Osman Ademi, mësues i gjuhës shqipe në Austri, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Austri, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesin Osman Ademi bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.
HISTORIKU I MËSIMIT NË GJUHËN SHQIPE NË SHKOLLAT PUBLIKE NË AUSTRI
Mësimi në gjuhën shqipe në Austri ka një traditë të gjatë, e cila filloi rreth vitit 1987 me një numër të vogël nxënësish. Me fillimin e viteve ’90, për shkak të rrethanave të kohës, përfshirë okupimin e Kosovës nga Serbia, filloi të rritet numri i fëmijëve shqiptarë që largoheshin nga vendlindja së bashku me prindërit e tyre. Që nga viti 1992, mësimi në gjuhën amtare (Muttersprachlicher Unterricht) organizohet nga organet kompetente të arsimit në Austri, përfshirë edhe mësimin në gjuhën shqipe. Gjatë kësaj periudhe, komuniteti shqiptar, veçanërisht disa intelektualë, në bashkëpunim me palën austriake, filluan aktivitetet për masivizimin e mësimit në gjuhën shqipe, jo vetëm në Vjenë, por edhe në qytete të tjera të Austrisë. Nevojat për mësimin plotësues në gjuhën shqipe u rritën ndjeshëm me ardhjen e një numri të madh refugjatësh shqiptarë gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998/99. Gjatë vitit shkollor 2000/2001, në Austri punuan 23 mësues me rreth 1700 nxënës. Që atëherë, numri i mësuesve ka pësuar ulje dhe ngritje, por asnjëherë nuk ka kaluar mbi 25. Aktualisht, numri i nxënësve që ndjekin mësimin në gjuhën shqipe në Austri, qoftë në formë kursi apo në formë të mësimit të integruar, është rreth 1600. (PS: Nuk mund të japim shifra të sakta pasi nuk kemi qasje në të dhënat statistikore në Austri!) Natyrisht, numri i nxënësve ndryshon edhe tek unë, por mesatarisht kam rreth 120 nxënës çdo vit. Përveç mësimit të rregullt, rëndësi të madhe ka edhe organizimi i aktiviteteve kulturore dhe shënimi i festave kombëtare. Për këtë arsye, mësuesit shqiptarë formuan Shoqatën e Mësuesve Shqiptarë (SHMSH) “Naim Frashëri” në Austri në vitin 2010, e cila merret kryesisht me organizimin e aktiviteteve arsimore, kulturore dhe sportive me nxënës dhe prindër, me qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar dhe ndërgjegjësimin e prindërve për rëndësinë e mësimit në gjuhën shqipe për fëmijët e tyre.
ORGANIZIMI I MËSIMIT NË GJUHËN SHQIPE NË AUSTRI
Mësimi në gjuhën shqipe në Austri organizohet, financohet dhe kontrollohet nga organet kompetente të arsimit të Austrisë, respektivisht nga Drejtoritë e Arsimit të landeve (Bildungsdirektion). Mësimi i Gjuhës Shqipe (MGJSH) organizohet në këto njësi federale: Vjenë (Wien), Austri e Poshtme (Niederösterreich), Austri e Epërme (Oberösterreich), Kärnten, Steiermark, Salzburg dhe Vorarlberg. Fatkeqësisht, MGJSH nuk organizohet në Burgenland dhe Tirol. Mund të themi se mësimi i gjuhës amtare në Austri është i institucionalizuar, sepse organizohet nga organet kompetente të arsimit, respektivisht nga Drejtoritë e Arsimit të landeve përkatëse. Mësimi i gjuhës amtare tani zyrtarisht quhet “Erstsprache Unterricht”. Ky mësim nuk është obligativ, por i dobishëm dhe ofrohet si një zgjedhje e lirë për nxënësit. Mësimi në gjuhën shqipe zhvillohet në forma të ndryshme nga një njësi federale (Bundesland) në tjetrën, madje edhe nga një shkollë në tjetrën. Në rend të parë, mësimi në gjuhën amtare nuk është obligativ, por është i dëshirueshëm dhe ofrohet si një opsion i lirë. Kjo shpesh lë hapësirë për interpretime të ndryshme nga organet shkollore (drejtoritë e shkollave) dhe nga vetë prindërit e nxënësve, shumë prej të cilëve janë të pavendosur. Në Vjenë, nxënësit që ndjekin mësimin në gjuhën amtare nuk vlerësohen me notë, por në certifikatën e notave shkruhet se kanë ndjekur mësimin në gjuhën amtare (Teilgenommen). Në shumë shkolla fillore (Volksschule) në Vjenë, mësimi i gjuhës amtare përfshihet në orarin e rregullt paradite, por edhe pasdite me nga 2-4 orë në javë. Në mësimin paradite, nxënësit nuk kanë nevojë të regjistrohen dhe orari