Nora Cashku – Prof. ne Piano ne Universitetin e Arteve spikat individualitet të lartë artistik, temperament dhe mjeshtri të lartë/
Histori Suksesi nga Liliana Pere/
Profili i Pianistes Prof. Nora Çashkut/
Prof.Piano Nora Çashku pas përfundimit me rezultate të shkëlqyera të liceut artistik “Jordan Misja” në degën e pianos, fillon studimet e larta në vitin 1970 në Akademinë e Arteve nën udhëheqjen e Prof. Margarita Kristidhi.
Në vitin 1973 vazhdon studimet në Bukuresht nën drejtimin e Prof. George Halmoş.
Nora Çashku është pianiste me një aktivitet mjaft të gjërë koncertal si brënda ashtu dhe jashte vëndit.
Fituese e disa çmimeve kombëtare.
Ka koncertuar me shumë sukses në Francë, Gjermani, Itali, Rumani, Svicër, Kosovë, Maqedoni, Izrael etj.
Në repertorin e saj bëjnë pjesë vepra të kompozitorve botërorë si:
Chopin. Bach, Mozart, Beethoven, Rahmaninov, Salieri etj, si dhe Koncertet për piano dhe orkestër të kompozitorëve Çesk Zadeja, Tish Daija, Feim Ibrahimi, Aleksandër Peçi, Lejla Agolli, Kujtim Prodani, Liman Maloku.
Ka interpretuar Albume pianistike dhe sonata të Tonin Arapit dhe të Kozma Larës, Albert Paparisto, Aleksander Gashi e Feim Ibrahimi etj
Në veprimtarinë e saj artistike ka bashkëpunuar me artistë të shquar shqiptar si : Inva Mula, Gjergj Antoniu, Ibrahim Madhi, Rajmonda Koço, Astrit Selita, Renato Ripo, Piro dhe Pandosh Gjezi, Klodiana Skënderi, Shqipe Zani, Vangjush Papadhimitri si dhe me një sërë instrumentistësh të huaj si: Marius Lācraru(Ruamani) dhe Adalbert Scočič( Austri)e Ismail Aşan ( Turqi).
Në koncertet e saj kanë dirigjuar dirigjent shqiptarë si:
Rifat Teqja, Ferdinand Dedja, Eno Koço, Ermir Krantja, Petrika Afezolli, Jetmir Barbullushi ,Alqi Lepuri, Bujar Llapaj, si dhe dirigjenti Jusuf El Sisi (Egjypt).
Në fondin e Radio Tiranës, pianistja Nora Çashku ka mbi 20 orë muzikë të inçizuara pianistike, duke kontribuar me interpretimin e saj në pasurimin e fondit tonë muzikor jo vetëm me muzikë të huaj por dhe me atë kombëtare.
“Interpretimi i pianistes Nora Çashku dallohet për një individualitet të spikatur artistik, temperament dhe mjeshtri të lartë teknike, trajtim bashkohorë të materialit muzikor dhe aftësi komunikuese me spektatorin” karaktersitika të shprehura nga kritika vëndase dhe e huaj.
Nora Çashku ka dhënë koncerte thuajse në të gjitha qytetet e e Shqiperise si dhe ne Kosove dhe Maqedoni. Ajo është e para pianiste që futi në Shqipëri interpretimin pianistik të teknikën së muzikës moderne pianistike. Ajo është e para pianiste e ansmblit “ASMUS”.
Ka një aktivitet jo vetem koncertal por dhe pedagogjik prej 39 vjetësh. Gjatë karierës pedagogjike ka udhëhequr mbi 90 studentë pianistë, një pjesë e të cilëve kanë krijuar emrat e tyre në botën e muzikës si brënda ashtu dhe jasht vëndit, si Jusuf Beshiri, Ida Tili Trebicka, Rudina Ciko, Klejda Tare, Lea Kilica, Zana Ngjela, Erjona Nurçelli, Xheni Afezolli, Erga Halilaj, Fjorda Veizaj etj.
Në vitin 1998 Nora Çashku është specializuar në Konservatorin Superior të Parisit për muzikën e shekullit XX.
Është themeluese e Konkursit të Muzikës Franceze në Akademinë e Arteve.
