Hazir Mehmeti, Vjenë/
“I vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qenë Austria merhume e Habsburgëve. Austria e bazonte politikën e saj mi shqiptarët nacionalistë dhe ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen më mirë se çdo arnaut” – Fan Stilian Noli.
Trevat shqiptare nën robërinë osmani pësuan shkatërrim në të gjitha drejtimet; në gjuhë, kulturë, religjion, në territor dhe në substancë kombëtare. Pas luftës së parë Austro-Turke e vjetëve 1716-1718, ku pëson ushtria turke, ndikimi i Austrisë rritet në tërë Ballkanin, kurse pas luftës së dytë Ruse-Austro-Turke, Austria shtrihet akoma më në jug, deri në viset e Dalmacisë dhe pas rënies së Venedikut, Austria i zotëroi territoret dhe bëhet fqinja i parë me tokat shqiptare. Shqiptarët lidhën marrëdhënie të fuqishme tregtare e kulturore . Kjo solli një erë të re në lëvizje dhe ndikimet e kulturave.
Njëra nga figurat qendrore me ndikim që dha shumë për shoqërinë shqiptare dhe i cili u shkollua dhe veproi në Austri, pa dyshim është Hilë Mosi. Ai i përket gjeneratës së artë të intelektualëve që u shkolluan dhe vepruan në Austri në fillim shekullin e njëzet, krahas Dr. Gjergj Pekmezi, Dr.Nush Bushati, Çatin Saraçi, Ndue Paluca, Kolë N.Rrota, Fuad Asllani, Remzi Baçe, Sokrat Dodbiba, Xhevat Korça, Jakov Deliana, Irakli Buda, Rrok Gera, Ndoc Saraçi, Gjevalin Gjadri, Jani Basho, Karl Gurakuqi, Hifzi Korça, Kristo Kristidhi etj.
Nga rrethina e Shkodrës me veprimtarinë e tyre në funksionimin metodik, pedagogjik e organizativ të arsimit shqiptar ishte Hilë Mosi me shkodranët tjerë Ndue Paluçe, Karl Gurakuqi, Lec Çurçia, Kolë Kodheli, Gasper Beltoja, Gasper Mikeli, Kolë Rrota e mësues tjerë të njohur që vuan bazat organizimit institucional të shkollave, bibliotekave, seminareve e projekteve tjera arsimore dhe jo vetëm. Nga burimet e kohës del, se në vitet njëzeta të shekullit të kaluar në Austri studionin 69 student shqiptarë. Kjo flet për përparësitë që i kishte dhënë qeveria Zogut shkollimit të kuadrove nga të gjitha profilet aq të nevojshme për Shqipërinë. I njohur në historinë e hartimit të teksteve shkollore të kohës në fillimet e shtetit shqiptar është Ndue Paluca me Abetaren e tij ndër të parat e vendit dhe të disa teksteve për mësimin në klasat e larta të shkollës fillore. Mësimi në një pjesë të madhe, zhvillohej sipas konspekteve dhe metodave didaktike austriake të dhëna nga vet mësuesit.
Hilë Mosi “..të tilla libra nuk i pata këndue ndonjë herë, se unë për të ble nuk kisha të holla, pse unë jam i vobektë ashtu si Jobi, pra unë nuk di si t’ja shpërblej” (Hilë Mosi)
Hilë Mosi u lind në Shkodër 1885 dhi ishte i biri i Mark Mosit, familje e njohur atdhetare që krahas pushkës në luftën për liri kishin librin krahas flamurit kombëtar. Liria nuk vjen vetëm me pushkë, por dije, shkencë e kulturë. Hilë Mosi ishte poet, publicist i njohur i cili jetoj në periudhën me rëndësi të jetësimit të ideve të rilindësve duke vazhduar rrugën dhe porosinë e tyre për pavarësinë, lirinë e ndërtimin institucional të vendit. Ai në vendlindjen e tij, Shkodrën e bukur, mbaroi mësimet e mesme në shkollën italiane dhe Kolegjin Saverjan Jezu.
