Violeta Dushallari/
Të shkruash për Gëzim (Jimmy) Dushallari, në këtë përvjetor të parë pas vdekjes është shumë e vështirë. Ah, vëllai im i dashur Jimmy, sa po më mungon. Po vështroj foton tënde dhe lotët me rrjedhin… dhe nuk e di se nga t’ia nis më parë pasi kam një vit që nuk e dëgjoj zërin tënd të bukur e të ëmbël. Është 2 Dhjetor 2023. U bë një vit pa Ty, vëllai im i dashur, akoma nuk mund ta besoj ndarjen tënde nga ne. Ishte një ndarje nga jeta që akoma më duket si ëndërr, me shpresen se do të të shoh një ditë. Po kjo është vetëm një ëndërr….Si mund ta besoj që Ti, vëllai im i dashur nuk je më mes nesh, me fëmijët e tu të dashur, Eda dhe Doris, që ti i doje dhe kujdeseshe aq shumë për ta. Jimmy, shikoj foton tënde me fëmijët e tu dhe lotët më rrjedhin…Në sytë e fëmijëve mund të lexosh se sa shumë u mungon babai i tyre i dashur. Ata të shikojnë në sy dhe presin, presin….përgjigje. Dhe sa kohë Eda dhe Doris do presin që të shohin babin e tyre të dashur, buzeqeshjen e tij dhe dashurinë që përcillte ai tek fëmijët. Po kjo pritje e gjatë qenka shumë e dhimbshme për të gjithë ne. Si sot, një vit më parë, më kujtohet ajo ditë e zezë kur Ti, vëllai im i dashur , mbylle ata sytë e bukur përgjithmonë. Humbja jote ishte jo vetëm e parakohshme por edhe e dhimbshme. E vështirë qenka jeta pa Ty, vëllai ynë i dashur, Jimmy. Buzeqeshja jote, dhe fjalët e tua të embla do të mbesin gjithmonë në zemrat tona. Ndarja nga Ty, nuk mund ta shuajë mallin dhe dashurinë që kemi për Ty, vëllai ynë i dashur. Në aspektin familjar, Jimmy ishte i jashtëzakonshëm dhe shembullor, dhe për këtë ne ndihemi krenarë. E madhe është krenaria për Ty, por më e madhe është mungesa jote. Jimmy, ti do të kujtohesh gjithmonë jo vetëm një baba dhe vëlla i dashur, por edhe një patriot dhe njeri i respektuar nga shoqëria si në Shqipëri por edhe në diasporën shqiptare. Kujtimet e mia për vëllain tim të dashur, kanë një fillim të largët por dhe një fund pambarim. Po të premtoj vëllai im i dashur, Jimmy, do të jesh përgjithmonë në zemrat tona, dhe në zemrat e fëmijëve të tu, që ti u dhuroje vetëm dashuri. Do të jesh në zemrën time, në shpirtin tim, Jimmy, deri ditën e fundit të jetës sime.