
Izabela Krosi/
Albanian Eagles Dance, nën drejtimin e Izabela Krosi, pati nderin të performojë në ArtFest Fort Myers, duke përfaqësuar me krenari Shqipërinë dhe trashëgiminë tonë kulturore në një nga eventet më të rëndësishme artistike në Southwest Florida. Ne u ftuam të marrim pjesë në këtë aktivitet në emër të Cultural Heritage Center of Southwest Florida nga zonja Pearl Cruz, për të ndarë me komunitetin e gjerë bukurinë, historinë dhe traditat shqiptare.
Gjatë këtij eventi, grupi ynë performoi Vallën e Pipzave, të udhëhequr nga Joen Sherifi, me një duet të veçantë nga Teos dhe Wendy Daci, si dhe Vallën e Rrajcës, të udhëhequr nga Elisa Qytyku.
Grupi ynë përbëhet kryesisht nga fëmijë të diasporës shqiptare, shumë prej tyre të brezit të parë në Amerikë. Përmes valleve tradicionale, kostumeve kombëtare dhe muzikës, ata krijojnë një lidhje më të fortë me rrënjët e tyre dhe zhvillojnë krenarinë për identitetin shqiptar. Çdo performancë është një mundësi për të edukuar, për të ndërtuar ura kulturore dhe për të treguar se kultura jonë vazhdon të jetojë edhe larg atdheut.
Albanian Eagles Dance performon në të gjithë Southwest Florida me misionin për të ruajtur dhe promovuar kulturën shqiptare tek brezat e rinj. Evente si ArtFest Fort Myers janë shumë të rëndësishme sepse u japin të rinjve një platformë për të shprehur veten, për të përfaqësuar komunitetin tonë dhe për të kontribuar në diversitetin kulturor të zonës.
Jemi mirënjohës për këtë mundësi dhe krenarë që përfaqësojmë Shqipërinë dhe komunitetin shqiptar në çdo skenë ku performojmë.