Nga viti 1997-200 ka qënë dekane e Fakultetit të Muzikës në Akademinë e Arteve.
Ka qene shefe e katedres se pianos ne vitin 2008–2011
Ka titullin Profesor qe ne vitin 1999.
Është bashkëautore e një libri “Metodë për Piano” si dhe e një “ Manuali Pianistik”
Ka kryesuar disa juri muzikore kombëtare dhe nderkombetare.
Liliana per Nora Cashkun:
Nora Cashku është nje grua qytetare Prof, ne piano ne profesion me origjine Përmetare dhe lindur në Korce. Ajo trashëgon nje kulture te pashembullt nga keto qytete te origjines se vet. Sapo e takon dhe mëson qe ajo është përrmetare ne origjinë bën barasvleresimin e karakterit te saj miqësor , te ëmbël , të butë, te kulturuar, te qete , plot respekt me dashuri e personalitet të vërtetë te nje gruaje arti. Ajo rrezaton mirësi dhe kulturë ne tërë qënjen e saj. Nora rrjedh nga dy qytete ku parametrat dhe intensiteti i vlerave kulturore është i lartë. Dialekti i pastër i te folurit te Norës të kujton Përmetin, origjinen e saj qe është vendlindja e pishtarëve të Rilindjes Kombëtare vëllezërve Frashëri, e dhjetra dijetarëve, studjuesve, artistëve në fushën e pikturës, skulpturës, historisë, gjuhësisë, muzikës popullore, etj., si Dora D’Istria. Jo më kot të huajt ishin dashuruar pas këtyre qyteteve Permetit dhe Korces, aq sa rrugët e tyre ne vere nuk mbeten kurrë bosh nga vizitorët e huaj . Të dy qytetet per Noren jane aq te dashur dhe te preferuar sa ajo flet me mall dhe nostalgji te madhe. Përmeti dhe Korca jane dy qytete sinonime te qytetarisë, urtësise muzikes, traditave, mikpritjes se rrallë, qytete te luleve, te këngëve popullore, serenatave dhe timbrit te bukur te sazeve popullore, etj, Korça përbën një nga qëndrat kulturore më të rëndësishme të Shqipërisë. Vetë muzeumet e shumta në qytet përshkruajnë aktivitetin kulturor ndër shekuj. Është e mirënjohur shkolla e parë shqipe në këtë qytet që daton në vitin 1887, shkolla e parë në Shqipëri për vajza, si dhe liceu ndërtuar në vitin 1917. Biseda në zyren e Nores ishte nje bisedë dinamike, tejet miqesore midis dy grash , nenash dhe profesionistesh ne fusha te ndryshme, por me nje kulm respekti e dashurie te rralle. Zyra e Norës ku qëndruam disa herë ishte si një shtëpi magjike ne përralla, e arrenduar me shije te kuruara estetikisht , me piano, lule qe të vareshin mbi kokë, perde te bukura që krijonin një gjysëm errësirë,me fotot e muzikantëve te mëdhenj përballë pianos, nje tapet i bukur me motive korce, ambjenti i harmonizuar me tingujt e pianos qe Nora luajti per mua, me nje kulture te larte aristokrateje.
******************************************************************************
Jeni te lutur te ndiqni Intervisten:
E dashur Nora.