Në vazhdim ndoqi studimet në Shkollën e Mësuesisë në Klagenfurt të Austrisë. Austria me qendrat e saja për studime si në Vjenë, Graz, Klagenfurt, Insbruk, Linc, ku studiuan shumë shqiptarë. Kjo i dha mundësi Hilë Mosit për takime me shumë personalitete austriake me ndikim të madh në ndërtimin e raporteve shqiptaro – austriake. Njëri prej tyre ishte konsulli austriak në Shkodër, August Von Karl me gradë gjenerali. Konsulli kishte mbështetur, veç tjerash, botimin e librave në gjuhën shqipe dhe përhapjen e tyre. Një kontingjent ia dërgon edhe Hilë Mosit. Në shenjë falënderimi Hilë Mosi i dërgon letër falënderues dhe disa vargje të bukura.
Letra
Fort i ndërrueshmi z. Konsull!
“Mora kartën e Z. A. dhe të bëjë të fala shumë. Sot mora dhe librat shqip nga Sofia dhe gëzimi jem a kaq i madh sa unë këtu me ket letër nuk gjej fjalë me i-u falenderue Z. A. , veç nga zemra lëshoj gjithnjë mija urime per zotrinë tënde. Edhe me të vërtetë qi unë këtu të tilla libra nuk i pata këndue ndonjë herë, se unë për të ble nuk kisha të holla, pse unë jam i vobektë ashtu si Jobi, pra unë nuk di si t’ja shpërblej (revancher) Z.A., vetëm nga zemra dërgoj ket dritshkronja (Photographie) t’mia, e Z e J. ta majnë si një kujtim t’vogel prej mejet!…Z.A. KA Gjuha shqipe a tuei u shkrue
N’katër anët e Shqypnisë,
Vjen kadalë t’u begatue,
Za i jep gjithë djelmenisë,
Ju djelmosha sot t’gjithë çonji,
Gjhën tuaj ju ta këndoni
RL.
Së bashku me Dr. Gjergj Pekmezin, Hilë Mosi më 27 dhjetor 1904 themelojnë në Vjenë Shoqërinë Shqiptare “Dija” ku Dr. Gjergj Pekmezi zgjidhet kryetar i saj kurse Hilë Mosi sekretar zgjidhet ndërsa Nikollë Ivanaj kryetar i degës në Raguzë (Dubrovnik) . Arritje e madhe ishte themelimi i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin Oriental të Vjenë dhe zgjedhja e Dr. Gjergj Pekmezit drejtues i saj në vitin 1003. Në Vjenë në fillim shekullin e njëzet, studionin shumë të rinj shqiptarë dhe kishte intelektualë që jetonin e vepronin jo vetëm në kryeqytet por edhe në qytet tjera në Austri. Ata fillimisht e fillojnë me formimin e “Kolonisë Shqiptare të Austrisë” e cila pas një kohe të shkurtër themelon “grupit nismëtar” për themelimin e shoqërisë “Liria”. Nga jeta e kësaj shoqate kemi pak shënim dhe pas pak vitesh do ndërron emër në Shoqëri “Dija”, ditëlindja e së cilës është 27 dhjetori i vitit 1904. Sipas deshifrimit të nënshkrimeve, pseudonimeve, inicialeve del se në takimin themelues morën pjesë 15 anëtarë tjerë, mes tyre: Dervish Hima, Gaspër Beltoja, Gaspër Mikeli, Kristo A Dako, Kolë Kodheli, , Ndue Paluca (Batusha), Kolë Rrota, Kolë Margjini, Lec Çurçia Simon Kadarja, dhe të tjerë emra të respektuar në letërsinë, kulturën e historinë kombëtare. Kjo shoqëri e intelektualëve shqiptarë i kishte vënë vetit qëllime patriotike.
