“Ekzistenca e shoqërisë njerëzore mundësohet nga dy segmente, femra dhe meshkuj.”
“…nga gruaja lindën burrat e shteteve, në duart e të cilëve është luajtur e luhet politika, diplomacia botërore dhe fatet e kombeve të vegjël…”
“...Ju gjyshe, nëna, bashkëshorte, motra e bija…luftoni për të drejtat, liritë dhe dinjitetin tuaj. Nuk jam për lirinë pa kufi që shtrembëron e përdhos nocionin e kësaj fjale të bukur, fisnike, të vyer dhe të pazëvendësueshme. Jam për atë liri që i jep gruas mundësinë për të qenë vetvetja.”–Vivra/
Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/
Historia e kombeve është zhvilluar sipas epokave politike, ekonomike dhe sociale që të marra në tërësi, janë ato që bëjnë historinë e një kombi. Historinë e bënë njerëzimi me bëmat e tij, por janë epokat, ato që nxjerrin në pah vlerat e njerëzve të shquar. Ekzistenca e shoqërisë njerëzore mundësohet nga dy segmente,femra dhe meshkuj.Të flasësh për historinë e një kombi duhen pasur parasysh vlerat dhe kontributi që ka dhënë çdo segment i shoqërisë së tij. Kjo gjithmonë e parë nën dritën e së vërtetës me një paanshmëri politike, sociale apo kulturore, duke i dhënë vendin e duhur reales, pa mohuar apo anashkakaluar as epokën, as vendin dhe as ngjarjen që ka lënë vragë në histori. E theksoj këtë sepse zakonisht politikat më tepër i kanë prishur dhe i prishin punë, se sa i japin vlerat e duhura këtij segmenti të pazëvendësueshëm në gjithë jetën politiko-sociale, ekonomike dhe kulturore. Ky mentalitet i njëanshëm do të ekzistojë për aq kohë sa gjinia mashkullore nuk do ta pranojë si të barabartë gjininë femërore. Madje ky qëndrim do të vazhdojë deri sa të pranohet se femra ka të njëjtin potencial intelektual e profesional, si dhe burrat. Pikërisht për këtë diferencim gjinor, dalim në një përfundim se historia jonë kombëtare është e lidhur ngushtë me jetën, veprimtarinë dhe sfidat e gruas.
Kurrë nuk mund të themi se fazat që kalon një komunitet për ndërtimin e një shoqërie, që të quhet komb dhe që të marrë një vizion të tillë, konformë shtetit të zhvilluar, atëherë pushteti i çdo lloj forme administrimi, nuk i takon vetëm njërit segment të shoqërisë, si për shëmbull vetëm meshkujve ose kësaj apo asaj shtrese shoqërore. Gjatë gjysmë shekulli diktaturë jemi mësuar të dëgjojmë se Shqipëria dhe historia e saj i përkasin fukarait, gjë që është absurde.
Historinë e këtij kombi e kanë bërë epokat, njerëzit që ishin faktorë të ndryshimeve politiko-sociale, si dhe ata atdhetarë që nxori koha që i lindi, të cilët e çmonin aq shumë lirinë, sa kishin vënë shenjën e barazisë mes saj dhe jetës. Ekzistenca e kombit tonë është meritë e të gjithë shqiptarëve pa dallim gjinie apo shtrese sociale. Shembuj më të mirë virtyti dhe trimërie ishin mbretërit ilir, si: Bato, Pleurati, Monuni, Mytili, Pirro i Epirit, Genti, Agroni e më vonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Ismail Qemali.
Duhet theksuar se në lashtësi dhe më pas në kohë luftrash, gruaja mbante peshën e familjes dhe të gjithë shoqërisë. Jo rrallë gratë ilire merrnin pjesë në kuvende dhe herë -herë u dëgjohej fjala më shumë se sa burrave. Një vlerësim të tillë për femrën e përmban edhe Kanuni i Lek Dukagjinit.
Ashtu siç ekzistojnë gojëdhanat për heroizmat e pashoqe të burrave trima, të tilla drithëruese dhe vetëmohuese, janë legjendat edhe për gratë trimëresha.
