Nga ROLAND QAFOKU/
Ky është globi i parë në botë. I përket vitit 1504 dhe është krijuar nga Leonardo da Vinci, mëndja më e bukur e historisë së njerëzimit. Ndërtimi tij është bërë nga dy pjesë vezësh të strucit me diametër 11.2 centimetër dhe peshon 134 gram si dhe është mbushur nga brenda me elementë që bëjnë të mundur ruajtjen e formës. Më pas, Da Vinci vizatoi në koren e vezës pjesët e tokës, kontinentet, detet dhe oqeanet të asaj që u quajt Bota e Re duke shkruar edhe vendet përkatëse. Edhe me globin Leonardo Da Vinci tregoi se ishte një mendje e artë në një epokë me shumë të panjohura. Për historianët dhe gjeografët pjesa më e rëndësishme e këtij globi është fakti se Mjeshtri ka përfshirë aty Amerikën, të cilën patrioti i tij, Christophor Colombus, nga Genoa e kishte zbuluar në 1493 ndërsa patrioti tjetër nga Firence, Amerigo Vespucci, i kishte vënë vulën atij zbulimi në vitin 1501. Madje duke i dhënë emrin e tij kontinentit të panjohur deri atëherë. Sa për Shqipërinë, mos u lodhni! Në globin e Da Vincit nuk duket, por me siguri që duhet të ketë qenë. Ne ishim “zbuluar” nga të parët në kontinent dhe nuk paraqiste ndonjë kuriozitet të madh për të. Kur Durrësi ynë ishte qytet, Parisi dhe Madridi nuk ishin as sheshe për të pushuar kuajtë.