-Sot në Elbasan është nënshkruar Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës për ndërtimin e lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë/
-Me tren udhëtohej nga Shqipëria në Kosovë para me shumë se 23 vitesh në reportazhin futuristik “Kufiri i ëndrrës” që kam shkruar në fundvitin 1997, botuar pikërisht në 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARIPRISHTINË, 26 Nëntor 2021/
Memorandumi i bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë për hekurudhën Durrës-Prishtinë është një nga marrëveshjet e nënshkruara sot në Elbasan në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në komunikatën e dërguar bëhet e ditur se është nënshkruar “Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës për ndërtimin e lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë”. Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës mbajtën mbledhjen e shtatë të përbashkët në Elbasan sot në 26 Nëntor 2021, pas të gjashtës në Tiranë në 2 Tetor 2020.Më parë, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë në 26 Nëntor 2018 në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 Janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 Mars 2015 , të tretës në 3 Qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës të zhvilluar në 27 Nëntor 2017 në Korçë…
E me tren udhëtohej nga Shqipëria në Kosovë para me shumë se 23 vitesh në reportazhin futuristik “Kufiri i ëndrrës” që kam shkruar në fundvitin 1997, botuar në 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha. Kështu fillonte reportazhi: Një qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”…Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra, që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008.
Ky ishte reportazh i para më shumë se 2 dekadave: KUFIRI I ËNDRRËS(Reportazhi i Ardhmërisë – III)Behlul JASHARINjë qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”Tek po përpiqej ta maste me sy madhësinë e qytetit ku po ndalonte treni, më shumë e pëlqente një krahasim të përsëritur shumë vjet: “Kosova brenda vitit shtohet për një qytet, lind fëmijë aq sa ka banorë Gjakova”.Zbriti vetëm për pak sa t’i shkelin këmbët në tokën e Kosovës, që nga Çamëria e parafytyronte si një takim me legjendën… “Rekord i arit në Trepçë”, ishte titulli me shkronja të mëdha në ballë të faqes së parë të botimit të mëngjesit të njërës nga gazetat që i mori t’i lexojë në vazhdimin e rrugës për në Prishtinë, ku kishte paralajmëruar arritjen për atë ditë…Nga qendra hekurudhore në Fushë-Kosovë nëpër metronë që çon në Prishtinë arriti në Qytetin Studenti. E gjeti lehtë Zyrën e Shërbimeve Studentore, që i kishin thënë se ndodhet pranë Fakultetit Filozofik, para të cilit nga larg shihet një përmendore e lartë e Naimit.“O, po, ju kemi pritur, e kemi marrë telegramin tuaj, ku keni paralajmëruar një qëndrim studimor. Ju kemi siguruar vend në konviktin e studentëve nr. 9”, i tha plot përzemërsi sekretarja e Zyrës Studentore.Zyra, që e priste plot mirëpritje, po i bënte një përshtypje të veçantë me fotografitë e pikturat e varura nëpër mure, si në një ekspozitë.“Është një pjesë e historisë”, i tha nikoqirja, duke i treguar në veçanti pamjet nga demonstratat studentore të viteve 1968, ‘81… ’97…Pikturën, që ishte aty e kishte parë origjinalin në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Është “Molla e Kuqe”, një shenjë e paharrueshme e gjeografisë e historisë shqiptare.“A do të hyjë edhe Molla e Kuqe në punimin tënd të diplomës, ajo ishte shenjë e kufirit me serbët?” – pyeti nikoqirja.“Pikërisht edhe për Mollën e Kuqe jam nisur këndej”, tha studentja që kishte marrë udhën e largët, deri te “kufiri i ëndrrës”. Shprehja “Kufiri i ëndrrës” i erdhi nga titulli i një libri me motive të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-78…Gjumi e kishte zënë derisa po shfletonte një atlas të gjeografisë shqiptare, dhe ishte zgjuar herët për të shkuar në Bibliotekën Kombëtare e Universitare. Rrugës u ndal në një klub studentësh, që me kafenë e mëngjesit të shfletojë gazetat e ditës. Më shumë u ndal në shkrimet që lidheshin me interesimet e saj. Gazeta “Rilindja” paralajmëronte se “së shpejti do të fillojnë bisedime shqiptaro-serbe për rirregullimin e kufirit”, ndërsa gazeta “Bota shqiptare” shkruante se “rritet përditë e më shumë numri i shqiptarëve në Turqi që kërkojnë të kthehen në tokat prej nga janë shpërngulur të parët e tyre”…Gjithçka kërkoi në Bibliotekë ia sollën nga arkivat në tavolinë. Kishte kaluar shumë orë shfletimi e kërkimi të përgjigjes në pyetjen se kah do të ketë qenë vija e kufirit të natyrshëm shqiptar në veri para vitit 1877, para dëbimeve masive të mbi një milon a më shumë shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit?Kronikat thoshin: “Elementi shqiptar më së shumti jetonte në Qarkun e Toplicës. Toplica shtrihej në mes të Jastrebovcit të Vogël, në veri të Kopaonikut, në perëndim të Sikobicës, maleve të Arbanasit, i afrohej Moravës Jugore”… Kronikat përmendnin Jabllanicën, Qarkun e Toplicës e të Nishit, të Pirotit… “Elementi shqiptar shtrihej edhe përtej Sanxhakut të Nishit”, thoshin disa kronika, e disa të tjera se “kalonte edhe lumin Moravë”…Gjithë ato vende