
Dr. Nikollë Loka/
Në periudhën që pasoi shpërthimin e Revolucionit Grek, një shqetësim i madh për Portën e Lartë ishte dyshimi rreth besnikërisë së krerëve shqiptarë. Sipas disa dokumenteve,krerë shqiptarë të Toskërisë dhe veçanërisht Ismail Beu i Vlorës, dyshoheshin për lidhje dhe aleanca me revolucionarët grekë,
Që nga fillimi i pushtimeve osmane, shqiptarët trajtoheshin si mercenarë të zakonshëm, që luftonin për para dhe pushtet, pa një angazhim të vërtetë për kauzat e tyre etnike. Ky mentalitet vazhdoi edhe në periudhën kur në Ballkan shpërthyen lëvizjet për pavarësi. Megjithatë, rast pas rasti, osmanët e kishin njohur si forcën dhe aftësitë ushtarake, ashtu dhe besnikërinë shqiptare që mund të kthehej në tradhti, për shkak të përfitimeve personale. Sidoqoftë, gjatë luftës për pavarësinë greke, kur Qeveria osmane ndodhej nën kërcënimin e lëvizjes kombëtare greke dhe kaosin që ajo shkaktoi, filloi ta perceptonte një grup të veçantë krerësh shqiptarë si një rrezik të mundshëm për unitetin e Perandorisë, pasi ata mund të ishin lidhur jo vetëm me interesa lokale, por edhe me një ideologji kombëtare, që minonte rendin osman.
Ndërsa grekët po luftonin për pavarësinë e tyre, disa krerë shqiptarë me ndikim, mund të ishin të shqetësuar për të njëjtën ide të autonomisë dhe lirisë. Mendohet se ata kishin mundësi të ndikonin mbi popullin e tyre, për të zvilluar ato ndjenja që do të çonin në një “komplot kombëtarist”, duke përdorur të njëjtën gjuhë dhe ideologji me atë të grekëve. Ky ishte një zhvillim i papritur për osmanët, të cilët nuk mund ta mendonin se shqiptar kishin ambicie kombëtare të ngjashme me grekët.
Pas shpalljes së revoltës greke nga Alexander Hypsilantis, disa liderë shqiptarë si Ali Pashë Tepelena u dhanë mbështetje grekëve, ndërsa të tjerë preferuan të nxirrnin përfitime prej një lufte të tillë, për të forcuar pozitat e tyre personale. Duke pasur shumë lidhje me shqiptarët, Kollokotroni, një nga komandantët më të njohur arvanitas të Greqisë, ndërtoi marrëdhënie të veçanta me krerët shqiptarë, duke i cilësuar ata “vëllezër” dhe duke kërkuar besnikëri prej tyre. Një letër e Kollokotronit drejtuar krerëve shqiptarë, ku kërkonte besën dhe bashkëpunimin e tyre, shfaqte një lidhje të mundshme midis qëllimeve të grekëve dhe interesave të shqiptarëve për autonomi. Ai, duke qenë vetë arvanit, kishte ndjenja të natyrshme afërsie me shqiptarët dhe e shfytëzoi afërsinë për t’i mobilizuar shqiptarët kundër Perandorisë Osmane. Ai ishte bërë vëllam me Ali Farmaqin. Teodor Kollokotroni dhe Ali Farmaqi shkuan edhe në Arbëri dhe grumbulluan mbi 3000 mijë ushtarë myslimanë shqiptarë, që i sollën në Greqi, për të luftuar kundra osmanëve turq. Të dy ata kishin menduar të luftonin për realizimin e një mbretërie të bashkuar greko-shqiptare, me flamurin e përbashkët me gjysmë hëne dhe kryq. Duke marrë dijeni për ngjarje të tilla, autoritetet osmane nisën të shfaqnin një dyshim të madh ndaj shqiptarëve.
