



Joli Agolli Paparisto: Hapet Jon Channel në Miçigan, përcjellës i diasporës kudo në botë, një zë më shumë për shqiptarët
Intervistoi: Eneida Jaçaj
Prej shekujsh, intelektualët e rangut më të lartë politiko-kulturor të diasporës kudo nëpër botë jashtë trojeve të vendit amë, kanë qenë një zë shumë potent dhe i rëndësishëm për shqiptarët dhe Shqipërinë. Shqiptarët e diasporës kanë qenë gjithmonë të bashkuar dhe asnjëherë nuk i kanë shkëputur rrënjët nga toka mëmë, atje ku lind gjuha, traditat, zakonet, folklori, atje ku merr kuptimi ekzistenca e një kombi dhe formësimi i individit qytetar.
Kjo traditë e lënë trashëgimi nga e kaluara, vijon edhe në ditët e sotme. Intelektualët e diasporës vijojnë të ecin në hapat e personaliteteve të shquara të atdhetarisë, duke u bërë një zë i fuqishëm për shqiptarët kudo ku janë, duke promovuar vlerat dhe traditat kulturore, sidomos duke mbajtur të ndezur pishtarin e gjuhës shqipe, si e vetmja provë më e madhe për të mbajtur në këmbë ekzistencën e kombit tonë.
Joli Agolli Paparisto, me profesion koreografe, drejtuese e grupit artistik “Gjergj Kastrioti” në një bashkëbisedim për gazetën “Dielli”, jep lajmin se në Miçigan sapo është hapur Jon Channel, një produksion mediatik, i cili do të përcjellë veprimtarinë e shqiptarëve jashtë trojeve të Shqipërisë. Do të jetë një zë më shumë i diasporës për Shqipërinë, një produksion krijues, i përjavshëm, i përbërë me 2 shou, Fenomen dhe me Jolin. Duke u ndalur në aktivitetet kulturore, Joli shprehet se grupi “Gjergj Kastrioti është i angazhuar si çdo vit për të përcjellë vallet dhe folklorin shqiptar, duke mbajtur gjallë traditat e vendit.
-Përshëndetje Joli! Jemi sërish së bashku pas një periudhe gati njē vjeçare, në një bashkëbisedim të ngrohtë, ku në qendër të bisedës do të kemi projektet tuaja pēr komunitetin shqiptar në Miçigan. Fillimisht doja t’u pyesja, si ka nisur ky vit për ju? A mendoni se do të jetë më i mirë see viti që lamë pas, si në aspektin personal, profesional, por edhe në rang botëror, pasi kaluam një pandemi shumë të egër dhe pasojat ende ndihen edhe sot?
Viti 2022 ka nisur i mirë, punëtor do të thoja, me projekte të reja. Jam shumë e lumtur të prezantoj hapjen e Jon Channel, një zë më shumë në diasporë, që do përcjellë kudo botën e madhe shqiptare jashtë Shqipërisë. Është një produksion krijues, i përjavshëm, i përbërë me 2 shoë, Fenomen dhe me Jolin. Këtu përfshi dhe aspektin personal, duke qenë se jeta ime kryesisht prihet nga puna, e cila më jep një kënaqësi të madhe. Uroj që ky vit të nisë normal dhe plot të mira për ju dhe të gjithë lexuesit tuaj, në fakt mbarë njerëzimi. Të lëmë mbrapa sa më shpejt trazirat e këtyre 2 viteve që kaluam.
-Në memorien e publikut, ju keni mbetur ajo vajza çapkëne, energjike hipur mbi motor, në rolin episodik të filmi “Edhe kështu, edhe ashtu”, me regjisor Bujar Kapexhiu. Çfarë ka ndryshuar sot, të ajo vajza çapkëne?
Asgjë s’ka ndryshuar, përveç moshës; jam po ajo, gjithmonë e gatshme për të provuar gjithçka të re, tunduese. Më pëlqejnë të paarritshmet, sepse më motivojnë dhe më ngacmojnë ambicjen për t’i përvetësuar.
-Ju jeni drejtuese e grupit artistik “Gjergj Kastrioti”, si koreografe, i cili promovon vlerat dhe traditat kulturore shqiptare. Çfarë projektesh dhe risi të reja do të sillni për këtë vit sa i takon aktiviteteve për vallet shqiptare?
Grupi “Gjergj Kastrioti” është gjithmonë burim folklori i artit koreografik, aktiv çdo vit, gjithmonë i angazhuar në aktivitete komunitare, por dhe në rang vendas, duke qenë se kultura, folklori, kostumet e bukura tona nëpërmjet performancave të grupit “Gjergj Kastrioti” janë bërë shumë të njohura dhe ndër amerikane në Michigan.
-Komuniteti shqiptar i Amerikës u organizua për festën e Flamurit dhe Ditën e Çlirimit tē Shqipërisë. Çfarë aktivitetesh u organizuan në Miçigan me komunitetin tuaj, në këto data të shënuara historike për ndërtimin e shtetit shqiptar dhe çlirimin përfundimisht nga zgjedha e huaj?
Komuniteti ynë shquhet për patriotizëm, art dhe aktivitete të shumta. Festuam si çdo vit festën e zemrës, 28 Nëntorin, do veçoja atë më të madhen, e cila zhvillohet në Komunitetin e Kishës Katolike të Shën Palit, ku festimi merr përmasat e vërteta të një feste kombëtare.
-Unë dua t’i rikujtoj publikut se ju jeni edhe producente e emisionit “Kafe me Jolin dhe Benin”, ku e zhvilloni me aktorin e humorit, Arben Dervishi. Si ka nisur për këtë vit emisioni dhe çfarë risish do të sillni për publikun shqiptar në Miçigan dhe jo vetëm?
Projekti “Për Kafe” ishte një punë fantastike dhe plot krijimtari, por tashmë ka stopuar. Kam hyrë sikur e thashë më lart, në një hapësirë më të madhe mediatike, me përgjegjësi dhe prodhimtari më të madhe, pra tashmë jam krijuese dhe producente e Jon Channel.
–Gjuha shqipe është një vlerë e patjetërsueshme për ekzistencën e kombit tonë shqiptar. A vijojnë përpjekjet për ruajtjen e gjuhës të brezat e rinj?
Pa gjuhën e bukur shqipe, pa e folur dhe transmetuar brezave tanë këtu në diasporë, do të thoja ne nuk do kishim vlerë. Po përpjekjet vijojnë dhe shpresoj te mos shterojnë kurrë. Faleminderit të gjithë atyre qendrave që ofrojnë programin e mësimit të gjuhës shqipe.
-A keni njē mesazh përmbyllës për komunitetin tuaj shqiptar në Miçigan në veçanti dhe Shqipërinë në tërësi?
Unë i uroj të gjithë shqiptarëve “Gëzuar 2022”, qoftë i begatë, plot realizime. Paqe, Dashuri, Sinqeritet. I dua shumë këto 3 komponentë, ta veshin vitin, jetën në përgjithësi me ngjyra të bukura. Faleminderit nga zemra për këtë intervistë! Punë të mbarë dhe suksese!