Nga Rafael Floqi/
UASHINGTON – Fjalimi i gjashtë i presidentit Obama mbi gjendjen e vendit (State of the Union) kishte në qendër të vëmendjes shumë çështje, por më shumë se çdo gjë, dallohej ajo e uljes të hendekut të thellë në mes të ambicieve të tij politike dhe të mjeteve që ai ka në dorë për t’i arritur ato.
Presidenti Obama e kishte bërë të qartë ambicien e tij qysh muajin e kaluar, kur ai iu referua ekzistencës “së një hendeku pabarazie të rrezikshme dhe mungesës së rritjes së pasurimit të klasës së mesme në Shtetet e Bashkuara”, duke e përcaktuar atë si ” sfidën kryesore të kohës sonë”. Qëllimi i tij thelbësor, siç ai e pat bërë të ditur dhe në fjalimet dhe intervistat e tij, ishte kundërshtimi i prirjes sipas së cilës, të ardhurat për shumicën e amerikanëve kanë mbetur ne vend qysh nga fundi i viteve 70-të, ndërsa të ardhurat për të pasurit janë rritur.
Kjo, siç u pa dhe gjatë fjalimit, synonte ta bindte publikun për çështjen e realizimit të sfidës kryesore të tij sociale. Ndaj dhe në fjalimin e tij vjetor mbi gjendjen e vendit, State of the Union, Presidenti i dha meritën popullit amerikan për forcimin ekonomik të vendit dhe siç pritej, u përqendrua në çështjet ekonomike, duke bërë thirrje që 2014 të ishte “një vit i veprimit.”
“Sonte, kjo dhomë flet me një zë për popullin që ne përfaqësojmë, ju, qytetarët tanë jeni ata të cilët e bëni të fortë vendin tonë.” tha zoti Obama i cili në pjesën më të madhe të fjalimit u përqendrua në ekonominë dhe çështjet me të cilat përballet klasa e mesme, duke u përpjekur t’i siguronte votuesit se gjërat po përmirësohen.
Deri tani, amerikanët kanë shfaqur dyshime të konsiderueshme në lidhje me hendekun e pabarazisë së të ardhurave. Sondazhet nga disa organizata serioze tregojnë se: nga njëra anë, shumica e amerikanëve, 60 % e tyre sipas një sondazhi të fundit të Pew Research Center, thonë se besojnë që “sistemi ekonomik në këtë vend është i padrejtë dhe në favor të të pasurve. ” Ndërsa një shumicë e konsiderueshme është dakord se hendeku në mes të pasurve dhe të gjithë të tjerëve ishte rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
Nga ana tjetër, sipas një sondazhi publik të Wall St Journal / NBC, të martën, thuhet se vetëm 45 % syresh, besojnë se ” reduktimi i pabarazisë në mes të ardhurave të të pasurve dhe të varfërve ” duhet të jetë një nga ” përparësitë absolute” që Kongresi dhe presidenti do të duhet ta adresojnë këtë vit. Por amerikanët në përgjithësi kanë më shumë gjasa për t’iu përgjigjur pozitivisht një pyetje për uljen e varfërisë dhe për përmirësimin e pagave për klasën e mesme, sesa një pyetjeje për konceptin abstrakt të ” reduktuarit të hendekut të pabarazisë së të ardhurave.”
Tani që ekonomia është duke treguar shenja përmirësimi dhe për të pakësuar shqetësimin publik për deficitet buxhetore, Obama po ve edhe një herë bast, se votuesit do të jenë të gatshëm të mendojnë edhe për prioritetet afatgjata.
“Për herë të parë në më shumë se një dekadë, udhëheqësit e biznesit në mbarë botën kanë deklaruar se Kina nuk është më vendi numër një në botë për investime, tani Amerika është në vendin e parë në botë për investime.” tha Presidenti duke shtuar se megjithatë, se përparimi nuk po vjen me shpejtësinë e duhur.
Një pjesë e zgjidhjes së tij ishin propozimet për të rritjen e pagës minimale, zgjerimin e mundësive për arsimim dhe reformën e imigracionit. Por në përgjigjen Republikane, ligjvënësja Cathy McMorris Rodgers i kritikoi këto politika të Presidentit Obama, duke thënë se “Tani për tani, politikat e Presidentit janë duke ia vështirësuar jetën e njerëzve.”
Edhe pse fjalimi mbi gjendjen e vendit nuk jep shumë mundësi për të zhvendosur opinionin publik në favor të Presidentit, kur dhe mbështetja për punën e tij me ekonominë ka rënë, ai shërben për t’i mobilizuar demokratët me çështjet që Presidenti po vë në dukje. Kjo mund të jetë vendimtare në një vit zgjedhor në të cilin kontrolli demokratik i Senatit, është i rrezikuar nga disa gara në shtete të ndryshme që janë fort kontestuese.
Por vetë fakti, që mbetja pezull e rritjes së pagave dhe hendeku i pabarazisë së të ardhurave janë përkeqësuar për gati katër dekada, si përgjatë kryesimit të katër presidentëve republikanë ashtu dhe të tre presidentëve demokratë, tregon vështirësinë e detyrës që Obama ka marrë përsipër, sidomos për të arritur këtë gjatë këtij mandati kur ai i ka opsionet mjaft të kufizuara.
