


Ettore Bonanno, themelues i shoqatës kulturore “Fili Meridiani” dhe i agjencisë së komunikimit “Emira Digital” në një rrëfim ekskluziv dhënë për gazetën “Dielli”, organ i Federatës “Vatra” në New York, tregon punën e jashtëzakonshme për ruajtjen e promovimin e vlerave e trashëgimisë shpirtërore e materiale të Arbëreshëve, sfidat me të cilat përballen Arbëreshët, vlerësimi i trashëgimisë materiale dhe jomateriale arbëreshe: nga arkitektura tradicionale te gjuha, nga ritet fetare te rrëfimet gojore, nga mjeshtëritë artizanale te muzika.
Me Ettore Bonanno bisedoi editori i gazetës “Dielli” Sokol Paja.
Roli i shoqatës “Fili Meridiani” për ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe trashëgimisë arbëreshe
Shoqata “Fili Meridiani” lindi nga dëshira për t’i kthyer vlerën kulturës arbëreshe, jo vetëm si trashëgimi për t’u ruajtur, por si një burim i gjallë dhe aktual. Ne veprojmë në Kalabri, në zonat e Arbërisë së Crotone-s, përmes projekteve edukative, laboratorëve ndërbreznorë, prodhimeve audiovizive, aktiviteteve kulturore dhe itinerareve turistike përvoja. Qëllimi ynë është të valorizojmë trashëgiminë materiale dhe jomateriale arbëreshe: nga arkitektura tradicionale te gjuha, nga ritet fetare te rrëfimet gojore, nga mjeshtëritë artizanale te muzika. Këtij qëllimi i bashkëngjisim përdorimin eksperimental të gjuhëve bashkëkohore për të rrëfyer identitetin arbëresh në mënyrë kreative dhe të kapshme, edhe për gjeneratat e reja. Një pjesë e rëndësishme e punës sonë zhvillohet edhe nëpërmjet rrjeteve sociale, ku ndajmë histori, fytyra, kujtime dhe përmbajtje kulturore për të përfshirë si komunitetet vendase ashtu edhe publikun e ri dhe global.
MUZÈ Arbëria dhe puna me fëmijët e Arbëreshëve
MUZÈ – Spazio Arbëria, i inauguruar në vitin 2021, është një hapësirë komunitare, një vend fizik dhe simbolik kushtuar kujtesës dhe kreativitetit arbëresh.
Sapo është rihapur për publikun në një seli të re, më të aksesueshme dhe funksionale, në zemër të Pallagorio-s. Nuk është një muze tradicional, por një mjedis i gjallë, ku zhvillohen laboratore për fëmijë, takime ndërbreznore, ekspozita të përkohshme, kërkime dhe arkivime. MUZÈ është gjithashtu një vend me interes turistik, i hapur për vizitorë, udhëtarë dhe studiues: këtu njihen gjuha arbëreshe, kostumet tradicionale, arët e vjetra, ritet fetare dhe familjare, në një tregim tërheqës dhe të kapshëm. Brenda tij është aktive një videotekë e rëndësishme, në përditësim të vazhdueshëm, kushtuar gjuhës dhe kulturës arbëreshe, që mbledh dëshmi gojore, materiale arkivore, dokumentarë dhe përmbajtje origjinale të prodhuara me dhe për komunitetin. Në të ardhmen duam ta forcojmë MUZÈ si një qendër prodhimi kulturor, pikë referimi për gjithë Arbërinë krotonese, në rrjet edhe me realitete në Shqipëri dhe Kosovë.
“POP ARBËRESH” – zëri i gjallë i një kulture të lashtë që i flet të tashmes
“POP ARBËRESH” është një podcast, një projekt editorial i lindur për t’i dhënë zë identitetit arbëresh në një mënyrë të re, tërheqëse dhe të kuptueshme edhe për më të rinjtë. Është një projekt i promovuar nga Bashkia e Shën Mitrit, që mund ta konsiderojmë pa dyshim si kryeqendrën kulturore të Arbërisë, vend simbolik për historinë, gjuhën, besimin dhe institucionet arbëreshe. Tregon historinë, ritet, gjuhën, muzikën, figurat dhe vendet simbolike të Arbërisë, duke nisur pikërisht nga Shën Mitri. Qëllimi është të nxjerrim në pah vitalitetin e një kulture dhe komuniteti me rrënjë të thella, që vazhdojnë të dialogojnë me të tashmen. Çdo episod është një urë mes kujtesës dhe të ardhmes.
