Të premten, me 31 Mars 2017, gazetarja e Zërit të Amerikës Laura Konda e shoqëruar nga bashkëshorti Gjergji Konda, vizituan Selinë e Federatës Vatra.
Mysafirët u pritën nga Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj i shoqëruar nga zv/kryetari Asllan Bushati, sekretarja Nazo Veliu, anëtari i Kryesisë së Vatrës Marjan Cubi, anëtari i Këshillit Zef Balaj, Idriz Lamaj, dhe Zef Përndocaj si dhe Editori Dalip Greca.
Kryetari Buçaj u uroi mirëseardhjen bashkëshortëve Konda dhe i njohu ata me qëndrimet dhe veprimtaritë e Federatës Vatra. Dr. Buçaj tha se Vatra ndjehej e nderuar që pret mysafirë të tillë si gazetarja e Zërit të Amerikës Laura Konda dhe ish Minisitri i Financave të Shqipërisë pas viteve ’90 Gjergj Konda, financier i njohur, me Master në Ekonomi nga nga Universiteti i njohur i Columbias, sot pjesë e Bankës Botërore.
Në bashkëbisedim morën pjesë zv/Kryetari Asllan Bushati, sekretarja Nazo Veliu, studiuesi Idriz Lamaj, Zef Balaj, Marjan Cubi, Zef Përndocaj.
Editori i Diellit i njohu mysafirët me rrugëtimin 105 vjeçar të Vatrës duke u ndalë në dokumente dhe fotografitë e ekspozuara.
Gazetarja Laura Konda tha se e kishin marrë këtë udhëtim për ta parë nga afër Vatrën dhe për të prekur historinë e saj me gjithë shiun që i shoqëroi gjatë të gjithë udhëtimit nga Virxhinia ne Nju Jork, ia kishte vlejtë. Ndërsa Gjergj Konda tha se me Vatrën dhe Diellin atë e lidhte gjyshi i tij, një nga miqtë e Konicës dhe të Nolit, ish menaxher i parë i Gazetës Dielli që në numrin e parë të botimit, Gjergj Konda(Gjonleka).