Sokol Paja/
“Dielli” i Vatrës, “Dielli” i shqiptarëve të Amerikës, “Dielli” i botës shqiptare, “Dielli” i mërgatës përtej Atlantikut, “Dielli” i kombit shqiptar sot feston ditëlindjen e 114-të. Që prej 15 Shkurtit 1909, Gazeta “Dielli” – “Nderi i Kombit” është gazeta më e vjetër në botën shqiptare, regjistri, arkiva, historia, krenaria, identiteti, lavdia dhe vazhdimësia e Vatrës, vatranëve e shqiptarëve të Amerikës.
Gazeta “Dielli” është institucion atdhedashurie, shkollë gazetarie, referencë historie.
“Dielli” është dritë që do ndriçojë përjetë qiellin e shqiptarisë. “Dielli” është e shkuara e tashmja dhe e ardhmja e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gazeta “Dielli” është një dëshmi autentike e përpjekjeve të shenjta për shqiptarinë prej patriotëve, atdhetarëve e veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare. Gazeta “Dielli” është fillimi i shekullit të dytë të frymëzimit kombëtar, ruajtjes, trashëgimit dhe konsolidimit të vlerave më të çmuara të kombit tonë.
Gazeta “Dielli” është pasuri e çmuar historisë së lavdishme të kombit tonë, gjuhës, kulturës, medias, traditës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve të Amerikës dhe mbarë trojeve shqipfolëse.
“Diell”, ndriço, qëndro, shkëlqe e vezullo në shekuj të shekujve.