

Sokol Paja/
Grupi artistik “Fluturimi i Shqipes” në Toronto nën drejtimin e koreografes Denajda Dhrimaj përbën një krenari dhe arritje komunitare e kulturore në mërgatën shqiptare të Kanadasë në përpjekje për të ruajtur kulturën dhe trashëgiminë identitare shqiptare në diasporë. Trashëgimia kombëtare merr vlerë jo vetëm kur ruhet por sidomos kur transmetohet te brezat e rinj. Përpjekjet e emigracionit shqiptar për gjuhë shqipe, traditë e kulturë kombëtare janë të shenjta dhe meritojnë nderim e vlerësim prej shtetit dhe komunitetit. Argëtimi e muzika është një ndër faktorët kryesorë që bashkon, promovon dhe gëzon shqiptarët e diasporës. Nën drejtimin e koreografes Denajda Dhrimaj performancat dhe talenti i fëmijëve të grupit artistik “Fluturimi i Shqipes”, tashmë ka krijuar një traditë të çmuar artistike dhe vazhdimësi kulturore.
Koreografja Denajda Dhrimaj shprehet për gazetën “Dielli” të Vatrës se grupi artistik “Fluturimi i Shqipes” është themeluar në vitin tetor 2010 nga dëshira patriotike për të pasur një grup folklorik në Toronto që të merrte pjesë në festat e komunitetit, ngjarjet artistike e kulturore me qëllim për të ruajtur e trashëguar vlerat e vallet tona tradicionale kombëtare. Pjesëmarrja e fëmijëve në grupin artistik, tregon artistja Denajda Dhrimaj, ka qenë nga moshat e vogla deri në studentë universitarë të cilat kanë mësuar vallet e bukura shqiptare të krahinave të ndryshme të shtetit e kombit tonë. Momentalisht janë nxënës nga grup-moshat 6 – 22 vjeç dhe mësimi zhvillohet një herë në javë në Oakville të Ontarios.
Ky grup artistik ka qenë një mundësi, një krenari e frymëzim për shumë të rinj shqiptarë në mërgatën e Kanadasë që kanë dëshirë, pasion dhe dashuri për traditën shqiptare, muzikën e vallen e bukur kombëtare. Koreografja Denajda Dhrimaj shprehet se si grup kemi marrë pjesë në festat e komunitetit shqiptar duke përformuar në Toronto, Oakville, Hamilton si dhe nëpër aktivitete të fëmijëve me komunitete të ndryshme. Ideja e veprimtarisë artistike dhe komunitare është që të kemi një group ku fëmijët jo vetëm të mësojnë vallet shqiptare por edhe të argëtohen e të forcohen si një komunitet shqiptar i bashkuar. Kush më mirë se arti e kultura i bashkon njerëzit, shpjegon koreografja Denajda Dhrimaj e cila tregon se mundohemi të informojmë komunitetin që të sjellin fëmijët për të ruajtur e vazhduar trashëgiminë tonë të shkëlqyer artistike. Puna kulturore e artistike e grupit të valleve e ka rritur ndjenjën e patriotizmit te fëmijët, kënaqësinë dhe lumturinë e tyre dhe të prindërve teksa është një ndjesi e veçantë kur sheh fëmijët tek mësojnë kulturën tonë, aq më tepër kur këta fëmijë lindin e rriten larg atdheut.
Koreografja Denajda Dhrimaj ka mbaruar shkollen “Jordan Misja” për balerinë klasike dhe deri në vitin 1999, ka qenë soliste e Operas dhe Baletit në Tiranë. Ka vazhduar dhe shkollen e lartë për koreografe por e ndërpreu me ardhjen në Kanada. Kur ishte ne Shqipëri, ka marrë pjesë në shumë festivale folklorike me grupin e valleve të Ansamblit Shtetit ku përfaqësonin Shqipërinë. Në vitin 1999 ka ardhur në Kanada si kërcimtare dhe jeton e vepron që nga ajo kohë. Ka qenë aktive për vite me radhë duke kontribuar në ngjarjet kulturore të komunitetit ndërsa talentin, pasionin dhe energjinë po ua transmeton brezave të rinj. Në vitin 2011 ka qenë koreografja e spektaklit “Mis Albania” që u mbajt në Oakville, Ontario. Nga viti 2017 deri 2024 ka qenë mesuesja/koreografe e grupit të valleve të Komunitetit Katolik në Toronto ku falënderon Don Giovani & Don Ambrozi që e krijuan grupin valleve të Kishës dhe i dhanë mundësinë të ishte mësuesja e grupit. Kontributi i koreografes Denajda Dhrimaj për komunitetin shqiptar dhe kulturën shqiptare është një garanci për vazhdimësinë dhe ruajtjen e traditës kombëtare në mërgatën e Kanadasë.