
Ndue Lugja, pjesëmarrës në Grevën e Urisë në Qytet Studenti, themelues i Partisë Demokratike në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, paraqet para publikut shqiptar Ditarin Personal me rrëfimet e studentëve të Grevës së Urisë tri dekada më parë në Qytet Studenti. Në librin ditar ‟ Ndryshimet 90 ”, Ndue Lugja rrëfen dhjetorin e lirisë në Shqipëri.

ALEKSANDËR MEKSI PËR LIBRIN E NDUE LUGJËS “NDRYSHIMET 90”
Nisma e Ndue Lugjës për ti treguar publikut të interesuar kujtimet e tija për ato ditë dhe muajt që pasuan është me interes dhe vlera. Sigurisht që kujtimet janë mbresa personale, shënime të mbajtura e veprime të evidentuar në mediat e kohës dhe dëshmi të të tjerëve pjesëmarrës. Ato nuk pretendojnë të jenë studime e analiza, por megjithëkëtë ato janë të domosdoshme kur jepen nga protagonistë, që veprimet e tyre dhe vetë ngjarjet i bëjnë të kenë diçka për të na treguar, për të na thënë, për të dëshmuar. Është historiani dhe studiuesi ai që i vlerëson ato e ai të cilit i shërbejnë. Por këto dëshmi e kujtime vlejnë dhe për lexuesin e interesuar, sidomos për ata që ato ditë e ngjarjet që pasuan i njeh me të ndigjume e të turbulluara nga të thëna e të pa thëna, nga mungesa ende e analizave dhe dokumenteve sidomos për pjesën e padukshme e ato që nuk po thuhen. Kanë kaluar tre dhjetëvjeçarë që nga Dhjetori historik i vitit 90 të shekullit të kaluar dhe ende mungon një pasqyrim real i ndodhive, rrethanave në kuadër shqiptar e ndërkombëtar, që prunë atë ndryshim thelbësor. Mungon edhe një pasqyrim e analizë e vështirësive dhe pengesave, i rolit të forcës politike në pushtet e drejtuesve të lartë të saj e po aq dhe zbatuesve të “vijës së Partisë” dhe mbrojtjes së pushtetit “të fituar me pushkë e gjak”. Çdo vit kur afrohen këto ditë historike dëgjojmë protagonistë e pjesëmarrës, analistë e opinionistë të ndryshëm, madje dhe të njëjtët personazhe që ndryshojnë nga viti në vit dëshmitë e gjykimet e tyre. Të gjithë ata që u përfshinë në ato ditë, që mbështetën forcat e reja politike dhe ndryshimet janë mbi 50 vjeç, disa nuk janë më mes nesh por emri i tyre, kontributi i tyre është ende ndërmjet nesh. Përveç ditëve të Lëvizjes Studentore ne mësojmë nga një dëshmitar për punën për krijimin e Partisë Demokratike si në qendër ashtu dhe në rrethe. Ai tregon për pjesëmarrjen masiv dhe përkrahjen e popullit në mitingjet ashtu dhe qëndrimin e autoriteteve komuniste në antimitingjet në Durrës, Vlorë e Rrëshen. Me mjaft interes është gjithashtu dhe puna për organizimin e Grevës së Urisë, drejtuesit e saj, takimet me qeveritarët, në të cilën autori ishte pjesëmarrës e drejtues. Autori me thjeshtësinë që e karakterizon na njeh me kujtimet, gjykimet e tija për ato tre muajt e para vendimtare në përmbysjen e rendit politiko-ekonomiko-shoqëror në Shqipëri, me fundin e turpshëm e të pakthyeshëm të diktaturës komuniste. Ai duke qenë jo vetëm pjesëmarrës por dhe protagonist, tregon me hollësira veprimet e atyre ditëve të Lëvizjes Studentore që nga data 8 dhjetor, të cilët me kurajën e tyre ngritë në këmbë kundër regjimit shumicën e shqiptarëve. Si dëshmitar i atyre ditëve tregimet e tija janë të vërteta dhe lexohen, sidomos kur janë dëshmi të veprimeve dhe ndijimeve të përditshme dhe me reagimet e tija, gjykimet dhe pritshmëritë. Sigurisht që dhe shumë të tjerë me dëshmitë dhe kujtimet e tyre tashmë të botuar plotësojnë dhe saktësojnë historinë e atyre ditëve e muajve e deri vazhdimet e mëvonshme. Secili ka dëshmi për ndodhitë ku ka qenë i pranishëm. Sigurisht do të ketë përherë dallime e kundërshti në qëndrimet dhe interpretimet e individëve, grupimeve dhe organizmave politike, që janë opinione personale e të dobishme për të kuptuar më mirë politikat dhe rezultatet. Në këtë vështrim Ndue Lugja me kujtimet e tija na njeh me aspekte që shumëkush nuk i di, nuk i ka lexuar dhe që ndihmojnë për të kuptuar më mirë ato ditë e muaj historikë, sidomos sot kur dasia politike dhe kundërshtia janë më shumë se në atë kohë të ndjeshme. Autori me këtë libër na kujton përjetimet tona, na ndihmon me të dëshmitë e tij dhe gjykimet personale, për të qenë më të saktë. E për këtë Ndue Lugja duhet lavdëruar dhe kontributi i tij real duhet vlerësuar pozitivisht.