Prejardhja juaj familjare është e lidhur fort me dijen, artin dhe muziken. Sa e prirë keni qene ju per te trasheguar artin dhe kulturen e familjes? C’fare ruani ne kujtesën tuaj nga familja juaj? Sa determinant dhe ndikues ka qënë modeli dhe edukata e prinderve tuaj? Nje përshkrim ne detaje, desha ju lutem…
Jam lindur ne Korce ne 31 Mars ne vitin 1952. Ne moshën 9 muaj familja ime u transferua ne Tirane, per arsye se motra ime e cila ishte 14 vjet me e madhe se une dhe vellai, qe ish 12 vjet me i madh se une, studionin ne Liceun Artistik Jordan Misja ne Tirane, perkatesisht motra per kanto dhe vellai per piano. Pjesa tjeter e familjes ishte nëna ime, babaj im qe ishte aktor ne teatrin e Korcës dhe dy vëllezër me te mëdhenj. Pra jam fëmija e pestë e familjes Shkaba. Origjina e familjes time është Përmetare nga te dy prinderit. Babai im është larguar nga Përmeti qe ne moshën 3 vjecare ne Stamboll, ku i ati i tij ishte emigrant. Është shkolluar ne Robert Collegj, atje dhe pasi i kreu studimet vendosi te hapi nje shkollë shqipe ne Üsküdar ku jetonin shumë shqiptarë dhe ndër te tjerë shume kusherinj te tij. E hapi shkollen dhe i vuri emrin “Kosova” dhe ngriti nje flamur shiptar. Kjo gje u pa e papëlqyeshme nga administrata turke e kohës dhe mer urdhërin e largimit nga Turqia. I detyruar nga ky urdhër largohet me nënën dhe motrën e tij, se i ati i kish vdekur, drejt Rumanise dhe vendoset ne Kostanza, ku jeton per 9 vjet si tipograf i nje gazete shqipe. Me pas kthehet ne Shqiperi ku punon si kryetar komune ne disa qytete te Shqiperisë (ne kohen e Mbretit Zog), Nena ime ka qene nga ato grate permetare me vlera te vecanta, roli i se ciles ka qene determinant ne edukimin e femijve, si dhe ne administrimin ekonomik te familjes. Pra sic tregova familja erdhi ne Tirane ne Janar te vitit 1953 dhe shume shpejt u integrua ne jeten e Tiranes. Babaj aktor ne Teatrin Popullor, ndersa nëna guzhinjere ne nje cerdhe femijesh.Vellezrit dhe motra ime ishin neper shkolla, ndersa une duke u ritur. Kjo rrjedhe e bukur e familjes time, pësoj nje carje te papritur, atëhere kur une isha vetem 5 vjec.Vellaj im i dyte, i cili studionte piano dhe qe i kish mbushur 16 vjec, e qe ishte, sic thonë shokët e tij, nje pianist shumë i talentuar, aksidentalisht plagoset me armë nga nje kushëriri jone dhe pasi rojti tre dite u largua nga kjo jetë. Ne ato tre dite te fundit te jetes se tij, Lulzimi i jepte kurajo nënës time, duke i thënë se shumë shpejt do te shërohej dhe se do e luante piano me katër duar me mua. Ehh ….ky ishte misioni qe une pa vetedije mora mbi vehte per ta cuar deri ne fund endren e vellait tim Lulzim Shkaba.
Profesore Nora. Mbresat nga fëmijeria i ruani fort sepse ajo ne disa raste ju ka ligështuar Une ndjeva dhimbje kur mesova historine e humbje se vellait, por ne anen tjeter falë këmbenguljes tuaj ju vazhduat te punonit fort për të vazhduar ëndrën e vëllait, të studionit për piano, rrëfeni ju lutem, si vazhdoi me tej , kush ka qënë shtysa juaj e madhe ne kete rrugë formimi?
Kam kaluar nje fëmijëri shume te veshtire, ne sensin e atmosferës se zymtë qe pllakosi familjen time. Kujtoj shume mirë, madje e kam ne vesh akoma zërin e nenes time, kur kthehesha nga shkolla dhe hynja ne oborr dhe qe larg dëgjonja zerin e nënës time që qante. Dikur kujtoj qe për tia shmangur vehtes atë dridhje qe me shkaktonte zëri i nënës, gjeta nje zgjidhje. Sapo hyja ne oborr thërisja fort, që nëna te dëgjonte: Mora 3 dhjeta, mora 4 dhjeta…..Nderkohe tani e realizoj qe përkushtimi im ndaj pianos ishte ndër te tjera ajo cfare familjes time i krijonte nje qetesi dhe detyrim për të më krijuar te gjitha mundësite qe une te shpalosja talentin tim.
