Luljeta Xhediku/
Emri i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, përjetësohet në një nga rrugët e metropolit botëror, qytetit që kurrë nuk fle, New York. Emocione të papërshkrueshme me fjalë ato që çdo shqiptar që ishte i pranishëm sot në inaugurimin e rrugës me emrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në lagjen Bronx të qytetit të New York-ut, por akoma më të forta këto emocione ishin për anëtarët e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., të cilët nën drejtimin e kryetarit z. Imer Lacaj dhe kryesisë së saj morën pjesë në këtë event madhështor për të gjithë shqiptarët. Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., nën një organizim tepër dinjitoz, ku të gjithë anëtarët ishin veshur me ngjyrat e flamurit kuqezi, për të nderuar heroin tonë kombëtar dhe popullin shqiptar ishin pjesë dhe sponsor të këtij eventi. Kjo ngjarje historike për popullin shqiptar u hap me parakalimin me kuaj të policisë amerikane dhe më pas me këndimin e dy himneve kombëtare, atë amerikan edhe atë shqiptar nga këngëtarja që mban titullin Mjeshtër i Madh, Merita Halili. Interpretimet e shkëlqyera të grupit arbëresh, “Shqiponja”, të cilët jo vetëm kënduan e vallëzuan në tingujt e muzikës shqipe, por edhe folën gjuhën tonë të bukur emocionoi pjesëmarrësit. Me duartrokitje të zjarrta u mirëprit lideri i shqiptarëve, ish-këshilltari i Bashkisë së New York-ut, z. Mark Gjonaj. Z. Gjonaj u shpreh se “Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për komunitetin shqiptar në New York, sepse ne rikujtojmë heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Unë shpresoj se kjo ngjarje do të lerë kujtime të paharruara për ju dhe brezat që do vijnë”. Z. Gjonaj ftoi të ngjitet në podium kryetarin e Bashkisë së New York-ut, z. Eric Adams. Kryetari i Bashkisë së New York-ut, z. Eric Adams, duke bërë me duar shqiponjën dykrenare tha: “Ky është një komunitet i mrekullueshëm, ndërsa unë ec nëpër qytet, unë flas për njujorkezët e mirë, unë flas për njujorkezët që zgjohen çdo ditë, shkojnë në punë çdo ditë, ngrenë qepenin e dyqanit, fshijnë, punojnë 14-15 orë, ata nuk shkojnë nëpër dyqane të qëllojnë, por janë pronarë të këtyre dyqaneve, dhe hapin vende pune për njujorkezët, ata nuk flasin kundër policisë, por ata e mbështesin policinë, unë kur flas për njujorkezët e mirë e kam fjalën për komunitetin shqiptar, të cilët prezantojnë njujorkezët e mirë, që janë punëtorë të zotë e të dedikuar, që jetojnë një jetë cilësore që ne meritojmë në qytet. Kjo ditë e vënies së emrit të heroit tuaj kombëtar të një rruge është një ditë e rëndësishme, dhe çdokush që kalon në këtë rrugë do të shikojë emrin dhe do të thotë se ne duam të njihemi në qytet nën këtë emër që simbolizojmë. Më pas fjalën e mori senatori amerikan, Chuck Schumer. Senatori Schumer në fjalën e tij theksoi “Unë e dua këtë komunitet, sepse ju jeni më të mirët e Amerikës, shumë njerëz erdhën këtu në vitet ’60, ’70, ’80 edhe gjëja e vetme që donit të bënit ishte të punonit shumë dhe të siguronit një jetë më të mirë për fëmijët tuaj dhe ju ja dolët. Unë dua të përgëzoj një shqiptar të mrekullueshëm që e filloi si një recepsionist dhe sot është pronar i ndërtesave të tij. Senatori Chuck Schumer vijoi se ne duhet ta mbajmë mend historinë tonë, “historia e shqiptarëve është një histori shumë e bukur, sepse shumë kombe u përpoqën ta copëtonin Shqipërinë, por Shqipëria rezistoi”. Në fund, senatori u uroi jetë të gjatë shqiptarëve kudo janë dhe kërkoi bekimin e Zotit mbi shqiptarët dhe premtoi se do të ngrinte zërin për ata në Uashington çdo ditë. Aktiviteti vijoi me interpretime dhe performanca nga artistë të shquar shqiptarë, si dhe valle të ndryshme nga trevat tona. Të gjithë të pranishmit u ndien krenar që një rrugë në New York, qyteti i ëndrrave për të gjithë shqiptarët, mban emrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Anëtarët e shoqatës pas këtij eventi u mblodhën së bashku për të diskutuar për aktivitetet e ardhshme të kësaj shoqate që ka si mision ruajtjen e identitetit tonë kombëtar dhe përcjelljen e vlerave në brezat e ardhshëm.