FAKTORET E JASHTËM NXITËS TË NDRYSHIMEVE TË MËDHA NË SHQIPËRI
Identiteti demokratik reformist lindor me liri të kufizuara të shprehjes së lirë të fjalës e të mendimit, shprehjes politike e ushtrimit të saj si opozitë, i nxitur e inkurajuar nga Gorbaciov në ish- bllokun lindor sovietik kishte filluar të përhapte e hidhte rrënjët e saj sipërfaqësore edhe në Shqipëri. Mjerimi, varfëria e humbja e identitetit personal, familjar, shoqëror, ekonomik, social e politik në ngjarjet e fundit të etheve komuniste, kishin filluar ta sjellin vendin tonë nga një “grip” influence të vogel në një ekzaminim më të madh “turbekulozi” ku mushkëritë popullore se pranonin më oksigjenin e huazuar të bllokut të Lindjes. Kjo vinte edhe pse me reformistet entuziaste o të detyruar nga masat popullore të revoltuara, po i linte vendet e ish bllokut dalë ngadalë të lirë e sovran të shëronin e kuronin vetveten në vendet e tyre. Rrjedhojë e pasojë ishin ngjarjet e mëdha të luftës anti- komuniste në Evropën lindore të uzurpuar nga regjimi e Grupi lindor komunist Sovjetik të drejtuar nga Gorbaciov, një komunist i reformuar nga situatat ndërkombëtare e i predisponuar të ndërronte vijën e ndjekur më parë e te shkatërronte këtë sistem dalë ngadalë. Takimi i tij me presidentin gjerman Koln ndërroi të ardhmen e lindjes. Pas zgjedhjes Pape në Qytet – Shtetin më të vogël kilometrisht por më të fuqishmin ekonomikisht në botë të Karol Wojtyla me emrin Giovanni Paolo II, ishte ai që mbështeti fuqimisht lëvizjen polake për demokraci deri sa në mënyrë demokratike e dialogu përmes veprimit e fjalës së lirë arriti të fusë në jetën politike Solidarnostin e ta barasbazojë në tavolinën e rrumbullakët të shtetit Polak të 1989 siç e kuptojmë ne më pas. Në gusht 1980 në Poloni krijohet sindikata e parë Solidaritet, me fondator një elektricist Lech Ëalesa që pas shumë vitesh në 1989 arriti të krijojë një moviment revolucion të fuqishëm kundër sistemit komunist polak që edhe me presionet e premtimet e Mikail Gorbachev që mendonte e luftonte formalisht për mos shkatërrimin e sistemit sovjetik, lëvizja antikomuniste kishte vetëm suksese që pastaj me këmbënguljen e saj u be tavolina e rrumbullakët ku levizja merr pjesë në zgjedhjet elektorale të vitit pas revolucionit të 1989. Më 9 Nentor 1989 u realizua ëndrra 50 vjeçare e bashkimit të dy Gjermanive lindje e perendim duke hedhur poshtë murin ndarës të Berlinit, si mur i ngritur e quajtur antifashist. Më 15 gusht 1961 realizohet me elemente të prefabrikuara çimentoje e guri, muri që ndante fizikisht, moralisht, politikisht qytetin e Berlinit në dy pjesë, njëra socialiste e tjetra demokratike perëndimore. Një mur i gjatë 156 km e i lartë 3,6 m realizuar nga rusët me shpenzimet e Gjermanisë lindore. Revolucioni Rumen 16 dhjetor – 25 dhjetor 1989 solli shkatërrimin e sistemit komunist të drejtuar nga Nicolae Ceausescu, stalinisti më i madh në Evropë ku nga frika e madhe e protestave dhe revolucionit detyrohet të ikë spektakolarisht nga Bukureshti. Më vonë e detyrojnë të ulet nga helikopteri që po udhëtonte, drejt ikjes e arrestojnë policia dhe ja dorëzojnë ushtrisë ku e denojnë me gjithë bashkëshorten e tij e i vrasin me gjyq të improvizuar që duron vetëm 55 minuta. Era e re që po