-Kryeministri Ramush Haradinaj zhvillon takim bilateral me Kancelaren Angela Merkel, vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të Gjermanisë në proceset jetike të shtetndërtimit të Kosovës/
-Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha se Gjermania përmes procesit të Berlinit do të luaj rolin e saj edhe më tutje që Kosova të jetë e barabartë dhe të jetë kontribuuese në stabilitetin politik jo vetëm të saj, por edhe të rajonit/
LONDËR, 10 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/ Gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar takim bilateral me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha se Gjermania përmes procesit të Berlinit do të luaj rolin e saj edhe më tutje që Kosova të jetë e barabartë dhe të jetë kontribuuese në stabilitetin politik jo vetëm të saj, por edhe të rajonit.
Në takimin ndërmjet Kryeministri Haradinaj dhe Kancelares Merkel është biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me shtetin Gjerman, për proceset e përgjithshme në Kosovë, për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në raport me BE-në, si dhe për procesin e finalizimit të dialogut me Serbinë. Kryeministri Haradinaj, vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të Gjermanisë në proceset jetike të shtetndërtimit të Kosovës.“Partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë është i një rëndësie të veçantë, duke njohur rolin dhe kontributin e Gjermanisë edhe në procesin e Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila i ka hapur rrugë Kosovës që të trajtohet në mënyrë të barabartë me vendet tjera të rajonit. Kosova është e përkushtuar që ta avancojë këtë partneritet. Parku Inovativ dhe Trajnues në Prizren është një dëshmi e radhës, që vendi ynë është i përkushtuar për prezencën ekonomike, krahas asaj politike”, tha kryeministri Haradinaj.
Duke falënderuar Kancelaren Merkel për mbështetjen e fuqishme të saj dhe të shtetit gjerman, Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës me përkushtim dhe vendosmëri të lartë është duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke e fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit, duke i dhënë prioritet zhvillimit ekonomik, axhendës së reformave evropiane dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve me fqinjët.“Lidershipi juaj ka qenë vendimtar për shumë procese nëpër të cilat po kalon Ballkani Perëndimor, andaj kërkojmë mbështetjen Tuaj që edhe në këtë fazë të rëndësishme të procesit të integrimeve evropiane, liberalizimit të vizave, të jeni zë i fuqishëm për të ardhmen prosperuese të Kosovës”, tha Kryeministri Haradinaj.
Në takimin e kryeministrit Haradinaj me Kancelaren Merkel, i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli.
KRYEMINISTRI HARADINAJ: KOSOVA E PËRKUSHTUAR PËR AVANCIMIN E BASHKËPUNIMIT RAJONAL
Në Samitin e Ballkanit Perëndimor, në sesionin e dytë, që ishte edhe përmbyllës i këtij Samiti, udhëheqësve të delegacioneve të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, iu është drejtuar Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila ka folur për “Samitin e Varshavës 2019” dhe ” E ardhmja e Procesit të Berlinit”.Gjatë këtij sesioni, kryeministri Haradinaj foli për përkushtimin e Kosovës për avancimin e bashkëpunimit rajonal me vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa i është përgjigjur edhe kritikave të kryeministres së Serbisë, Brnabiq, duke thënë se Kosova është e përkushtuar për stabilitet ekonomik dhe politik në rajon, dhe në këtë drejtim është duke punuar fort për të zbatuar të gjitha marrëveshjet, dhe se pengesat dhe vonesat në zbatimin e tyre nuk janë të shkaktuara nga Kosova, por nga ana e Serbisë.
Pas përfundimit të sesionit të dytë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrja Theresa May në një konferencë të përbashkët vlerësuan rëndësinë e Samitit të 5-të me radhë.Kancelarja Merkel ka thënë se ky Samit është dëshmi e përkushtimit të vendeve të Evropës që t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe inkurajim për progres në të gjitha fushat.Ndërsa, kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, tha se vendi i saj do të vazhdojë të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor.Ky është Samiti i 5-të me radhë që mbahet për vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit, i iniciuar nga Kancelarja Angela Merkel.Vendet pjesëmarrëse në këtë Samit kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët me zotimet e qeverive të tyre në fushat e caktuara, si: marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, personat e zhdukur, krimet e luftës, të gjitha këto zotime që dalin nga Procesi i Berlinit./b.j/