
Me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit, përkatësisht betejës së 24 marsit 1998 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat pushtuese të Serbisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.
Kryetari i Kuvendit tha se forcat e armikut e rrethuan Gllogjanin duke synuar që ta thyejnë atë vatër të rezistencës frymëzuese, por trimëria, vendosmëria dhe gatishmëria për të luftuar deri në fund, i dha mesazhin e qartë Serbisë okupatore se asnjë rrethim nuk do të mund ta shuante përpjekjen për liri.
“Atë ditë kumboi fuqishëm thirrja e lirisë, që u bë frymëzim për të gjithë popullin shqiptar e në mbarë Kosovën, duke dhënë shembullin e lartësuar të rezistencës me armë në duar, të sakrificës në emër të aspiratës sonë të përbashkët çlirimtare”, theksoi kryetari Konjufca.
Duke përkujtuar këtë betejë të shndritshme dhe sakrificën sublime të dëshmorëve, kryetari Konjufca tha se vepra e tyre heroike do të mbetet e paharruar, duke frymëzuar gjeneratat e tanishme dhe brezat e ardhshëm.
“Dëshmorët dhe të gjithë të rënët janë ata që i hapën rrugën ngritjes së Republikës sonë dhe ne kurrë nuk duhet të harrojmë se sa shumë u desh të përpiqemi e të japim për të fituar lirinë. Lavdi Himë Haradinajt, Gazmend e Agron Mehmetajt, që me gjakun e tyre e shënuan madhështinë e Epopesë së Dukagjinit, si dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për liri”, tha kryetari Konjufca.