancën, realitetin virtual dhe dokumentarin e krijuesve nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Holanda, Irani/Mbreteria e Bashkuar dhe Kanadaja.
Ashtu si teknika stroboskopike e shqiptaro-amerikanit nga Korça Gjon Milit e bëri të dukshme dritën dhe lëvizjen në fotografi, edhe Festivali Gjon Mili IVAF 2025 në tërësinë e tij iu dha artdashësve larminë e krijimeve të artistëve si edhe aftësinë e pakufizuar të subjekteve të artit vizual dhe kinemasë.
Foto – Takim në Muzeun Metropolitan të Artit MET në Manhattan gjatë ditëve të Festivalit, Romir Zalla, Suela Bako, Rafaela Prifti, Mimoza dhe Izmir Bako.