
Bisedoi: Arben ILIAZI/
I mbijetuari i masakrave greke sjell dëshmi autentike për genocidin dhe një mirënjohje për vendin që përmbushi ëndërrën e tij
New York, 10 korrik 2024. – 88 vjeçari Hilmi Saqe është i mbijetuar i masakrave greke ndaj popullsisë Çame, që e pa dhe përjetoi tragjedinë me sytë e një fëmije 8 vjeçar. Në këtë intervistë ish – kryetari i Shoqatës Patriotike Çamëria në vitet 1997-2000 dhe një ndër themeluesit e kësaj shoqate, përmes një dëshmie autentike për genocidin, prezanton dhimbjen dhe historinë e familjes së tij dhe thotë se nuk do të heshtë për masakrën deri sa të ketë frymë. “Ne ikëm të detyruar nga Çamëria, Çamëria nuk ikën kurrë nga ne! Këto ishin fjalët e para që shqiptoi gjatë bisedës që zhvilluam në Brooklyn – New York. Ëndërroi gjithë jetën të kthehej edhe një herë në vendlindjen e tij, në Grikëhor të Gumenicës, por nuk ia arriti dot. Autoritetet greke nuk e lejuan kurrë, as kur u hapën kufijtë. Por më në fund ai e gjeti zgjidhjen, me pasaportë amerikane në xhep, në qershor të vitit 2021, shkoi drejt e në shtëpinë e tij. Zoti Saqe, i cili jeton prej 16 vitesh në SHBA si shtetas amerikan, apelon për drejtësi dhe njohje të genocidit nga Greqia. Ka 80 vjet që Greqia përpiqet që ta mohojë masakrën, që përbën njollën e turpit për vendin që pretendon qytetërim të lashtë, thotë ai.
Zoti Hilmi, mund të më flisni pak për origjinën tuaj dhe fëmijërinë?
Kam lindur në vitin1936 në fshatin e bukur Grikëhor -Gumenicë – Çamëri, në vendin më të begatë që ka krijuar Zoti, fshat që daton nga viti 1282.
Grikëhori është një nga fshatrat më të mëdha të Çamërisë, një fshat në grikë, prej nga ka marrë edhe emrin. Ai është i vendosur ndërmjet dy malesh dhe kodrinash të gjelbëruara – kullotore. Ka pasur më shumë se 450 shtëpi, kryesisht të fesë myslimane dhe një pakicë ortodokse.Të gjithë grikëhoritët e të dy feve kanë qenë të gjithë shqiptarë autoktonë – mijëra vjeçarë. Të parët e fisit tonë, Mamolatë, kishin një pasuri të konsiderueshme në Fushën e Grikëhorit, në bregdet dhe në pjesën kodrinore, në Perëndim të Grikohorit. Pema e fisit tonë shkon në thellësi të viteve deri në vitet 1650, më tej mund të gjendet në arkivat turke të periudhës së Perandorisë Osmane. Fëmijërinë e hershme e kalova ndërmjet Gjirit të Gumenices dhe aromës erëshumë të ullive, mes fjalëëmbëlsisë së nënave dhe nanëmadheve tona dhe, nga ana tjetër, mes gjëmimeve vdekjeprurëse të kryeterroristit grek Metaxa dhe ushtrisë së tij gjakatare dhe, pas tij, të hordhive gjakatare zerviste të të famëkeqes “Megaliidhea”.
Koha që kam ndjerë kënaqësinë e fëmijërisë sime kanë qenë vetëm tetë vitet e para në vendlindje, Grikëhor. Fëmijëria mbaroi menjëherë, sa u dëbuam nga shtëpia jonë, nga vendi ynë; ajo mbeti e vrarë në kuptimin e saktë të fjalës. Isha fëmijë i lumtur në botën time të vogël, gëzoja ditët që më kishte dhuruar Zoti, në shtëpinë time, në habitatin tim, në vreshtat dhe ullinjtë e mi, në detin tim, në ajrin tim, në pranverën, verën, vjeshtën dhe dimrin tim bujar. Unë jetoja lumturinë time, së bashku me dallëndyshet bishtgërshërë, që fluturonin para syve të mij në pullazin e dritares së dhomës së ndenjies. Ato më zgjonin nga gjumi çdo mëngjes me zërin e ëmbël të tyre. Dallandyshet, qingjat e vegjël, lulet e portokalleve dhe flladi i mëngjesit ishin gjithë bota ime e mrekullueshme, që më japin akoma adrenalinë të madhe, sa herë më shfaqen para syve dhe qenies sime. Dimri ynë në Grikëhor ishte shumë bujar; ai na mbushte plot kapaset e vajit të ullirit, na sillte kulloshtrën e deleve tona, që ne e ndanim atë së bashku me qingjat e tyre të porsalindur. Unë isha “vëlla qumështi” me qingjat, se pinim në të njëjtën “Nanë-Dele”. Ndërsa pranvera na dhuronte mingaldhetë – bajamet e njoma, erën e barit të njomë dhe të luleve të agrumeve. Bari i harlisur pranveror shtonte shumë qumështin e kopeve të deleve tona. Pranvera e hershme na kthente cicërimat e dallëndysheve që vinin nga larg dhe strehoheshin vazhdimisht në foletë e tyre, të ngjitura në pullazet e shtëpisë sonë. Pranvera ishte e begatë; ajo i jepte fund punëve të rënda për mbledhjen dhe përpunimin e ullinjve të fushës së madhe të Grikëhorit, mbulur me ulli. Ndërsa vera na dhuronte hapësirat e pafund të bahçeve tona buzë detit Jon, të cilat e rrethonin Gjirin e Gumenicës si një gjerdan të madh shumëngjyrësh me prodhimet e bollshme, të herëshme dhe bio. Vera na sillte tjetër gëzim dhe lumturi pa fund, ku ne vëllezërit, së bashku me babanë, zhyteshim në ujët e kristaltë të detit Jon. Atje ishte tjetër natë, ajo më vinte me aq dashuri në gjumin ëmbëlshumë. Kjo ishte “Parajsja” ime, që më nuk e gjeta kurrë dhe asgjëkundi tjetër në botë!
A mundët ta fillonit shkollimin në vendlindje?
Shkollimin e shqiptarëve të Çamërisë në gjuhën amëtare nuk e lejonte qeveria greke, pavarësisht marrëveshjes së bërë ndërmjet saj dhe qeverise shqiptare në atë kohë. Në përgjithësi shqiptarët e Çamërisë refuzonin që fëmijet e tyre t’i çonin në shkollat greke. Ata donin që t’i shkollonin fëmijët e tyre në gjuhën amëtare – shqip, por shteti grek nuk lejonte hapjen e shkollave shqipe. Vëllezërit e mi, Shemia dhe Bidua, filluan shkollën në klasën e parë në greqisht, ndërsa mua më çuan në shkollën foshnjore. Të dy vëllezërit e mëdhenj e ndoqën atë deri në klasë të tretë dhe të katërt. Nuk vazhduan më gjatë se filloi lufta Italo-greke në tetor të vitit 1940 dhe, para saj, qeveria greke na dëboi nga shtëpitë tona drejt Jugut të Çamërisë. Ne shkuam në Arvenicë te shtëpia e Mulla Hashimit. Pas një muaji u kthyem në shtëpi, ku e gjetëm gjithë shtëpinë të plaçkitur nga grekët. Pas largimit të ushtrisë italiane nga Gumenica, përsëri shteti grek na dëboi nga shtëpitë tona, duke na larguar drejt veriut, ku qëndruam në Lopës rreth dy muaj. Brenda një kohe të shkurtër shteti grek na dëboi nga shtëpitë tona dy herë, duke na shkatërruar dhe grabitur me banda gjithë ekonominë familjare. Pas kësaj filloi Lufta e Dytë Botërore, vinin dhe iknin ushtritë greke – italiane – gjermane – greke. Gjatë viteve 1941-1945 nuk bëhej më fjalë për shkollimin tonë.
