Greva e Darsisë e 23 Marsit 1991 ishte greva e tretë në shkallë vendi, pas grevës të studentëve dhe asaj të 12 Janarit 1991 të minatorëve të Valiasit që me 16 janar u kthye në grevë urie. Po si dhe në çfarë kushtesh u organizua greva e urisë e Ballgatit, në rrethin e Lushnjës, që përfshiu edhe Hysgjokaj, Zgjanë e Fier-Sheganin?
Nga Dalip Greca
Ishte e Shtunë. 23 Mars 1991. Një masë e madhe fshatarësh kishin udhëtuar nga të shtatë fshatrat e ish kooperativës së bashkuar të Ballagatit drejt fshatit Gjuzaj dhe kishin rrethuar të deleguarin që kishte ardhë nga qyteti.Një natë më parë, të premten e 22 marsit, në kinoteatrin e qytetit ishte organizuar një mting i madh i Partisë së Punës.Ishte një miting elektoral 10 ditë para zgjedhjeve të para pluraliste të 31 Marsit 1991.Një nga fshatarët e Ballagatit, R.G. është ngritë dhe ka sfiduar partinë, kur ka denoncuar para Fatos Nanos vjedhjen që iu është bërë fshatarsisë të zonës kodrinore, të cilët janë tatuar njësoj si zona fushore, madje ndërmarrjet e shtetit si Bonifikimi, Ujrat, SMT-ja e të tjera i kishin borxh ballagatësve 40 milion lekë. Edhe fondi i akumulimit u ishte caktuar mbi 32 përqind, njësoj se Krutja e Këmishtaj, Gorreja, Bubullima, Divjaka, etj.,që ishin me rrugë të asfaltuara e ujë të pijshëm, ndërkohë që Darsia, nuk kishte as rrugë me gur e as ujë të pijshëm, as një lloj investimi social. Ai ishte i prerë në kërkesën e tij: Nëse nuk na ktheni paratë ne do të hidhemi në grevë! Komisioni është gati!
Për një moment salla e madhe e mbushur plot me militantë ka heshtur, pastaj është dëgjuar një zhurmërimë korale: uluuuuuu …. Uluuuuu!
Ia kishin mbyllë mikorfonin dhe ai ishte ulë i zemruar, por më i vendosur për grevën….
Ishte kthyer tek bashkfshatarët dhe u kishte treguar ngjarjen në kinoteatër. Me unanimitet komisioni i grevës kishte marrë vendimin.
Të shtunën që në mëngjes herët ata ishin bashkuar aty tek kodra, ku diku qëndronte një çangë, që shërbente si sinjal mbledhjeje në qendër.
Qëndronin të ulur në shpatin lindor të kodrës, që nuk ishte larg shkollës, ku kishin menduar të organizonin grevën. I deleguari bënte përpjekje që të shmangte grevën, por nuk ishte agresiv. E kishte të qartë se ajo masë fshatarësh,e veshur si mos më keq me ato kapotat dalë boje të zborit, nuk do të tërhiqej. Mes të deleguarit dhe turmës dukej se kishte një kod normal bashkëbisedimi. Me pare kishte qene per ballafaqim vete kryetari i Komitetit Ekzekutiv, por ata nuk u terhoqen.
Sekretarja e parë e kishte zgjedhur nga aprati i partise si të deleguar për të komunikuar me grevistët sepse ai ishte nga Dumreja dhe gëzonte respektin e darsianëve. Ata e pritën mirë dhe e dëgjuan. E rrethuan dhe dialoguan. Dikur dialogu u bë memec. Fshatarët, që deri në atë çast qëndronin ulur rreth të deleguarit, u ngritën njeri pas tjetrit dhe pasi u përshëndetën me
një”mirupafshim” nisën të zbrisnin nga kodra duke ecur kokëulur drejt shkollës.Njëri pas tjetrit u futën në ndërtesën e shkollës, e cila ishte bosh. Greva Filloi.