Shoqëria e re “Dija” për një kohë do jetë shoqëri gjysmë ilegale deri në krijimin e rrethanave të favorshme shoqërore e juridike kur do veproj legalisht. Sipas letrës që Hilë Mosi dërguar Asdrenit në Bukuresht, regjistrimi i “Dija”-së ishte bërë e mundur tek me 29 mars 1907.
Statuti i shoqërisë i ruajtur në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë (Österreichische National Bibliothek) i botuar në fletushkë i cili dallohet për nga rregullsia e shkrimit dhe renditjes së neneve në shtrirjen e tyre sipas ligjeve dhe strukturës përcaktuese funksionale e praktike. Neni i parë në statut shkruan: “Shoqëria “Dija” e ka selinë e saj në Vjenë me degën e saj në Raguzë”. Pika dy: ”Qëllimi i Shoqatës është ngritja e arsimimit të shqiptarëve duke e kultivuar gjuhën e letërsinë shqipe”. Nga këtu shihet lidhja e intelektualëve të Vjenës me intelektual në Raguzë (Dubrovnik) në krye me Nikollë Ivanaj, një veprimtar i çështjes kombëtare i lindur në Triepsh të Grudës, i shkolluar një kohë në Vjenë dhe mbrojtës i platformës së Rilindjes kombëtare për formim të shtetit shqiptar.
Për kohë të shkurtër nëndegët e Shoqatës “Dija” do formohen edhe në Prizren, Shkodër, Tiranë krahas atyre në disa qytete brenda Austrisë ku vepronin aktivistë të njohur për çështjen shqiptare, si në Grac, Kllagenfurt, Strebendorf. Çdo vit shtohen degët e “Dija”-es. Asdreni nga Bukureshti i dërgon në Vjenë procesverbalin e plotë mbi formimin e degës së “Dija” në Bukuresht më 16 dhjetor 1906 në përbërje prej njëzet anëtarëve. Dyvjetori i kësaj date historike, 27 dhjetori i themelimit të “Dijes”, shënohet solemnisht në Shkup me themelimin e degës së saj më 27 dhjetor 1906.
Do ishte jetëshkurtër veprimtaria pa intelektualë të rinj e të shkolluar po të mos sjellshin studentë të rinj nga trevat shqiptare për studime në universitetet austriake Vjenë, Grac, Insbruk. Ky aktivitet u mbështet fuqishëm nga miqtë e shumtë austriak dhe të personaliteteve të njohura shqiptare si Faik Konica, Hilë Mosi, Aleks Drenova, Visar Dodoni, Nikollë Ivanaj, Petro Nini Luarasi, Luigj Gurakuqi e të tjerë.
Nga shkrimet e kohës shihen efektet e fuqishme të “Dija” në qendrat e tjera të kohës ku kishte shoqëri të fuqishme shqiptare, si në Bukuresht, Stamboll, Raguzë, Boston, Kairo. Duke e parë veprimin legal të “Dija”-së dhe përkrahjen e saj nga autoritetet austriake kishte edhe propozime që shoqëritë shqiptare të shkriheshin në një të përbashkët me emrin “Dija”.
Kështu kryetari i shoqërisë “Djalëria Shqiptare” do propozonte në një mbledhje me kryepleqësinë e “Dija”-së se do bëhet një degë e saj me qëllim unifikimi të veprimtarisë kombëtare. Ose, letra e “Dija”-së dërguar shoqërisë patriotike shqiptare “Bashkimit” të Bukureshtit me propozimin për bashkimin e tyre. Edhe pse kjo nuk ndodhi ishte një ide e bashkimit të qëndrimeve dhe veprimeve me interes kombëtar në atë periudhë.