Ju kujtohen momentet kur mbërriti në fshatin Grikëhor ushtria greke e komanduar nga Napoleon Zerva?
Ushtria vrastare greke kishin arritur në pjesën Juglindore të Grikëhorit dhe nga kodrat e Nistës dhe të Koshovicës po gjuanin herë pas here mbi Grikëhorin. Kur ushtria greke na erdhi pranë, ishte nata e 13-të e Allonarit (korrikut) 1944, ishte ora një e natës. Na foli Zuba, gjitoni, “ngrini fëmilën se në Koshovicë po gjëmojnë topat dhe pushkët! Ata po gjuajnë kundër forcave tona dhe Grikëhorit, ata priten të vinë shumë shpejt edhe këtu”.
Prindërit tanë, në llahtari e sipër, morën gjërat më të domosdoshme nga shtëpia, duke ngarkuar kalin dhe gomarin, si dhe veten e tyre. Ndërsa dy vëllezërit e mëdhenj, Shemia dhe Bidua, ishin nisur me kopetë e dhenëve drejt veriut të Çamërisë. Kurse ne si familje, pasi u ngarkuam sa mundëm, ju bashkëngjitëm varganit njerëzor që kishte ardhur nga pjesa jugore e Çamërisë. Babai dhe Nanëdajua u ngarkuan me gjërat më të domosdoshme, ndërsa Nana mbante në krah motrën, Bejon, e cila ishte dy vjeçe. Lazi, vëllai i vogël, ishte pesë vjeç e gjysmë. Edhe ai mori “mastrapain” e ujit, të cilin nuk e lëshoi asnjëherë nga dora, gjatë gjithë rrugëtimeve të dhimbshme. Mastrapanë ua la trashëgim pasardhësve të tij, të cilin e kanë edhe sot dhe e ruajnë si thesar të tij. Duke lënë shtëpitë, pronat dhe çdo gjë tjetër, si dhe vendin tonë me shekuj autokton, nën breshëritë e zjarreve të armëve vrastare, ne ecnim mbi kufomat e mbetura pa varre nëpër rrugët, përrenjtë dhe monopatet e largimit të dhimbshëm, ndërsa mbi kokat tona nuk pushonin natë – ditë vërshëllimat e plumbave orgurzinj, të cilat nuk na u ndanë asnjëherë, derisa kapërcyem atë kufi që Evropa e mallkuar na e vuri lak në fyt, duke na kthyer në “mish për top” dhe kurban të shtetit grek! Ishte hera e tretë që shteti grek po na përzinte, me forcën e luftës, nga shtëpitë dhe vendi jonë, por kësaj here ai po vriste, therte njerëzit dhe po shkatërronte çdo gjë tonën. Ushtria dhe shteti grek po bënin lemeri dhe barbari çnjerëzore kundëra nesh.
Si e përjetuat tragjedinë, a ndjetë makthe si fëmijë që ishit?
E kam përjetuar deri në dhimbjen më ekstreme këtë tragjedi biblike. Isha vetëm 8 vjeç, por më kujtohen shumë skena tmerri dhe dhimbjeje, që jetojnë ende brenda qenies sime, sot e kësaj dite. Më është vrarë jeta ime që fëmijë! Faktet e jetuara drejtëpërsëdrejti dhe të parë me sytë e një fëmije 8 vjeçar, janë pleksur aq shumë me gjakun dhe shpirtin tim, sa që kam frikë se, edhe kur të mos jem më në këtë botë, do të më ndjekin pas. Ende ne të mbijetuarit e masakrimeve greke ndjejmë erën e shtëpive tona që digjen! Ende shohim dhe ndjejmë erën e tymit dhe zjarrin e pushkëve dhe topave që binin mbi ne, mbi shtëpitë e pasuritë tona! Ende shohim dhe dëgjojmë çdo natë klithmat e grave fatzeza, që ushtria kriminale e shtetit grek u nxirrte fëmijtë nga barqet! Ende ndjejmë erën e mishit të djegur nëpër furra të grave dhe fëmijëve tanë, që me aq kënaqësi shtazarake e kanibaleske i ekzekutonin kryekriminelët zervistë të shtet-kishës greke! Ende shoh trupa grash, burrash dhe fëmijësh të shtrirë përdhe, me barqe të çarë dhe gjymtyrë e koka të prera! Ende çdo ditë dëgjoj ulërimat dhe thirrjet për ndihmë të të masakruarve të pafajshëm! Ende shoh dhe përjetoj maskrimin dhe torturat e mia, të prindërve e vëllezërve të mi, të motrës sime dhe të gjithë fëmijëve të Çamërisë.
Luftrat, masakrat, dëbimin nga vendlindja, nën tytat e armëve dhe grykave të topave të një ushtrie gjakatare- terroristo-pushtuese, nuk ka gjë që i shlyen nga kujtesat tona. Ato janë memorizuar në gjithë qënien tonë. Memorizim që është gdhendur në gjenet tona dhe të pasardhësve tanë.
Si vijoi më tej rrugëtimi, pasi latë shtëpinë?
Mëngjesi na zuri në Gumenicë. Kemi ikur copa – copa, në këmbë, pasi gomarin dhe kalin e kishim ngarkuar me plaçkat më të domosdoshme dhe ca ushqime për të mos na mbetur pa ngrënë. Pa ato plaçka do të kishim vdekur nga të ftohtit dhe shirat e mëdha të atij dimri të zi! Nga Grikëhori deri në Galbaq kemi vajtur në këmbë. Nana në këtë kohë ishte pesë mujshe me barrë dhe, me barkun te goja, po ecte në këmbë. Rrugës, nga tmerret e rrugëtimit, nana u rrëzua dhe u vra dhe djali pesë muajsh në bark i iku. Ishte në prag vdekjeje pas dështimit, por edhe në atë gjendje ishim të detyruar të lëviznim. Në Galbaq u ndamë përfundimisht me Sakon, djalin e xhxhait të nanës, që na shoqëronte. Para se të ndaheshim ai i dha nanës dy lira e gjysmë, dhe i tha: “merri këto që të mos vdesin jenët për bukë”. Ai e dinte që ne nuk kishim para flori, që duheshin për këto kohë të liga. Kur arritëm në Shulash, babai vate të kërkonte djeltë e mëdhej – Shemen dhe Bidon, të cilët akoma ishin fëmijë të vegjël. Shemia 13 vjeç dhe Bidua 10 vjeç. Siç thamë më sipër, babai ata të dy i kish nisur me kopenë e dhenëve tona, në drejtim veriut – Lops – Sajadhë – Konispol. Im atë i gjeti në fushën e Lopsit. Kishin mbetur pa ngrënë tre ditë. Kishin hëngër roka misri dhe pak mish deleje. Babai qëndroi me ta dhe neve erdhi e na mori Fetahu në Galbaq. Nga Galbaqi deri në Lopës erdhëm në këmbë, nën breshërinë e armëve. Në Lopës nana u bë shumë sëmurë. Nga Lopsi deri në Sajadhë ecëm në këmbë, por nana, me motrën Bejon dy vjeçe, shkuan kaluar mbi kalë, se nuk ecnin më dot në këmbë. Për të shpëtuar nga vdekja e sigurt nana dhe motra, babai u detyrua të hidhte nga ngarkesa shumë gjëra që të na siguronte jetën tonë. Në Sajadhë ndenjëm shumë ditë në pritje për t’u kthyer në shtëpitë tona, por ushtria greke vazhdonte masakrimet kundër nesh. Më në fund kaluam Qafë – Botën dhe qëndruam në Fushën e Konispolit. Asnjë ushtar nga të dy anët e kufirit, as shqiptar dhe as grek, nuk pipëtinte gjëkundi.
