
KOSTA NAKE/
(Poema “Kupe Danja”)
Nga Gjirokastra në jug ngjitemi në Shkodër në veri me një tjetër figurë reale, madje me një fotografi të Marubit. Nëse Shemo Ibrahimi kishte një histori qëndrese prej 30 vitesh, Jakup Danjës iu desh vetëm një rastësi që të hynte në këngë për hir të një akti simbolik që i kapërcente kufijtë e moshës.
Baza historike: Kupe Danja, një burrë në moshë të thyer që banonte në lagjen Perash, po dilte nga shtëpia e tij, kur pa dy gra katolike, të mbuluara me çarçafë, që vinin nga lagjja Tepe dhe po nxitonin në rrugën e Qafhardhisë. Ato po ndiqeshin nga dy ushtarë turq për t’u abuzuar seksualisht, por, për fatin e tyre, vunë re plakun dhe i thirrën me zë të lartë: “Në dorën tande, se po na merret erzi sot!” Ushtarët nuk e vlerësuan aspak shkodranin dhe u vërsulën mbi gratë. Atëherë koburja e Kupes rrëzoi njërin nga ata, tjetri e mësyu, por Kupja qe më i shpejtë dhe e shtriu për tokë.
Kaq mjaftoi që Arshi Pipa ta bënte plakun një karakter ngrihet në piedestalin e heroit, kurse akti i tij përcolli modelin e bashkëjetesës fetare në Shqipëri një qasje e përsëritur me qindra herë dhe e pranuar botërisht.
Poema fillon nga rruga, duke prezantuar së pari dy agresorët seksualë, që për t’u bërë edhe më të urrejtshëm, janë ushtarë turq. Ndryshe nga episodi i sipërpërmendur, objekti i dhunës është vetëm një grua së cilës “fjolla flokësh prej shamis/ nëpër ball’ i janë përndarë.” Dhuna paralajmërohet nga romuzet e hedhura:
“Kam nji shok, âsht pak qyqar
Fort maraku n’ty e ka kapë,
Hidhja syt’ e ban sevapë.”
Vargjet pasuese, me këmbënguljen e mëtuesit dhe bukurinë e shprehjes, futen në hullinë e lirikave të dashurisë, po zbulojnë dhelprën e Lafontenit:
“Bâhem gjarpën, n’u bâfsh ferrë!
Bâhem zog, n’u bâfsh qershi…
Ato duer, mori sulltanë,
s’jan’ për vegjë e për gjylpanë.
Në m’i dhanç, moj, gji e gushë,
me flori kam me t’i mbushë,
me flori e me inxhi..”
Sipas rrëfimit të mësipërm, ngjarja ndodhi në zhegun e vapës, kurse te poema e Pipës është buzëmbrëmje, Jakupi mbyll shitoren dhe shkon të falet, por përballet me skenën e përdhunimit dhe thirrjen e gruas:
“Mjera vetë qi ndodha e hueja!
Mjera vetë ndër gjith kta njerëz
qi m’la Turku pa erz!…
Kupe Danja, ndore tande!”
Në raste të tilla ose duhet të tërhiqesh, ose duhet vepruar menjëherë dhe Kupja reagoi me një gjest rinor duke i vrarë të dy ushtarët turq.
Poema merr përmasa të tjera kur çështja shtrohet në rrafshin e besimit: një mysliman hyn në konflikt me qeverinë turke për të mbrojtur nderin e një gruaje katolike. Përgjigja është një variant i asaj të Pashko Vasës “feja e shqiptarit âsht shqiptarija!”: “Ndryshe kem’ Bajram e Pashkë,/besë e nder i kemi bashkë.” Arsyetimi i ndërhyrjes shoqërohet edhe me një vetëprezantim:
“Nuk kam emën, pasuni,
jerevi m’ka lanë baba
kam dugajë me tri taraba.”
Poema mbyllet me solidaritetin e komunitetit shkodran, pa dallim feje, duke refuzuar ta dorëzojë personin e shpallur në kërkim: “S’e qet Shkodra kurr Jakupin.”
Sipas kronikës, Kupe Danja u arratis, u strehua ndër miqtë e tij, të cilët e pritën me shumë bujari, sepse kishte “qitë pushkë për nder” dhe ia kishte zbardhur faqen Shkodrës. Ky solidaritet vazhdon edhe pasi pashai dha urdhër për djegien e shtëpisë:
“U çue prifti, vendi mbarë,
shehërlij e katundarë,
me t’ungjillit e t’islamit,
turrevrap iu gjegjën damit.”