Hilë Mosi (sekretar i “Dijes”) shkrimet e tij i botonte nën pseudonimin Sokoli ashtu siç bënin edhe shumë veprimtarë të tjerë për shkak të përndjekjeve nga autoritet pushtuese turke të kohës në territoret shqiptare. Nën përkujdesjen e “Dija”- së u botuan tekste në shqip për trevat shqiptare aq të nevojshme. “Abetarja” me autor Ndue Palucen, kalendari “Shqiptari”, “Këndime për shkollat e para shqipe”, “Gramatika…për përdorim t’femijve”, “Libri i dytë i knoitorës shqype për shkollë në Shqypni” etj. Në vitet 1910 e 1911 në drejtimin e Shoqërisë “Dija” kemi emra të rinj; Asdreni, Manek, Kolë Rrota, Zef Harapi, Hessler, Kolë Kamesi. Do shënohen emra të rinj në donacione ndaj “Dija”së, mes tyre Baron Nopça, Spiro Dine (Egjypt), Nikollë Ivanaj nga Amerika etj.
KalendariKombëtar, i shoknise “Dija”, Wien 1906
Pa dyshim botimi i kalendarit është me vlera të veçanta, krahas gjuhëve tjera që botonin kalendar dhe në gjuhën shqipe ketë rol e marrin shoqëritë shqiptare në Sofje, Vjenë dhe Stamboll. Në Vjenë Kalendari botohet në vitin 1906 me alfabetin e shoqërisë “Bashkimi” ku përfshihen ndodhitë kryesore të vitit 1905.. Që në parathënie të kalendarit mbi ngjarjet e vitit paraprak (1905) cekët vrasja në formë barbare e Papa Kristo Negovanit:
“Moti 1905 ishte një vit i vështirë për ne shqiptarët: Këtë vit u vra Negovani me 12 Fruer, i dashtuni prift shqiptar Papa Kristo prej grekëve, vetëm pse i vlerti vëllau ynë mësonte shqip e shkruante fort bukur libra të nevojshëm për shqiptarë”.
Sipas korrespondencës mes dy kolosëve të kohës, Hilë Mosi në Vjenë dhe Aleks Drenova-Asdreni në Bukuresht, del se me përpjekjet e kryetarit të Shoqërisë, Dr .Gjergj Pekmezi në vitin 1906 janë shtypur dymijë ekzemplarë të kalendarit. Shqetësimi rreth formësimit të një alfabeti të përbashkët ishte i madh në mesin e intelektualëve patriotë në Austri. Po veçojmë artikullin “Alfabetet apo sëmundja e quajtur alfabetiti”, faqe 3 i 4. Artikulli fillon: “ Si kundër që s’kemi një gjuhë të përgjithshme, ashtu edhe që alfabet të njohur prej të gjithëve as e kemi, as nuk e patëm as për shumë kohë si duket nuk do të mund ta kemi”. Më tutje në Kalendar në faqen 19-të lexojmë: ”Të mos gënjehemi me shpresa e lajka, se duhet punë, dhe prapë punë. Me të punuar zgjohet kombësia, me punë do të hapim sytë, do të lulëzojmë vendin, e do të çelim rrugët e parajsës e lumturisë. Ngrihuni pra o vëllezër nga ky gjumë i rëndë…”
Pa dyshim sukses i shoqërisë “Dija” ishte botimi i “Gramatikës”-Albanische Gramatik, e cila edhe pse është shkruar në shpjegime e saj në gjermanisht, do ketë një përdorim të gjerë në mësimin e shqipes në trevat shqiptare dhe jashtë tyre. Kjo vepër historike e Dr. Gjergj Pekmezit ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë e botuara para alfabetit të Kongresit të Manastirit, në alfabetin e shoqërisë “Bashkimi”.
