Nga Nikolla Lena/Si një nga perlat e turizmit shqiptar veçohet Himara.Një ditë më parë, u organizua një event i veçantë për këtë qytet.Në një ceremoni festive në qëndër të qytetit të Himarës, u çel sezoni i ri turistik i vitit.Nën tingujt muzikorë dhe pjesmarjes së drejtuesve lokal,qytetarë të shumtë si dhe disa artistë të ardhur nga Tirana,u bë inagurimi i sezonit të ri turistik.
Por Himara ka një origjinë, një histori dhe një legjendë.Emri Himarë e ka origjinën nga fjala e vjetër Shqipe e përdorur në këto anë “Hi(j) Marë”- “Eja Marë”, qe ka të bëje me ftesën që i bëhet një vajze apo fqinje të marrë pjesë në një gëzim familjar apo ti bashkohet një grupi që këndon një kënge shumë-zërëshe.”Marë” është emër i njohur Shqip vajze në Himarë, në jug të Shqipërisë dhe në veri të saj.
E ndërtuar në pjesën jugore të bregdetit shqiptar, qyteza e Himarës ka qenë gjithmonë qendër e një zone që ka përfshirë jo vetëm fshatrat e jugut, por edhe Labërinë e Kurveleshin. Ajo përmendet që në kohët e lashta ku paraardhësit ishin fisi Ilir i Kaonëve, por historia moderne duket se fillon në 1199, kur në qytet u vendos sundimi i Venedikasve. Fqinjet tanë veriorë nuk mundën ta mbanin për shumë kohë dhe në shekullin e XIII zona e Himarës u përfshi nga Karli i Anzhuinëve në atë që ai e quajti Mbretëria e Arbërisë. Zona ka qenë gjithmonë me një popullsi autoktone shqiptare, kryesisht me origjinë nga ajo që sot njihet si zona e Labërisë dhe duke filluar që nga shekulli i XV edhe me të ardhur nga zonat e Mirditës dhe e Krujës pas vdekjes së Skënderbeut.
Më 1431 Himara u përfshi nga Perandoria Turke si një krahinë e Sanxhakut të Shqipërisë. Në 1482 disa familje u larguan nga qyteti për në Sicili, dhe atje u është dhënë tokë në afërsi të qytetit të Palermos.Këtij vendbanimi apo fshati më pas ju dha emri Hora e Arbëreshëve (Qyteti i Shqiptarëve), banorët e të cilit flasin edhe sot gjuhën shqipe (arbërishtjën) dhe mirëmbajn zakonat, veshjet popullore dhe besimin orthodhoks.
Duke filluar që nga shekulli i XVI, si pasojë e disa kryengritjeve, Himara, ashtu si edhe Mirdita, siguroi një sërë privilegjesh dhe një lloj autonomie, që e lejoi të ruante fenë dhe flamurin Shqiptar. Fatkeqësisht, mungesa e rrugëve dhe zona malore krijoi vështirësi në komunikimin e saj me zonat e brendshme të vendit. Perveç gjuhës amtare Shqipe, duke shfrytëzuar detin banorët e këtyre anëve vendosën lidhje tregtare me Greqinë dhe Venedikun e kryesisht me Korfuzin dhe si pasojë e këtyre lidhjeve, filloi të përdorej edhe gjuha Greke e Italiane për qëllime tregtare. Më 1912 Himara ngriti flamurin e pavarësisë dhe dërgoi përfaqësinë e saj në Vlorë.
Qyteti i vjetër i Himarës, ka disa vepra historike dhe kulturore.Kalaja e Himarës është një monument i rëndësishëm historie dhe kulture. Në kështjellë ekzistojnë shenja të pranisë së pandërprerë të banorëve vendorë Iliro-Shqiptarë për më shumë se 3500 vjet. Në këtë kështjellë ka disa objekte kulti si kisha e “Shën Marisë” me ikonën e Shën Marisë që konsiderohet çudibërëse. Në kohë thatësirash ikonën Himarjotët e nxirrnin për litani (lutje) popullore. Populli dikur lutej para saj për të rënë shi. Gojëdhëna thotë se shpeshherë çudia ndodhte.
