Me rastin e 17 Janarit, Ditëvdekjes së Heroit Kombetar/
Prej Peshkop Fan Stilian Nolit Ph.D./
Titulli i origjinalit: GEORGE CASTRIOTI SCANDERBEG (1405-1468) by Bishop Fan Stylian Noli Ph.D., International Universities Press, New York 1947. Njohuri të mëdha të artit ushtarak mund të nxirren nga jeta e Gustav Adolfit dhe nga ajo e Karlit XII, mbretit të Suedisë, si dhe nga jeta e Ziskës së Bohemisë; dhe do të ishte një punë e paçmueshme, po të mund të sigurohej një përshkrim i mjaftueshëm i bëmave të Skënderbeut, sepse ai shkëlqen midis gjithë gjeneralëve të kohëve të vjetra dhe të sotme si udhëheqës i një ushtrie të vogël mbrojtëse. Skënderbeun e kam gjetur në Historinë e Turqisë, por askund gjetkë…
Gjenerali Xhejmz Uollf (James Wolfe)
Devizes, e dielë, më 18 korrik 1756
(Willson, fq. 296-297)
HYRJE
Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë perms tri fazave të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit. Kjo do të thotë se, në fillim, ai është ngritur në qiell prej admiruesve të tij; se pastaj është dërrmuar në mënyrë të pamëshirshme prej kritikuesve të tij; se, më në fund, është nxjerrë përsëri në shesh, nga varri, dhe me durim, me mundim dhe me mëshirë është vënë në vendin që i takonte prej historianëve të arësyeshëm, që s’kanë qenë verbuar as prej fanatizmit të admiruesve të heroit, as prej tërbimit të kritikuesve të tij.
Skënderbeu nuk i ka shpëtuar këtij rregulli të përgjithshëm. Dhe pyetja, pra, është kjo: ç’mbetet prej tij, pasi që kritika historike ka bërë çmos për ta vrarë dhe për ta ngjallë? Ose, duke shkuar edhe më larg, a është vallë historia e Skënderbeut një mit apo një fakt historik? Ky është problemi i parë për t’u zgjidhur në rastin e tij, si dhe në atë të çdo heroi tjetër, që ka kaluar nga historia prozaike në legjendën poetike.
Historia e Skënderbeut është një tregim i pabesueshëm, ashtu si çdo legjendë. Megjithëkëtë, ajo mund të shkruhet në një prozë të thjeshtë dhe të pastolisur, ashtu si dhe çdo tregim tjetër i kohës së tij. Dy historianë shqiptarë, Tivarasi, ose anonimi i Tivarit dhe Marin Barleti prej Shkodre, kanë shkruajtur biografi të gjata dhe të hollësishme të heroit. Pa pikë dyshimi, ata janë panegjiristë, por historia e tyre mund të kontrollohet, të ndreqet e të plotësohet me shkrimet e historianëvet bashkëkohës italianë, bizantine e turq, si dhe me burimet e arkivave që kemi në dorë tani.
Historianët kritikë në përgjithësi pretendojnë se më të shumtat e fitoreve të Skënderbeut kanë qenë pak a shumë të zmadhuara prej biografëve të tij, gjë që është e vërtetë deri në një fare pike; por pastaj hidhen në përfundimin se gjithë historia e Skënderbeut është një ballon i fryrë, gjë që është krejtësisht e gabuar. Duket sikur ata harrojnë që pika kryesore në historinë e Skënderbeut është një fakt historik, mbi të cilin, sidoqoftë, s’do duhej të kishte as pikën e dyshimit. Më 1443 Skënderbeu shtiu në dorë kështjellën e Krujës, dhe e mbrojti vazhdimisht, kundër Muratit II (1421- 1451) dhe Mehmetit II (1451-1480), pë një çerek shekulli. Kruja ra vetëm më 1478, dhjetë vjet pas vdekjes së Skënderbeut. Si pasojë, problemi kryesor në karrierën e Skënderbeut është ky: A kanë bërë Murati II dhe Mehmeti II njëri pas tjetrit, ndonjë përpjekje serioze për ta pushtuar Krujën, dhe a kanë qenë ata çdo herë të shtrënguar prej Skënderbeut të heqin dorë prej rrethimit e të tërhiqen? Po t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje në mënyrë pohuese, dhe po të jenë fakte të vërtetuara këto ekspedita të mëdha e të udhëhequra personalisht prej dy sulltanësh të mëdhenj, atëherë çdo gjë tjetër bëhet e një rëndësie të dytë. Zmadhimet e biografëve të Skënderbeut u takojnë vetëm hollësirave të dyta, dhe këto hollësira nuk e lëkundin aspak faktin qëndror, domethënë që Sulltanët dështuan në përpjekjet e tyre për ta mundur Skënderbeun dhe për ta shtënë në dorë kështjellën e tij. Ky është, në bërthamën e tij, problemi qendror i historisë së Skënderbeut. Megjithatë, problemi i ngadhnjimeve të tjera të Skënderbeut s’duhet t’u shpëtojë syve tanë; në rast se këto fitore mund të vërtetohen në mënyrë të qartë, atëherë besueshmëria e biografëve të tij është e siguruar.