që përmendnin kronikat i kishte vijëzuar në një hartë, dhe po kërkonte vendin për të vënë shenjën e Mollës së Kuqe.Si nga një shetitje në histori po dilte nga Biblioteka, ku do të kthente edhe disa herë ditëve të ardhme. Kishin mbetur edhe vetëm pak minuta deri në orën e takimit me shoqen e shokët që sapo i kishte njohur në Prishtinë.E pritnin në kafiterinë “Orëjeta”, ballë hotelit “Evropa”, prej nga do të shkonin në Teatrin e Operës e Baletit, për të parë një shfaqje të trupës së artistëve nga Shkodra…Qielli i akullt sikur po shkrihej bardh në errësirën mbi dritat e neonit shesheve e rrugëve të qytetit. Po reshte një borë e butë. Mbi bredhin e madh plot ditëza në rrugën “Nëna Tereze” nga bora që e kishte mbuluar nuk mund të shiheshin më të gjithë numrat e fundit të urimit. Mund të lexohej vetëm: Gëzuar Vitin e Ri dymijë e…”Mbishkrimi mbi bredh ia përkujtoi të shkojë në telekom t’ia urojë në telefon Krishtlindjet familjes në Luras, dhe t’u paralajmërojë mikpritësve në Prizren shkuarjen në festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut. Sa shumë vjet kishin kaluar…(Botuar në Gazeta “Bujku” Prishtinë – e shtunë, 3 Janar 1998, faqe 6)
RAPORTIM I 3 SHKURTIT 2015: NË RELACIONET KOSOVË-SHQIPËRI NË TË ARDHMEN DO UDHËTOHET EDHE ME TRENPara më shumë se gjashtë vitsh, në raportimin që bëja nga Prishtina për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë (ATSH) në 3 Shkurt 2015 me deklaratat nga dy qeveritë (më deklaronin për ATSH atëherë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Shqipërisë Edmond Haxhinasto) paralajmëroja se, në relacionet Kosovë-Shqipëri në të ardhmen do udhëtohet edhe me tren, sipas projekteve të qeverive të dy shteteve, të clat do takoheshin së dyti në mars në Tiranë pas mbledhjes së parë të përbashkët historike në 11 janar 2014, në Prizren…
KOSOVË-SHQIPËRI, E ARDHMJA ME TREN NGA PRISHTINA
PRISHTINË, 3 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.-Në relacionet Kosovë-Shqipëri në të ardhmen do udhëtohet edhe me tren, sipas projekteve të qeverive të dy shteteve, të clat do takohen së dyti në mars në Tiranë pas mbledhjes së parë të përbashkët historike para një viti, në 11 janar 2014, në Prizren.“Do të përgatitet projekti për lidhjen hekurudhore me Shqipërinë”, ka paralajmëruar kryeministri i Kosovës Isa Mustafa duke folur për bashkëpunimet mes dy vendeve në prezantimin e programit qeverisës me rastin e zgjedhjes së qeverisë së re në Kuvendin kosovar, të zgjedhjeve 2014.“Bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri do t’i japim prioritet maksimal”, ka theksuar kryeministri Mustafa në konferencën e parë për shtyp si kryeministër i qeverisë së re kosovare, duke theksuar axhendën evropiane të përbashkët të dy shteteve, i pyetur nga ATSH.“Hekurudha Shqipëri-Kosovë do të ketë një të ardhme për gjithë rajonin tonë me infrastrukturë evropiane, me të njëjtin standard”, ka theksuar ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i pyetur nga ATSH, gjatë vizitës në Prishtinë javën e kaluar.“Ne menjëherë do fillojmë nga një studim parafizibiliteti për të parë mundësinë e realizimit sa më të shpejtë të kësaj hekurudhe, por sigurisht ne do të shikojmë edhe në mënyrë strategjike, duhet të shikojmë edhe rrjetin rajonal, sepse ne jemi pjesë e një rajoni. Dhe, hekurudha besoj se do të ketë një të ardhme për gjithë rajonin tonë, pasi rajoni jonë është i tillë që duhet të integrohet sa më shumë mes vete dhe sa më shumë me Evropën”, tha ministri Haxhinasto.Ministri shqiptar Haxhinasto ka deklaruar kështu pas takimit me ministrin kosovar të Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ndërsa është pritur edhe nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.Më pas, ministri kosovar i Infrastrukturës, Zharku ka deklaruar për median se për hekurudhën Kosovë-Shqipëri në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive në mars të këtij viti do të arrihet marrëveshja për fillimin e studimit të parafizibilitetit.Ai ka paralëjmëruar se, për ndërtimin e hekurudhës, pjesa e Shqipërisë 108 kilometra, ndërsa e Kosovës 17, do të aplikohet për fonde në kuadër të Kornizës Investive për Ballkanin Perëndimor.Me realizimin e projektit të hekurudhës, në relacionet Kosovë-Shqipëri do të mund të udhëtohet me tren edhe nga Prishtina. Nga kryeqyteti kosovar aktualisht mund të udhëtohet me tren në dy linja, drejt Maqedonisë-Shkupit dhe për në Pejë, me nisje në mëngjes siç ishin edhe sot. Trenat kalojnë nëpër Fushë-Kosovë, qytet kryesor i hekurudhave kosovare, prej nga mund të udhëtohet edhe në realcione të tjera.Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri viti 2014 ka shënuar rritje të fluksit të njerëzve me 19,312 % dhe të automjeteve me 21,883 %, krahasuar me vitin 2013, bënte të ditur në fillim të 2015-tës Policia kosovare ekskluzivisht për ATSH-në.Në tre vendkalimet, Vërmicë-Morinë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë në vitin 2014 kishte 4 262 588 hyrje-dalje të personave, 689 940 më shumë se në vitin 2013, kur kishte 3 572 648 hyrje -dalje.Në këto tre porta kufitare në 2014 kishte 1 623 882 hyrje-dalje të automjeteve, 291 553 më shumë se në vitin 2013 kur kishte 1 332 329 hyrje-dalje./a.g/