
Prof.Dr. Fatbardha Fishta Hoxha/
Nga të parët humanistë që u bë i njohur jashtë trojeve amtare, Gjon Gazulli ka jetuar në gjysmën e parë të shekullit XV, pra në kohën e luftërave të Skënderbeut kundër hordhive osmane. Të parët e Gjon Gazullit qenë larguar nga Shqipëria për shkak të pushtimit osman dhe qenë vendosur në Republikën e Raguzës në Dalmaci. Ata rridhnin, sipas pohimeve të studiuesve, nga Mirdita apo Zadrima, megjithëse ky patronim është mjaft i përhapur në këto krahina. Ndonjë studiues e vendosin prejardhjen e tij në Kukël, Lezhë, ku mendohet edhe të ketë lindur. Familja e Gjon Gazullit e shpërngulur në Raguzë nuk i shkëputi lidhjet me krahinat shqiptare dhe nuk e reshti punën me dobi të Atdheut. Gjon Gazulli mori një edukim të fortë atdhetar në familje si edhe nëpër shkollat humaniste të porsahapura të Raguzës. Shkollat e këtij qyteti nen shembullin i shkollave humaniste të Gadishullit të Apenineve, kishin lënë pas mënyrat e vjetra skolastike dhe kishin bërë hapa përpara në kultivimin e dijeve njerëzore mbi bazën e përvojës së fituar dhe nga trashëgimi i vyer i antikitetit.
Gjon Gazulli nuk u mjaftua me kulturën që fitoi në këto shkolla, por në moshën 25 vjeçare vazhdoi studimet në Universitetin e Padovës. Atje ai u shqua si një ndër studentët më të përgatitur, me këmbëngulës dhe me vullnet e dëshirë të madhe për të fituar dije të reja. Në Padova, afërsisht në moshën 30 vjeçare, përpara nje komisioni të gjerë të përbërë nga personalitete të shquara më 31 janar 1430 ai mori titullin “Doktor në shkencat e lira”. Sipas dokumenteve, rezulton se, para komisionit, Gjoni e ka shprehur me krenari origjinën e tij shqiptare, po me këtë dinjitet, si shqiptar, ai do të shquhet më pas në fushën politike, shkencore e pedagogjike. Shkencat e lira, ose shtatë artet e lira, në mesjetë ishin gramatika, retorika, dialektika, aritmetika, gjeometria, astronomia dhe muzika. Po drejtimet kryesore të studimeve të tij do të jenë matematika dhe astronomia, krahas oratorisë dhe diplomacisë. Është me interes, të theksohet fakti, se krahas gjashtë personaliteteve në komisionin e dhënies së titullit janë edhe dy personalitete me prejardhje nga Durrësi. Dëshmon ky fakt, jo vetëm se shqiptarët e ditur nuk ishin pak në atë kohë, por edhe se ata ishin të pranishëm në qendra universitare dhe jepnin kontributin e tyre të çmuar në lëvizjen e madhe humaniste në Evropë.
Gjatë shek. XV dhe më parë, marrëdhëniet e principatave shqiptare me Republikën e Raguzës qenë të mira. Ashtu si shumë qytete shqiptare të Mesjetës si Durrësi, Shkodra, Vlora, Berati etj., edhe Raguza ishte e zhvilluar, por ndërsa qytetet tona u rrënuan dhe trashëgimia kulturore pësoi shkatërrimin, humbjen, Raguza i shpëtoi vlerat e saj kulturore e artistike si dhe arkivat e dokumenteve që përmbajnë të dhëna me shumë interes edhe për historinë e Shqipërisë. Në vitin 1432, Gjon Gazullin e gjejmë në Raguzë ku bën emër si personalitet me rëndësi në jetën politike e kulturore të qytetit. Edhe më parë ai nuk është shkëputur nga ky qytet. Qëndrimet si dhe lëvizjet e tij sa në Raguzë dhe në Padova i kanë shërbyer për të ngritur një bibliotekë të pasur për kohën, funksionale për të cilen shkriu, sic del nga deshmite, që na kane arritur, cdo pasuri qe pati. Në këtë kohë kur trojet shqiptare ishin nen pushtimin osman, Raguza luftonte te shmangte varesine e ndikimin qe kishin ne jeten e saj politike por dhe ekonomike mbreteriae Hungarise dhe e Napolit si dhe Republika e Laguneve, Venediku.