rregullohet në marrëveshje me mësueset e klasës dhe mësuesit e gjuhëve amtare. Në këto dy vitet e fundit është nxjerrë një rregullore që mësuesit e gjuhëve amtare duhet të jenë në klasë bashkë me mësuesen e klasës, dhe kjo formë e mësimit quhet mësim integrativ i gjuhës amtare. Në mësimin pasdite, prindërit duhet të plotësojnë formularin e përgatitur nga Ministria e Arsimit të Austrisë në dy gjuhë. Këtë formular prindërit e marrin nga mësuesi, shkolla ose mund ta shkarkojnë edhe vetë nga interneti. Linku: albanisch-ohne (sfz-wien.at)albanisch-ohne (sfz-wien.at). Nxënësi i regjistruar është i obliguar të ndjekë rregullisht mësimin e gjuhës amtare në orarin e caktuar. Në Vjenë, për të formuar një grup mësimi në gjuhën amtare, duhen të paraqiten së paku 12 nxënës nga klasa e parë deri në të katërtën, me ndonjë përjashtim nga klasa e parë deri në të nëntën. Në mësimin pasdite, nxënësit marrin më shumë material mësimor, sepse mësuesi ka hapësirë më të madhe veprimi, por nxënësit janë më të lodhur. Përparësi tjetër e mësimit pasdite është se nxënësit mund të grumbullohen nga disa shkolla afër njëra-tjetrës në shkollën ku organizohet mësimi. Nxënësit ndahen në bazë të moshës dhe rrallëherë edhe në bazë të njohurive. Ky heterogjenitet i nxënësve ka specifika dhe kërkesa të shumta. Në mësimin plotësues, nxënësit marrin njohuri nga gjuha, letërsia, historia e gjeografia, si dhe nga kultura dhe traditat gjithëkombëtare, duke i kushtuar rëndësi të veçantë zhvillimit të kompetencave gjuhësore.
KURRIKULA MËSIMORE DHE BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT
Ashtu si mësuesit e tjerë të mësimit në gjuhën shqipe në Austri, edhe unë punoj sipas Kurrikulës së përbashkët të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit (MASH) të Republikës së Shqipërisë. Kjo kurrikulë ka në qendër gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar. Gjithashtu, përdor edhe planprogramin mësimor për gjuhën e parë (Lehrpläne für ESU), hartuar nga Ministria e Arsimit të Austrisë për gjuhët amtare të fëmijëve të cilët kanë migruar nga vende të ndryshme në Austri. Bashkëpunimi me prindërit që regjistrojnë fëmijët e tyre në mësim në gjuhën shqipe është i përhershëm dhe shumë i mirë, sidomos në organizimin e programeve festive, pa ndihmën e të cilëve pothuajse nuk do të mund të realizoheshin këto programe, për çka unë jam. Bashkëpunimi me prindërit të cilët i regjistrojnë fëmijët e tyre në mesim në gjuhen shqipe është i perhershëm dhe shumë i mirë, sidomos në organizimin e programeve festive pa ndihmën e të cilëve pothuaj se nuk mund të realizohen këto programe, për cka unë jam gjithnjë felenderues. Ajo çfarë dua të theksoj është edhe bashkëpunimi ndërkolegial mes mësuesve duke shkëmbyer informacione të përhershme, tema dhe përvoja nga më të ndryshmet.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË AUSTRI
Elementi themelor identitar i një populli është gjuha e tij! Vetëm përmes gjuhës së folur dhe të shkruar ne arrijmë: – të shprehim ndjenja, – të shkëmbejmë ide dhe përvoja, – të tregojmë histori të vërteta dhe imagjinare, – të përshkruajmë njerëz, kafshë, gjëra, situata dhe mjedise të ndryshme, – të argumentojmë dhe të shpjegojmë çdo dukuri, etj. Për të komunikuar sa më mirë, ne duhet t’i zhvillojmë: – të folurit dhe të dëgjuarit, – të shkruarit dhe të lexuarit. Për t’i përvetësuar këto, nuk mjafton vetëm komunikimi në familje; fëmija duhet të regjistrohet në mësimin në gjuhën shqipe që të flasë dhe të lexojë rrjedhshëm, të shoqërohet dhe të socializohet me fëmijë të ndryshëm nga trevat tona, etj. Pra, mbi të gjitha, gjuha është elementi kryesor i identitetit që e bën një popull, një etni, të veçantë nga të tjerët, por njëkohësisht ndihmon që ai popull të jetë i respektuar në rrjedhën e civilizimit botëror nga popujt e tjerë, varësisht nga sa ka lënë dhe sa lë gjurmë në gjuhën e shkruar, letërsi, historiografi, art, etj. Këtu qëndron rëndësia e të mësuarit në gjuhën shqipe.
