Shkruar nga ANGELO PANEBIANCO/
E përktheu Eugjen Merlika/
Mbasi të jenë shqiptuar frazat riruale (“Paralelet historike janë gjithmonë të rrezikëshme”, “Ҫështjet janë të gjitha të ndryshme” etj.) është rasti të pyetet nëse Evropa, përballë Rusisë së Putinit, a nuk është në prag të një situate që na kujton të tjera : psh.atë në të cilën u gjind Athina në shekullin e IV para Krishtit, kur pësoi politikën zgjeruese të mbretit maqedon Filipit II (babai i Aleksandrit të Madh). Nëse krahasimi ju duket disi i çartur, le të marrim në shqyrtim faktet. Për të parën herë në historinë e Shteteve të Bashkuara, një tjetër fuqi e madhe ka ndërhyrë në fushatën presidenciale për të përkrahur, nëpërmjet cyber attack-ve, mikun Donald Trump në dëm të armikes Hillary Clinton. Ndoshta Trump-i thotë të vërtetën kur mëton se nuk është i përfrikësueshëm prej rusëve, ndoshta jo. Edhe në hamëndjen më të mirë, Shtetet e Bashkuara – “Lordi mbrojtës” i Evropës që nga fundi i Luftës së Dytë botërore _ , janë gati të vendosin një partnership të përhershëm me Rusinë. Nuk është e vështirë të kuptohet se kush paguan harxhin. Perëndimi i mundshëm i marrëdhënieve atllantike, ashtu si i kemi njohur, mund të lerë një Evropë të zbuluar, në një pozitë dobësie të madhe e cila mund të shtyhet drejt një marrëveshjeje me rusët, në kushtet e vëna prej tyre. Përgjithësisht, ndoshta kanë të drejtë ata që mendojnë se politika e Trump-it rrezikon të tërmetësojë sigurinë dhe ekonominë.
Politika e Trump-it (edhe për qëndrimin e tij më shumë pro business se sa pro treg, siç ka shkruar Luigi Zingales mbi Vetëm 24 orë, të 8 janarit), mund të shkallmojë atë sistem të lidhjeve politike, ekonomike e të sigurisë – “bota e lirë” e kohëve të Luftës së ftohtë – për të cilën Shtetet e Bashkuara kishin qënë drejtues dhe garantë. Ndoshta jemi në prag të një ndryshimi rrënjësor gjeopolitik.
Të shohim Rusinë më pas. Është një fuqi kontinentale që, si të gjitha fuqitë kontinentale të historisë, ka parapëlqyer shtrirjen tokësore kundrejt asaj tregëtare, e mësuar prej shekujsh të imponohej mbi fqinjët, duke ushtruar fuqinë ushtarake kur ishte nevoja. Historia e kultura e shtyjnë n’atë drejtim. Duke marrë Krimenë me forcë (duke dhunuar kështu rregullin, mbi të cilin është themeluar paqja n’Evropë, sipas të cilit ndryshime të mundëshme të kufinjve duhet të kryhen në mirëkuptim), ka respektuar traditën, ka bërë atë që prej kohësh bënin si carët ashtu edhe kryetarët sovjetikë. Sigurisht Putin ka kundërvepruar edhe kundrejt gabimeve të vlerësimit dhe arrogancës perëndimore, por kjo nuk mjafton për të fshehur faktin se udhëheqja ruse vepron duke zbatuar prej shekujsh të njëjtën mënyrë : valëvit rrezikun e “rrethimit ndërkombëtar”, për të justifikuar imperializmin tokësor e për të siguruar miratimin e brëndëshëm. Politika e saj e jashtëme pasqyron historinë e një Vendi që nuk ka njohur kurrë demokracinë liberale. Sot, thuhet, ndoshta ka arritur me Putinin më të mirën e demokracisë që mund t’i lejohet. Por bëhet fjalë për një demokraci autoritare, jo liberale, që fshin me forcë kundërshtarët e brëndshëm më të frikshëm. Mbasi, siç thonë ekspertët e çështjeve ruse, sidoqoftë Putin është më i miri i sheshit, merret me mënd se çfarë mund të bëhet Rusia mbas tij, një fuqi kontinentale jo liberale dhe një rrezik për lirinë e fqinjëve të saj.