pushtonte Evropën e shtyrja reformiste e Gorbacovit, se ndaluan Ceausescu të instauroje ligjin marcial në Timisoara ku nisi revolta popullore më e përgjakshme për të cilën u ekzekutua si genocid. Ishte i vetmi monokomunizëm që u largua me luftë e jo si Cekosllovakia, Polonia, Bullgaria. George H. W.Bush, Karol Wojtila i quajtur Giovanni Paolo II dhe Reformisti Sovjetik Gorbacov i cili pohon se pa Giovanni Paolo II kurrë komunizmi s’kishte rënë, arritën suksesin e ndryshimit të Sistemit Komunist pa luftë e pa humbje të mëdha njerëzore e shihnin të sigurtë platformen reformiste anti komuniste, për ta çuar Botën drejt një ere të re Demokratike. Akullnaja e madhe e bllokut Lindor të Evropes po shkrihej dalëngadalë duke mbushur përdite e më shumë lumenjtë e shpërthimit e urrejtjes popullore të shteteve të ndryshme ex lindore e më komuniste se vetë Moska nga ku kishte lindur .
FAKTORËT E BRENDSHËM NXITËS TË NDRYSHIMIT NË SHQIPËRI
Lajmet nga bota vinin të vakta e pothuejse asgjë. Gazetat shkruanin në ndonjë kuadrat të vogël ngjarjet në botë, televizioni Rtsh i vetëm ishte shurdh memec. Sistemi ishte totalitar e shumë i kujdesshëm e i vendosur për të ruajtur popullin nga ndikimet e jashtme anti komuniste. E kisha dëgjuar diku, po s’mu hap dera unë nuk mund të them se hyra brenda. Edhe pse shumë kuriozë, politikanë, impreditorë, gazetarë të kamufluar si turistë vizitonin vendin tonë për të parë nga afër e për të ditur diçka më tepër se çfare po ndodhte në Shqipëri. Ata shoqëroheshin nga sigurimi i shtetit për të mos pasur takime direkte me popullin. Gusht 1989 Misionaria Nënë Tereza viziton Shqipërinë pas shumë e shumë kërkesave të bëra për të ndihmuar Shqipërinë. Qeveria e asaj kohe e quajti vizitë private. Ajo i kerkoi Ramiz Alise të hapte shtëpi bamirësie në Shqipëri por Ramizi iu përgjigj se ne s’kemi të varfër këtu në Shqipëri e ajo theksoi me cinizem …unë kam shpi bamirësie kudo në Bote, në Amerikë, Kanada, Angli, Itali e në 97 shtete e ku ka të varfër. Lumtë ju që s’paski të varfër e mos harro se e djeshmja ka kaluar, e nesërmja akoma s’ka ardhë, por shiko të sontmen se dikush po vuan e ka nevojë për ty. OKB 1990 Ramiz Alia merr pjesë në sezionin e 45 të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara dhe flet në mbështetje të Kosovës gjë që alarmon Jugosllavine por gëzoi shqipëtarët e ikur ndër vitet e egra komuniste që atëherë e deri në këtë ditë quheshin kriminela e tradhëtare me thënjen se ju do ktheheni në atdheun tuaj e mëma Shqipëri do ju mirëpresë, ju ngjalli një shpresë. Me 11 maj 1990 Perez de Cuellar kryetari i OKB pas vizitave në Austri, Hungari, Cekosllavaki vizitoi edhe vendin tonë ku u takua me Ramiz Aline por kohën më të madhe e kaloi veçanërisht me ministrin e jashtëm Reis Malile, ku bisedat ishin shumë intime e shumë të papritura e të kundërshtueshme nga sistemi pothuajse i kalbur që s’mund të mbahej më në këmbë,të drejtat e njeriut, prona private e ajo kolektive, e drejta e lëvizjes ose e mendimit te lirë. Ç’donte presidenti i OKB nga Shqipëria si vendi i fundit të shkatërrimit të komunizmit. Ligjin e ri të vizave e pashaportave si lëvizje e lirë e tre milion të burgosurve. Ku do ti çonte … Apo do të instalonte një sistem të ri prove laboratorike