Ajo ka emigruar në moshën 8 vjeçare drejt “tokës së premtuar”, e la vendlindjen në momentet më të vështira të jetës së saj.
Ishte kohë lufte, kur vajza nga Peja së bashku me familjen vendosën të largoheshin drejt Amerikës. Emri i saj më shumë se gjithçka personifikon ngjarjet nëpër të cilat ka kaluar 21 vjeçarja e lindur buzë maleve të Rugovës. Ndonëse ka studiuar për shkencat politike, ajo që i dha famë nuk është politika por futbolli.
Furtuna Velaj, futbollistja e Boston Breakers në një intervistë ekskluzive për portalin Asport.info flet për fëmijërinë e saj, hapat e para me futbollit, rrugën deri te fanella e Kombëtares Shqiptare dhe ofertat që ka nga klubet e ndryshme.
Asport.info: Kush është Furtuna?
Furtuna Velaj: Jam Furtuna, e lindur në Pejë ndërsa për një kohë kam jetuar edhe në Gllogjan (komuna e Deçanit). Kur nisi lufta në Kosovë (1998), me ndihmën e hallës sime së bashku me familjen emigruam për në Amerikë, dhe u vendosëm në Stamford, Conneticute .
Asport.info: Cilët ishin hapat e tu të parë me futbollin, dhe si erdhi qe zgjodhe pikërisht këtë sport për tu pormovuar në Amerikë?
Furtuna Velaj: Futbollin e kam dashur që kur isha në Kosovë si fëmijë, dilja me fëmijët e tjerë të lagjes luaja, dhe vetëm kaq ishin mundësitë në atë kohë.
Më pas gjëra filluan të ndryshojnë kur motra ime e madhe Linda nënshkroi për një kolegj. Pak kohë më vonë edhe unë nënshkruajta për klubin e qytetit ku jetoja Stamford Hurricanes. Këtë kontratë arrita ta fitoj falë ndihmës së një mikut tim.
Asport.info: SHBA-ta kanë një kombëtare të fortë të futbollit të femrave, sa ka qenë e vështirë për ty të depërtoje në ekipe të futbollit të femrave?
Furtuna Velaj: Ka qenë dhe është shumë vështirë, vështirësitë e mia konsistonin edhe në dokumentacion pasi deri vitin e kaluar unë nuk kisha shtetësi amerikane.
Asport.info: Njeh vajza shqiptare tjera që luajnë futboll me ekipe në Amerikë?
Furtuna Velaj: Nuk njohë vajza shqiptare të tjera që luajnë futboll me ekipe amerikane. Njohë vetëm dy motrat e mia Linda dhe Aulona që dikur kanë luajtur në kolegj.
Asport.info: Tani për tani kontrata me Bostonin ju ka skaduar, mund të na tregoni për ofertat që keni?
Furtuna Velaj: Po, kontrata me Boston Breakers me ka mbaruar dhe momentalisht kam disa oferta në dorë. Mund të konfirmoj se jam në kontakt me Toronto Lynx në SHBA, por kam oferta edhe nga Europa pikëkrisht nga klube si : Afturelding (Islandë) dhe nga disa klube norvegjeze. Do të ulem ti shqyrtoj një nga një më pas do të vendos për të ardhmen.
Asport.info: Kontakti i parë me Shqipërinë?
Furtuna Velaj: Ekipi Kombetar ka nisë kontakte me mua në 2011 kur isha duke studiuar në universitetin “Quinnipiac” . Atëbotë unë luaja me skuadren e Millvall-it dhe studioja njëkohësisht. Ndodh që ndeshjet e mia i kishte parë nëj mik i trajnerit të Kombëtares së femrave Altin Rraklit, Albert Kurti. Ai më vuri në kontakt me trajnerin dhe kështu u bashkova me vajzat tjera për ta përfaqësuar Shqipërinë.
Asport.info: Duke e marrë parasysh largësinë, a je mendu njëherë se distanca do ta bënte të lodhshme impenjimin më Shqipërinë?
Furtuna Velaj: Distanca është shumë e madhe, por unë dua të luaj për vendin tim dhe është privilegj i jashtëzakonshëm për mua, edhepse është shumë e lodhshme mendoj se ja vlen sakrifica që bëjë.
Asport.info: Kur ka qenë momenti më i lumtur në karrierën tënde?
Furtuna Velaj: Kur shënova golin e parë në fanellën e Shqipërisë në debutimim tim në ndeshjen kundër Maqedonisë.
Asport.info: Planet tuaja ne te ardhmen?
Furtuna Velaj: Kam një peng që më ka ngel qysh kur mbarova për shkenca politike, kështuqë mendoj se pas përfundimit të karrierës do t’ju kthehesha përsëri studimeve për të studiuar të drejtën biznesore.