Një nga pikat kryesore e fjalës së tij ishte shpallja e një urdhri ekzekutiv për të rritur pagën minimale për kompanitë që bëjnë biznes me qeverinë. Urdhri ilustron me së miri se ç’ lloj veprimi ekzekutiv Obama ka në plan të ndërmarrë këtë vit, si nga mënyrat për të ecur përpara me agjendën e tij, pavarësisht nga pengesat e opozitës republikane në Kongres. Presidenti e bëri të qartë se ai do të merrte të gjitha ato vendime ekzekutive që ia lejonte ligji, aty ku nuk ishte e nevojshme marrja e miratimit prej Kongresit, për arritjen synimeve të agjendës së vet të majtë.
Një urdhër i tillë është ai që do të rrisë pagat për vitet e ardhshme për një numër të papërcaktuar të punëtorëve me paga të ulëta, ndoshta disa qindra mijë, duke përfshirë edhe pastruesit e ndërtesave federale dhe shërbyesit e kamerierët në kafeteritë e tyre. Por ky veprim do të mbajë të paprekur pagën e miliona punëtorëve të tjerë me paga të ulëta, punët e së cilëve nuk janë të lidhura me kontratat federale. Rritja e pagës minimale për një grup më të madh punonjësish me paga minimale do të kërkonte mjaft kohë dhe punë dhe miratimin e Kongresit për të vepruar. Nga ana tjetër shume shtete kanë ligje të ndryshme dhe vlera të ndryshme të pagës minimale.
Rritja e pagës minimale për punonjësit federalë edhe nëse, siç mendon Obama , do të induktonte rritje të pagës minimale në treg edhe për punonjësit e tjerë, në anën tjetër për paradoks nuk do të shkurtonte hendekun në fjalë. Pasi pronarët e bizneseve të vogla, le të themi të fastfood-eve dhe restoranteve, nuk kanë ndonjë kundërshtim në thelb për rritjen e pagës minimale të punonjësve , pasi ata rritjen do t’ia kalonin si barrë klientëve, duke bërë rritjen e çmimeve të produkteve që do të ulte vlerën reale të rritjes të pagës minimale.
Disa demokratë shpresojnë se presioni politik i këtij viti zgjedhor, do të bëjë që udhëheqësit republikanë të bashkohen me një projekt për rritjen e pagave minimale, edhe pse të dy Kryetarët republikanë John A. Boehner nga Ohajo në Dhomën e Përfaqësuesve dhe udhëheqësi i pakicës në Senat Mitch McConnell nga Kentaki e kundërshtuan këtë ide të martën. Edhe në qoftë se Kongresi do të kalonte ligjin për rritjen për 10,10 $ në orë për punonjësit federalë me pagë minimale, gjë që administrata e ka mbështetur, kjo do të ndikonte drejtpërdrejt vetëm në rreth 6 % të punëtoreve me pagese me orë. Edhe ekonomistët dashamirës të administratës pohojnë se mbështetja për qeverinë do të rritet, por megjithatë ata pranojnë se kjo, në vetvete, nuk do të kthehet ne prirje drejt uljes të një pabarazie më të madhe.
E njëjta gjë vlen edhe për çështje të tjera që Obama theksoi, të cilat republikanët ka të ngjarë të vazhdojnë t’i kundërshtojnë, ku përfshihet zgjatja e kohës së përfitimeve të papunësisë për ata që kanë qenë pa punë për më shumë se 26 javë, zgjerimi i financimeve të arsimit parashkollor të kopshteve si dhe më shumë fonde në infrastrukturë për riparimin e rrugëve dhe urave.
Por sigurisht, kjo nuk mund të bëhet me urdhrin e peshkut, dhe asgjë nuk do ta çonte nivelin e hendekut të pabarazisë përsëri aty ku ka qenë dekada më parë. Kjo është e vështirë edhe me një Kongres bashkëpunues dhe jo më me një Kongres bllokues si ky që ka para Obama.
Problemi themelor është se me gjitha vëmendjen për të dhënat e arritjeve ekonomike të presidentëve, ekonomia vepron me ligjet e veta, dhe ata kanë mundësi shumë të kufizuara për t’i dhënë formë mënyrës se si vepron ajo, sidomos kur bëhet fjalë për një afat të shkurtër. Programet si ai i zgjerimit të arsimit parashkollor mund të japin përfitimet ekonomike që Obama dhe aleatët e tij shpresojnë vetëm atëherë kur nxënësit e sotëm kopshtit të jenë në moshë për gjendje pune.
Por e vetmja politikë rezultative që do të bënte të avanconte edhe qëllimi i mirë i Obamës për rritjen e të ardhurave për punëtorët amerikanë, ishte ajo që ishte e pakapshme gjatë gjithë qëndrimit të tij si president, kapërcimi i krizës dhe rritja e fuqishme ekonomike. Ky është mësimi i fundviteve të 90-ta, kur tregu i punës iu dha punonjësve më shumë pushtet në marrëveshjet me bosët e tyre, gjë që çoi në shkurtimin e diferencës në mes të pasurve dhe të varfërve dhe që bëri të rritej e pasurohej shumica e punonjësve dhe të forcohej klasa e mesme, baza e ekonomisë amerikane. Dhe besoj se edhe Obama tashmë e ka kuptuar se është më e vështirë për një President, sesa për Bob the Builder të shpallë “Yes, we can!.”