



Intervistoi: Sokol Paja/
1. I nderuar z.Teneqja si u realizua emërtimi i rrugës “Dardania” dhe “Kaçaniku” në provincën e Manitobës në Kanada?
Bashkëpunimi i gjatë mes komunitetit shqiptar këtu në provincën e Manitobës dhe këshilltarit të rajonit St. Vital të qytetit të Winnipegut, z. Brian Mayes, si dhe bashkëshortes së tij Alison, ka qenë shumë i frytshëm.
Në një darkë për Krishtlindje, ku ishim unë dhe bashkëshortja ime Teuta, Bryan më tha se dëshironte të bënte diçka për komunitetin tonë dhe të emërtonte një rrugë me një emër në gjuhën shqipe. Për emrin “Kaçaniku” ai ishte përcaktuar tashmë, për shkak të miqësisë që kemi dhe faktit që unë dhe Teuta vijmë nga Kaçaniku. Mbetëm pa fjalë nga ky gjest. Të nesërmen fillova kontaktet me komunitetin tonë, si dhe me zonjën Ruki Kondaj, për emrat që dëshironim të propozonim. Emri “Dardania” ishte ai që kaloi të gjitha testet dhe kriteret e qytetit, përfshirë ato të zjarrfikësve dhe ndihmës së parë, sipas rregullave që zbatohen këtu në Winnipeg.
Në fund u arrit përfundimi që në muajin nëntor 2024 të vendosej emri honorifik Kaçaniku Way, ndërsa më 12 qershor 2026 u bë përurimi i rrugës Dardania Drive në zonën e re në zhvillim të quajtur Sage Creek. Me mbështetjen e komunitetit tonë – Hajdin Teneqja, Gramoz Mataj, Shpejtim Alimehaj, Muhamet Bejte, Artur Refatllari, Luan Tahiri dhe Irena Romanova – si dhe të ambasadores së kombit, Ruki Kondaj, me të cilën jam në kontakt që nga viti 2015, të Ambasadores së Shqipërisë, Ambasadorit të Kosovës dhe përfaqësuesve të Komunës së Kaçanikut, patëm kënaqësinë që t’i kishim në mesin tonë për inaugurimin e rrugëve Kaçaniku Way dhe Dardania Drive.
2. Cila është historia e komunitetit shqiptar në provincën e Manitobës?
Historia e komunitetit shqiptar në provincën tonë ka nisur rreth vitit 1999 me shoqatën “Flamuri”, të themeluar nga bashkatdhetarët që ndodheshin këtu në Winnipeg: Hamit Aliu, Sejdi Isaku, Mitat Popaj, Hasan Alimehaj, Nuri Abazi, si dhe familjet Pashuku dhe Anxhelina. Kur refugjatët e luftës së Kosovës mbërritën dhe u vendosën këtu së bashku me familjet e tyre, ata nisën një jetë të re. Gjithashtu, familje nga zona të ndryshme të Shqipërisë, para dhe pas vitit 2000, emigruan dhe u vendosën këtu për një jetë më të mirë për familjet e tyre.
3. Cilat kanë qenë aktivitetet patriotike e komunitare që keni zhvilluar si shoqatë?
Shqiptarët së bashku këtu kanë organizuar festimet e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit – dhe të 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës – nën organizimin e Hajdin Teneqjes, Fazli Morinës, Reshat Tronit, Artur Refatllarit, Shpejtim Alimehajt dhe disa miqve të tjerë nga komuniteti ynë. Një punë vërtet të shkëlqyer bëri vullnetarja Dr. Kozeta Milku, e cila arriti të organizojë shoqatën, të hartojë statutin dhe ta regjistrojë zyrtarisht në gjykatë me emrin Shoqata Shqiptaro-Kanadeze e Manitobës. Gjithashtu u hap Shkolla Shqipe për fëmijët e komunitetit, e cila funksionoi për një kohë, por pas pandemisë COVID-19 nuk vazhdoi më aktivitetin. Më 28 nëntor 2018 ngritëm Flamurin Kombëtar Shqiptar, ndërsa më 17 shkurt 2019 ngritëm flamurin shtetëror të Republikës së Kosovës në City Hall të Winnipegut, duke vazhduar këtë traditë çdo vit.
4. Cilat janë projektet e së ardhmes për Shoqatën Shqiptaro-Kanadeze e Manitobës?
Një gjë që vlen të përmendet është se gjatë qëndrimit të Ambasadorit të Kosovës, Adriatik Kryeziu, këtu në Winnipeg, ai bëri të mundur njohjen e patentë-shoferit të Kosovës nga Provinca e Manitobës. Kjo na lehtësoi procesin e pajisjes me patentë shoferi pa pasur nevojë të kalonim testet që kërkon MPI në Manitoba. Planet për të ardhmen janë:
• Të vazhdojmë forcimin e lidhjeve me z. Mayes për mundësinë e vendosjes së emrit Iliria për një park në zonën e rrugës Dardania.
• Organizimin e piknikut veror.
• Rihapjen e Shkollës Shqipe.
• Projekte të tjera në dobi të komunitetit.
5. Cilat aktivitete do i veçonit si më të suksesshmet?
Ndër aktivitetet që janë zhvilluar përfshihen:
• Piknikët në park.
• Ceremonitë e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kosovës.
• Lojëra volejbolli dhe futbolli me të rinjtë dhe të rejat.
• Përfshirja në komunitet e studentëve që kanë ardhur nga Shqipëria dhe studiojnë në universitetet e Manitobës etj. Me profesionalizëm e përkushtim, synojmë në vazhdim bashkimin, promovimin dhe integrimin e shqiptarëve në shoqërinë dhe institucionet kanadeze.