Mund ta përshkruani pak Fushën e Konispolit në atë kohë eksodi?
Nga fundi i korrikut të vitit 1944, fusha poshtë Konispolit ishte mbushur plot me refugjatë çamë, që kishin shpëtuar nga dora gjakatare e shtetit grek. Ishte mesi i korrikut, ku vapa dhe rrezet e diellit të përvëlonin, se atje nuk kishte asnjë pemë ku të futje kokën. Për t’u ruajtur sado pak nga dielli përvëlues ngritëm çadra me çarçafë dhe qilima. Atje ndenjëm gjithë korrikun dhe gushtin, me shpresën e kthimit në shtëpitë tona. Në Konispol mbaj mend se unë u sëmura rëndë dhe lëngova rreth dy muaj. Nga fundi i gushtit dhe fillimi i vjeshtës së parë u nisëm në drejtim të Mursi – Kllogjerit. Më në fund arritëm gjallë në Mursi, me shpirt nëpër dhëmbë. Babai fillimisht, përpara se të shkonim në Kllogjer, zuri një kalive (kasolle) lopësh me qira në Mursi, ku futëm kokën, e cila na shpëtoi nga vdekja, se për ata që mbetën në baltën e Kllogjerit dhe të ftohtin e atij dimri, ishte një llahtari e madhe për të gjithë. Çdo ditë vdisnin me dhjetra! Kasolle lopësh ishte, por im e pagoi si “frëngu pulën”, me 15 napolona në muaj, që përdoreshin atëhere në Shqipëri dhe që kishin një vlerë të madhe për kohën.
Dhe çfarë ndodhi kur shkuat në Kllogjer?
Ngjarjet në Kllogjer pasuan tmerret e dimrit 1944-1945. Në Kllogjer vdekja ishte e vetmja që na bënte shoqëri. Vdekjet e përditshme ishin kryezonjat në këto hapësira, si kuçedra që nuk kishin të ngopur me ne fatkeqët. Dheu i florinjtë në Kllogjer ishte kthyer në varr gjigand moçalor, që përpiu çdo ditë me qindra shpirtëra njerëzorë, nga korriku 1944 deri në prill – maj 1945. Nuk besoj se kishte vend tjetër në botë ku vdekja të ishte aq e lirë sa këtu. Pasi vdisje duhej vetëm një kazmë dhe një lopatë, si dhe një forcë krahu për të hapur një gropë dhe asgjë më shumë. Shihnim kufoma të vrara e të coptuara, shihnim prindër, fëmijë dhe të afërm të kthyer në kufoma, shihnim dhe përjetonim vdekjen pa fund çdo çast, mëngjes, drekë dhe darkë, çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj. Ishim fëmijë pa fëmijëri, ishim të uritur deri në vdekje, ishim pa shtëpi dhe katandi, ishim të vdekur të gjallë dhe të gjallë të vdekur. Për ne nuk ndriçonte as hëna dhe as dielli, çdo gjë errësirë, asgjë nuk ekzistonte, edhe barëra të egra nuk kishte më në zonën Xarrë – Kllogjer – Mursi – Konispol! Asnjë dorë nuk u zgjat drejt nesh. Ne ishim të dënuar me vdekje, por koha e ekzekutimit ishte e pacaktuar; ajo ishte në funksion të rezistencës së personit për të përballuar urinë, sëmundjet, të ftohtin, shiun. Duart dhe sytë tanë drejtuar lart – drejt qiellit! Por më kot. Asnjë dorë e ngrohtë, asnjë çadër mbi kokë, asnjë kokërr misër, asnjë kininë, asgjë prej gjëje. Ishim të lirë të vdisnim! Qeveria – Sheti Amë, as që na pa dhe as na tha: “Zoti ju dhashtë”! Dhe vërtetë, për ne mbeti vetëm Zoti – Shpëtimtari ynë, Shpresa e pavdekshme e Gjithësisë. Shpresa ishte e vetmja që na mbajti gjallë! Njerëzit vdisnin nga mungesa e shumë faktorëve të rëndësishëm jetësorë: Mungesa e absolute e bukës dhe ushqimeve të tjera. Asgjë prej gjëje të kapërdije në bark. Edhe lakrat e egra u mbaruan. Hirra, e përzierë me një lugë miell misri dhe lakra të egra, bëri të shtynim disa ditë. Një nga të shumtët që ngjisnim kodrën e stanit të Din Janos, për hirrën e djathit të tij, isha edhe unë. Por vllahu i pasur Din Jano na e ndërpreu edhe hirrën e baxhos së tij. Më mirë preferonte ta derdhte atë, se sa ajo të vazhdonte të na mbante ne akoma gjallë! Ende shoh, ndjej dhe përjetoj çdo ditë tmerret e të ftohtin e moçalit të Kllogjerit, të urisë ekstreme, të sëmundjeve, të parazitëve, të të ftohtit, që veproi mbi trupat dhe kokat tona të handakosura, të cilat ishin në grahmat e fundit të jetës! Ende përjetoj dhe shoh ish moshatarët e mij që presnin radhën për në atë botë. Ende shoh Hysnijen e Çumanit, Meremen e Toto Gjulit, tre vajzat dhe vet Selimin, Vërseloten, që vetëm një herë e pashë gjallë në botë, si dhe varganin e pafund që mbushi varrezën e çamëve në Kllogjer.
Ju thoni “ishim të dënuar me vdekje”! Mos vallë është kjo një akt-akuzë e rëndë për shtetin komunist të sapokrijuar?
Siç e kam thënë në librin tim, botuar së fundi, “Rrënjët tona çame -Tiranë 2024”, në Kllogjer ndodhi një genocid tjetër, genocidi i urisë. Përveç genocidit grek që pësuam nga dora gjakatare greke në Çamëri, ne vuajtëm edhe nga “Holodomori”, i cili është vdekja nga uria dhe përkufizon vdekjet masive nga uritë. Është edhe ky një genocid masiv, që korr vetëm vdekje. Kush e bëri “Holodomorin”, genocidin tjetër, atë të urisë, për ne çamët në Kllogjer? Mirë shteti grek ishte kriminal, po shteti i Mëmëdheut tonë ç’farë ishte? Periudha korrik 1944 – prill – maj 1945, plotë 288 ditë, ishte periudha e një genocidi të dytë ndaj popullsisë së Çamërisë në Zonën Kllogjer – Mursi – Konispol, ku gjetën vdekjen mijëra njerëz të çdo moshe, nga i ftohti, mosushqyerja dhe mungesa e çdo gjëje tjetër që njeriu të ekzistojë mbi dhe’. Shumw vite më vonë mora vesh se Misioni i UNRRA-s, me qendër në Uashington, kishte dërguar një ndihmë që i kalonte 1.5 miliardë dollarë, në kuadër të ndihmave për strehim dhe ushqim për refugjatët çamë. Por nga kjo ndihmë kaq e madhe, më kujtohet që ne si familje na dhanë 5-6 kutia metalike ½ kile me bizele, qiqra dhe thjerrëza të gatuara, si dhe disa rroba të përdorura, ndërsa mua personalisht më dhanë një xhaketë ngjyrë blu, që për mua ishte një dhuratë e madhe, dhe një palë këpucë të përdorura. Sidoqoftë ajo xhaketë dhe ato këpucë që mora nga UNRRA – më mbrojtën nga i ftohti dhe copëtimi i këmbëve nga gurët. Qeveria shqiptare u zgjua pasi kishin vdekur rreth 3 mijë shqiptarë të Çamërisë, nga mungesa absolute e kushteve jetësore për të ekzistuar fizikisht si qënie njerëzore, nga uria, sëmundjet, nga mungesa e shtresës dhe mbulesës, ku për ta balta ishte shtresa dhe mbulesë ishte qielli me rrebeshe e shtrëngata shiu.