Në letrën, që Mehmed Reshit Pasha e dërgoi në Stamboll, ishte shprehur se “shqiptarët mund të kenë aspirata për autonomi ose pavarësi”. Ky duket si një pohim i ri për kohën, sepse deri atëherë Perandoria Osmane ishte mjaft e fuqishme në kontrollin e territoreve shqiptare. Deklarata e Pashës reflektonte një perceptim se shqiptarët kishin filluar të zhvillonin një ndjenjë të vetëdijes kombëtare dhe një dëshirë për të patur një formë qeverisjeje që ishte më e pavarur nga osmanët. Kjo ishte shfaqja më e hershme e një lëvizjeje kombëtare, e cila do të ishte më e dukshme pas shumë dekadash.
Pas luftës greke, për shkak të ndikimit të nacionalizmit dhe kërkesave për autonomi, shumë udhëheqës shqiptarë mund të kenë parë mundësinë e krijimit të një shteti shqiptar të pavarur, duke shfrytëzuar boshllëkun që kishte krijuar lufta e grekëve për pavarësi. Në atë klimë dyshimesh, marrëdhëniet mes udhëheqësve shqiptarë dhe Perandorisë Osmane u bënë gjithnjë e më të tensionuara. Për osmanët, lufta greke për pavarësi shërbeu si një moment kyç për të formuluar politikën e tyre ndaj shqiptarëve. Osmanët e panë këtë periudhë si një mundësi për të pastruar çdo dyshim mbi besnikërinë e krerëve shqiptarë dhe për të ruajtur integritetin e Perandorisë. Raportet zyrtare që përcillen në Stamboll tregojnë një ndjenjë të vazhdueshme të frikës nga përhapja e nacionalizmit në Shqipëri dhe mundësinë e shpërthimit të një lëvizjeje të ngjashme me atë greke.
Në vitin 1822, pas vrasjes së Ali Pashë Tepelenës, Ismail Pashë Vlora filloi të udhëhiqte përpjekjet për të fituar më shumë autonomi për shqiptarët. Ai kërkoi që shqiptarët të kishin më shumë kontroll mbi territorin e tyre, duke u larguar nga autoriteti i Portës së Lartë, duke shfrytëzuar lëvizjen greke si mundësi për të forcuar pozitat e tyre. Krijimi i një mendimi politik shqiptar konsiderohej rrezik për Perandorinë Osmane, e cila e mendonte këtë si një përpjekje për të krijuar një shtet të pavarur. Nga një deklaratë e Mehmet Reshid Pashës,del se shqiptarët kërkonin një lloj vetëqeverisjeje, madje pavarësie. Edhe pse është e vështirë të vlerësohet sa e vërtetë ishte kjo akuzë, mjafton për të kuptuar se osmanët shqetësoheshin për mundësinë e një lëvizjeje separatiste, të ngjashme me atë që po ndodhte në Greqi. Është e qartë se osmanët po e kuptonin rrezikun që mund t’u vinte nga shqiptarët me zhvillimin e ndjenjave të tyre kombëtare. Ky shqetësim për identitetin dhe aspiratat shqiptare është tregues i rëndësishëm i zhvillimeve të mëvonshme të kombit shqiptar dhe i lëvizjes për pavarësi. Edhe pse ata mund të mos i shihnin ende në mënyrën e sotme të nacionalizmit modern, përpjekjet e Kollokotronit dhe të tjerëve, për të krijuar një aleancë me shqiptarët, ky veprim ishte një hap drejt një ndjenje afrie, që do të çonte në zhvillimin e nacionalizmit shqiptar.