Në rast se nuk tregohet në mënyrën e duhur, lufta e pabarabartë e Skënderbeut dhe e krahinës së tij të vogël malore kundër dy sulltanëve nga më të mëdhenjtë e Perandorisë Osmane që po ngrihej, kishte për të tingëlluar si një duel përrallor midis një Davidi të vogël të rreckosur dhe dy Goliathëve të veshur krejtësisht me hekur. Prandaj duhet të kemi kujdes të tregojmë mire se Skënderbeu nuk ka qenë fill I vetëm në luftën e tij epike, por ka qenë përkrahur nga faktorë të fuqishëm, të tillë si Papati, Mbretëria e Napolit, Republika e Venedikut, Qyteti i Raguzës, me një fjalë, nga e tërë bota katolike romane, çështjen e së cilës ai e mbronte në Ballkan. Këtyre duhet t’u shtojmë edhe faktorët gjeografikë, shoqërorë dhe ekonomikë që vepronin në dobi të Skënderbeut, dhe, më në fund, shqiptarët vetë, të cilët qëndruan me tv deri në pikën e fundit. Çdo faktor përbën një problem në vetvete dhe meriton të studiohet veçanërisht. Problemi për të gjetur se cili ka qenë, në rast se ka qenë, faktori vendimtar, do të mbetet gjithmonë i pazgjidhur. Por të gjitha së bashku, do të ndihmojnë për të shpjeguar karrierën e shkëlqyer të Skënderbeut. Kuptohet pa e thënë se faktorët shoqërorë dhe ekonomikë kanë qenë atëherë, ashtu siç janë gjithmonë, në rrënjët e gjithë punëvet.
Taktika ushtarake e Skënderbeut ka qenë ajo e luftës së çetave në mal. Pra, pyetja që duhet bërë është kjo: ku e mësoi ai zanatin e tij aq mire, sa të ishte i zoti të ndalonte me këtë armë primitive dy nga sulltanët më të medhenj? Mos vallë në mallet, ku kish lindur, apo në pallatin e sulltanit, ashtu siç e thonë gojëdhënat? Ky problem I rëndësishëm, që është enigma e pare, së cilës duhet t’I bëjë ballë historiani, ose është kapërxyer ose është trajtuar në mënyrë të përciptë.
Disa historianë e kanë pranuar legjendën rreth fëmijërisë së Skënderbeut; kurse disa të tjerë kanë shprehur dyshime sepse legjenda kundërshtohet prej aritmetikës dhe kronologjisë. Por askush nuk e ka thelluar në mënyrë të mjaftueshme çështjen, për t’I gjetur një rrugëdalje këtij fillimi përrallor. Ky problem do të bisedohet më gjatë atje ku e ka vendin. Këtu mjafton të thuhet se gojëdhëna është e papranueshme për më tepër se një arësye. Ajo duhet ose të hidhet poshtë krejtësisht ose të ndryshohet rrënjësisht. Sidoqoftë problemit nuk duhet dhe nuk mund t’i shkohet rrotull. Përndryshe, krejt biografia e Skënderbeut do të ndërtohej mbi rërë.