Të nesërmen, e Diel 24 mars, unë isha ngritë herët nga qyteti për t’u gjendur atje. Kisha aty vëllezërit, kushërinjtë, shumë nga ish nxënësit e mi, që kishin ardhë nga të shtatë fshatrat përreth. Rrugëtova fare vetëm për 2 orë. E pata të vështirë të futesha tek grevistët sepse komisioni kishte marrë vendim që të mos pranoheshin kandidatët për deputetë dhe përfaqësuesit e partive politike. Unë kandidoja për opozitën(PR) dhe kjo sipas një pjese të komisionit mund ta kompromentonte grevën. Ndikimi i Partisë së Punës ishte ende shumë i fortë. Ndërkohë një pjesë thërrisnin nga dritaret: Lereni të hyjë!
Po më dukej vetja në provë-Do t’më pranonin apo jo?. Një pjesë prej të ngujuarëve i dëgjoja se bënin presion tek komisioni që t’më lejonin se isha bir i tyre dhe nuk ishte hera e parë që kërkoja të përcillja zërin e tyre.
U thashë atyre që qëndronin tek dera : Zëri juaj nuk mund të kyçet brenda kësaj shkolle. Zërin tuaj duhet ta dëgjojë Shqipëria. Ndryshe ç’kuptim ka kjo grevë? Nuk po e shihni se dhe linjën telefonike ua kanë prerë?
Fjalët bënë efektin e duhur. Pas gjysëm ore unë isha brenda me grevistët. Dëgjoja zërat e tyre. Përpiqeshin të ishin të përmbajtur, por ishin dyshues nëse do të fitonin.
Ndërkoha që merrja opinione për shkrimin që do t’i nisja gazetës “Republika”, hyri njeri nga rojat e sigurisë dhe më thotë se duhej të dilja se më kërkonin nga Komiteti Ekzekutiv. Nga brenda më këshillojnë që të mos dal, por unë e mora vendimin, dola. Jashtë më priste sekretari i Komitetit Ekzekutiv, LL.P. Ai ishte i shoqëruar nga dy policë. Makina priste jasht portës së hekurit. Oborri i shkollës ishte mbushur plot me familjarë të grevistëve por edhe me fshatarë të solidarizuar me grevën. Sekretari bën disa hapa drejt meje. Edhe policët afrohen. Ndërkohë shoh që rreth meje formohet një gjysëm rrethi nga ata që duan të më mbrojnë nga ndonjë e papritur.
Sekretari flet shkurt: Më ka dërguar Kryetari i Komitetit. Kërkon të vish me ne poshtë në komitet dhe të bisedojmë atje për kërkesat e grevistëve.
-Unë nuk jam në komision. Flisni me ata. Unë kam ardhë si gazetar, janë bashkfshatarët e mi, vëllezërit, kushërinjtë-ia ktheva.
Turma thërret nga brenda:Mos e prekni djalin tonë!
Sekretari buzëqesh: Mos u tremb më thotë, nuk të marr me zor, po nuk deshe, mos eja! Mua më dërguan dhe erdha. Kaq është detyra ime.
– Po policët ç’tu deshën, e pyeta.
– M’i dhanë, -tha sekretari dhe më zgjati dorën për t’u ndarë(3 muaj më pas unë do t’i zija vendin sekretarit si diktat i forcave demokratike, ndërsa ish sekretari me mirëkuptimin e Komitetit Pluralist u kthye në Bankë, andej nga kishte ardhë, ishte njeri i mirë, specialist i zoti)…
Pas largimit të sekretarit së bashku me policët unë u ktheva në mjediset e grevës. Komisioni ishte i vendosur që ta çonte grevën deri në fund.
Pasdite erdhën tek grevistët edhe përfaqësues të partive opozitare, përfshi edhe Partinë Republikane e Partinë Demokratike.Isha në një grup me ta të nesërmen tek vizituam përveç grevistëve të Ballagatit, edhe ata të Hysgjokajt, edhe të Zgjanës. Na prisnin si perëndi. Plot shpresa.
Greva i arriti qëllimit të saj. Isha në qytet, mbrëmjen e së mërkurës, kur përfaqësuesit e kooperativës së bashku me financierët kalonin me makinë triumfues; Fituam…Sapo dolën nga Banka. U gëzova.