*Pas vdekjes së Agronit drejtimin e shtetit Ardian e mori Teuta,mbretëresha që diti t’i udhëheqë ilirët nga beteja në betejë,në luftën e drejtë e çlirimtare kundër romakëve.Teuta u shqua si një stratege e zonja që e nxori popullin e vet nga situata të vështira ndërlufuese, jo shaka por me një Perandori që ishte sundimtare e botës. Kjo u tregoi ilirëve dhe botës se edhe një grua është e aftë të drejtojë si çdo burrë. Shembuj vitaliteti e besnikërie ishin gratë ilire që luftonin përkrahë burrave. Në kohën që ata ishin në luftë, gratë jo vetëm drejtonin ekonominë, rrisnin dhe edukonin fëmijët për tu bërë luftëtarë të zotë, por drejtonin dhe mbronin edhe pronën e tyre. Pra koha në rrjedhat e saj nxori, jo vetëm burra por edhe gra të famshme.
Të shumta janë gratë shqiptare që ia rrisin emrin Shqipërisë dhe shqiptarizmit, që nga mbretëresha Teuta e Ilirisë, Dora d’ Istria e Rumanisë, ky ishte pseudonimi i princeshës me origjinë shqiptare Elena Gjika, Nënë Tereza,
*Dy princeshat e Kaninës Rugjina Balsha, e cila në shekullin e XIV bëri epokë, e Princit të Kaninës Gjergj Arianiti, Donika Arianiti Kastrioti, e cila ishte e denjë për t’u kurorëzuar Mbretëreshë e Arbërisë, titull që e mbajti me nder edhe pas vdekjes së të shoqit, Skënderbeut. Donika Kastrioti jetoi në oborret e Napolit, Venedikut me dinjitet prej mbretëreshe. Deri në vdekjen e saj, në fillim të shek XVI ajo nuk reshti duke ndihmuar shqiptarët që atje ku jetonte në mërgim.
Rilindja Evropiane dhe të drejtat e gruas
Qysh në shekullin e XVIII, evolucioni social- ekonomik dhe kulturor që solli në oborrin perandorak të Petërburgut Perandoresha Katerina e Madhe, gruaja me origjinë gjermane, shërbeu si shembull për femrat përparimtare dhe të arsimuara të Evropës, që kërkonin ndryshim, të cilin duhet ta sillte gruaja prej së cilës lind jeta. Askush nuk mund ta mohojë se nga gruaja lindën burrat e shteteve, në duart e të cilëve është luajtur e luhet politika, diplomacia botërore dhe fatet e kombeve. Shumë zonja të nderuara, që e urrenin skllavërinë e femrës si segment, izoluar brenda katër mureve të shtëpisë, kishin vërejtur se mungesa e lirive dhe të drejtave të gruas, mospjesmarrja e saj në votime, mosarsimimi dhe mohimi i të drejtës së punës intelektuale në administratën shtetërore, ishte një pengesë për zhvillimin e kontinentit plakë. Femrat e arsimuara e dinin mirë se pa një grua të kulturuar nuk mund të ketë as rini dhe as të ardhme të zhvilluar. Si pasojë nuk do të ketë nivel të lartë jetese, ku njerëzimit do t’i mungojnë kombet e qytetëruar.
*Në Evropë kishte nisur lëvizja femërore madje e iniciuar nga burrat, si në Paris nga Rusoi që njihet si themelues i shoqatës “Lega e Gruas” më 1869.
* Shumë femra që kërkonin ndryshim, përfunduan në gijotinë, shumica e të cilave ishin nga shtresa e lartë e aristokracisë, mbretëresha e princesha si në Skoci, Angli, Hollandë, Francë etje.Një shembull i tillë është e reja franceze Zhan d’Ark.
