Nga Astrit LULUSHI*/
1448 – Fillon Beteja e dytë e Fushë Kosovës midis forcave të Perandorisë Osmane nën udhëheqjen e sulltan Muratit, dhe koalicionit hungarez, shqiptar, rumun (Vllahia) dhe kryqtarë, të udhëhequr nga Janosh Huniadi. Ashtu si në Betejën e parë të Fushë Kosovës më 1389, ballkanasit do të humbisnin. Beteja zgjati 3 ditë, dhe osmanët, korrën fitore vendimtare duke shuar përgjithmonë shpresat e të krishterëve se ky rajon do të dilte ndonjëherë nga sundimi osman. Beteja e dytë e Fushë Kosovës ishte në vazhdën e fitoreve të sulltan Muratit, fillimisht ndaj kryqtarëve në Varna me 1444; pushtimit të Moresë (Peloponez) me 1446; dhe sulmi ndaj princit shqiptar Gjergj Kastriotit -Skenderbe, i cili arriti t’i rezistojë. Beteja e dyte e Fushe Kosoves ishte rezultat i perpjekjeve te Huniadit për të bashkuar forcat me Skënderbeun, por pa sukses. Por nga kjo humbje, Skenderbeu doli i paprekur, pasi nuk arriti dot në kohë në Fushë Kosovë. Historianët thonë se Skenderbeu u vonua nga princi serb Brankovic, i cili nuk e lejoi të kalonte nëpër despotatin e tij. Kur Skenderbeu mësoi se beteja morri fund dhe forcat e koalicionit ishin thyer keqaz, ai i zemeruar u lëshua me trupat e tij nëpër territoret e Brankovicit duke djegur e shkaterruar çdo gjë. Në fakt, Skenderbeu nuk dinte një gjë tjetër; se në Betejën e Fushë Kosovës, Brankovici kishte kaluar në anën e sulltanit, pas grindjejes me Huniadin se kush prej tyre duhej të udhëhiqte koalicionin – Huniadi i kishte ofruar Brankoviçit postin e nënkomandantit por ky e hodhi poshtë me përbuzje dhe nga inati u bashkua me trupat e Sulltan Muratit. Pas fitores në Betejën e dytë të Fushe Kosovës, 1448, Sulltani shkoi në Adrinopojë, për t’u kthyer vetëm pas disa muajsh, në pranverë, me një ushtri prej 80-mijë trupash – dhe me armën e tij të re (topat me gjyle) – për të larë hesapet me Skënderbeun, i cili tashmë dukej i vetëm.
1845 – Sipas një gazete të Bostonit, audienca u larguan nga salla kur autori filloi të lexojë një poemë të frikshme. Njerëzit ikën në shenjë kundërshtimi ndaj Edgar Allan Poes, i cili ishte lexuesi dhe autori i poemës i Korbi. Në vitin 1918, në kuadër të një nisme për përkthimin e kryeveprave të letërsisë botërore, Fan Noli u solli shqiptarëve edhe këtë poemë të Poes. Ja disa vargje nga:
Korbi – Edgar Allan Poe
(shqipëroi Fan Noli)
“Një mes-natë të bezdisur
Tek këndonja i zalisur
Disa pralla dhe magjira
Të një shkence të harruar,
Tek dermitnja i kapitur
Befas vjen nje e trokitur,
Me ngadalë e goditur
Përmi dere t’ odes sime.
“Dikush është, thashë, jashte
Që troket mi deren time –
Vetem kjo, dhe asgjë më.
….
Më zu gazi, më shkoi tmerri
M’ atë Korb të zi si Ferri,
Që po mbahej aq’ i rëndë
Aq’ i larte dhe i thom:
“Ndonese je perçe-prere,
S’ka dyshim, je trim i ndjerë,
Korb i mvrojtur, i vrerosur,
Arratisur zall me zall;
Thua-m’ emrin tente me nam
Ans detit Plutonian!”
Thotë Korbi: “Kurrë më,”
U-çudita fort, pa masë
Kur dëgjova Korb të flasë..”
1888 – Botohet numri i parë i revistës National Geographic. Në fillim, Revista doli jo rregullisht – materialet ishin vështirë për t’u mbledhur. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë; Revisa filloi të bëhej e famshme për hartat dhe persiatjet fotografike të njerëzve dhe vendeve ekzotike. Sot, revista National Geographic ka rreth 8.5 milion parapagues në mbarë botën.