Çfarë ndjeni sot kur vizitoni Varrezat e Kllogjerit dhe si e komentoni faktin që shteti shqiptar ende nuk u ka dhënë statusin e Varrezave Monumentale?
Përulem, lutem dhe falem për shpirtërat e martirëve tanë, që të prehen atje përjetësisht në paqe. Gjithë atë dhimbje të dikurshme e përjetoj deri në imtësinë më të madhe të qënies sime, kur vizitoj Memorialin pothuajse çdo vit. Emrat e Martirëve të Çamërisë janë gdhendur në murin e madh të këtij Memoriali. Të gjithë janë atje, mungojnë akoma shumë të tjerë, që edhe ata të ngurtësohen në “MURIN E KUJTESËS”. Kaloj me radhë pothuajse të gjithë emrat e martirëve dhe, pas kësaj, kërkoj ata që kemi mundur t’i njohim, ose të afërmit, bashkëfshatarët, njerëzit e farefisit e të tjerë.
Memoriali i të rënëve çamë është një nga më të rëndësishmit e Kombit Shqiptar, të cilin qeveritë e Tiranës nuk e vlerësojnë, edhe pse është një Memorial Dhimbjesh, Heroizmash, Jetësh dhe Lotësh të Çamërisë. Turp! Por falë shqiptarëve të Çamërisë dhe gjithë atdhetarëve, nga të gjitha hapësirat shqiptare, që banojne brenda Shqipërisë politike dhe jashtë saj, si dhe kudo në botë, çdo 27 Qershor Memoriali kthehet në një vend dhimbjesh dhe force për të gjithë Kombin shqiptar.
Ah sikur Përmendore të tilla të ndërtoheshin në Paramithi, Pargë, Filat, Karbunar, Spatar, Gumenicë, Mininë dhe në çdo vend të Çamërisë, ku grekët, së bashku me kishën ortodokse të tyre, e kanë bërë Çamërinë thertore çnjerëzore, me kokat dhe trupat e çamëve shqiptarë.
Zoti Hilmi, si vijoi kalvari i familjes Saqe brenda Shqipërisë?
Në fund të prillit 1945 u nisëm në këmbë dy ditë e ca nga Mursia për në Sarandë. Në destinacion arritëm mbas dite. Këtu na strehojnë disa ditë në kazermat e ushtrisë, duke pritur anijet që do të vinin nga Durrësi, për të na nisur drejt veriut të Shqipërisë. Nisemi nga Saranda me një anije të vogël mallrash, e cila ishte ngarkuar me misër të verdhë dhe me ne emigrantët e Luftës së Dytë Botërore. Udhëtimin Sarandë – Durrës anija e bëri rreth 24 orë. Arrijmë në portin e shkatërruar të Durrësit rreth orës 10.00 paradite. Qeveria vendore na strehoi në kazermat e marinës. Këtu qëndrojmë rreth dy javë, pas kësaj na ngarkojnë në një kamion të hapur dhe na çojnë në Krujë. Në Krujë qëndrojmë rreth dy muaj, pastaj na ngarkojnë përsëri në kamion dhe na çojnë në Mamurras të Vjetër.
Në Mamurras të Vjetër jetuam nga Qershori 1945 deri në Shtator 1953, kur u vendosëm në Tiranë. Shteti shqiptar, nga Saranda deri në Mamurras na ndihmoi për të lëvizur dhe për t’u strehuar provizorisht. Kjo ishte e gjithë ndihma e shtetit shqiptar për familjen tonë. Pastaj filloi integrimi ynë në jetën e vendit, me të mirat dhe të këqijat e kohës ku jetonim. Strehimi në Mamurras ishte dhuratë, pa shpërblim, falë dashamirësisë dhe bujarisë së familjes Xhume Qyshka dhe së bijës – Meremes. Ata njerëz, gjithë mirësi, kënaqësi dhe bujari, u bënë aq të dashur, me pritjen vëllazërore, me ndihmat e mëdha dhe me hapjen e dyerve të tyre. Ne që jetuam tetë vite në Mamurras ishim dhe mbetemi mirënjohës për jetë ndaj tyre. Atje gjetëm një zemër të madhe të shqiptarit bujar dhe dashamirës. Ah sikur të ishte edhe dora e qeverive shqiptare aq e ngrohtë dhe e dashur për ne, sa një pjesë e vogël e duarve dhe atdhetarizmit të shqiptarëve të vërtetë!
A kishte shkollë asokohe në Mamurras?
Në vitin 1949 në Mamurrs u hap shkolla 7 vjeçare. Këtu fillova klasën e 5-të nga shtatori deri në dhjetor. Por babi u detyrua të me dërgonte të punoja si hizmeqar te Bajram Sadria, me origjinë nga Kosova. Fillova detyren e lopçarit, e cila në kohën e verës – fillonte në mëngjes herët deri vonë në mbrëmje, ndërsa në kohën e shkollës shkoja vetëm mbas dite. Me kalimin e kohës ata më trajtonin si djalin e shtëpisë, meqenëse ata nuk kishin akoma fëmijtë e tyre. Kështu kaloi viti 1945 dhe vitet e tjera në Mamurras. Herë çoban lopësh, herë çoban delesh dhe në fund çoban i dhive dhe deleve tona. Dy behare punova çoban delesh tek familja e Ibrahim Bamit, një i arratisur dhe mik e luftëtar i Bazit të Canes, një familje e kamur, por për komunistët ishte familje armike. Në Janar të vitit 1950, i detyruar të lë fare shkollën, fillova punë si punëtor zëvëndësues, në emër të babait, në Ndërmarrjen Lëndë Djegëse Tiranë. Nuk e di arsyen, por në shkollë gjithmonë kam qenë i etur për dije dhe hapësira të pa njohura. Mësuesit ishin ata që të nxitnin për të të rrënjosur dijet e tyre për lëndët që na jepnin.
Largimi familjarisht nga Mamurrasi në vitin 1953 ndodhi pasi babai u detyrua t’i zëvëndësonte dhitë me dele. (Këto u mbarështruan deri nga viti 1958, pas kësaj kohe shteti na ndaloi t’i mbanim në zonën urbane – në zonën e Lagjes Kombinat të Tiranës). Gjendja e ekonomisë familjare u përmirësua në një farë shkalle me shtimin e dhive; ato nga mezi vitit 1954 arritën disa dhjetra krerë. Ato na siguronin ushqimin bazë për jetesë. Këtu mbaron dhe fëmijëria dhe fillon adoleshenca ime. Të tjera gjëra dhe të tjera pengesa dhe arritje do të më dilnin përpara. Por një gjë më dhembte shumë – mungesa e shkollimit. Për fat të mirë në shtator të vitit 1953, u hap Shkolla e Natës për punëtorët e Kombinatit. U regjistrova në klasën e shtatë dhe këtu filloi mjekimi i plagës së mungesës së shkollimit tim. Isha i etur për dije dhe për të gjetur një vend pune të sigurtë, një profesion me baza që të isha i aftë për të krijuar familjen time në jetë. Ky ishte fillimi dhe nuk ju ndava deri sa u diplomova Inxhinier Elektrik në Universitetin e Tiranës në vitin 1972. Por kjo gjë u shoqërua me një punë jo të vogël për shumë vite – punë – studimi – familje dhe asgjë tjetër. Por jam i bindur se po të isha përsëri në ato kushte, do të ndiqja të njëjtin udhëtim në jetë.