që koha e provoi. Të gjithë e dinë se Shqipëria është vendi më strategjik i kalimit nga Azia e Lindja për në Evropë. Shtetet e mëdha do të luanin kartën e fundit përseri në favor o disfavor të Shqiperisë. Ndërtimi i 600 mijë deri në 700 mijë bunkeresh ishin baraz me 700 mijë shtëpi në atë kohë e nuk do ta ndjente aq shumë ndihmen e perendimit. Kulti i individit e shkatërroi edhe më tepër Shqipërinë e vuajtur e stërvuajtur duke bërë aksione si Dita e Enverit, Java Enverit, Muaj i Enverit, e ne çfarë të hanim në fund të Muajit .
DEMOSTRATA E 14 JANARIT NË SHKODËR
Demostrata e 14 janarit në Shkodër ku u tentua të hiqej busti i Stalinit ku të mremën u arrestaun të gjithë organizatorët e të nesërmen populli u mblodh pranë bustit të Stalinit. Mungonin organizatorët e deshtoi si protestë por ajo vrau një frikë të madhe ku shteti i mobilizuar me ushtri e polici nga gjithë Shqipëria ngeli përpara një populli që shetiste i lirë e priste vetëm një shenjë. Demostrata e 25 Marsit në Kavajë erdhi si pasojë e një ndeshje futbolli ku qindra të rinj hodhën parulla kundër sistemit komunist e pati shumë të arrestuar. Të nesërmen më 26 Mars u organizua një manifestim i madh popullor me thirrjet : lironi shokët tanë …Liri Demokraci…Poshtë Diktatura, e cila u shtyp me forcë nga policia. Me 2 korrik 1990 shqiptarët mësyen Ambasadat e huaja në Tiranë. Mijera njerëz të vuajtur, të thjeshtë, punëtorë e intelektualë që kishin përjetuar dhunën e bishës së egër të sistemit, nxituan pa frikë të thyenin muret e telat me gjëmba e të hynin në Ambasada. Familje, gra, fëmijë të rritur e të moshuar nga gjithë Shqipëria u ngujuan për ditë të tëra nën hijen e Ambasadave. Qeveria Shqiptare filloi talljet e zakonshme duke i quajtur tradhtarë, kriminelë, hajdutë e deri në fjalën e fundit fyese për çdo shqiptar si jashtëqitjen e Atdheut thënë nga Ismail Kadare, ku më vonë me ikjen e tij në Francë edhe ai iu bashkua kësaj lëvizje. Dhuna e sistemit monolitar shihej në çdo fytyrë. Ikja nëpërmjet kufirit nga Saranda në Konispol shoqërohej me vdekje të përditshme të shqiptarëve në tentativen për të kaluar kufirin për në botën tjetër të lirë. Mali me Gropa filloi të priste e strehonte përjetësisht banorë të çrregjistruar e vrarë nga sistemi pa emra, pa identitet. Një ikje tjetër masive ishte ikja me pashaportë e viza të improvizuara që u qujt Riatdhesim i të gjithë shtetasve Italianë, Grekë, Gjermanë, Jugosllavë, Rusë, Polakë, Turqi e Çeki e fëmijet e nipër të tyre të lindur në Shqipëri nga martesat e kombinuara me shtetas ose shtetase të huaj, gjë e cila u realizua deri në Nëntor 1990 me kërkesë të Ambasadave të shteteve përkatëse. U lejua hyrja e gazetarëve të huaj. Informacioni tashmë qarkullonte lirshëm dhe më pak i censuruar. Liberalizimi falls i Ramiz Alise ishte një lloj lufte e trufe e fshehtë me konservatorët e kohës së tij, kishte frikë nga ata por përsëri i mbante zap. E dinte mire se ishte vendi më i shkatërruar në botë ekonomikisht e politikisht ku njerëzit kishin filluar të lypnin si Zani i zi e Loredana në qytetin Studenti, që na zgjonin në mëngjes duke mbedhur kavanozët në koshat e plehrave. Ishte vendi ku mungonte gjithçka deri te liria personale, ekonomike, sociale apo politike e mendimit e veprimit.