SI REAGON SHOQËRIA AUSTRIAKE, SI PRITET MËSIMI SHQIP ATY?
Nga vetë fakti që mësimi në gjuhën shqipe organizohet dhe financohet në shkollat publike nga institucionet kompetente të arsimit, flet mjaft për qëndrimin e shoqërisë austriake në kuptimin pozitiv të fjalës. Është një nga vendet e rralla të Bashkimit Evropian që e ka rregulluar mësimin e gjuhëve amtare me dispozita ligjore. Në anën tjetër, edhe në shkollat ku organizohet mësimi, e vlerësojnë dhe respektojnë punën tonë. Në Vjenë, 23 komunitete, përfshirë edhe komunitetin shqiptar, mësojnë gjuhën e tyre amtare. Ne i jemi mirënjohës shtetit austriak për këtë gjë.
BASHKËPUNIMI ME ORGANET SHTETËRORE DHE SHOQATAT SHQIPTARE
Bashkëpunimi me organet/nstitucionet tona shtetërore është relativisht i mirë. Me ambasadat tona jemi në kontakt të përhershëm, por më tepër se një përkrahje morale që na japin gati se e kann të pamunduri të bëjnë dicka më tepër në këtë drejtim, për shkak të natyres së punëve organizative të tyre. Ndërsa bashkëpunimi me dy Ministritë e arsimit është i mirë. Ato përmes QBD na dërgojnë tekstet falas tekstet shkollore të cilat janë përgatitur enkas për mësimin në gjuhën shqipe në diasporë, organizojnë seminarin mbarëkombëtar me mësuesit nga diaspora ku trajtohen tema te shumta, shkëmbim përvojash individuale lidhur me mesimin në diasporë etj. Sigurishtqë nga këto institucione kërkojmë një bashkëpunim edhe më të ngushtë siç janë organizimi i ekskurzioneve me nxënës në atdhe, financimi i disa projekteve të vogla si fjala vjen Kuizi i diturisë, organizime kulturore me nxënes e qe do të ishin në funksion tëmasovizimit të mësimit në gjuhën shqipe në mërgatë. Ajo çfarë po kërkojmë me këmbngulje nga institucionet tona është hapja e një qendre kulturore shqiptare në Vjenë e cila do të ishte bartëse kryesore e shumë organizimeve kulturore të komunitetit shqiptar në Austri dhe më gjërë. Komuniteti shqiptar në Austri është kryesisht i organizuar përmes shoqatave kulturore dhe sportive. Meqenëse mësimin në gjuhën shqipe e organizon pala austriake, komuniteti shqiptarë nuk e ka barrën e drejtëpërdrejt të organizimit të mësimit, prapseprap ata mundohen të ndihmojnë sidomos në organizimin e aktiviteteve kulturore jasht hapsirave shkollore. Dhe shpesh ngrisin zërin për pjesmarrje sa më të madhe të nxënësve shqiptarë në mësim në gjuhën shqipe!
MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI
Të arriturat teknologjike janë një avantazh i madh për gjithë procesin mësimor, e natyrisht edhe për mësimin në gjuhën shqipe. Kjo u dëshmua sidomos gjatë kohës së pandemisë. Për fat të keq, jo gjithmonë mund t’i përdorim të gjitha të arriturat teknologjike në funksion të mësimdhënies dhe mësimnxënies për arsye të ndryshme organizative, por gjithësesi na e kanë lehtësu procesin mësimor. Megjithatë fjala e gjallë e mësuesit e shqiptuar e shqiptuar bukur e me shumë dashuri ëeshtë e pazëvendsueshme! Nxënësit me dygjuhësi sidomos kur gjuhën e nënës e përdorin vetëm në familje, kanë mjaft vështërsi, por është mësuesi/mësuesja që ju ndihmon dhe i motivon.
EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE
Kjo ma vërteton thënjën tonë që e përdorim në shkollë “Po integrimit, jo asimilimit”. Rezultatet e punës së mësuesit nuk shihet brenda ditës apo muajit, ato shihen shumë më vonë. Ndihem shumë krenar që ish nxënës të mi sot janë në pozita dhe në vende të ndryshme të punës në Austri e që njëkohësisht promovojnë me sukses gjuhën shqipe, traditën dhe vlerat kombëtare.
KUSH ËSHTË MËSUESI OSMANI ADEMI?
Osman Ademi: Një çerekshekulli në ruajtjen e gjuhës, kulturës shqiptare dhe identitetin kombëtar tek fëmijët tanë në mërgatë nën moton “Po integrimit, jo asimilimit”. Fëmijët tanë duhet të integrohen natyrshëm në shoqëritë e vendeve ku jetojnë, por duhet të ruajnë gjuhën dhe identitetin kombëtar. Për këtë rol të rëndësishëm e kanë prindërit, mësuesit dhe institucionet edukativo-arsimore të vendeve tona. Bashkëpunimi mes këtyre faktorëve duhet të jetë i padiskutueshëm! Të dashur prindër, regjistrimi i fëmijëve tuaj në shkollat shqipe duhet të jetë obligim sepse një nga të drejtat elementare të fëmijëve është mësimi i gjuhës amtare! Të paktën ne në Austri e kemi këtë mundësi!
Osman Ademi lindur dhe rritur në Viti, Republika e Kosovës. Në vitin 1987 ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Filozofik – Dega e Historisë. Në vitin 1991 vendoset në Vjenë. Që nga viti 1999 është emëruar mësues i gjuhës shqipe në shkollën publike në Vjenë. Përveç angazhimit me punë në procesin edukativo-arsimor, merret edhe me aktivite të shumëta me nxënës me rastin e festave kombëtare si “28 – Nëntori”, “17 – Shkurti”, “7 – Marsi” e sidomos është shumë i angazhuar në “Kuizin e Diturisë” i cili organizohet rregullisht që nga viti 2001 me nxënësit shqiptarë në Austri. Është bashkautor i projektit “E përjetuar/Erlebtes” në bashkëpunim me “Shkollën e lartë të artit/ Künstlerische Volkshochschule në vitin 2000 me fëmijët shqiptarë që kishin përjetuar luftën në Kosovë! Në vitin 2012 ka njekur Kursin për mësuesit e gjuhëve amtare në Austri “Mësimdhënia e gjuhës amtare”: Mësimi i gjuhë së parë në kontekstin e migrimit“ (Bundesweiter Lehrgang Muttersprachlicher Unterricht: Erstsprachen Unterricht im Kontext von Migration) në Austri! Ka vijuar edhe shumë seminare për mësues, që në Austri janë obligative si dhe Seminare të organizuara nga MASHT të Kosovës! Nga viti 2010 deri me 2014 ishte kryetar SHMSH “Naim Frashëri”. Nga viti 2017 është antar i kryesisë i SHMSH “Naim Frashëri”. Në vitin vitin 2018 është vlerësuar nga Ministria e Arsimit të Kosovës, me motivacion “Mirënjohje për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe” në Austri. Është autor i disa shkrimeve dhe kumtesave rreth proceseve mësimore dhe përkthyes i librit didaktik “Ja ku jam”/”Ich bin da”. Kontakti: Tel. +43 (0)699 11098991, email: osmani42@hotmail.com.