Nga Keze Kozeta Zylo/
U promovuan dy librat “Scanderbeg” dhe “Iskander Soldier of the Cross” me autor Halit Daci.
Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. New York mblodhi një numër të madh shqiptarësh në mjediset plot e përplot në “Bright Side” Adult Center, Queens. Anëtarë të shoqatës, bashkëthemelues, anëtarë të rinj, përfaqësues shoqatash, personalitete të njohura morën pjesë në aktivitetin e rëndësishëm për promovimn e librave në nderim të Ditës së Flamurit.
Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej” Inc. nën kujdesin e Bordit të Drejtoreve si
z. Bashkim Shehu, kryetar nderi, z. Mark Qehaja kryetar nderi, Fation Zogiani anëtar i bordit të shoqatës, organizuan promovimin e librave: Scanderbeg, dhe Iskander Soldier of the Cross të përgatitura nga N/Col. Halit Daci ushtarak shqiptar në pension.
Të ftuar special ishin grupi i mirënjohur “Thesaret Labe” të ardhur nga Shqipëria me ftesë të TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” me themelues z.Qemal Zylo.
Me tavolinat kuq e zi dhe simbolet e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. salla dukej dhe më madhështore dhe më rrezëllitëse.
Aktiviteti filloi me intepretimin e Himneve Kombëtare të Shqipërisë, Amerikës si dhe Himnin e Republikës së Kosovës.
Pas Himneve u mbajt një minutë heshtje për Heroin më të fundit të Kombit Afrim Bunjaku i cili u vra mizorisht nga paramilitarët serbë në Veriun e Kosovës.
Ishte krenari për shoqatën tonë të shikoje kaq shumë njerëz në sallë, ndonese kishim dhe më shumë kërkesa, por për shkak të kapacitetit të sallës nuk mundën te merrnin pjesë. Moderatorja Zylo falënderoi familjen e z. Dalip Greca ish editor i Gazetës “Dielli” duke e kujtuar me respekt dhe mirënjohje për veprën e tij që la pas. Ata kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë promovim me plot vlera.
Në prag të ditës së shenjtë të Flamurit nga Bordi dhe grupi i punës ka qenë e mirëmenduar bukur të sillnin një promovim krejtësisht të vecantë. Studjuesi skrupuloz Daci ka hulumtuar dokumente në arshivat historike dhe me majën e penës ka sjellë shkrimtarët
anglo-amerikanë që janë frymëzuar nga Heroi Kombetar Gjergj Kastriot Skënderbeu të cilët kanë shkruar një mori dramash, poezi, balada.
Dy librat voluminoz janë një pasuri e vyer kombëtare pasi lexuesit dhe studjuesit do të gjejnë material, drama, tragjedi, poema disa prej tyre të papublikuara më parë. E ndërsa kumtojmë me plot krenari Gjergjin e Madh në prag të Flamurit nuk ka se si brenda zemrës sonë si emigrantë të larguar nga Atdheu të mos sjellim ndërmend marrjen peng të tij nga Sulltani dhe kthimin heroik në tokat arbërore. Le të kujtojmë sot se cfarë shkruan Noli, elite e Kombit në vitin 1915, ku personalisht përjetoj një emocion të fuqishëm rreth takimit të Skënderbeut me nënën e tij Vojsavën si: Në mos je hije a fantazmë që vjen të gënjesh një plakë të varfër, një qyqe të neveritur, ti je im bir, ti je Gjergji im. Folë! Folë! Mos më mundo.
Flamuri i huaj u hoq dhe tani valon në erë Flamuri i Shqipërisë. Kështu u ngrit më 1443, në vjeshtën e tretë, në kryeqytetin e vjetër të Shqipërisë, Flamuri i kuq me shkabën e zezë me dy krerë…
Programi rreth promovimit të dy librave për Skënderbeun
Në emër të Bordit të drejtorëve të Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. fjalën e hapjes e mbajti z. Bashkim Shehu Kryetar Nderi dhe ish ZV/Ministër i Mbrojtes së Republikës së Shqipërisë.
Në emër të Federatës PanShqiptare “Vatra” përshëndeti Dr. Pashko Camaj Shef i Kabinetit pranë Vatrës famëmadhe.
Rreth autorit të dy librave voluminoz diskutoi z. Ismet Topi, Anëtar i Shoqatës “Skënderbej”, Inc. Ndër të tjera z. Ismet Topi tha se: Autori Halit Daci ka shpalosur talentin e tij duke hulumtuar për figurat historike si për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Ai ka hulumtuar thellë në arshivat shkruar nga historianët perëndimorë të cilët e kanë sjellë artistikisht dhe në skenat e ndryshme. Shkrimtarë dhe personalitete të ndryshme u frymëzuan nga Heroi ynë kombëtar, prandaj tek këto dy libra ne do të lexojmë mjaft nga fama e Skënderbeut të palexuara më parë.
Autori i dy librave Skënderbeg u mirëprit me duartrokitje dhe para të pranishmëve solli fragmente të ndryshme si dhe autorë anglo amerikanë që kanë shkruar për Heroin tonë Kombëtar. Në një slide show solli në ekran gjithë punën rreth librave për Skënderbeun, ku të pranishmit mësuan më shumë dhe më thellësisht rreth tij. Natyrshëm dy librat volominoz duhen studjuar për të njohur se si bota perëndimore anglo saksone ishte frymëzuar nga bëmat dhe heroizmi i pashoq i këtij strategu ushtarak.