Duke cmuar aftesite, pergatitjet dhe personalitetin e rralle te humanistit shqiptar, Gjon Gazulli, Senati i Raguzës e ngarkoi me mision diplomatik pranë mbretit të Hungarisë. Ai duhej të ndërhynte për të siguruar mundësitë që anijet tregtare të Raguzës të lundronin dhe të tregtonin lirisht në vendet e Lindjes. Sipas të dhënave që dalin nga dokumentet del se Gjon Gazulli shperblimin personal qe arriti te perfitonte nga ky mision diplomatik e vuri per te blere arme për Shqipërinë. Ky mision e bëri atë të njohur në Raguzë por edhe në vendet evropiane të kohës. Në dokumentet e botuara lidhur me marrëdhëniet politike e diplomatike të Republikës së Raguzës me Mbretërinë e Hungarisë, emri i Gjon Gazullit përmendet shpesh duke u cilësuar si diplomati i zoti dhe shkencëtari i shkëlqyer. Më 1433 Gazullin e gjejmë në Universitetin e Padovës, por kësaj radhe me detyrën e pedagogut. Veprimtaria e tij pedagogjike shkencore në këtë Universitet të vjetër dhe në këtë qendër të rëndësishme të Rilindjes Evropiane është e madhe.
Në qarqet shkencore më të përparuara të kohës ai fitoi njohuritë e reja shkencore, shfrytëzoi veprat origjinale të autorëve të vjetër dhe i përktheu ato. Në katedren e matematikës dhe të astronomisë, ku shume shpejt ai merrfunksionin drejtues, ai shquhet si një nga pedagogët më të përgatitur. Edhe pse Republika e Raguzës e çmon, i ofronte edhe të qëndronte aty, ai nuk i ndërpret lidhjet me Universitetin e Padovës. Ai ndërmerr një varg udhëtimesh diplomatike në Hungari, në Italinë e Jugut si përfaqësues i Republikës së Raguzës. Si politikan, diplomat dhe shkencëtar, Gjon Gazulli kishte autoritet të madh në Raguzë. Me interes është fakti se ai ndërthuri veprimtarinë në mbrojtje të interesave të Republikës së Raguzës me interesat dhe synimet e lëvizjes çlirimtare shqiptare për kthimin e Skënderbeut për të cilat vepron dhe ndërhyn në mënyrë energjike në Vatikan, në Mbretërinë e Hungarisë e gjetiu. Si pedagog universiteti bën emër në shkencat matematikë dhe astronomike. Njihte mirë gjuhët klasike, latinishten dhe greqishten dhe qe i pari që iu vu punës për përkthimet e dorëshkrimeve të gjeografit e astronomit grek Ptolemeut.
Në kohën e zbulimeve të reja gjeografike, të udhëtimeve të largëta detare, shkencat matematikë e astronomike merrnin një rëndësi të dorës së parë. Veprimtaria e Gazullit si pedagog e shkencëtar ka qenë e shquar, ai ka qenë një autoritet shkencor, fama e të cilit pat kapërcyer kufijtë e Dalmacisë dhe të Italisë. Ai u kërkua si i tillë në Oborrin Mbretëror të Hungarisë më 1458. Edhe vëllezërit e Gjon Gazullit, Pal e Andrea Gazulli qenë të ditur dhe me formim humanist. Përveçse pedagog, Pal Gazulli ishte për dy vjet edhe rektor i shkollave humaniste në Raguzë. Me kthimin e Skënderbeut në Krujë më 1443, Pali dhe Andrea Gazulli kaluan në shërbim të Skënderbeut. Senati i Raguzës zgjedh si ambasador të vetin në Hungari Gjon Gazullin jo vetëm si njeri i ditur dhe orator i aftë, por edhe si shqiptar, funksion të cilin shkencëtari do ta shfrytëzonte edhe në të mirë të çështjes shqiptare. Ftesës për të bashkëpunuar me astronomë të shquar në oborrin mbretëror hungarez, Gjon Gazulli nuk iu përgjigj për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore. Por me sa duket ai nuk donte të shkonte në një vend nga do ta kishte tepër të vështirë të ndiqte zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri.
