Angjelina Nika/
Grupi artistik “Rozafati”(Mjeshtër i Madh) i Qendrës Kulturore Nënë Tereza të Kishës Zoja e Shkodrës, pjesëmarrës në të gjitha eventet kulturore, patriotike dhe komunitare të shqiptarëve në New York e më gjërë është pa dyshim një krenari e pastër identitare kombëtare shqiptare. Një grup vajzash e djemsh të talentuar, të edukuar, energjikë, patriotë, me ëndrra, me pasione e dëshira të mëdha i japin jetë, ngjyra dhe shpirt shqiptarie çdo ngjarjeje shqiptare. Prej vitesh ky grup artistik ka krijuar tashmë një traditë të përkryer të festimeve e pjesëmarrjeve domethënëse në ngjarjet që shënojnë kulturën dhe historinë shqiptare. Vetëm këtë vit në takime të Vatrës sidomos e komunitetit shqiptar në raport me autoritetet shtetërore në New York, pjesëmarrje në dy festivale në NYC, në ngritjen e flamurit në Stamfort, në Hoboken, te Kisha Zoja e Shkodrës etj grupi artistik Rozafati i dha tonin festimeve duke dëshmuar profesionalizëm, cilësi e shpirt të bukur shqiptare. Festa e 110 vjetorit të Vatrës, Festivali i 30-të shqiptar dhe festimet për 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në New York ishin disa nga ngjarjet kulminante të pjesëmarrjes dhe përformancës spektakolare të grupit Rozafati. Talenti i vajzave dhe djemve të grupit Rozafati është magjepsës e performanca a tyre mbresëlënëse. Ky grup shënon një përpjekje të vazhdueshme e të pa ndalshme për ruajtjen e identitetit kulturor kombëtar shqiptar në mërgatën shqiptare të Amerikës.