
Sokol Paja/
Vendimi i Gjykatës së Apelit në Tiranë rreth situatës në Partinë Demokratike në Shqipëri është një vendim kritik për demokracinë, pluralizmin dhe kohezionin politik në Shqipëri. Në një kohë që shqiptarët presin një opozitë të fortë dhe të bashkuar për të luftuar të keqen që i qeveris prej afro një dekade, ky vendim gjyqësor shkatërron në themel juridiksionin mbi partitë politike dhe veprimtarinë e lire të partive politike në një shoqëri e shtet demokratik. Ky vendim gjykate përbën një ditë të keqe për drejtësinë dhe demokracinë në Shqipëri. Padrejtësisht opozita dënohet nga një gjykatë që çështjen lehtësisht mund ta kishte gjykuar muaj më parë. Loja gjyqësore me rishqyrtim në shkallën e parë të çështjes nuk bën asgjë tjetër veçse i zgjat jetën keqqeverisjes në pushtet, korrupsionit, gjynjëzimit të shtetit para krimit, shpopullimit të Shqipërisë, varfërisë së Shqipërisë e shqiptarëve dhe mbi të gjitha shkatërron pluralizmin politik në Shqipëri. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit në Tiranë është shkatërrues për opozitën pasi vjen në kufijtë e skadimit të afatit ligjor për t’ua regjistruar si subjekt politik në Zgjedhjet Lokale të 14 Majit. Të pengosh opozitën të regjistrohet në zgjedhje është minim i demokracisë. Sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë për një opozitë gjithëpërfshirëse, të fuqishme, konkuruese, të bashkuar me alternativa e zgjidhje që përmirësojnë jetesën e shqiptarëve, kthejnë sundimin e ligjit, garantojnë liritë dhe të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha ndalin plagën kombëtare të shpopullimit të Shqipërisë. Opozita është mision, është ndërgjegja morale e kombit, është oksigjen i demokracisë.