Le ta anashkalojmë kronologjinë e jetës suaj familjare dhe karrierën e gjatë si inxhinier, deri sa dolët në pension. Si arritët të shkoni në vendlindje pas gati 80 vitesh, duke ditur që autoritetet greke i kthejnë mbrapsht në kufi të lindurit në Çamëri?
Vajtja në Çamëri ishte një ëndërr për mua, ëndërr e jetës. Grikëhori më ka dalë në ëndërr për herë të parë më 14 shtator 1959. Isha në lule të rinisë, në moshën 23 vjeç. Ishte një ëndërr e çuditëshme, të cilën të nesërmen e hodha në letër. Ëndërra më çoi në “Përroin e Xhindeve”, në lagjen ku kalova fëmijërinë. Papritur fillova të dëgjoja lloj – lloj zërash, të qara, të bërtitura, muzikë. Xhindet herë këndonin, herë ziheshin, kakofoni zërash! Nuk e merrja dot vesh, ishte ditë apo natë…Papritur ndeza një zjarr: Do i mbledh këtu rreth zjarrit, thashë me vete. Fillova t’u flisja xhindeve dhe, nuk kaloi shumë, ato më rrethuan…I mbajta disa minuta, pastaj i largova…Dhe këtu u zgjova. Kur jetoja në Shqipëri, qysh në vitet e para pas hapjes së kufijve, tentova disa herë të shkoja të shihja shtëpinë time, bashkë me shumë nga bashkëpatriotët e mi, bëmë edhe lista si Shoqatë Çamëria dhe ia dërguam Ambasadës për vizë, por ishte e pamundur. Refuzimi ishte kategorik. Nuk e mendoja dot të gjeja rrugë të tërthorta, duke shkuar si refugjat nga mali në shtëpinë time, siç bënë disa të tjerë, duke rrezikur jo pak. Shteti grek i ka mbyllur kufijtë dhe arkivat e Çamërisë për ne. Edhe kur u hoqën vizat, kurrë nuk ka lejuar që ne, të lindurit në Çamëri, të shkojmë lirisht në vendlindjet tona dhe për këtë janë bërë disa deklarata dhe denoncime publike, si dhe protesta drejtuar Ambasadës Greke dhe, për dijeni, Ministrisë sonë të Jashtme. Por askush nga zyrtarët tanë qeveritarë nuk e ka ngritur seriozisht këtë problem pranë qeveritarëve grekë, megjithëse kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të të drejtave dhe lirive themelore të Njeriut, sipas Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, miratuar dhe shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me Rezoluten e saj 217 A (III) të 10 Dhjetorit 1948. Si dhe Traktatit të Lisbonës të miratuar dhe nënshkruar nga 27 shtetet e BE-së më 13 dhjetor 2007, dhe që hyri në fuqi në 1 dhjetor 2009, ku të gjitha shtetet, anëtare të BE-së, e ratifikuan atë. Traktati i Lisbonës mbron të drejtat me “Kartën e të Drejtave Fondamentale të Njeriut”, gjithashtu dhe Mbrojtja e të Drejtave Themelore të Njeriut nga të gjitha Konventat Ndërkombëtare.
Një nga arsyet që më shtyu drejt emigrimit në SHBA ishte dhe kjo nëpërkëmbje e të drejtave tona, e shfaqur me gjithë shëmtinë e saj antinjerëzore nga autoritetet shtetërore raciste dhe ksenofobe greke, si dhe mungesa e një dore të ngrohtë nga shtetarët tanë shqiptarë. Atje vërtet kishim fëmijët, por nuk na detyronte njeri të shkonim, aq më tepër në atë moshë dhe kur mund ta përballonim jetesën në Shqipëri . Fëmijët jetonin jetën e vet dhe ishin rregulluar me të gjitha, pasi ishin vendosur atje shumë vite përpara. Por mua s’më mbante vendi. Doja një pasaportë që të hapte portën e shtëpisë sime, të më kthente në Çamëri me dinjitet. Kthimi në Çamëri, si zot i asaj hapësire shqiptare në shekuj, e vlente çdo sakrificë të kësaj bote. Vlera dhe rëndësia e një pasaporte është në raport të drejtë me kredibilitetin shtetëroro- politik që një shtet gëzon ndaj shteteve të tjera dhe në arenën ndërkombëtare.
Në ç’vit emigruat në SHBA dhe çfarë ndodhi më pas?
Ishte shkurti i vitit 2009 kur lamë Tiranën, isha në moshën 73 vjeçare. Lënia e Çamërisë në moshën 7 – 8 vjeçare, dhe lënia për herë të dytë e Shqipërisë në moshën 73 vjeçare, ishte një dhimbje që e ndjen thellë vetëm ai që e përjeton. Fillimi ishte shumë i vështirë për ne në SHBA, se ju bëmë barrë fëmijëve, por nuk po zgjatem. Erdhi një moment që i harrova të gjitha. Ia vleu sakrifica! Amerika më ktheu në Shtëpinë time, në Grikëhorin dhe Çamërinë time, me dinjitet dhe krenari! Në datën 16 qershor 2021, im bir Albi, na preu biletat e udhëtimit për Tiranë – me Lufthans-ën. Ditët e fundit Albi na njoftoi se do të na shoqëronte për në Shqipëri. Disa ditë përpara më dha dhe një lajm shumë të gëzuar, se do të shkonim në Grikëhor – Gumenicë – Çamëri?! Ky ishte një lajm dhe gëzim që e kisha ëndërruar dhe pritur për rreth 80 vite. Dyshimi bëri që të merrnim të gjitha masat e nevojshme për çdo veprim armiqësor dhe të pabesë të shtetit obskurantist grek. Porosita djalin: – Albi, të lutem sigurohu që nga çdo kënd të Çamërisë të kesh ndërlidhje me Ambasadën Amerikane në Greqi dhe Departamentin e Shtetit në Uashington Dc, se pavarësisht se jemi shtetas amerikanë, nga shteti grek çfarë nuk pret! Dhe erdhi dita e nisjes për në Çamëri. Kudo dhe çdo çast ndjeja se mbarapa shpatullave të mija ishte forca mbrojtëse dhe mbështetëse e shtetit amerikan.
Të pajisur me pasaportë amerikane, me këtë “armë” të fortë në duar, unë, ime shoqe dhe im bir, pasi kaluam zonën neutrale, hymë në doganën greke. Përpara na dolën dy policë grekë, të cilët na kërkuan dokumentin e vaksinimit të Cov-19. Ja dorëzuam të tre dokumentat përkatëse, por polici grek reagoi, se ju dukën të skaduara, por një polic tjetër e mbylli shpejt injorancën e kolegut, që nuk dinte se në Amerikë në fillim shkruhet përpara muaji, pastaj data dhe viti. Na bënë “tamponin”, pritëm 15 minuta pasi dolën rezultatet e analizës, pastaj ju drejtuam zyrës së policisë kufitare.
