Nga Rexhep KASUMAJ/Berlin/
1. Milici drejtësindarës!
Derdhje e lumit njerëzor drejt Prishtinës, tribuna dhe kuvendimi i opozitarëve pastaj, në një çast, shpërthimi i mëllefit impulsiv rinor dhe reaksioni i Milicisë plot et për represalje – janë, tashmë, tabllo rituale të rebelimit të organizuar opozitar.
Por, kësaj here, pati një shpalesë të re, që bënte indin ekzemplar të fytyrës regjimore: foli Baki Kelani! Asgjë e parëndomtë, sikur ai të raportonte informativisht ngjarjen dhe rrjedhën e saj.
Por, jo! Ai foli politikisht dhe tha: “Policia ia njeh të drejtën gjithkujt për protestë…”!
Kur do të vdiste Aleksandër Rankoviqi i urryer, serbët e vajtuan me njëmi palë lot. E ish-Prefekti spirituoz i Belgradit, i mrekullueshmi Bogdan Bogdanoviq (që thoshte se ka ardhur koha të ndahemi miqësisht me shqiptarët), pat shkruar gjithë pezm: mjerë ai popull, rinia e të cilit qan me kujë kolektive mbi varrin e një milici!
Mirëpo tani, së paku si emblemë, është kohë tjetër. Një polic mund të gëzojë shansin e patriotizmit kushtetues. Por protagonisti ynë është do t’kujdeset për ti dhënë pamje tjetër atij: merr përsipër të bëj vetëgjyqësinë dhe, si kostumprerës madhnor, njeh ose mohon të drejta njeriu!
Ndaj dhe ky fragment gjithçkathënës kur milici drejton e pilitika milicëron, shpërlan në dritë dielli dy prirje të liga: përceptimin despotik e primitiv të shtetit dhe kultin e institucionuar të dhunës që t’kujton trishtëm atë rendin e kohën e errtë kur përzitej Prefekti i ndjerë belgradas!
2. Kolona e pestë!
Historia e përbetimeve të botës është e bujshme sa vetë orvatja e vështirshme për të dalë nga qerthulli kafshimor i tyre…Veçse ato, për ti rënë në gjurmë viktimës, do të kenë dhe vegëlerinë e tyre ndihmtare: kolonën e pestë! Kudo ndër fronte, kanceleri prijësish, shtatmadhori armatash, rebelime popullore e lëvizje çlirimtare, hidheshin mercenarë që: ose spiunonin tinëzisht ose diskreditonin publikisht programet dhe idealet e tyre…
Që këtej, megjithë vullnetin për të drejkuptuar mëllefin real dhe për të justifikuar të gjitha mjetet që do të përmbysnin pushtetin kriminal – prapë sikur nuk shmanget dot përshtypja se gurin e parë kundër policisë do ta ketë hedhur një Van der Lubbe i hashimisëve…Njësoj si kallja e hershme e Rajhstagut (1933), apo vrasja e mëvonshme e të rinjëve serbë në Pejë (1998), dhe kallja e Kishave ortodokse në Kosovë (2004)…Është e njëjta enë që, në versionin e këtejshëm bizantin, është absolvuar qyshkur nga Isaja dhe, si mësohet përditë, ndiqet përulshëm nga Hashimi i Brojës – ky kursant i rryer i shërbesave të huaja…
Nëse dora do të dilte hapur, qëllimi dhe mentorët duhej të mbeteshin të mbuluar: është dyshja poshtnore dhe ngasja e saj deshpëruese për tu promovuar si e vetmja alternativë e besueshme politike për Praninë ndërkombëtare në Kosovë..!
3.Gjaku i tepruar!
“Se Kosova e ka adet nga nji luftë me ba çdo vjet!” Kështu vargnon rapsodia popullore, por nëse jo çdo vjet – aherë, së paku, çdo dhjetëvjetësh ajo ka rimun tokën e vet. Nuk ka ndodhur akoma që t’ia ndërrojnë të tjerët apo të përpiqej vetë të ndërronte Zot e Mot – pa derdhur gjak. Thuase në trupin e lodhur ka një cikël të çuditshëm teprice të këtij lëngu jetik që, për të çliruar energjitë, duhet të rrjedh e ujit dhéun për zili të qiejve dhe shiut…Është tragjike ta mendosh se dhe klika e kësokohshme, këtë ritual dramatik ndjekë: përnxitë e pret rrëkenë së tij…Urtia e fjala, ankesa e loti, nuk e prek ndërgjegjen dhe nuk lëkund dot fronin e tyre! Ndërkaq, sado mitike dhe zemëratë erinish të ngjasojë, orën e tij e bën vetë njeriu. Njeriu i keq i pushtetuar…Dhe më të këqijë se këta që kanë shaluar sot fatet nacionale, nuk ka parë kurrë ky truall…
“Fort ma e rândë âsht thémra e shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit m’krye”, këlthet Fishta.
Rrjedhimisht, duke u bërë pjesë e kësa themre rrezikzezë, a nuk rëndojnë ata pikërisht si “gurë vorri m’krye” të Kosovës dhe bijëve të saj?
Berlin, dimër 2016