*Në shek.XVII, në Shqipëri doli një vajzë Nora e Kelmendit, nga Malësia e Madhe. E shquar për bukurinë dhe trimërinë e saj në vitet 1637-38, tërhoqi vëmendjen e sundimtarit boshnjak që atë kohë kishte pushtuar kryeqytetin e kulturës shqiptare, Shkodrën. Ai kërkoi të martohej me të. Por i ati, sipas traditës shqiptare nuk e martonte të bijën me një të huaj. Megjithëse për Norën janë thurur versione të ndryshme legjendash, unë po tregoj më të pranueshmen. Si një Zanë mali që të huajt e quajtën Brunilda Shqiptare, pranoi të martohej kundër vullnetit të të atit me kryekështjellarin, të cilin e vrau me një kamë me dorezë argjendi, që e kishte fshehur nën xhubletë. Si Brunilda e antikitetit që vrau Zigfridin, edhe Nora e Kelmendit u hakmorr ndaj pushtuesit të huaj.
*Revolucioni në industri, solli ndryshime rrënjësore në Evropë. Dalja e gruas në punë, kushtet e vështira të punës, paga e ulët, orari 12-14 orë si dhe puna e rëndë e të miturve në miniera, ose si hamenjë, e zgjuan gruan ndërgjegjësisht sidomos në Angli e Francë.
*Shekulli i XIX i quajtur shekulli i Rilindjes Evropiane, ishte një lëvizje social- kulturore, në të cilën u përfshinë edhe mjaftë zonja. Një ndër gratë e shquara të shekullit të Rilindjes Evropiane, kohë ku krahas industrisë, mori hov letërsia, piktura, skulptura, muzika, teatri, baleti, ishte dhe hyjnesha Elena Gjika, ose Dora D‘Istria, që ishte pseudonimi letrar i saj. Elena Gjika ishte shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare. Lind pyetja: Pse mbante këtë pseudonim? Elena nuk ishte rasti i parë. Në Evropë atë kohë kishte mjaft femra të kulturuara, por mes tyre ishin 4 femra të famshme që ngjallën respektin e botës mashkullore, zgjuan dhe rritën interesin e rretheve politike, të salloneve mondane, tryezave diplomatike për mençurinë, kurajon dhe elegancën e tyre. Në Francë ishte Zhorzh Sandi, e cila vetëm kur mohoi emrin femëror dhe e veshur si kalorës, mundi t’i botonte veprat e saj letrare, sepse letërsia, politika, drejtësia, diplomacia, ishin pronë për mendjet meshkullore. Ndërkohë që gruas i ishin mohuar shumë të drejta. Nuk kishte të drejtën e votës apo të ushtronte profesionin e diplomatit, shkrimtarit, të drejta që ishin vetëm për burra. Një grua tjetër e shquar ishte në Angli, londinezja,Virxhinia Woolf, shkrimtarja moderne, publicistja e shquar, eseistja dhe mbrojtëse e të drejtave të grave. Duhej kurajo dhe guxim nga gra të virtytshme që të thyenin konceptet mesjetare dhe të dilnin nga kornizat e kohës. Këtë rrugë ndoqi edhe kjo femër Elena Gjika ose Dora D’Istria, që u bë pjesë aktive e Rilindjes Evropiane, e cila jo më kot u quajt princesha e kulturës Evropiane.
*Nobelistja “Nënë Tereza“, e mohuara nga Diktatura Komuniste e cila është një prej person Më pas i vlerëson dhe i përjetëson. aliteteve më të mëdha të kombit shqiptar. Madje është një nga pesonalitetet më të mëdha botërore të shekulli XX. Bota nuk i ka heronjtë dhe i krijon.Kurse ne i kemi dhe i mohojmë, duke i lënë në errësirë, ku i mbulon pluhuri i harresës. Jo vetëm kaq por nuk ndalemi duke hedhur baltë mbi ta. Është fatkeqësi dhe krim për një komb kur antivlera ngrihet kundër vlerës, që mohohen deri në atë shkallë, sa të tjerët na quajnë provincialë dhe kulturën tonë provinciale .Unë nderoj portretin e ndritur të Nënë Terezés, e cila si shumica e intelektualve u vlerësua vetëm pas vdekjes. Në këtë rast është domethënëse shprehja:“Vdis, pa të të dua!” sepse ajo u njoh nga bota si shqiptare, vetëm pasi u vlerësua me çmimin “Nobel” për Paqen.