Në fund të viteve 30 në kohën e mbretërisë ishte ministër i arsimit. Botoi “Zani i atdheut“ në vitin 1913 dhe “Lotët e dashunisë“(1915). Ne lirikat me tone romantike-elegjke i këndon mallit për vendlindjen dhe dëshirës se flakte për ta parë atdheun e lirë. Përveç gazetës “Vëllaznija” të Vjenës, ku ai studionte, Hilë Mosi, bashkëpunoi me shumë gazeta të kohës në gjithë botën: “Drita”që botohej në Sofie, “Kombi” e Bostonit, “Albania” e Beogradit, “Shpnesa e Shqypnis” e Raguzës, “Lidhja Ortodoske” e Korçës, “Shqiptari” e Stambollitdhe ishte redaktor i gazetës “Agimi” e Shkodrës. Hilë Mosi solli ilegalisht “Himnin e Flamurit” në Shqipëri, të shkruar nga Asdreni dhe muzikuar nga muzikanti rumun Jonescu. Me te ishe edhe udhërrëfyesi korçar Tasho Lloja. Në oreografinë e tij Lasgush Poradeci mes tjerash shkruan: “Dërgimi i Himnit në Shqipëri, ma anën e Hilë Mosit ka qenë një fakt i rëndësishëm për Shoqërinë e Bukureshtit dhe një ngjarje fatmire për çështjen kombëtare. Sepse Hilë Mosi që në atë kohë ishte patrioti më i shënjuar që të plotësojë një detyrë aq të lartë, po edhe aq të mbushur me vështirësi, të mbushur me njëqind vështirësi, siç ishte përhapja e Himnit”.
Më 16 prill të vitit 2017 themelohet Biblioteka e Komisisë Letrare me kuptimin Biblioteka e Shqipërisë, e njohur si Biblioteka Popullore Shqipe të Lirë. Drejtor i saj emërohet Karl Gurakuqi kurse sekretar i saj Hilë Mosi. Tri vite më vonë do njihet si Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë.
Hilë Mosi përveç shkrimtar ishte edhe burrë shtetas patriot. Ishte pjesëmarrës i Kongresit të Manstirit dhe anëtar i Komitetit Kryengritës të Malësisë së Veriut i cili luftoi me armë në dorë. Ai zgjidhet senator në Kongresin e Lushnjës dhe sekretar i Senatit të parë shqiptar. Me zgjedhje të para në vendin, Hilë Mosi, zgjidhet deputet i Shkodrës i renditur në krahun demokratik ku ishin edhe Avni Rrustemi, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, S. Vinjau, Gjergj Fishta, H. Kadriu.
Që në vitin 1907, një vit para Kongresit të Manastirit, Hilë Mosi botoi vjershën e tij të fuqishme me titull “Gjuhës Shqipe”.
GJUHËS SHQYPE
Gjuh’ e ambël, gjuh’ amtare,
Je ambla gjuh’ shqyptare!
Gjuh’ e nalt’ për Perëndi,
T’cilt ndër koh’t që kahmot shkuene
Mbi Tomorr të përdoruene;
Gjuh’ e ambël, plot dashtni!
Gjuh’ e shejt’ e kaq e moçme.
Gjuh’ sakole der n’dit t’soçme,
Shoqen tande kund s’e gjenë!
Zoti ty këtu t’ka çuemun:
T’rrebt’ e t’bukur e t’kulluemun;
Kshtu gjithmon’ ti ke me qenë.
Gjuh’ që t’foli Skendërbegu,
Dhe ndër t’par’ qe Naim Begu,
Që me shkrim t’pat lartësue.
Ty t’kan’ fol’ shum’ kapidana,
Burra t’rrebt si t’ishin zana;
Gjuh’ e rrebt, ti qofsh nderue!
Gjuh’ e bukur si pranvera
Ti s’do t’quhesh ma: e mjera;
Se na dona ty me t’rritë.
Bashk’ me t’tjerat shoqe tueja,
Se ma s’dona zhele t’hueja
Veç duem ty me t’pa në dritë.
Wien (Vjenë) 14.I.1907