Kisha Episkopale,një kishë e stilit Bizantin. Para ndërtesës së sotme të kësaj kishe, në portën e saj, ekziston basoreliefi prej mermeri me shqiponjën dykrenare Iliro-Shqiptare. Ndërtesa e Kishës Episkopale i ka themelet mbi një ndërtesë të vjetër që ishte faltorja e Apolonit të Ilirisë.
Kisha e Gjithë Shenjtorëve,ndërtuar më 1775 në hyrje të kalasë. Sot kjo kishë e rindërtuar funksionon si Mitropolia e Himarës.
Manastiri i Shën Marisë,gjendet atje ku fillon rrugën e tij rrëzë malit përroi i Gjipesë, në lindje te fshatit Ilias.Në lashtësi, ne epokën prekristiane, ka qenë një faltore e perëndeshes Artemisi. Atje shkohet vetëm me këmbë nga Iliasi, përgjatë bregut të thatë të përroit të Gjipesë.Manastiri i Shën Theodhorit dhe disa objekte të tjera kulti që vizitori mund ti gjej me lehtësi në Himarë.
Në Jug të Himarës, në një gadishull të vogël, brenda gjirit të sigurtë me të njëjtin emër, ndodhet kështjella e Bukur, e ndërtuar në fillim të shekullit 19të nga Ali Pashai i Janinës dhe që sot ruhet në gjëndje shumë të mirë. Kështjella është ndërtuar në vendin e gërmadhave të një kalaje të vjetër dhe të një manastiri që ekzistonte atje.Në vendin ku gadishulli lidhet me tokën ndodhet kisha e Shën Nikollës, për të cilën ekzistojnë shumë legjenda dhe histori për ndërtimin e kështjellës.
Afër fshatit Borsh, në majën e kodrës, gjënden gërmadhat e kështjellës Shqiptare te Sopotit. Rruga për të vajtur atje është e vështirë dhe shkohet vetëm në këmbë.
Një tjetër histori misterioze gjëndet në veri të Himarës.Anës detit ndodhet një shpellë e madhe, në të cilën mund të hysh vetëm nga deti. Mjedisi është interesant dhe bregu ideal për të bërë banjënë grupe të vogla familjare ose shoqërore.Legjenda flet se kjo shpellë dikur ishte strëhe e piratëve.
Himara mbi të gjitha shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle por edhe me rërë te bardhë e të imët. Spilea, është plazhi qëndror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në Jug Llamana, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea.Poshtë kalasë së Himarës ndodhet Livadhi dhe në veri Jali, Fusha, Ziso, Gjipea, Karkaniqi, Dhërmiu, Palasa dhe Dhralea. Në shumë vende në brigjet e Himarës, uji është shumë i ftohtë, për shkak të ujërave nëntokësorë. Po të largohesh disa dhjetra metra nga këto pika temperatura e detit merr vlerat natyrale.Në muajt e verës, Plazhet e Himarës mbipopullohen nga pushuesit.
Himara ka një kulturë të lashtë shqiptare dhe një popullsi autoktone Shqiptare që ruan traditat dhe doket e kësaj ane që nga kohët e hershme. Dallohet sidomos për këngët me shumë zëra (polifonike), për vallet e shtruara dhe veshjet tradicionale në raste gëzimesh.
Himara ka hapur një nga shkollat e para shqipe rreth vitit 1160-1161 dhe më pas duke vijuar më 1660-1661 nga Onufër Kostandini, i shquar në atë kohë, megjithë kushtet e rënda të pushtimit Osman. Përpjekjet për vazhdimësinë e shkollës Shqipe u bartën edhe më tutje nga të tjerë, si Zef Skiro.Dhe përpjekjet për një kulturë kombëtare nuk kanë reshtur asnjëherë në krahinën e Himarës