Sa bukur, sa thjesht, sa natyrshëm dhe po aq i madhërishëm ka qenë pohimi i saj:
“Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit ,jam murgeshë katolike.Sipas thirrjes së Zotit, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit. “
*Si mund të mohosh labëreshën trime Maro Kondi që i tërhoqi ushtritë turke në greminë, duke sakrifikuar jetën e saj dhe të të birit.
*Në Luftën greke për Pavarësi ,mes shumë burrave shqiptarë, mori pjesë gruaja shqipëtare, luftëtarja trime Laskarina Bubulina e cila e vuri gjithë pasurinë në shërbim të revolucionuit grek. Në muajt e parë të 1825, ajo u kthye në ishullin Spetses ,ku jetoi në varfëri deri sa u vra në qershor të 1825 dhe njihet si heroinë greke.
*Nuk duhen harruar motrat Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi që hapën shkollën e vashave më 1892.
*Kush nuk e kujton trimëreshën Shote Galica, e cila u vesh si burrë, ngjeshi armët e Azem Galicës, (bashkëshortit) dhe luftoi kundër të huajve. Ç’bëri më shumë heroi legjendar El Sidi, se kjo grua malësore që mbrojti trojet arbërore?
*Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, me në krye heroin legjendar Ded Gjon Luli, ku u përfshinë edhe gra si Tringa e Malsisë, ose Tring Smailja. Kjo kryendgritje u kurorëzua me ngritjen e flamurit në Deçiq, më 3 prill të po këtij viti,që është Preludi i shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912.
Ja se ç’shkruan për trimërinë dhe bukurinë e femrës shqiptare:*New York Times 25 maj 1911 dhe Gazeta franceze ‘Le Petit Journal’, më 28 maj 1911: Beteja e Vraninës – një Zhan d’Ark shqiptare
CETTINJE, 9 maj. Në betejën e Vraninës, Malësia mbi Shkodër – u shqua një vajzë e re, emri së cilës përkon me emrin e dhënë të Vajzës së Orleans. Kur javën e kaluar, në betejën e Vraninës, babai i saj, kryetari i fisit shqiptar Martinaj, u vra, ajo menjëherë zuri vendin e tij dhe i udhëhoqi Martinajt në fitoren kundër turqve. Vajza me emrin Janica Martinaj, ishte shumë e bukur. Sipas një personi i cili njihet mirë me të, kjo Zhan d’Ark e re nuk i ka ende 22 vjeç, dhe është “një grua e re e mirë-zhvilluar, e gjatë dhe e bukur.” Të gjitha gratë shqiptare janë të guximshme dhe janë të mësuara që nga vajzëria e tyre me përdorimin e armëve të zjarrit, dhe në kohët e luftës, duke qenë se nuk ka mushka, ato ngarkojnë ushqimet e municionin për luftëtarët e tyre dhe shkojnë në vijën e zjarrit për shpërndarjen e tyre.”-
*Marigo Pozio, e përndjekura nga Hoçishti i Korçës, e cila u vendos në Vlorë, ku ia kushtoi jetën çështjes për pavarësi kombëtare. Njihet si qëndistare e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, por ka meritën e madhe se krijoi shoqatën e parë të grave vlonjate “Shpresa e Kombit” më 1914 dhe më 1921 ajo nisi botimin dhe drejtoi gazetën “Shpresa Kombëtare“, një media me shumë vlera për kohën.
*Gjatë Luftës Ballkanike dhe më pas në Luftën e Parë Botërore, Sado Koshena, kjo grua trime, pa arsim nga Dukati Vlorës, i priti ushtritë greke në Llogara.
* Askush nuk i harron 6000 gra e vajza që morën pjesë në luftën e Dytë Botërore, ku për çlirim kombëtar luftuan dhe u vranë përkrah burrave apo vëllezërve.
* Gjatë luftës së II Botërore doli një grua trime, Musine Kokalari, intelektuale me vizion të gjerë për demokracinë në Shqipëri, të tipit evropian, pasi ishte arsimuar në Universitetin e Romës.Ajo luftoi me penë duke lënë mbi 5000 faqe dorëshkrim. Ishte gruaja që nuk i ndërroi idetë edhe pse e kaloi gjithë jetën në burg dhe internim.