1931 – Gangsteri Al Capone dënohet për shmangje pagimi të taksave mbi të ardhurat me 11 vjet burgim. Atij gjithashtu i kërkohet për të paguar të gjitha taksat e prapambetura, me interes, plus një gjobë. Në kulmin e karrierës së tij, Kapone thoshte se nuk mund të dënohej për mospagim taksash pasi fitimet e tij nga tregtia e pijeve ishin të paligjshme. Duket se Al Kapone nuk lexonte gazeta, sepse do të ishte njohur me lajmin mbi një vendim të gjykatës së lartë ku thuhej se vetëm për shkak se fitimet janë të paligjshme nuk do të thotë se ato nuk janë subjekt i taksave – Ishte ende periudha e prohibicionit, kur në SHBA ndalohej prodhimi, shpërndarja dhe shitja e pijeve alkoholike, Kjo masë kishte hyrë në fuqi në vitin 1920 dhe u shfuqizua më 5 dhjetor 1933.
1933 – Albert Einstein (Ajnshtajn) mbërriti në Shtetet e Bashkuara si refugjat politik i ikur nga Gjermania naziste. Kjo çështje sikur ishte harruar, kur në vitin 2011, zyrtarë britanikë të emigracionit njoftuan se krejt rastësisht kishin zbuluar dokumentin e emigrimit të Ajnshtajnit në Angli, pas ikjes së tij nga Gjermania naziste. Zyrtarët në Aeroportin Heathrow mbetën të habitur nga zbulimi i kartës së hyrjes (për 80 vjet e mbuluar nga pluhuri), e cila shënon ardhjen e shkencëtarit legjendar në Britaninë Madhe. Sipas dokumentit ,” ati i fizikës moderne” kishte mbërritur në Dover më 26 maj 1933 nga qyteti Ostende i Belgjikë. Në formularin e emigracionit, Ajnshtajni e përshkruan profesionin si “professor”; shtetësinë “zvicerane”; dhe se po shkonte në universitetin Oksford. E veçanta rreth këtij dokumenti për historianët është se Ajnshtajni kishte hequr dorë nga shtetësia e tij gjermane vetëm disa javë më parë, në reagim të zemëruar ndaj politikave naziste. Anglia u bë strehë për shkencëtarin e madh për disa muaj, derisa ai u nis për t’u vendosur përfundimisht në SHBA. Policia britanike e mbajti Ajnshtajnin nën masa të rrepta mbrojtëse nga frika e ndonjë vrasje të mundëshme nga agjentët e zbulimit nazist. Fituesi i Çmimit Nobel, që nga viti 1914, kishte qenë profesor nderi në Akademinë Prusiane të Shkencave në Berlin. Por, kur Adolf Hitleri u bë Kancelar i Gjermanisë në vitin 1933, ai shpalli përndjekjen dhe urdhëroi djegien e librave të autorëve hebrenj, përfshi ato të Ajnshtajnit, Duke mos duruar dot këtë lloj klime, shkencëtari i madh u detyrua të ikte.
1979 – Nënë Tereza nderohet me Çmimin Nobel për Paqe për punën e saj me të varfërit në Kalkuta të Indisë. Në moshën 12 vjeçare , kjo vajzë shqiptare katolike, Agnes Gonxhe Bojaxhiu, dëgjoi një thirrje. Perëndia kërkoi që ajo t’ia kushtonte jetën e Atij – dhe kështu hyri në një manastir vajzash, mori arsimim, dhe u dërgua në Kalkuta të Indisë, si mësuese. Emri i saj i ri ishte Tereza. Në Indi, murgesha ose Motër Tereza mori një thirrje të dytë prej Perëndisë: “për të ndihmuar të varfërit, njëkohësisht duke jetuar mes tyre” – kështu ajo themeloi një motërzim të ri që e quajti Misionaret e Bamirësisë. Nënë Tereza dhe përkrahësit e saj ndërtuan në Kalkuta shtëpi për jetimët , azile për lebrozët dhe qëndra për të sëmurët pa shpresë shërimi. Organizata Misionaret e Bamirësisë gjithashtu u angazhua në punë e ndihma në pjesët e tjera të botës. Murgesha modeste u bë i njohur në të gjithë botën. Në vitin 2003, Papa Gjon Pali i dytë mori hapin e parë drejt shenjtërimit të saj, duke e lumturuar.
Mendim i ditës
“Kushdo që rrit qoftë edhe dy kallinj misër ose dy fijet bari, i shërben vendit më shumë se të gjithë politikanët së bashku”.
Jonathan Swift
* Kortezi VOA