

Hezbollahu, Struktura, Strategjia dhe Fuqia Luftarake
Doktor Dritan Demiraj, Dega e Vatrës Michigan.
Ish Ministër i Brendshëm në RSH.
Me dashamirësi dëshiroj të theksoj se pavarësisht universit të madh informativ dhe forumeve multietnike të informimit, libri në versionin e printuar është pasuri e pazëvendësueshme.Në kohën e sotme imponimi i informacionit nëpërmjet videove dhe grafikave intensive, duket sikur i ka zbehur vlerat e librit, por në të vërtetë përdorimi i librit si burim informacioni, shkollimi, diturie është dhe mbetet fundamental. Personalisht jam i dashuruar me formation e librit në versionin e printuar. Asgjë nuk mund të zëvendësojë atë në bibliotekën modeste personale të shtëpisë time, në të cilën shtohen çdo ditë librat e botuar në SHBA, të cilët analizojnë gjeopolitikën, gjeostrategjinë, terrorizmin & kundërterrorizmin, sigurinë, mbrojtjen, marëdhëniet ndërkombëtare dhe shkencat politike. Me këtë rast, kam kënaqësinë tu njoftoj se në fondin e shumë librave, shtohet edhe një libër tjetër i botuar nga unë, “Hezbollahu, Struktura, Strategjia dhe Fuqia Luftarake”. Mendoj se çdo profesionist është i obliguar të shkruajë dhe të publikojë artikuj, shkrime, analiza, esse, libra, etj për tu ardhur në ndihmë dhe për të transmetuar tek të rinjtë e apasionuar njohuritë, eksperiencën dhe analizën e tij. Edhe ky libër i ri, botohet si pjesë e kolanës së librave që kam përgatitur për lexuesin e zakonshëm por edhe për profesionistët e fushës së sigurisë, një libër që nuk ka qënë pjesë e bibliotekave dhe institucioneve studimore në Shqipëri dhe jo vetëm. Në librin me 623 faqe “Hezbollahu, Struktura, Strategjia dhe Fuqia Luftarake” analizohen të gjitha elementët që kanë lidhje me historikun e krijimit, strukturën organizative, ideologjinë dhe lidershipin e Hezbollahut. Më pas bëhet një analizë e pjesmarrjes së Hezbollahut gjatë pushtimit të Libanit nga Izraeli në vitin 1982, konfliktet në vazhdim midis njëri tjetrit dhe përplasjet kundër interesave amerikane në Liban dhe në rajon. Në kapitujt në vazhdim analizohet konflikti i Hezbollahut me Izraelin në vitin 2006, në vitin 2008 e deri në ditët e sotme. Më pas analizohet në detaje përfshirja e Hezbollahut në konfliktin në Irak në vitin 2005-2009, në Siri në vitin 2012-2017, në Irak përsëri në vitin 2014 deri në shkatërrimin e ISIS-it në vitin 2017, përfshirja e Hezbollahut në operacionet luftarake jashtë Libanit, përfshirja e tij në vitin 2015 në konfliktin në Jemen në ndihmë të forcave rebele Houthi, etj. Më pas analizohet si në asnjë libër, struktura ushtarake e Hezbollahut deri në nivelin e kompanisë, kapacitetet e tij të forcave tokësore, forcat ajrore, njësitë e zhytjes së luftimit, njësitë tankiste dhe të blinduara, arsenali me më shumë se 155.000 raketa, njësitë e dronëve të zbulimit dhe të sulmit, etj. Në kapitullin pasardhës, analizohet struktura dhe operacionet e njësive të fshehta të Hezbollahut, Njësisë 1800 dhe Njësisë 3800, aparatit të tij sekret të sigurisë së brendshme (ESO), operacionet e tij të fshehta nga viti 1990-2021, bashkëpunimi me Ministrinë Iraniane MOIS, me forcat elitë Quds të IRGC-së, shërbimet e inteligjencës së Sirisë, me grupet palestineze Hamas dhe Xhihadin Islamik Palestinez (PIJ) në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor. Në kapitujt në vazhdim analizohet mbështetja financiare, logjistike, struktura e mediave, operacionale dhe luftarake. Më pas bëhet një analizë për operacionet ushtarake të Hezbollahut në Izrael, Irak, Siri, Jemen, Jordani, Kuvajt, Arabinë Saudite, Turqi, SHBA, Britaninë e Madhe, Francë, Itali, Egjipt, Libi, Argjentinë, Brazil, Uruguaj, Tajlandë, etj. Forcat e armatosura të Hezbullahut përbëhen nga jo më pak se 70.000 trupa duke përfshirë këtu edhe forcat rezerviste. Në strukturën e tij ushtarake bëjnë pjesë ndër të tjera: Brigada “Nasr” e cila është rezervë strategjike e Sheikut Hasan Nasrallah, Brigada “Badr”, Brigada “Xhelil”, Brigada “Haidar”, Brigada “al-Kamit”, Brigada “Aziz”, Brigada “al-Quds”, Brigada “Islambulës”, Njësia speciale “Ridvan”, etj. Për mua edhe ky libër më ka shërbyer si nxitje për të vazhduar punën akademike, kërkimore, shkencore në çështjet e sigurisë, terrorizmit, mbrojtjes, marëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, me synimin për t’u bërë pjesë e ambicies bashkëkohore, për të trajtuar edhe më në “thellësi dhe gjerësi” çështjet e sigurisë në nivel rajonal dhe strategjik, por në të njëjtën kohë edhe për të analizuar në veçanti të gjithë rreziqet dhe kërcënimet për vendin tonë dhe aleatët tanë në mbarë globin.