*Në kohët moderne vlen të përmendet Nermin Vlora Falaski, studiuesja dhe gjuhëtarja që ka mbrojtur me shumë dije e kulturë origjinën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe, që vërteton se përmes gjuhës shqipe deshifrohen shumë gjuhë të botës. Kjo tezë e Nermin Vlorës, që thekson se shqipja rrjedh nga pellazgishtja, është një dokument i rëndësishëm për ekzistencën parahelene të shqiptarëve si pasardhës direkt të ilirëve .
* Vlen të përmendet rumunia Aurelia Graur Vokaj nuk kishte lindur shqiptare, por ajo lindi fëmijë me gjak shqiptari dhe ia kushtoi jetën atdheut të saj të dytë,Shqipërisë. Aurelia lindi në një vit me Nënë Terezën-1910 dhe vdiq po më 1997 që u nda nga jeta kjo Nënë e Madhe. Elena Gjika ndikoi në formimin ideor të Aurelias, e cila më 1932, e martuar me shqiptarin Ajvaz Voka, tregojnë se e mësoi gjuhën shqipe brenda një nate dhe qëndisi në gjuhën shqipe këtë shprehje: “Rrnoftë Shipëria dhe e ndihmoftë Perëndia”që ekziston edhe sot. Kjo grua e huaj, u mësoi fëmijëve të saj gjuhën shqipe. Shtëpia e tyre në Bukuresht u bë qendra për shiptarët e mërguar,që vazhdonin aktivitetin në Shoqërisë Shqiptare .Në vitin 1941, Ajvaz Voka me gruan u transferuan në Shipkovicë, mbi Tetovë. Aurelia e ndoqi pas Ajvazin dhe punoi për emancipimin e femrës shqiptare të kësaj zone deri në 1997 . Mediat rumune e pariziene do të shkruanin:“U nda nga jeta Nënë Tereza e Shipkovicës” ku vinin në pah vlerat e saj si veprimtare e shquar, që s’ lindi shqiptare por punoi për çështjet e këtij kombi,që u bë atdheu i prehjes së përjetshme të eshtrave të saj.
Sot në vendin tonë, apo në emigracion ka me qindra gra të famshme në fusha të ndryshme, në ekonomi, shkencë, politikë, kulturë, art, letërsi, ushtri, histori, mjekësi etje.
Gruaja shqiptare arriti të ketë vendin e N/kryetares së Parlamentit, Kryetare e Parlamentit, Prokurore e Përgjithshme, Deputete, ministre dhe zv/ministre. Këto zonja, a e kanë justifikuar apo e justifikojnë veten në rolin e të qenit në poste të rëndësishme, së pari si femra (shembull urtësie), si bashkëshorte dhe si nëna?! Këtë do ta tregojë koha. Më pas ajo(Koha) do të flasë, veçse me gjuhën e së vërtetës. Por mos harroni se behari nuk vjen me një lule,sepse potenciali femëror është vendimtar në integrimin e kombit, vetëm duhet të dimë ta përdorim intelektin, arsimin, profesionin dhe të qenit femra…
Pyes pushtetarët, këto zonja intelektuale që punojnë me vetmohim, a vlerësohen të gjitha njëlloj, sipas aftësive, arritjeve në fushën ku japin vlera me paanshmëri politike, klasore, krahinore, me apo pa prejardhje të realizmit socialist apo të pas rënies së diktaturës komuniste?
Të nderuara Gjyshe, nëna, bashkëshorte, motra dhe bija, duke Ju uruar Gëzuar Ditën e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, luftoni për të drejtat dhe liritë tuaja. Nuk jam për lirinë pa kufi që shtrëmbëron dhe përdhos nocionin e kësaj fjale të bukur, fisnike dhe të pazëvendësueshme. Jam për atë liri që na jep mundësinë për të qenë vetvetja. Vetëm kështu meritojmë vendin që na takon në shoqërinë e qytetëruar.
Të gjithë kolegëve dhe kolegeve të mija që kanë ushtruar apo ushtrojnë profesionin e bukur, fisnik dhe të vështirë të mësuesit: Gëzuar 7 Marsin!
Gjithë grave shqiptare në mbarë botën ju uroj: “Gëzuar 8 Marsin!”