Albi, me tre pasaportat, ju drejtua sportelit përkatës, ndërsa unë dhe Nadirja, nuk lëvizëm nga ndenjëset e makinës. Brenda ne sportel ishte një police femër dhe, sa pa pasaportat amerikane, i vulosi të tria menjëherë. Pas disa çastesh hezitimi brenda sportelit të kufirit, doli një person civil, i cili m’u drejtua mua greqisht. Pyeti diçka, me siguri vendlindjen! Kur më pyeti greqisht u nervozova dhe, me ton të lartë, ju përgjigja anglisht “Eaaattttt hapen…”?! Albi në çast u kthye nga sporteli i doganës greke, dhe ju drejtua policit të veshur civil, duke pyetur se çfarë donte. Shefi doganës greke e pyeti, me një anglishte të çalë: Në ç’vend të Greqisë ka lindur babai juaj? – Në Gumenicë, iu përgjigj im bir. Pastaj e pyeti sa ditë do të rrinim dhe a kishim zënë hotel dhe ku. Albi i tha “tre ditë” dhe i tregoi adresën e hotelit në Pllatare. Polici civil ishte shefi i kufirit grek. Pyeste dhe priste përgjigje, me një qetësi dhe mirësjellje të sforcuar, ndërsa me gjuhën e trupit të tij shfaqte një egërsi të brendëshme dhe përulësi të çuditshme! Kështu sillen grekët ndaj të fortëve me një përulësi të çudishme, dhe tmerrësisht arrogantë ndaj të pamundurëve të mjerë. I kishte zënë rrota bishtin me ne!
Unë, nga ndenjësia e makinës, nuk ja ndaja sytë dhe vëmendjen. Ai ishte i pafuqishëm dhe i detyruar të sillej ashtu, pasi s’dihet se ç’lloj udhëzimesh do të kenë nga shefat e tyre për vizitorët që vinë nga shtete të ndryshme të fuqishme?! Grekët kanë një shprehje: Dorën që nuk e kafshonin dot, je i detyruar ta puthësh! Për ne nuk kishte asnjëlloj rëndësie sjellja e tyre, pasi ne e dinim dhe ndjemë se sa të mirësjellshëm janë ata me ne shqiptarët, dhe veçanërisht me ne çamët. Kur pamë sjelljen e tyre ndaj atyre me pasaportë shqiptare dhe përulësinë e vëllezërve dhe fëmijëve tanë që kalonin këtë portë, ndjemë një dhimbje të madhe shpirtërore. Sa pasaporta shqiptare kanë shkarravitur, grisur dhe hedhur në koshin e plehrave këta “trima”, vetëm se ishin shqiptarë!
Si vazhdoi itinerari i vizitës suaj në Çamëri?
Makina nisi “fluturimin” nga Qafe Bota drejtim Gumenicës, Grikëhorit, Pllatares, Paramithisë, Prevezës, Margëlliçit dhe në gjithë hapësirat e tjera të mrekullueshme të Çamërisë. O Zot, sa krenar që ndihesha! Një adrenalinë e papërballueshme me përfshiu gjithë qënien. Po i flisja me zë të lartë Çamërisë sime, që aq shumë më kish munguar. Zemra më gufonte, dejet dhe venat e mija po shpërthenin nga lumturia. Nuk ngopesha me vezullimin e agimit madhështor, ajrin e freskisë mëngjesore të Çamërisë, të kësaj dite të ëndërruar dhe munguar prej 77 vitesh, ose prej 28.124 ditësh, ose më saktë prej 674 976 orësh. Nuk ecja në tokë, por herë fluturoja që të shihja dhe shijoja çdo gjë të Çamërisë sonë të munguar aq shumë dhe herë zbrisja në tokë dhe puthja çdo pëllëmbë të kësaj toke, e cila është më e ëmbla në gjithë rruzullin tokësor dhe që më mungon dhe më ka munguar jashtëzakonisht shumë gjatë gjithë jetës sime larg saj. Ishte shumë mall, shumë dhembje dhe shumë endërra që më ishin akumuluar në çdo qelizë të qënies sime dhe jo vetëm mua, që nuk na u ndanë çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo muaj dhe çdo vit, gjatë gjithë jetës sonë larg Çamërisë. Ne mbartim mbi veten tonë edhe dhimbjet e prindërve, motrave dhe vëllezërve tanë dhe jo vetëm, që e lanë këtë botë me dhimbjen e madhe të mungesës së Çamërisë. Ata ikën duke marrë me vete brengat, torturat dhe vrasjet e të dashurve të tyre dhe të Çamërisë. Unë shikoja, dëgjoja dhe ndjeja me shpirtin, jo vetëm të qënies sime, por edhe të babait, nanës, tre vëllezërve, që e lanë këtë botë pa e parë dhe pa e ndjerë Çamërinë, por edhe me shpirtin e të gjithë atyre që ikën të përmalluar dhe të vrarë shirtërisht për Çamërinë tonë. Albi dhe Nadirja, gjithë sy e veshë, ishin drejtuar nga unë se gjithë kjo adrenalinë, përzier me dhimbje, që shfaqej në gjithë qënien time, ishte e rrezikshme! Ata ishin tepër të shqetësuar, se në të tilla shpërthime njeriut ç’farë nuk i ndodh! Sa filloi udhëtimi, Albi vendosi në punë kamerën në pjesën e parë të makinës, e cila regjistroi, me një cilësi shumë të lartë, gjithë rrugëtimin nga Qafë – Botë – Gumenicë – Grikëhor – Pllatare. Në orën 9:30 nisemi gjatë bregut të detit Jon në drejtim të Gumenices. Nuk kaloi shumë dhe pas na ndiqte një makinë me targa greke, Tip “Tayota Yaris” ngjyrë blu, me dy persona civilë në ulëset e para. Duhet theksuar se makinat që na ndiqnin në distancë ndërroheshin herë pas here, po ashtu edhe personat. Ata mundoheshin të mos shfaqeshin se na ndiqnin ne, por Albi shpesh herë u bënte surpriza, të cilët i nxirrte zbuluar. Arritëm në Portin e Trageteve në Gumenicë (Te ish baçet dhe pemëtaritë tona Grikëhorite, afër gadishullit të Gonesë, ku në atë kohë në atë vend ne bënim plazh në det gjatë verës). Albi kthehet me shpejtësi në rrugët e portit duke u humbur nga ndjekja e tyre. Ata, të hutuar kërkojnë, por pas disa çastesh Albi ju del para në një kthesë para se të niseshim për në hotel në Pllatare (ky veprim i tyre është regjistruar edhe në kamer). Këtë gjë Albi ua bëri disa herë atyre, duke u dhënë mesazhin se për ne ishte e qartë se çfarë ishin dhe ç’farë detyre kishin nga shteti i tyre, për ndjekjen tonë në çdo hap. Albi kishte prenotuar që nga Neu Yorku në Hotelin “BLU BAY” – Pllatare, një dhomë gjumi dhe guzhinë. Pllataren po e shihja për herë të parë, ashtu si pothuajse gjithë Çamërinë. Pllatareja shtrihet në një hapësirë fushoro – kodrinore, të rrethuar nga të dy anët Veri – Lindje dhe Jug – Perëndim nga dy kodra, ndërmjet tyre shtrihet një gji deti kristal, relativisht i vogël. Hoteli ishte në kodrën Jug – Perëndim, rreth 80 metra mbi nivelin e detit. Panorama para hotelit është e mrekullueshme si gjithë Çamëria.
Në orën 11:00 (12:00 me orën greke) lamë bagazhet në dhomë dhe dolëm për disa momente në verandë, pastaj unë me Nadirin dolëm për plazh në pishinën e hotelit, ku ndenjëm deri në ora 1:00 pm, pastaj zbresim poshtë në qendër të Pllataresë për drekë.
Albi parkoi makinën në një parking afër restorontit, por makina nuk ishte nën vëzhgimin tonë. Ndjekësit – eskorta greke – ishin fshehur diku afër. I pikasëm sa dolëm nga restoranti. Dolën nga strofka ku ishin fshehur dhe, në një distancë të caktuar, filluan të na ndiqnin.