Ata e fituan të drejtën e tyrë. Ishte fitorja e pare.Ne të opozitës i mbështetëm. Me 31 mars ata votuan prapë për PPSH. Natyrisht nuk u zemruam me ata, shkuam prapë mes tyre. Me 22 Mars 1992 na respektuan.I dhanë votat për forcat demokratike, fitoi mandatin mësuesi im Izet Shehu- PD, ndërsa vendin e dytë dhe të tretë me mbi 20 për qind, i ndamë ne bijtë e asaj zone, Unë për PR dhe mjeku i njohur Dervish Myftari I PSD, ndërkohë që partitë tona kishin mbetë në klasë. Partia e Nanos u ndëshkua, për t’u rikthyer në vitin rebel ’97.
Në atë grevë kanë mbajtur peshë djem të asaj zone. Respekt për të gjithë.
Nju Jork, 21 nëntor 2021
***.
RRËFIMI I FINANCIERIT NOVRUZ SHARKA, NJERIU KYÇ I GREVËS*
Na kishin vënë në një kategori me zonën fushore dhe çdo tarifë që paguanim kundrejt ndërmarrjeve shtetërore ishte i njëllojtë me ato tarifa që paguanin kooperativat e fushës plus tatimit që paguanin në fund të viti në shtet mbi të ardhurat që realizonim.Dihej nga të gjithë që sipërfaqet e mbjella me bimë bujqësore nuk ishin të njëjta me atë që shkruhej në plan dhe ky plan dërgohej në rreth.Dua të them se edhe rezultatet e rendimenteve që merrnim nuk pasqyronin realitetin prandaj dhe e futen në një kategori më të lartë kooperativën.(Pa futur këtu dhe kur dorëzoheshin prodhimet sidomos lulet e diellit kishte dhe hile të tjera që nuk po i them por ato që ishin brigadier e dinë mirë.)Unë duke ditur dhe vlerën e ditës së punës që dilte në fund të vitit dhe duke bërë dhe ndryshim që i përkiste nga diferenca e tatimeve ,vetë nuk mund të flisja e të hapja gojë se i kisha mbrapa derës ata që prisnin të bëja gabimin më të vogël. Duke u nisur nga këto kushte e dija kush ishin ata që s’u tremben syri nga askush arrita t’i shpjegoja gjërat kryesore që duheshin për këtë gjë duke përmendur nga këta burra Skender Çela,Xhafer Çela,Besim Vallja,Mehedi Çela,Mersin Sharka etj.Përpara se të futeshin në grevë qenë bërë mbledhje nëpër fshatra për padrejtësinë e taksave që paguanim .Unë për të qenë i mbrojtur i kisha bërë gati për të 4 vitet vlerën Tatimit(shumën e lekëve) që kishim paguar në mënyrë të padrejtë.
Më kujtohet ballafaqimi me Miço Çilin tek varrezat e gjuzajt; më shpëtuan njerëzit që nuk e lejuan atë t’më akuzonte për organizator të grevës.Në këtë ballafaqim e vura përballë me shifra të sakta në bazë të këtyre të dhënave njerzit u futën në grevë.Më kujtohet se Miço Pika na vuri kusht për 5 ditë ti dërgonin çekun duke kujtuar se nuk do ja arrinim,por çdo gjë ishte gati me përjashtim të borderove të cilat ata i përfunduam në kohën e duhur duke punuar të gjithë normista e llogaritar edhe tërë natën.Më kujtohet kur kisha marrë urdhër xhirimin me shumën e lekëve që do të kalonin në llogarinë e kooperativës grevistët akoma nuk besonin duke kërkuar të shohin lekët.Për marrjen e lekëve nuk qe shumë e lehtë mbasi qëndruam tërë ditën në bankë duke u thënë që nuk dalim pa marrë lekët të cilat i morëm.Nga kjo ngjarje më në fund u ngrohën xhepat e të gjithë zonës tonë kodrinore.
*Emirant ne Greqi, 24 nentor 2021