

Dr. Iris Halili/
Në një atmosferë entuziaste dhe festive, Vatra Miami dhe Klubi Flas Shqip mblodhën zonjat dhe zonjushat e Floridës së Jugut për të festuar 7 dhe 8 Marsin – Ditën e Mësuesve dhe Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në Hollywood , Florida. Mbrëmja nisi me ritmin e melodisë “Eja, Eja Lule Borë”, për të vijuar më pas me hitet më të bukura të muzikës shqiptare tradicionale dhe jo vetëm.
Në fjalën e hapjes, Kryetarja e Vatra Miami dhe Klubit Flas Shqip, Dr. Iris Halili falenderoi të pranishmet dhe në veçanti të gjitha mësueset vullnetare të Klubit Flas Shqip, Liljana Rumbullaku, Ana Liko dhe Bella Pando të cilat me punën dhe përkushtimin e tyre kanë dëshmuar një model të shkëlqyer në komunitet.
Më tej, u lançua lëvizja e re e përbashkët e Vatra Miami dhe Klubit Flas Shqip, e cila mban emrin “Dior 766”, në nder të zonjës Elvira Tare, e cila disa muaj më parë i erdhi në ndihmë këngëtares së njohur Parashqevi Simaku në një moment të vështirë të jetës së saj. Ky akt fisnik nisi me një të kuq buzësh Dior 766 që zonja Tare i dhuroi këngëtares. Në fjalën e saj, zonja Halili theksoi: “Dior 766 le të jetë lëvizja e gruas që ndihmon gruan në nevojë dhe kjo iniciativë të jetë një hap simbolik që gratë të ndihmojnë më shumë njëra-tjetrën. Ndihma që i japim çdo gruaje na nderon dhe na lartëson.”
Në shenjë mirënjohjeje për modelin e saj si grua që ka ndihmuar jo vetëm një, por shumë zonja të komunitetit, u nderua zonja Tina Jakupi, e cila mori si dhuratë simbolike një “Dior 766”.
Po ashtu, u nderua zonja Tika Hoti, një ndër nënat e para që regjistroi fëmijët e saj në Klubin Flas Shqip dhe që ka sponsorizuar mjedisin ku prej një viti zhvillohet falas mësimi i klasës së Klubit në qytetin Boca Raton.
Gjatë ceremonisë u vlerësuan edhe disa zonja nga Albanian Women Club dhe Vatra Miami, Ndër emrat e nderuar ishin Zonjat Ariola Dedaj, Mirela Bejleri, Guler Petrela, Martina Marini dhe Drenusha Celaj.
Një vend të veçantë në festë zuri dhe mirënjohja për sponsorët e eventit: Restorant Cucina, Alyssa’s Bakery dhe Soulmates, tre biznese të suksesshme shqiptare me reputacion të shkëlqyer në shtetin e Floridës dhe më gjerë.
Zonja Ana Walsh, një shqiptare me origjinë nga Shkupi si artizane e talentuar e bizhuterive me punim dore, dhuroi një numër të konsiderueshëm të krijimeve të saj për disa zonja dhe zonjusha pjesëmarrëse.
Sigurisht, në një festë shqiptare nuk mund të mungonte bakllavaja tradicionale, e cila u përgatit mjeshtërisht nga Restoranti Shqiptar Toska, me pronare zonjën e re nga Kosova , Mjellma Shehu.
Një element tjetër i veçantë që i dha më shumë vlerë kësaj mbrëmjeje ishte prania e zonjave me origjinë të ndryshme, përtej asaj shqiptare. Në festë morën pjesë dhe zonja amerikane, turke dhe nga komunitete të tjera ndërkombëtare, të cilat u mahnitën dhe u prekën nga ngrohtësia, energjia dhe traditat tona. Ato u bashkuan në vallëzim dhe festuan së bashku me zonjat shqiptare, duke e kthyer këtë aktivitet në një ngjarje me të vërtetë shumëkulturore. Kështu, kjo mbrëmje mori një kuptim të plotë të asaj që përfaqëson Dita Ndërkombëtare e Gruas – një festë që bashkon gra nga të gjitha kulturat për të nderuar dashurinë, mbështetjen dhe fuqinë femërore në çdo cep të botës.
Atmosferën e ndezi një balerinë profesioniste e belly dancing, e cila jo vetëm performoi disa valle autentike, por kërceu edhe mes zonjave, duke e bërë mbrëmjen akoma më të veçantë.
Në fund të mbrëmjes, mes buzëqeshjeve dhe emocioneve të sinqerta, u përcoll një mesazh i qartë: Festimi i 8 Marsit nuk ishte vetëm një ngjarje festive, por një kujtesë e fortë për të gjitha gratë që janë përkrahëse, frymëzim dhe shtyllë e çdo familjeje dhe komuniteti. Ky organizim i Vatra Miami dhe Klubit Flas Shqip është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një komuniteti më të bashkuar dhe më të fuqishëm për të ardhmen.