Pas drekës u nisëm për në Grikëhor; shkuam lart deri në Grikëhorin e Ri, në Koklezën tonë të platacioneve të ullive. Përpara nesh, nga lartësitë e Kodrave të Koklezës. u shfaqën shtëpitë e rrënuara të Grikëhorit, konturet e mureve të mullirit të erës si dhe gjithë fusha e ullive të Grikëhorit dhe tutje shtëpitë e Ledhëzit dhe gjithë Gumenica, ndërsa në anën tjetër, Veri-lindje, u shfaqën konturet e mureve të Salicës dhe tutje, matanë detit, Korfuzi. Pas na ndiqte “eskorta greke” me një tjetër makinë ngjyrë gri. Ishte e pamundur të shkëputeshim nga “eskorta” për të shkuar në shtëpinë tonë, në Grikëhorin e Vjetër, siç e quajnë tani pushtuesit e Çamërisë – grekët. Para syve na u shfaqën shtëpitë tona, të “Grikohorit të Vjetër” të rrënuara, të shkatërruara dhe të grabitura nga pushtuesit grekë si dhe nga mungesa e të zotëve. Një trishtim i madh. Një pamje makabër. Në Grikëhor çdo gjë që na përfaqësonte ne shqiptarët autoktonë e gjetëm të rrafshuar, shtëpitë, xhamitë dhe çdo shenjë tjetër shqiptare. Kudo syri të zinte veçse dhimbje dhe shkatërrime!
Grikëhori ynë, si çdo fshat dhe qytet i Çamërisë sonë, ka mbetur si një muze natyral dhe akuzues ndaj barbarive greke. Çdo krim është i dukshëm dhe i prekshëm, i pamë dhe i ndjemë thellë në shpirtërat dhe fizikun tonë. Na duhej të ecnim në këmbë një pjesë jo të vogël të rrugës dhe më e keqja ishte se unë e kisha shumë të vështirë të “qëlloja” menjëherë në “shenjë”, ika fëmijë dhe po kthehesha plak. Gjurmët e dikurshme të vendit, rrugët, shtëpitë dhe të gjithë Grikëhorin, të memorizuara në kujtesen time, grekët e ardhur i kishin zhdukur.
Shtëpinë që e lamë nuse të re, pa nusëruar akoma mirë, të cilën e kishte stolisur dhe zbukuruar babai me gjithë dashurinë e shpirtit të tij në vitin1936, e gjetëm me kocka dhe brinjë të copëtuara, por sidoqofte ajo ishte akoma gjallë dhe na u duk se na uroi mirëseardhjen.
Nga shtëpitë dy dhe tre katëshe të Grikëhorit, gjatë këtyre rreth 80 viteve kishin mbetur disa mure gjysmë të rrënuar, por në përgjithësi muret ishin rrafshuar nga vjedhjet e grekëve dhe vllehëve të ardhur nga thellësitë e Greqisë, si dhe nga amortizimi fizik i tyre nga mungesa e të zotëve. Brenda mureve të ish ndërtesave tona kishin mbirë dhe ishin rritur ullinj. Në gjithe Grikëhorin rrallë mund të shfaqej ndonjë ndërtesë e re. Shtëpi të rrënuara pafundësisht, ullinjtë, pronat dhe çdo gjë pa zot! Edhe varret e të parëve tanë nuk i pamë asgjëkundi, asnjë faltore dhe çdo shenjë shqiptarizmi e zhdukur nga shteti dhe kisha greke!
Nuk takuat asnjeri në Grikëhor?
Kuvendova me varret e munguara të paraardhësve- të shkatërruara nga shtet-kisha greke. Kuvendova me muret e shtëpive të rrëzuar, të rënë, të rrafshuara dhe me themelet e tyre… Kuvendova me ullinjtë, bajamet e bacës së Nanëdajos dhe me shegët e Nanës. Kuvendova me trimin e shtëpisë, “Kollofin e Zi”, i cili dha jetën e tij dhe nuk lejoi ushtarët grekë t’i afroheshin shtëpisë sonë. (Ai mbeti “dëshmor” i parë i lagjes sonë).
Po ashtu kuvendova me Mullirin e Erës dhe kujtuam kohët e mrekullueshme kur ne shkonim me koopenë e dhenëve tona pranë dhe afër tij. Mullirit i kishin shkulur krahët madhështorë të tij. Atij i kishin hequr madhështinë, njëlloj sikur gjeneralëve t’u heqësh spaletat. Kuvendova me heroin e Grikëhorit – Çamërisë, Sheremet Dulin, i cili dha jeten e tij me mitraloz në dorë, duke luftuar me vetmohim së bashku me luftëtarët e tjerë të Çamërisë kundër zervistëve grekë, për të na shpëtuar ne, nga ajo dorë gjakatare që coptoi Paramithinë në pabesi. Kuvendova me partizanin Shaban Hamit Mero, që ishte inkuadruar që në fillimet e luftës kundër nazistëve gjermanë, në Batalionin Ali Demi, që në pabesi e vranë dhe zhdukën çdo gjurmë të tij. Kuvendova me dëshmorët partizanë çamë, që dhanë jetën për çlirimin e vendit, si dhe me partizanin grikohorit, Smal Mani, pjesëtar në Batalionin “Ali Demi”, i cili u pre në besë nga drejtuesit – tradhtarët grekë të Varikizës, së bashku me më shumë se 800 partizanë çamë të tjerë, që luftonin kundër nazistëve hitlerianë në zonën e Çamërisë.
Kuvendova me Hodo Hamzain, Tahir Alikon dhe shumë grikëhorit të tjerë, si dhe me dhjetra e qindra djem dhe burra çamë, që nuk lejuan kriminelët grekë që të kishin vrarë, therur dhe zhdukur gjithë shqiptarët e Çamërisë, siç e kishin planifikuar shteti grek dhe N. Zerva, ushtria monarko – fashiste greke, së bashku me Uillsonin – kryeministrin e Anglisë.
E vizituat të gjithë Çamërinë?
Unë nuk kisha dëshirë dhe mall vetëm për shtëpinë time, por për çdo kënd dhe cep të gjithë Çamërisë. Pas kthimit nga Kokelza – Grikëhori i Ri, nisemi për t’i rënë qark gjithë Çamërisë. Hymë në autostradën Gumenicë – Janinë dhe në një dalje të saj u drejtuam drejtë Paramithisë. Po udhëtonim për herë të parë në vendin e martirizimit të qindra njerëzve të pafajshëm dhe paqësorë të masakraruar nga barbarët dhe kriminelët grekë. Grikëhorin dhe Gumenicën e kaluam me shpejtësinë e një kortezhi mortor të ulët, për të marrë me vete sa më shumë aromën dhe ëmbëlsinë e tyre, si dhe të gjithë hapësirës së Çamërisë. Kaluam buze detit Jon, në plazhin tonë ranor, ku notonim gjatë behareve tona të mrekullueshme. Në këtë det të kristaltë, ku dikur miku dhe shoku i Babait, bashkëfshatari Gaq Sardhelja, gjuante dhe shiste peshk të freskët në Grikëhor dhe në Gumenicë – Skalome.
Pasi lamë pas Gumenicën, diku rreth 15 km larg saj, u shfaq tabela e degëzimit të Filatit, më tutje, afër kufirit shqiptar, ura e lumit Kalama, e cila edhe kjo mbart mbi vete krimet e mëdha të ushtruara gjatë dëbimit të dhunshëm në çdo cep të gjithë Çamërisë. Lumi Kalama u skuq nga gjaku i qindra e qindra kufomave të copëtuara nga gjakatarët kriminelë grekë! Filati, Lumi Kalama, Paramithia, Karbunari, Minina, Spatari, Gumenica, Parga, Grikohori, Grava, Margëlliçi, Spatari dhe gjithë Çamëria u lanë në gjak nga shteti dhe kisha kriminale greke.