Përtej poemës dhe kronikës, fakti që Marubi e ka fotografuar Kupen në moshë të thyer, tregon se atij ia fal jeta dhe u vendos në konakun e bukur që ia ngritën “me një qoshk përmbi çardak.”
KJO QËNDRESË SHQIPTARE QË S’KA SHOQE
(Balada “Sheme hajduti”)
Duke filluar që shekulli XV në territorin e Perandorisë Osmane dhe deri në katrahurën e Luftës Ballkanike u shfaqën grupime të armatosura që morën emra të ndryshëm sipas vendeve: hajduk në Galici në jug të Polonisë, kleft në Greqi, hajdut në Shqipëri, vojvodë në Maqedoni, etj. Shkaku kryesor i kësaj dukurie ballkanike ishte kundërshtimi i detyrimeve ndaj pushtetit osman dhe mobilizimit të gjatë ushtarak. Për shkaqe natyrore dhe ekonomike këto çeta vepronin nga Shën Gjergji deri në Shën Mitër dhe strehoheshin në raste të veçanta në shtëpi të sigurta që quheshin jatakë. Jeta prej kaçaku bënte që hajdutëria të shtrihej edhe mbi familje të pasura dhe karvanet e tregëtarëve. Mbijetesa lidhej edhe me krijimin e territoreve të qëndrueshme të ndikimit e strehimit, prandaj mund të kishte edhe përplasje mes çetave. Një ilustrim të qartë për këtë dukuri sjell balada “Sheme hajduti” e Arshi Pipës e frymëzuar nga figura reale e Sheme Kaso Ibrahimit (1822 – 1875).
Balada hapet me një apostrofë drejtuar qytetit të Gjirokastrës, sepse lagjja Manalat pati qenë vendlindja e Shemes, duke komunikuar atë që mund të ishte mbyllje konkluduese:
“Kape, vrave një shqiponjë,
Le pa këngë një milonjë.”
Pas kësaj e ka radhën lajmi që shkon në Stamboll për kapjen e hajdutit pas një qëndrese 9-vjeçare për të mos shkuar ushtar. Pandehmat për kapjen e tij me trajtat pyetëse-mohuese ngrihet në rrafsh artistik:
“Mos u lodh a mos u mplak,
U mërzit nga çeta, vallë?
Mos ju shkrep, i ra një mall…
Për fëmijt’, gruan e re.”
Përgjigjja është ajo që pritet, me ngarkesë të madhe krenarie:
“Jo, mor jo, s’u mplak hajduti,
As u lodh, as falje luti.”
Ajo që nuk pritej, është pabesia e kushëririt:
“Faqeziu i shtroi gosti,
Mish të pjekur dhe raki,
Kallëzoi në qeveri.”
Vetëm plagët e detyrojnë Shemen të kapet rob:
“Katër plagë trimi muar,
Dy në brinjë, një në duar,
Tjetrën mu në kraharuar.”
Peshën kryesore të baladës e merr ballafaqimi me pashain në burgun e kalasë së Janinës, ku hajduti tregon për jetën dhe bëmat e tij dhe ku përfshihen edhe aktet e bamirësisë:
“Edhe çupa kam martuar,
Pleq, bonjakë kam ndihmuar…”
Të gjitha ato që përmend Sheme hajduti i kam ndeshur edhe te hajdutovinat e Devollit gjysmë shekulli më vonë, por këtu marrin një përndritje me deklaratën që vijon:
“Jam hajdut, pëlqej më mirë
Të rroj malesh ujk i lirë,
Se sa balo me zinxhirë.”
Përballja mbyllet me një skenë që i ngjan një lirishte dashurie, është amaneti për gruan dhe fëmijët: gruaja le të martohet, fëmijët t’i marrin vëllezërit e Shemes. Befas balada ngrihet në një lartësi të re nga përgjigjja e gruas besnike të cilën e ka rrëmbyer që kur ishte kërthi:
“Lulja jote s’merr më burrë!
Do rris djemtë, t’u kall zjarrin
Gjakun tënd ata ta marrin!
Pasuri, oxhak nuk dua!
Do të bredh krua më krua
Të dëgjoj këngët e tua!”
Balada është ndërtuar me tetërrokshin e këngëve popullore dhe rimë të përputhur. Siç duket, kompozicioni i baladës është i gjetur me një raport harmonik të rrëfimit dhe dialogut. Ajo serviret si këngë popullore edhe pse ka një autor dhe pse nuk është e vetmja që i kushtohet kaçakut. Gëzim Zilja sjell një informacion të pasur për Shemo Ibrahimin, citon vargje këngësh të tjera dhe ka një emër për atë që e futi në kurth duke e lidhur me vrasjen e vëllamës Muhedin Vasjari.