Nga Astrit LULUSHI*/
1795 – Napoleon Bonaparti del në skenën franceze si ushtarak, duke përdorur artilerinë për të shpërndarë turmat e armatosura që përpiqeshin të pengonin punimet e Konventës (legjislatura franceze) në Paris – ishte fillimi i fundit të epokës së Revolucionit. Pas 9 vjetësh, ai do të shpallej Napoleoni I, Perandor i Francës deri më 1814 kur u hoq nga froni, u burgos në Elba, u arratis, u përpoq për t’u kthyer, por humbi në betejën e Vaterlosë më 1815, vdiq në ishullin Shën Helena, i izoluar, i sëmurë ose i helmuar. Napoleoni ishte perandori i parë francez që nga koha e Karlit të madh (881-887). Dihet se familja Bonaparti e ka prejardhjen nga Korsika – të parët e tij ishin shpërngulur aty nga Toskana e Italisë – si të ardhur nga Morea (Peloponez), vendbanim arbëresh pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu. Historiani i njohur francez i shek XIX, Adolf Thieres citohet se kur Josef Bonaparti, vëllai i madh i Napoleon Bonapartit, u bë mbret i Napolit në vitin 1806, dhe një grup arbëreshësh shkuan për t’i uruar mirëserdhjen – Bonaparti u tha: Edhe familja ime është me prejardhje arbëreshe. Marie Josef Louis Adolphe Thiers (1797-1877) – autor i një historie shumë-vëllimëshe franceze, shërbeu për disa mandate si kryeministër i Francës mes viteve 1830 – 1845. Në historinë e tij, Thiers thotë se kur Napoleon Bonaparti zemërohej, ai shante në një gjuhë të pakuptueshme për ata që e rrethonin. Bonaparti njihet edhe për atë që quhet Kodi i Napoleonit, Kodi civil francez, baza e kodit civil mbarë-evropian – bazuar në Kodin e Justinianit – që lejon lirinë e fesë dhe i pret udhën korrupsionit në sfera të larta.
1887 – Gazeta International Herald Tribune (IHT) del për herë të parë në Paris. Kjo gazetë në anglisht sot kombinon burimet e korrespondentëve të saj me ato të gazetës Nju Jork Tajms dhe shtypet në 38 vende të botës, për shitje në më shumë se 160 vende e rajone. Me qendër në Paris, IHT – pjesë e kompanisë New York Times – ka njoftuar se brenda këtij viti do të fillojë të quhet “The New York Times International”.
1913 – Në Shqipëri, Qeveria e Ismail Qemalit jep koncesione për dy grupe bankerësh austriakë dhe italianë për themelimin e Bankës Kombëtare Shqiptare. Marreveshja e nënshkruar, e cila dha kësaj Banke privilegjin e vetëm për t’u marrë me pasuritë e patundshme, shkaktoi mes shumë shqiptarëve humbjen e besimit për qeverinë e tyre. Frika ishte se duke shfrytëzuar varfërinë në vend, Banka Kombëtare do te ishte në gjendje të blente me çmim tepër të lirë gjithe tokën e mundshme, e cila do të kalonte në pronësi të investitorëve austriakë dhe italianë, dhe Shqipëria do të bëhej e hapur për kolonizim të huaj.
1939 – Një berber 25 vjeçar nga Kanonsburg i Pensilvanisë, hoqi dorë nga profesioni i tij; Pierino Ronald “Perry” Como, i shtati mes 13 fëmijëve të një familje emigrantësh italianë, kishte zë të mirë – dhe klientët që u qethte flokët, e nxitën të bëhej këngëtar. Komo regjistroi këngën e tij të parë me një grup muzikantësh që kaloi rastësisht në qytetin e tij – kënga “That Old Gang of Mine” u transmetua në radio dhe brenda pak ditësh u përhap dhe shpejt u bë e famshme. Që nga ajo kohë, për vite me radhë Perry Komo do të shihej vetëm duke kënduar në klube, koncerte, opera, filma e televizion dhe këngët e tij do të zinin vend të veçantë në repertorin e radiove. Perry Komo vdiq në gjumë më 12 maj 2001, në shtëpinë e tij në Florida, një javë përpara se të mbushte 89 vjeç – u tha se vuante nga simptomat e sëmundjes Alzheimer.
1957 – Bashkimi Sovjetik hedh satelitin e parë artificial, Sputnik, në orbitë rreth tokës – me këtë ngjarje fillon edhe epoka e garës hapsinore Lindje – Perëndim. Amerika do të përgjigjej pas pak muajsh me hedhjen në orbitë të raketës Explorer 1, më 31 janar, 1958.
1993 – Në Moskë, tanket bombardojnë ndërtesën e parlamentit, ndërkohë që demonstruesit kundër presidentit Boris Jelcin mblidhen jashtë saj. Rusia kishte hyrë në një krizës kushtetuese.
Mendim i ditës
“Mënyra më e mirë për të mbajtur fjalën është të mos e japësh”.
Napoleon Bonaparti
(Kortezi:VOA)