E mbyllëm kësaj here vizitën aq të ëndërruar në Çamërinë tonë, pa mundur të shmalleshim plotësisht me vendin tonë të munguar. Dhimbjet na u shtuan…E përpimë dhe e bëmë një me shpirtin dhe qënien tonë të gjithë Çamërinë, gjatë “fluturimit” që bëmë në këtë ditë të gjatë të Qershorit të vitit 2021. Kishim në plan të rrinim më shumë në Çamëri, pasi na mbetën pa përshëndetur Filati, Parga, Arta, Filipiadha dhe Janina, por…Gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Çamëri, forcat shtetërore greke nuk na u ndanë asnjë moment, duke na ndjekur në vazhdimësi dhe pandërprerje gjatë gjithë lëvizjeve tona, që nga Qafë – Bota – Gumenicë – Pllatare – Paramithi- Prevezë – Margëlliç dhe deri sa u kthyem përsëri në kufirin Shqipëri – Greqi.
Duke qenë qytetar të lirë amerikan, me të drejta të plota që na jep Kushtetuta dhe të gjitha ligjet amerikane, ato të OKB-së dhe ato universale, akuzoj shtetin grek për dhunën dhe pasojat psikologjiko – moralo – shëndetësore, që pësuam ne gjatë vizitës në Çamëri, nga veprimet e dënueshme të shtetit grek.
Cili do të ishte apeli juaj drejtuar shtetit dhe qeverive shqiptare?
Drejtuesit e shtetit shqiptar dhe përfaqësuesit qeveritarë, duhen të jenë mbrojtësit kryesorë të kombit shqiptar, jo vetëm brenda Shqipërisë “londineze”, që ka mbetur pas copëtimit, por i të gjithë kombit shqiptar, i cili shtrihet në pesë shtete. Ky është një detyrim kushtetues, ndaj qeveritarët tanë duhet t’i thërrasin mendjes mirë, se ndryshe do marrin damkën e tradhtisë kombëtare! Fateqësisht, drejtuesit dhe politikanët e shtetit shqiptar kanë 80 vite që kanë futur kokën në rërë si struci për problemet kombëtare.
Shteti shqiptar pa kurrfarë dinjiteti, një shtet vasal dhe inferior, shkel Kushtetutën e Shqipërisë me të dy këmbët?! Përse duhet të hiqet fjala “Çamëri”?! Shtetarët shqiptarë, jo vetëm që varrosën çështjen çame, duke mos e ngritur zërin kurrë atje ku duhet, duke mos e vizituar ndonjëherë zyrtarisht Çamërinë, por nuk u interesuan asnjëherë as për emigrantët, as për çamët shqiptarë ortodoksë të Çamërisë, për të ruajtur indentitetin e tyre shqiptar. Ndërsa presidentët dhe kryeministrat grekë, jo vetëm që kanë ardhur vazhdimisht për të vizituar të ashtuquajturin “minoritet grek” në Shqipëri, por pa njoftuar fare shtetin shqiptar, kanë bërë edhe fushatë në kohë zgjedhjesh, duke futur hundët në punët politike në Shqipëri, duke u përpjekur të sajojnë minoritet grek edhe atje ku s’ka dhe duke i nxitur që të shpallin “autonominë” e tyre!
Ndërsa zonën e Jugut te Shqipërisë shteti grek po e mbush me varrezat imagjinare të ushtarëve pushtues grekë të viteve 1913-1914 dhe 1941! Të gjitha këto na revoltojnë pa masë, na vrasin shpirtërisht. Kaq i përulur dhe pa dinjitet është shteti ynë shqiptar, duke lejuar grekët të ngulin “Gozhdën e Nastradinit” në shtëpinë tonë, që sa herë t’u teket grekëve të vijnë dhe të varin “hejbet” e tyre këtu?
Shteti grek nuk ka bërë as më minimumin e mundshëm për të lejuar riatdhesimin tonë, kompensimin e dëmeve të shkaktuara, rikthimin e të gjitha të drejtave, sipas ligjeve dhe Konventave Ndërkombëtare, të miratura dhe të nënshkruara edhe nga vetë Greqia. Madje nuk ka kërkuar as falje për krimet dhe spastrimin e plotë etnik që bëri, por mohon çështjen çame si inekzistente dhe, nga ana tjetër, mbajnë akoma në fuqi “Ligjin e Luftës” me Shqipërinë! Po ashtu stimulon dhe subvencionon me të gjitha format dhe dredhitë politikën armiqësore ndaj nesh shqiptarëve të Çamërisë. Përse nuk ka zbatim të parimit të reciprocitetit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë? Përse duhet të mbahet pushteti me pazare antikombëtare?! Duhet theksuar fortë se edhe Europa ka fajin e saj, duke lejuar që shteti grek të përdorë çdo gjë kundër emigrantëve shqiptarë, për të cilët ka marrë dhe fonde të posaçme nga BE, duke lejuar diskriminim, ndërrim të fesë, të identitetit, të emrave, të vendlindjeve, si dhe duke mbyllur sytë e heshtur si gur varri para vrasjeve të qindra shqiptarëve të pafajshëm çamë, pa u ndëshkuar nga askush.
Dhe, së fundi, një mesazh për bashkëpatriotët çamë?
Plagët tona rrjedhin gjak akoma, ndaj ne nuk mund të heshtim! Askush nuk e vë ujin në zjarr për ne. Plagët tona nuk i shqetësojnë ata, por zëri jonë dhe ndonjë rrëfim me shkrim për krimet që kanë bërë duket se i vret! Lufta jonë duhet të vazhdojë me përkushtim nga vetë ne çamët dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë, derisa Çështja Çame të gjejë zgjidhje. Shteti dhe reaksioni grek në Greqi dhe në Shqipëri po luftojnë dhe investojnë miliona euro për të na përçarë dhe shuar zjarrin e luftës sonë për drejtësi dhe kthimin në vatrat tona. Këtë gjë nuk duhet ta harrojmë asnjëherë, pa nënvlerësuar forcat tona, pasi ne kemi të drejtën e pakundërshtueshme me vete, që e di gjithë bota.
Shteti shqiptar, partitë politike shqiptare, me sa duket do të vazhdojnë të luajnë politikën e Strucit, si gjithmonë, duke injoruar problemin çam dhe të Çamërisë. Prandaj, si themelues i Shoqatës “Çamëria” dhe Kryetar i saj në vitet 1997-2000, mendoj se del detyrë kryesore e SHA ”Çamëria” që të aktivizojë të gjitha degët, në Tiranë dhe në rrethe. Analizën e punës të SHA “Çamëria” duhet ta bëjnë kryesitë përkatëse dhe të merren vendime të rëndësishme për forcimin e luftës sonë të drejtë për zgjidhjen e problemit çam. Çamëria është shpirti i gjithë çamëve. Ajo ka qenë dhe do të mbetet përjetë, derisa pasardhësit tanë ta gëzojnë atë. Me siguri dita e zgjidhjes së problemit tonë do të vijë, siç i erdhi Kosovës. Ndaj, e ritheksoj, t’i dalim zot Çështjes Çame dhe Çamërisë. T’i rikthehemi veprimtarive dhe protestave masive, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Të mos harrojmë se me vete kemi gjithë shqiptarët e vërtetë, kudo që ata janë sot, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal te Zi, Turqi, Amerikë dhe në Diasporë, madje dhe në Buenos Aires të Argjentinës.
Nuk ka forcë në botë të zhdukë emrin ÇAMËRI dhe ÇAM!
Të shuajë zërin dhe forcën tonë, që buron nga E DREJTA!
Bisedoi: Arben ILIAZI