Zonjusha Elisa Qehaja një studente brilante në universitet në Amerikë ftoi në skenë Prof. James A. Anderson, Lehman College, Guest Speaker i cili e vlerësoi mjaft lart punën dhe veprën e z. Halit Daci rreth veprave të Skënderbeut. Ndonëse z. Halit Daci i ardhur nga Shqipëria në Amerikë e kishte edukimin e lartë, tha prof. Anderson, përsëri ai vazhdoi studimet në Lehman College master për letërsinë angleze dhe shkencat politike. Dhe ja ku e kemi sot me dy librat studimor rreth Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Shumë interesante ishte leximi i poemës “Scanderbeg”, voice recording of the “Scanderbeg” poem read by poet Padraic Colum, në vitin 1964
Zonjusha Elisa ftoi në emër të Bordit për të përshëndetur Zotin Isham Habibi drejtor i qendrës “Bright Side Adult Center” i cili në mënyrë gjeneroze siguroi mjediset si dhe ushqimin. Z. Habibi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e shumtë dhe tha se ishte i befasuar me këtë pjesëmarrje të gjerë të publikut. Ai vazhdoi se është kënaqësi të vazhdojmë lidhjet dhe komunikimet tona të mëtejshme me ju. Fjalën e tij e pëktheu zonjusha Bukuroshe Cora një vajzë patriote dhe e dashur.
Z. Agim Aliçkaj atdhetar i madh, një luftëtar i Kombit si dhe anëtar i Bordit pranë Ligës shqiptaro amerikane që drejtohet nga kongresisti Joe Di Guardi përshëndeti të pranishmit dhe i uroi autorit Daci punë të mbarë në këtë ndërmarrje sa të vështirë po aq dhe historike.
Programi artistik
Në këtë aktivitet të jashtëzakonshëm dhe madhështor të ftuar special ishin Grupi “Thesaret Labe” me artistët si: Viktor Aliu, Artistic Director dhe solist, Pëllumb Alia, poet dhe solist, Margarita Shehaj, solist, Adnand Aliu solist, Gëzim Aliu solist, Valter Aliu solist, Zylyftar Alia iso ardhur nga Shqipëria në New York. Grupi “Thesaret Labe” është grupi i parë që vjen dhe performon në Diasporën Shqiptaro Amerikane. “Iso-polifonia popullore shqiptare”është në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO.
Ata e filluan me këngën e famshme dhe aq tënjohur si:
Tungjatjeta moj Kosovë,
Vjen nga motër Labëria,
Të bekoi Zoti me dorë,
Kemi një gjak të dyja.
Ata vazhduan me këngë për Gjergj Fishtën dhe Gjuhën Shqipe.
Në fund të performancës së tyre z. Mark Qehaja në emër të Bordit të Shoqatës “Skënderbej” vlerësoi me pllakën e mirënjohjes grupin “Thesaret Labe” me këtë motivacion: Në mirënjohje të kulturës, traditës, këngës labe dhe traditave folklorike të historisë kombëtare shqiptare. Kjo certificatë jepet në Ditën e Flamurit dhe të promovimit të librave për Skënderbeun nga Bordi i Drejtorëve të Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej”Inc.
Para pulikut erdhën tri artistët e mirënjohur dhe dy patriotë të shquar të cilët sollën Interpretimin artistik realizuar nga z. Shaban Lajçi, z. Tom Gjergji, në bashkëpunim me lahutarin Hysen Kurtaj ardhur nga Dardania. Ata interpretuan me plot kulturë dhe profesionalizëm për Gjergj Fishtën, Prek Calin si dhe Lufta e Shekullarit. Lahutari Hysen Kurtaj solli pranë nesh Lahutën, një vegël muzikore autoktone shqiptare mijëra vjecare, por mjerisht e gllabëruar nga serbët. Performanca e tyre ishte e jashtëzakonshme, plot vitalitet dhe kulturë.
Z. Isa Brecani interpretoi vargje nga krijimtaria e tij dhe u duartrokit nga publiku.
Programi u mbyll me artisten Ana Kodra, një artiste që premton shumë dhe është zëri i të rinjve pranë Shoqatës Skënderbej e sjellë nga Shqipëria nga kjo shoqatë. Ana është një vajzë që po vazhdon ëndrrën amerikane që edhe pse në moshë shumë të re ka korrur suksese në skenat shqiptare dhe më gjerë.
Të pranishmit drekuan së bashku dhe u argëtuan me tinguj të muzikës drejtuar nga
Diar Xani, artist dhe anëtar i shoqatës.
Aktiviteti u filmua nga z. Qemal Zylo drejtor dhe producent i TV “Alba Life”, New York ndihmuar nga z. Odise Salillari anëtar i stafit të TV dhe njëkohësisht kryetar i Shoqatës “Devolli”. Së shpejti aktiviteti do të transmetohet në kanalet televizive.
Autorja e shkrimit ishte njëkohësisht dhe moderatore e aktivitetit.
12 Nëntor, 2023