Të shqyrtojmë së fundi Evropën. Është e ndarë, e hutuar, e trembur. Integrimi i saj është në rrezik shkërmoqjeje për shkak të rritjes së fuqishme, në brendësinë e saj, të forcave kundëreurodashëse. Pëson sulmin e terrorizmit islamik. E mësuar për shtatëdhjetë vjet të pajtojë sigurinë e saj tek Shtetet e Bashkuara, nuk është në gjëndje t’a përballojë vetë. Kur të arrijë çasti i duhur, Putin do të jetë i gatshëm t’i ofrojë Evropës jo vetëm marrëveshje të leverdisëshme tregëtare, por edhe ndihma kundër terrorizmit. Kjo ofertë do të duket e besueshme, duke mbajtur parasysh rolin që ka fituar Rusia në Lindjen e Mesme. Të vënë përballë mundësisë që një fuqi kontinentale jo liberale, gjeografikisht e afërt, të përzerë pak nga pak si “Lord mbrojtës”, fuqinë e vjetër liberale, evropianët do të ndahen mes pro rusëve e kundër rusëve. Partia proruse është që tani shumë e fuqishme n’Evropë (Putin e miklon e, pjesërisht e mban me para). Është ushqyer nga dy rryma, kundër amerikanizmi tradicional i të majtave të vjetra e të reja dhe nga i ashtuquajturi “sovranizëm” i keqdashësve të Evropës : fuqitë e kundërta me Bashkimin evropian janë, pothuaj të gjitha rusodashëse. Në Francë, jo vetëm Marine Le Pen, por edhe favoriti i zgjedhjeve presidenciale, republikani Fillon, është filorus. Duhet shtuar se partia pro ruse është e mbështetur nga një bashkëlidhje e gjërë interesash ekonomike, e cila ka pësuar sanksionet për Krimenë dhe don të bëjë marrëdhënie lirisht me Rusinë. Partia e kundërt, mbi të gjitha ushqehet nga ata Vende (Polonia, Balltiket, etj.) që kanë pësuar deri pak dhjetëvjeçarë më parë imperializmin e Rusisë dhe i ndruhen një rritjeje të re të ndikimit të saj politik.
Si në rastin e athinasve të shekullit të katërt, do të ketë evropianë që do të hipin në qerren e fituesit e të tjerë që do të kërkojnë t’i bëjnë qëndresë, duke i kujtuar bashkqytetarëve të tyre, siç bëri oratori i madh Demosteni, se të pranosh kushtet e vëna nga një fuqi autoritare do të thotë që, shpejt a vonë, të vesh në rrezik liritë e tua.
Nuk bëhet fjalë të mohohet se ndonjë formë bashkëjetese me Rusinë duhet kërkuar. Por bëhet fjalë të kuptohet se Rusia dhe Amerika nuk janë të barazvlefshme e të arrihet një marrëveshje me të parën, pa mbrojtjen e sigurinë e së dytës, do të thotë t’i nënështrohesh përgjithmonë idesë për të patur një Evropë të dobët e të ndarë (integrimi evropian nuk i leverdis rusëve) dhe subjekt të trysnisë nga një botë iliberale. Është jetike që evropianët të jenë plotësisht të vetëdijshëm për ndryshimin gjeopolitik që ka për karrem perëndimin amerikan dhe që shpejtohet nga zgjedhja e Trump-it dhe nga Brexit. Për të mos qenë të papregatitur, për të kërkuar t’i rrëmbejnë amerikanëve më të shumtën e garancive politike, kur Trump dhe Putin do të përpiqen të merren vesh.
“Corriere della Sera”, 13 janar 2017
E përktheu Eugjen Merlika
Jakov says
E kam theksuar shume here se Putin me nje eksperience te gjera ne rradhet e KGB ruse ,i ka ardhur ne shteg tani te shtyp Europen plakaruqe qe po i bien posht te mbathurat e ti kundervihet edhe fuqise me te madhe deri tani boterore ,SHBA .Tranzicioni qe po kalon sot Amerika krijon shume pikepyetje se si do te shkojne keto mardhenie me ruset ? Do te jene thjesht flirtime –Per passare il tempo —apo do te kemi puthje te vazhdueshme me ta -qe dmth nje nenshtrim me kushtet qe do te propozojne ruset -Me jep kete te te lejoje te besh ate –Kompromisi po duket ne ajer ,por kete do ta tregoje me mire shkurt -marsi –Ne cilen shine do te udhetoje treni amerikan .Duke patur parasysh se ne qeverine e ardhme ka me shume antirus se sa pro tyre –them se keto marrdhenie do te jene jo te thjeshta .Sidoqofte ,kam besim se Trump me stafin e tij ,nuk do te mbeten ne udhekryqin e historise boterore dhe nuk do te bien pre e gjakesorit PUTAINE –Lexo ne frengjisht kete emer ——Eshte pikerisht ashtu sic e thash dhe nuk terhiqem per asnje moment –Te tille jane ruset dhe nuk do ta ndryshojne fytyren e tyre edhe ne politiken ekspansioniste boterore aq me shume kur ujku po perfiton nga mjegulla e madhe qe ka rene ne Europe .Te mos harrojme per asnje moment se kemi ne anen tjeter edhe dy rreziqe te tjera po aq te keqija –Qimeverdhet qe jane fuqizuar shume ,por edhe koreanet veriore qe u jane rritur shume floket me raketat e tyre te fundit .PO Irani ?mos harroni se edhe ai ka uri dhe syrin e ka ne Lindjen e mesme .Prisni dhe shpresoni —