
Nga PAOLO MIELI/“Corriere della Sera”/
Perktheu:Eugjen Merlika/
Nuk do të protestojmë kurrë sa duhet për paudhësitë që edhe njëherë populli kurd është i detyruar të pësojë. Është një e mirë që Evropa të shkojë përpara me manifestimet, thirrjet e ambasadorëve, me ndonjë formë të ndrojtur shpagimi kundrejt mujshisë turke. Është një gjë e mirë që të paditet me zë të lartë përgjegjësia e presidentit të Shteteve të Bashkuara sa i përket asaj që po ndodh nga ana e Rojavës: nëse Donald Trump-i nuk do të kishte tërhequr ushtarakët e tij ajo gjë e tmerrshme që mund të ndodhë nuk do të kishte qënë e mundur.
Por bën përshtypje që kjo pjesëmarrje bujare, pothuajse e njëzëshme shqetësimi për fatin e kurdëve, ndalon pa pritmas kundrejt kujdeseve më të rëndomta rreth leverdisë për t’i dhënë ende para regjimit të Ankarasë që të vazhdojë të “strehojë” të ikurit sirianë (për çastin më shumë se tre milion e gjysmë qëniesh njerëzore). Ndoshta është e tepruar të quhet “përfrikësim” lajmërimi i Rexhep Taip Erdoganit se, në rast të prishjes me Evropën, e ndjen veten të lirë të lejojë të ikin apo t’i përzërë ata refugjatë e të tjerë që do të arrijnë.
Çfarë “përfrikësimi”? E vërteta është një tjetër: ajo kontratë e 2016 që i ka lejuar autokratit turk të arkëtojë tre miliardë euro, qe e diskutueshme nën profilin moral. E diskutueshme sepse që atëherë dihej se po e paguanim Erdoganin me qëllim që t’i mbyllte ata refugjatë në rrethime të ngjajshme me kampet e përqëndrimit. I kërkuam si shpërblim zotime të rëndësishme në shpëtimin e profilit etik të atij veprimi. U kufizuam në porositjen, siç bën pabesueshmërisht ende sot sekretari i NATO-s, Jens Stoltemberg, për “maturi”. Atë “maturi” që tani Aleanca atlantike i kërkon tankseve të Erdoganit, të hyrë në Sirinë veriore e që kanë shkaktuar mjaft të vdekur. Ishim së fundmi të vetëdijshëm, ne evropianët, për faktin që regjimi turk do t’i kishte mbajtur për vete një pjesë të mirë të miliardëve të eurove, teorikisht të paracaktuar për emigrantët. Por për çfarë emigrantësh: ata miliardë ishin çmimi i paguar për një operacion të ndyrë.
Arsye për të cilën se, nëse Evropa do të arrinte në një prishje (të lëvdueshme) me despotin e Ankarasë, do të duhet t’a quajmë daljen e refugjatëve nga Turqia në drejtim të Evropës si përfundimin e një veprimi të kryer nga ne me vetëdijen e pasojave që mund të kishte lindur. Po atëherë përse dikush do të duhej të kërkonte prishjen (ose dhe vetëm kërcënimin e një prishjeje) ndërmjet BE dhe Turqisë në rastin kur nuk do të tërhiqeshin ushtarakët e gjysmëhënës nga veriu i Sirisë? Për faktin që u a kemi borxh kurdëve, të cilët meritojnë të kenë një tokë ku të mund të jetojnë në paqe. Veçanërisht tani, që me guxim për vite kanë përballuar Isis-in, i cili kish filluar të gjakoste Evropën, e kanë luftuar në vëndin tonë. Çështja kurde duhet mbështetur me të njëjtën vendosmëri me të cilën Mario Draghi ka mbajtur ekonomitë evropiane: “Whaever it takes”.
E këtu vijmë tek biseda mbi Trump-in. Është qesharake t’a qortojmë se ka braktisur Veriun e Sirisë, kur dijmë se ne evropianët nuk kemi asnjë synim për të shkuar e zëvendësuar ushtarët amerikanë, as të gjithë së bashku as veç e veç. Evropianëve u rrëshqet nga vëmëndja se fjalët e mëdha të zëmërimit e të mbështetjes morale kundër mujshive duhet të përcillen nga përdorimi i forcës. Ndërsa ne jemi gjithmonë kampionë të njohur të një ndërhyrjeje luftarake me llafe, të cilat i pason një shqyrtim i imët i virtutit të ndërmjetësimit politik, e në profilin ushtarak dobitë e “mos ndërhyrjes”. Qe kështu më 1936, në fillim të luftës civile spanjole, atëherë kur Franca e Britania e Madhe nuk gjetën vendosmërinë për të lëvizur në ndihmë të Republikës së sulmuar (ndërsa Italia fashiste dhe Gjermania naziste jepnin ndihmën, me gjasë përcaktuese, çështjes së Francisco Francos). Me atë mungesë Evropa demokratike i dha një ndihmesë të pavetëdijshme shpërthimit të luftës së Dytë botërore.
Qe më vonë, në pjesën e dytë të mbasluftës, një rast i vetëm, në të cilin një pjesë e kontinentit tonë u zotua – nën simbolet e NATO-s – në një “luftë humanitare” (kështu po e quajmë për të lehtësuar peshën); lufta që kishte qëllimin e deklaruar të kundërshtonte mujshinë e sërbëve në dëm të myslimanëve të Kosovës. Vendosëm atëherë të mbronim një popull më të dobët nga dhuna e një tjetri më të fortë. Diçka sikur tani të gjenim guximin për të bërë ndonjë gjë po aq konkrete në dobi të kurdëve, duke i vënë një ledh mujshive turke. Në kohët e Kosovës sendërtuam atë që kishim propozuar, përfshirë edhe rrëzimin e diktatorit Millosheviç, pastaj të paditur nga Gjykata e Hagës. Pati n’atë kohë – siç është normale të jetë – intelektualë që u rrjeshtuan me ashpërsi kundër ndërhyrjes “humanitare”, në dobi të despotit sërb. Tani, pikërisht në orët kur tankset e Erdoganit hyjnë në Sirinë veriore dhe i jepen trilleve të para, i jepet çmimi Nobel Peter Handke-s. Atij Handke që n’ato kohë mohoi spastrimin etnik të sërbëve, nuk njohu ligjëshmëriinë e Gjykatës ndërkombëtare për të gjykuar ata krime, për të mbajtur pastaj një fjalim prekës mbi varrin e Millosheviçit. Sigurisht vlerësimi i jepet prodhimit letrar e jo qëndrimeve politike të atëherëshme. Por njëkohësia mbulon ndonjë kuptim të fshehtë mbi të cilin do t’ishte e dobishme të ndaleshim për të përsiatur. Do të kuptonim, në fundin e kësaj përsiatjeje, se përse – mbasi ka kaluar çasti i lotëve të derdhura publikisht – është mjaft e pamundur që nga Evropa të niset ndonjë nismë konkrete, e vërtetë në dobi të kurdëve.
“Corriere della Sera”, 11 tetor 2019 E përktheu Eugjen Merlika