SHPRESA QË VINTE NGA QYTETI STUDENTI
Intelektualët e Tiranës venin e vinin nga Qyteti Studenti dhe dukej qartë se prisnin diçka të madhe prej nesh e na ngacmonin e përkrahnin ne mendime, me pyetje të ndryshme. Unë irritohesha shpesh me ta se nuk e dija se ishin të vërtetë o sigurimsa të veshur me petkun e zbulimit o të na nxisnin, por më kujtohej një thënje e babës tim që më relaksonte e qetësonte kur e mendoja. Ai mulli atë drith ka që të bluajë … I futja një buzëqeshje ironike e largohesha i qete. Ne jetonim një jetë të vështirë por duhej ta provoje që ta besoje. Lëvizja e vërtetë kishte nisur me ankimet e kushteve të jetesës së paimagjinueshme në një qytet ku po rritej elita e ardhshme e intelektualëve të rinj që në të nesërmen do shpërndaheshin në të gjithë anët e Atdheut. Koha s’priste me ankime por një dialog. Një letër e hapur e inxhinierisë mekanike – eletrike e menduar dhe e shkruar nga Pandeli Majko si sekretar i rinisë së fakultetit e dërguar Ramiz Alise dhe e afishur në gjamat e hyrjeve, u përhap si era në Qytetin Studenti, siç më thoshte Arben Sulo, që më vonë e përdorte si vërtetësi e vlerë kudo. Jemi ne në hapat pasardhës që e nisem si levizje, e sesi i lindi ideja e letrës Pandit është se ka patur ndonjë shtyrje, ndikim, propozim, mbështetje për qëllime të mëvonshme politike në shqipëri apo dhe në qeveri, e quaj gjithmonë si një element të inkurajuar, nxitës e pozitiv për tu përballur o vlerësuar nga drejtuesit komunistë të kohës. Kjo letër e lexuar, komentuar e mbështetur plotësisht nga studentët erdhi si një thikë në gjoksin e kalbur të PPSH. Vetëm muret na dëgjonin e na kthenin zërat tanë si në një humnerë malesh që i përcillnin zërin njëra tjetrës. Duke kënduar …Ejani mblidhuni këtu këtu …poshtë Diktatura, Nexhmie rruspije, Enver Hitler … zbritëm në sheshin qëndror poshtë menses. Djem e vajza të guximshëm ata që në një farë lloji e kishin mundur frikën, po vinin nga të gjitha godinat e bashkoheshin me ne. Gjithë studentët u bënë një për idealin e lirisë. Ishte një turmë e çorjentuar e pa kokë drejtimi ku secili thoshte e bërtiste si të donte derisa në murin përballë u shfaq një djale me një xhubot të zi e thirri: Unë jam Azem Hajdari, kam dy femijë e i lë peng për çështjen studentore. Një heshtje ra pastaj me brohorima… ja vdekje, ja liri… poshtë Enveri… poshtë Nexhmija…thirrje e ovazione dhe unimanimisht u pranua si lider i yni. Nga një thirrje brënda turmës…Shkojmë drejt korpusit të Universitetit, u nisëm sipas grupeve o sipas të njohurish drejt korpusit të universitetit e të tjerë që kërkonin të shkonim drejt qëndres së Tiranës.