Në periudhën kur përpjekjet për shtypjen e kryengritjes greke po vazhdonin, Mehmet Reshit Pasha kritikon sjelljen e krerëve shqiptarë, të cilët, sipas tij “ishin të interesuar më shumë për përfitime personale dhe për pozita të larta, sesa për mbrojtjen e Perandorisë”. Kjo është një vërejtje e rëndësishme, sepse ajo reflekton një ndjenjë të thellë të zhgënjimit dhe ndoshta frikës që kishin autoritetet osmane ndaj shqiptarëve. Sipas raportit të tij dërguar Portës së Lartë “një marrëveshje e fshehtë ishte arritur në mes të liderëve shqiptarë dhe grekëve, nëpërmjet Shahin Beut të Delvinës dhe Kontit Kapodistria. Kjo marrëveshje sekrete dhe ndarjet që po formoheshin mes shqiptarëve dhe osmanëve tregon një rënie të besnikërisë ndaj Perandorisë, që mund të ishte shenjë e fillimit të një procesi të gjatë të krijimit të vetëdijes kombëtare shqiptare”.
Sipas Everest Beqirit “Ismail Bej Vlora, i emëruar nga qeveria osmane për të luftuar revolucionarët grekë, kundërshtoi të luftonte kundër grekëve dhe shqiptarëve, duke u tërhequr nga fronti dhe duke marrë rreth 4 000 ushtarë me vete”. Ky akt rebelimi solli dy fermanë nga Sulltani, në vitin 1822, një që parashikonte internimin dhe një tjetër që kërkonte ekzekutimin e tij e të vëllait Beqir Bej Vlora, në rast se ata nuk dorëzoheshin. Në vitin 1827, vëllai i Kapodistrias, udhëheqës i shtetit grek, hyri në bisedime me Ismail Bej Vlorën, për të trajtuar qëndrimin e shqiptarëve ndaj kryengritjes greke. Pas këtyre bisedimeve, u arrit një marrëveshje që garantonte respektimin e paprekshmërisë territoriale të njëri-tjetrit. Everest Beqiri shkruan: “Më pas, në vjeshtën e vitit 1828, udhëheqësit shqiptarë të Toskërisë, nën drejtimin e Ismail Bej Vlorës, u mblodhën në një kuvend në Berat, ku diskutuan për rikthimin e të drejtave të klasës udhëheqëse shqiptare nën sundimin osman. Kuvendi i Beratit, që u mbajt nga 6 deri më 8 nëntor 1828, themeloi “Lidhjen Shqiptare” me Ismail Bej Vlorën në krye. Kjo organizatë kundërshtonte pushtetin e centralizuar të sulltanit dhe punonte për të forcuar ndikimin e saj në krahinat e tjera të Shqipërisë”. Pavarësisht rëndësisë historike, kjo ngjarje është nënvlerësuar nga historiografia zyrtare shqiptare. Ismail Bej Vlora e tregoi veten se ishte më i qartë se krerët e tjerë toskë në situatat e reja që u krijuan pas pavarësisë greke. Në një letër që ai dërgoi për bejlerët e Labërisë, jepte disa porosi që lidhen me strategjinë dhe pozitat e tij. Ai kërkonte mbështetje dhe përkrahje për emërimin si guvernator i Vlorës, qytetit të tij të lindjes, si një hap për të forcuar pozitat e tij në trevën e Toskërisë dhe për të bashkëpunuar më ngushtë me autoritetet osmane. Ky veprim ishte një përpjekje për të ruajtur ndikimin e tij në atë territor dhe për të siguruar pozita të forta politike ndaj rivalëve të tij. Në këtë kontekst, Ismail Bej Vlora u mundua të sigurojë që, përmes mbështetjes nga bejlerët e Labërisë, të mund të krijonte një koalicion të fuqishëm që do të ndihmonte forcimin e pozitave të tij në frontin e brendshëm dhe në raport me pushtetin osman. Kjo lëvizje ishte parë me dyshim nga osmanët. Mehmet Reshd Pasha mendonte se “ky plan i Ismail Beut i detyronte autoritetet që, për të forcuar pozitat osmane në Janinë, të dërgojnë ushtarë për të ruajtur kontrollin mbi zonat e rëndësishme”. Sipas tij, “përveç kërkesës për emërimin si guvernator, Ismail Beu po luante një lojë të dyfishtë, për të realizuar qëllimet e tij personale dhe për të ruajtur njëfarë autonomie në kuadër të administratës osmane”.
