![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2024/04/440374304_839537494881441_8577306085184951611_n-1.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2024/04/439831221_839537481548109_8472078660598320840_n.jpg)
Sokol Paja/
Tenori Gjergji Mani është ndër artistët më të shkëlqyer shqiptar që përformon në skenat artistike të Rumanisë duke qenë një ambasador i kulturës kombëtare e përçues i vlerave të artit shqiptar. Tenori Gjergji Mani është diplomuar në Universitetin Nacional te Muzikës në Bukuresht të Rumanisë, degën kanto klasik. Në një rrëfim për gazetën “Dielli” organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në New York, tenori Mani rrëfen jetën e tij artistike e rrugëtimit e suksesshëm profesional. “Në kohën kur isha student u ëmërova solist në Operan Komike të Bukureshtit. Këndoj që në moshë të vogël dhe kam debutuar në skenën muzikore qysh atëherë, në qytetin tim të lindjes, që është Korça. Për vite me rradhe mora formimin artistik si flautist në Liceun Artistik të Korçës dhe më pas studiova për kitarë klasikë, ndërsa njohja ime me tenorin e madh shqiptar Gjergj Suliotin diku në adoleshencë, u bë shkak frymëzimi për këtë rrugëtim që mora, shprehet tenori Mani. Profesori i shquar shqiptar Sulioti i shërbeu si frymëzim e motivim për të shkëlqyer si artist dhe njeri. “Brënda profesorit njoha më gjëre botën operistike dhe erdha në kontakt me teknikën e zërit. Ai u bë shkaku që vazhdova të këndoj përtej skenave të festivalit të fëmijëve. Kujtoj që kenduam bashkë në një koncert në Korçë dhe at’herë u dashurova me muziken operistike.Në Operan Komike të Bukureshtit kam debutuar në disa role si Tamino ” Flautin Magjik ” , Belmonte “Rembimi nga Serai” , konti Almaviva nga “Berberi i Seviljes ” , Nemorino “L’elixir D’amour”, etje…Vitet e fundit u riatdhesova në qytetin e Korçës fal Inva Mulës dhe Mik Festivalit që pata nderin të përformoj në tre koncerte. Jam i martuar me sopranon falkone Ionela Mani dhe kemi dy fëmijë” rrëfen për Diellin tenori Gjergji Mani.
Ai u ëmërua solist që në moshë të hershme në Operan Komike të Rumanisë. Është shqiptari i parë që ëmerohet në një pozicion të tillë, çka e bën edhe më shumë krenar. “Kam interpretuar role kryesore në kryeveprat e repertorit operistik botëror si Karmen, Flauti Magjik, Rembimi nga Serai, Eliksiri, Berberi i Seviljes, Die Fledermaus, Eine nacht in venedig Strauss, Orfeu ne fer por edhe role nga opera dhe opereta rumune si Crai nou, Ana Lugojana, Motanul incaltat, O noapte fortunoasa etj” rrëfen për Diellin artisti i shquar Gjergji Mani. Ai ka bërë dy albume me këngë rumune dhe shqiptare bashkë me bashkëshorten e tij, në bashkepunim gjithmonë me Shoqatën Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë. “Kam marrë pjesë edhe në dhjetra koncerte si jashtë dhe brenda Rumanisë, me të fundit koncertin e datës 6 prill në Korçë për inagurimin e Qendrës së re të Kulturës dhe Inovacionit dhe 100 vjetorin e orkestrës simfonike, ku performova pranë Kastriot Tushës dhe Aurel Thëllimit” shpjegon tenori Gjergji Mani. Arti dhe Kultura janë gjithmonë të lidhura me shoqërinë, thotë artisti Mani pasi arti sipas tij bëhet duke u nisur nga njeriu, ndërsa njeriu jeton, mendon dhe ndjen në raport me artin dhe sidomos me këngën. Arti dhe kultura në çdo kohë kanë qenë dhe do të mbeten mjete të rëndësishme dhe ai “guri themeltar” i zhvillimit të shoqërisë, analizon tenori Gjergji Mani.
Karriera prej afro dy dekadash në fushën e muzikës e Gjergji Manit përveç suksesit është frymëzuese për çdo artist sidomos talentet e reja të artit shqiptar. “Gjithmonë kam qënë vigjilent të dëgjoj dhe të ndihmoj kolegë të rrinj me çka mundem, po ashtu siç më kanë ndihmuar edhe mua në fillimet e mia të para. Madje Qarku i Korçës në bashkepunim me Qendrën e Kulturës dhe Inovacionit ka për më shumë se 15 vjet që organizon Rin Show, një show që zbulon talente të reja në të gjitha fushat artistike. Do kisha dëshirë në mundësi edhe të kohës sime të ndjek grupet e muzikës dhe të punoj me to edhe pse jo? Të ndimoja ndonjë këngëtar të ri me bursë këtu në Rumani” shprehet për “Diellin” tenori Mani. Në rrëfimin artistik për Diellin e Vatrës rreth frymëzimin prej artistëve të mëdhenj, tenori Gjergji Mani shprehet: “si korçar që jam kam pasur shumë artistë në qytet të më frymëzonin, por fillimisht kanë qënë këngëtarët e korit karakteristik lira, më vonë profesori im Gjergj Sulioti por dhe kënëtarë të tjerë operistikë shqiptarë si Inva Mula, Avni Mula, Ramiz Kovaçi, Xhoni Athanas.Gjithashtu Pavarotti, Kareras, Domingo, Del Monaco, Corelli, Bergozi, Di Stefano etj…që përbëjnë busulla artistike për mua.
Pastaj duke hyrë më thellë në repertorin operistik burim frymëzimi ka qënë për mua Bellini, Rossini, Donizetti dhe vitet e fundit mund të them që arrita të kuptoj më mirë Puccinin dhe Verdin” shpjegon për lexuesit e Diellit tenori Mani.
Ai rrëfen dhe ëndrrën e tij të madhe duke kënduar me Inva Mulën. “Sa për koncertin me Sopranon e madhe dhe Divën e skenave botërore Inva Mula për mua përbën realizimin e një ëndrre të madhe që vjen qysh nga fëmijëria ime në Korçë. Kam qënë ende student i kantos në Rumani kur e shikoja Invën në skenat botërore. Gjithmonë kam dashur të bashkëpunoj me të në një çast të jetës sime artistike. Kjo dëshirë mu realizua më së miri vitin e kaluar në MiK Festivalin që u zhvillua në Korçë dhe në Drenovë, ku pata fatin ta kem drejtore artistike.
Ndërkohë që këtë vit do ndajmë skenën edhe në Rumani, që për Invën ka një simbolizim të veçantë, pasi Rumania përbën një nga stacionet e saja historike drejt rrugëtimit të saj botëror. Nder i madh dhe emocion i paparë” përfundon rrëfimin e tij për gazetën “Dielli” tenori Gjergji Mani.