Sfidat me të cilat përballen Arbëreshët
Sfida kryesore është transmetimi kulturor. Gjuha arbëreshe është sot seriozisht në rrezik, dhe me të një univers i tërë dijesh, praktikash dhe vizionesh për botën. Kësaj i shtohet edhe shpopullimi i fshatrave, shpërndarja e komuniteteve dhe vështirësia për të tërhequr vëmendjen institucionale. Ka edhe një problem më të thellë: ai i të drejtave të mohuara. Në shkolla nuk mësohet arbërishtja në mënyrë zyrtare, përveç kur ka ndonjë mësues ose drejtor të ndjeshëm.
Shteti investon çdo vit shumë të papërfillshme për mbrojtjen dhe promovimin kulturor, dhe shpesh komunitetet lihen vetëm. Nëse kjo pakicë është vërtet – siç thuhet shpesh – një mrekulli antropologjike në nivel botëror, atëherë meriton të trajtohet si një rast i jashtëzakonshëm, me masa të jashtëzakonshme dhe investime të jashtëzakonshme! Në vend të kësaj, sot nuk garantohet as minimumi i të drejtave! Është urgjente të kalohet nga fjalët në vepra.
Shqipëria, Kosova dhe mbështetja ndaj Arbëreshëve
Në vitet e fundit është vërejtur një dinamizëm më i madh në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe Kosovën. Veçanërisht janë shtuar rastet e takimeve kulturore, bashkëpunimeve institucionale dhe shkëmbimeve ndërkomunitare. Megjithatë, duhet bërë më shumë dhe më shpejt. Komunitetet arbëreshe kanë nevojë për projekte të strukturuara bashkëpunimi ndërkombëtar, që të investojnë seriozisht në edukim, formim, turizëm kulturor dhe ekonomi reale. Pa investime dhe mundësi, fshatrat arbëreshë do të zhduken brenda pak dekadash, ndoshta edhe më shpejt! Është koha të shndërrohet lidhja emocionale në një strategji të përbashkët për të ardhmen.
Trashëgimia atdhetare a Atë Antonio Belluscit
Atë Antonio Bellusci ishte një figurë e rëndësishme për Arbërinë dhe gjithë botën arbëreshe, por edhe për lidhjen kulturore midis Ballkanit dhe Italisë. Njeri i fesë, studiues, poet dhe promovues i palodhur i kulturës arbëreshe, i ka kushtuar jetën e tij ruajtjes së gjuhës, traditave dhe kujtesës kolektive. Vepra e tij vazhdon të frymëzojë ata që sot angazhohen për të ndërtuar ura midis komuniteteve, brezave dhe dy brigjeve të Adriatikut.
Kush është Ettore Bonanno?
Jam lindur në Pallagorio, në zemër të Arbërisë krotonese. Kam përfunduar studimet në Gjuhë dhe Letërsi të Huaja dhe kam punuar në Sportelin Gjuhësor për mbrojtjen e pakicave. Sot jam krijues përmbajtjesh dhe veproj në botën e komunikimit, me fokus të veçantë në komunikimin dixhital. Prej vitesh jam i angazhuar në kërkimin dhe ruajtjen e kulturës arbëreshe. Kam kuruar disa prodhime video, ndër to dokumentarin COHA, me të cilin fituam çmimin e parë në DardanFest në Tiranë në vitin 2024. Jam themelues i shoqatës kulturore Fili Meridiani dhe i agjencisë së komunikimit Emira Digital, përmes të cilave vazhdoj të promovoj projekte që i kthejnë zë, dukshmëri dhe krenari një identiteti — atij arbëresh — që ka shumë për të treguar dhe që mund të gjenerojë shpresë në komunitete.