Pas një periudhe të gjatë tensioni, Stambolli urdhëroi ekzekutimin e Ismail Beut dhe të disa liderëve të tjerë shqiptarë, me synimin për të parandaluar një shpërthim të mundshëm të separatizmit te shqiptarët. Ky akt do të shërbente si një mesazh i fortë për liderët e tjerë shqiptarë, që mendonin të kundërshtonin autoritetin e Portës. Raporti i Mehmet Reshid Pashës që trajtonte rrethanat e ekzekutimit të Ismail Bej Vlorës është një nga momentet kyçe që ndihmojnë për të kuptuar tensionet politike në mes të shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane, gjatë periudhës së luftës së pavarësisë greke. Reshid Pasha, i shqetësuar nga mundësia që Ismail Bej Vlora të realizonte planet e tij dhe të provokonte një komplot të madh në Shqipëri, vendosi të vepronte kundër tij. Ai urdhëroi ekzekutimin e Ismail Beut dhe, në një letër dërguar Stambollit, e paraqiti këtë veprim si një arritje të madhe. Mehmet Reshidi shprehu gëzim dhe lavdim për këtë akt, duke theksuar se “nëse Zoti do të mundësonte eliminimin e individëve të tjerë të ngjashëm, gjendja në Shqipëri mund të përmirësohej”.
Ismail Bej Vlora, u vra pabesisht në “Masakrën e Janinës”, me 5 janar 1829, së bashku me 18 shoqëruesit e tij, nga Mehmet Reshid Pasha. Pas vrasjes, në trupin e tij u gjet një dokument i rëndësishëm, kopja e një letre që Ismail Beu u kishte dërguar disa krerëve shqiptarë në frontin e Mesolongjit, ku ai kërkonte që ata të shkaktonin trazira, me pretekstin e pagesave të papaguara. Letra tregonte qëllimet e tij dhe të aleatëve të tij, që ishin ruajtja e autonomisë dhe mbrojtja e interesave të Shqipërisë, pas luftës greke të pavarësisë. Ky dokument pasqyron shqetësimet e krerëve shqiptarë për sigurinë e vendit të tyre në të ardhmen, si dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur një status autonom, në raport me Portën. Dokumenti, edhe pse i shkurtër, ndihmon për të kuptuar disa aspekte të rëndësishme të situatës politike të kohës. Ai tregon se besimi i shqiptarëve ndaj Perandorisë Osmane ishte i pakët dhe i dyshimtë, pasi ata e shihnin ushtrinë osmane si pushtuese. Sipas asaj letre, tërheqja e ushtrisë osmane nga Shqipëria duket se pritej të ndodhte. Por duhet theksuar se aty nuk flitet për ndonjë aleancë me grekët, por për përpjekje për ta përdorur kryengritjen greke për interesat e krerëve shqiptarë, ndërkohë që refuzonin idenë që ushtarët shqiptarë të rekrutoheshin si pjesë e ushtrisë së rregullt osmane. Për herë të parë në këtë letër, një udhëheqës shqiptar fliste për konceptin e “atdheut” (vatan), duke theksuar se ai e shihte Shqipërinë si një njësi të bashkuar, pavarësisht ndarjeve gjeografike, fetare dhe krahinore. Pra Ismail Bej Vlora bën thirrje për unitet kombëtar si shenjë e besnikërisë ndaj atdheut të tij. Përpjekjet e tij e të krerëve të tjerë shqiptarë, gjatë periudhës së Luftës për Pavarësinë Greke tregojnë shenjat e para të vetëdijes kombëtare që po shfaqej në Shqipëri. Pavarësisht kundërshtimeve dhe mbështetjes për interesa lokale, këto lëvizje të para të shqiptarëve për autonomi dhe bashkim kombëtar ishin shenja të një procesi të ngadaltë, por të sigurt, të formimit të identitetit kombëtar shqiptar.