Sokol Paja/
New York, 11 prill 2024 – Gjeneral Piro Ahmetaj dhe historianja Prof.Elena Kocaqi vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ata u pritën nga delegacioni zyrtar i Vatrës, kryetari z.Elmi Berisha, sekretari Dr. Pashko Camaj, kryetari i degës së Vatrës në Queens Dr.Skender Murtezani vatranë të tjerë, personalitete e aktivistë të komunitetit shqiptaro-amerikanë në New Yorke më gjërë. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e mirëseardhjes shprehu respekt dhe vlerësim të lartë për Gjeneral Piro Ahmetajn jo vetëm si ekspert i lartë i sigurisë kombëtare, NATO-s e mbi të gjitha kontributin e tij të gjatë në ushtrinë shqiptare e lidhjen e veçantë me Kosovën, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova.
Për Prof.Elena Kocaqin, kryetari i Vatrës z.Berisha shprehu respekt e vlerësim të lartë për kontributin e saj si historiane e kërkuese shkencore në lartësimin e historisë kombëtare e figurave të shquara të kombit shqiptar. Gjeneral Piro Ahmetaj në fjalën e tij ekspozoi rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, eksperiencën e tij të qenësishme për 25 vite si koordinator i NATO-s për zyrën në Shqipëri, peshën dhe rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në integrimin e Kosovës në NATO, aspekte gjeopolitike të shteteve të Ballkanit, rrugëtimin historik të shtetit shqiptar deri në anëtarësimin e plotë në NATO dhe sfidat me të cilat përballet sot Kosova në integrimin në NATO. Në fjalën e tij emocionuese Gjeneral Piro Ahmetaj falenderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për gjithçka që kanë bërë për kombin shqiptar.
Prof.Elena Kocaqi në fjalën e saj theksoi rolin që kishte Vatra në histori ku shpëtoi copëtimin e Shqipërisë, fuqinë lobuese të komunitetit shqiptar në Amerikë, kërkoi bashkëpunimin e të gjitha shoqatave shqiptare për të forcuar faktorin shqiptar në Amerikë e trojet etnike. Ajo kërkoi që shqiptarët e Amerikës të ndihmojnë dhe të fokusohen te shqiptarët e Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë e Çamërisë për të lobuar për interesat e shqiptarëve në Ballkan. Shqiptarët e Amerikës theksoi prof.Kocaqi duhet të krijojnë një lob të fuqishëm me biznesmenë e intelektualë për të qenë imponues mbi politikën shqiptare dhe të negociojë me faktorin politik amerikan për interesat e shqiptarëve në Ballkan.
Dr. Pashko Camaj në fjalën e tij vuri theksin te platforma e Vatrës për bashkimin dhe integrimin e shqiptarëve kurse Dr. Skënder Murtezani diskutoi çështje të sigurisë në Ballkan, punën e institucioneve kombëtare që të duan më shumë shqiptarinë, bashkimin e shqiptarëve e bashkëpunimin mes shtetit të Kosovës e Shqipërisë për tu fuqizuar si shqiptarë në Ballkan.
Dr. Murtezani ekspozoi punën e Vatrës Queens në riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri, punën për kthimin e eshtrave të Fan Nolit në Shqipëri dhe pllakatën e nderimit të Atë Gjergj Fishtës. Takimi vazhdoi gjatë me biseda të ngrohta e vëllazërore në interes të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shqiptarëve në trojet etnike.