Në shenjë mirënjohjeje për konsideratën e lartë për të dhe nga dëshira për një bashkëpunim shkencor, ai u dërgoi atyre veprën e tij të përfunduar, një traktat mbi astronominë, në dorëshkrim. Humanisti kroat, Jan Panoni (1434–1472) i entuziazmuar nga kjo vepër e dijetarit shqiptar, i shkroi atij këto radhë: “Shpresën që kemi patur prej kohësh për të njohur kërkimet e juaja, tashti ne mundemi ta provojmë me të vërtetë… Na kënaq për së tepërmi ai libri juaj, të cilin tashti vonë na e keni dërguar. Vepra është e mbushur me kaq dije e gojëtari, sa libri është i këndshëm për lexim dhe i dobishëm për studim. Duhet të themi të vërtetën, se disa mendime te ngatërruara të astronomëve të moçëm, të cilat ka kohë që dëshironim t’i kuptonim qartë, tek vepra juaj i gjetëm si në dritën e diellit. Prandaj ju porosisim me gjithë zemër që të mos përtoni dhe të shkruani për t’i dhënë fund veprës suaj sepse kjo është në dobi të studiuesve, për famën tuaj dhe dëshirën tonë…”
Në bibliotekën e astronomit austriak bashkëkohës me Gjon Gazullin, Johan Myller, i njohur me pseudonimin Regio-montanus i cili nuk pajtohej plotësisht me teorinë e Gazullit, megjithëse e vlerësonte shumë, është gjetur edhe vepra Libri i Gazullit mbi astronominë. Astronomët bashkëkohës dhe ata më pas kanë çmuar tek Gazulli arritjet e tij në astronomi si: tabelat e koordinuara astronomike, gjeometrinë e sferave qiellore, vrojtimet konkrete astronomike. Vepra e Gjon Gazullit ka shërbyer si pikë referimi në mendimin e mëtejshëm astronomik. Gazullin e përmend edhe astronomi me famë botërore, Kepleri.
Në veprimtarinë dhe personalitetin e shumanshëm politik, diplomatik, astronom dhe matematicien hedhin dritë shumë dokumente, ndër to edhe fjalimi që mbajti para Papës Nikolla V, në Romë në vitin 1451. Aty shfaqet krahas veprimtarisë, mendimi i thellë dhe gojëtaria e tij e veçantë, ndërsa testamenti i hartuar dhe i firmosur “me mendje të shëndoshë e ndërgjegjie të plotë” prej tij, dy ditë para vdekjes sjell informacion të pasur personal. Nga ky testament kuptojmë se Gjon Gazulli nuk ka tjetër pasuri veç librave dhe shtëpisë që janë gjithë fryti i jetës së tij. Ai lë porosi që librat t’i dhurohen një kishe në Raguzë dhe të shfrytëzohen aty pa dalë jashtë. Ai ndër të tjera porosit që libri origjinal i Ptolemeut, gjeografit të lashtë, t’i kalojë në pronësi një miku të tij. Sa u tha del qartë kujdesi dhe kulti që kishte ky dijetar i shquar shqiptar për librin.
Gjon Gazulli vdiq në Raguzë më 19 shkurt 1465. Ai la pas një emër dhe një vepër të shquar në lëmin e politikës, diplomacisë, të atdhetarizmit si dhe në fushën e shkencave matematikë e astronomike. Ai përpunoi teorinë e ndarjes së gjithësisë në shtëpi qiellore apo në sistemin e “yjësive qiellore” duke i shoqëruar me tabelat llogaritëse të tij që janë përdorur në Evropë nga shkencëtarë e astronomë. Me interes për objektin tonë është se si në fjalimet ashtu edhe në librin e tij për astronominë, ai, siç vërejnë studiuesit, i është përmbajtur parimit, sipas të cilit, shkenca e dija pajtohen me letërsinë dhe artin, ashtu siç ndodh në veprat e gjithë autorëve humanistë.
Foto: wikipedia.org