Autorët e dy vëllimeve monumentale të veprës Acta et Diplomata Albaniae mendonin të botonin edhe tri vëllime të tjera, me qëllim që të përfshinin periudhën e viteve 1407-1471, e cila përputhet me jetën e Skënderbeut. Lufta e Parë Botërore u dha fund punimeve të tyre. Më 1916 njeri nga tre dijetarët, hungarezi Ludwig von Thaloczy gjeti vdekjen në një ndeshje trenash; më 1918 vdiq çeku Kostantin Jireçek; dhe, më në fund, kroati Milan von Sufflay u vra prej një fanatiku sërb. Me vdekjen e këtij të fundit u varrosën jo vetëm tri vëllimet e pabotuara të veprës “Acta”, por edhe një Histori e Shqipërisë, që ai ishte duke shkruar. Vetëm një kapitull I kësaj të fundit I shpëtoi katastrofës, ai që është botuar në “Illyrisch-Albanisch Forschungen”. Gjithë kjo punë e madhe duhet të bëhet përsëri. Po ashtu, detyra e të shkruarit të histories së Skënderbeut është ngatërruar tashti prej faktit se burimet janë shpërndarë në katër anët e botës dhe duhet të gjenden e të mblidhen përsëri. Disa prej këtyre librave nuk gjenden në Shtetet e Bashkuara. Disa prej atyre që gjenden, nuk ndodhen në Boston ose në Cambridge. Duhet të bësh një udhëtim në qytetin e New York-ut për të gjetur veprën e Saadeddinit “Kurora e Historive” në gjuhën turqishte, si dhe për katër vepra të tjera shumë më të rëndësishme. “Historia e Shkurtër e Shqipërisë” e Jorgës në gjuhën frëngjishte, gjendet vetëm në Washington, D.C. Për fat të mire, Biblioteka e Kongresit është aq zemërgjerë, sa t’ia jape hua këtë libër bibliotekave të tjera, me kërkesën e këtyre, për një kohë të shkurtër. Me gjithë këto pengesa që hasëm, gjetëm një material të mjaftueshëm për të përligjur një libër të rim bi skënderbeun.
Problemi i marrjes së librit të një biblioteke me qëllim konsultimi nuk është gjithmonë i thjeshtë. Ka mundësi që, këtë të jetë duke e përdorur dikush tjetër ose, ca më keq, që ndonjë djalosh I papjekur ta ketë humbur përkohësisht librin, ose që ky të mos jetë kurrë në vendin e vet, kështu që të duhen kërkime të gjata për të kthyer librin në bazë. Mësimi për t’u nxjerrë nga kjo përvojë e hidhur ka qenë që të kopjohej çdo gjë në lidhje me subjektin para se libri t’I kthehej djaloshit të pakujdesshëm dhe të hiqej gjithmonë nga qarkullimi. U deshën muaj të tërë për të bërë këtë punë kopjimi. Por prej kësaj pune deri te një shtojcë, që do t’I bënte konsultimet më të lehta si për autorin, ashtu edhe për lexuesin, mbetej vetëm një hap për t’u hedhur. Shtojca ideale kishte për të qënë ajo që do të përmbante çdo dokument të rëndësishëm që ka të bëjë me Skënderbeun. Kjo nuk mund të bëhet, sepse do të duhej një vëllim i veçantë. Kështu u desh që shtojca të shkurtohej deri në një përmbledhje të vogël materialesh që kanë qenë lënë pas dore ose që meritojnë të theksohen më shumë.
Historia e Skënderbeut është interesante nga katër pikëpamje të ndryshme: si një kryqëzatë kristiane kundër turqvet; si një luftë klase e fshatarësisë së lirë shqiptare kundër feudalizmit turk, nga njëra anë, dhe kundër kapitalizmit venedikas, nga ana tjetër; si një luftë e gjatë rezistence kundër dy sulltanëve më të mëdhenj të turqve; dhe, më në fund, si një kapitull shumë i rëndësishëm i historisë së Gadishullit Ballkanik. Ajo meriton të tregohet përsëri në gjuhën inglishte, pasi libri i Moor-it mbi këtë temë, i shkruar rreth një shekull më pare, është vjetëruar. Ky libër kishte për qëllim ta plotësonte këtë mungesë. E parashtruar në fillim si një disertacion për titullin e doktorit të filozofisë së Universitetit të Bostonit, vepra tani është përpunuar për publikun e gjërë, duke shtuar burimet, shtojcën, shënimet, të cilat janë vënë në fund të librit, ku mund të konsultohen prej atyre që kanë nevojë, pa shqetësuar lexuesin e mesëm.
Përfitoj nga ky rast për t’u shprehur botërisht falënderimet e mia profesorit Warren Ault dhe profesorit Frank Nowak, që kanë lexuar këtë libër dhe më kanë ndihmuar me vërejtjet e tyre.
F. S. NOLI
Boston, Mass., më 7 shkurt 1946.
(vijon)