Fillova pianon me te njëjten mësuese qe vëllaj im bente, zysh Eli Kacidhja. Nje zonjë e rallë kam qejf t’i them. Nje mësuese e cila me mësoj, pervec se si të luaj piano, te jem nje gjykatëse objektive në gjithcka, te kujdesem per te patur nje ambjent estetik dhe atmosfere artistike ne mjedisin e punes, si dhe te zgjeroj interesat ne funksion te ngritjes intelektuale. Zysha ime Eli Kacidhja, e cila jeton ne Kanada ndonese është ne nje moshë disi te thyer, ende është model i shkelqyer per mua. Ajo cdo dite jeton me librin e pianon dhe lulet. Takimi qe patem para dy javesh ne Tirane disa nxenese te saj ishte nje mrekulli……
E dashur Nora: Sa kane ndikuar tek Nora mësuesit dhe familjarët si elementi me promotor, nxitës dhe autoritar, kush ka qene pedagogu juaj i preferuar, inkurajues në edukimin dhe formimin tuaj si Pianiste?
Në formimin e nje artisti apo nje njeriu, rol shume te rendesishem kane përvec familjes, mesuesit.Unë me shume respekt kujtoj disa mësues, te cilet jane bëre pjesë e formimit tim artistik. Ka qënë i nje rëndësie shume te madhe ndikimi dhe puna qe ka bërë me mua mesuesja e pianos ne shkollën e mesme, znj Adriana Dizdari. Me perkushtimin e saj ne ato vite te rëndesishme per formimin e mëtejshem te nje adoleshenteje, Adriana Dizdari diti te nxisi tek unë ndjenjën e pergjegjesise skenike si dhe formimit si pianiste soliste. Kam filluar studimet ne Institutin e Lartë te Arteve ne klasën e pjanistes se mirënjohur, Margarita Kristidhi. E kam quajtur si elementin emancipues te atij institucioni pedagogen time dhe kam kuptuar prej saj se te jesh nje artiste nuk mjafton te lëvizesh gishtat, por te kesh nje figurë te plotë te pajisur me vlera te tjera.
Prof Nora. Formimi juaj professional ka vazhduar te perfeksionohet me vazhdimin tuaj te studimeve ne Bukuresht, ne aspektin profesional mund ta them me plot goje qe e keni merituar, dhe zoti po ju kthente borxhet ne lidhje me fatin?
Po e vertete Liliana. Fati ne kete drejtim me ka ndihmuar.
Kurorezimi i ëndrës time ndodhi atehere kur mora bursën nga shteti, per të vazhduar studimet ne Bukuresht – Rumani. Fati im përkoj me faktin qe u vendosa ne klasen e Prof Gheorghe Halmosh. E gjendur para nje shoqërie te emancipuar dhe pjese e nje klase me pianiste, te cilet ishin laureat te cmimeve te mëdha ne festivale te rëndësishme ndërkombetare, më është dashur te punoj shumë dhe jo vetem ne piano, por edhe në eleminimin e boshllëqeve kulturore qe trashëgoja nga vinja. Ne kete periudhe rolin kryesor pervec profesorit i cili ishte orientuesi im, do ta kish dhe shoku, miku im i asaj kohe, e me pas bashkëshorti im, Kujtim Cashku. Duke qëne te dy student arti, ne plotesonim njeri tjetrin me specifikat individuale te profesioneve tona. Dita jonë ne ato vite shkolle kishte nje dinamike te tille, e cila bente qe te shfrytezohej maksimalisht në drejtim të aftesimit tone.Vite te arta dhe shumë dominante ne përcaktimin e se ardhmes.
E dashur Nora. Eksperienca juaj ne Universitetin e Arteve prej 39 vjetesh është vërtet një pasuri per artin dhe muzikën e nje kombi, nje eksperience jetësore, me plot bindje nje pasuri e ngritur prej pasionit këmbënguljes dhe profesionalizmi te lartë. Cfare do te thotë te jesh një artist ne nivele te larta, te kerkuara , per publikun për fushen akademike dhe ate studentore?
Pas diplomimit tim ne Tirane, pasi u prishën mardhëniet me Rumanine, fillova aktivitetin pedagogjik i cili prej 39 vjetësh më ka bërë qe ne jetën time te numërohen rreth 90 studentë pianiste te diplomuar nga une dhe nje numër mjaft i madh nxënësish qe mësojne piano. Kam patur nje përkushtim dhe dashuri per profesionin e pedagogut, ndonëse prirjet e mija kane qënë per soliste në piano. Nuk jam shkeputur asnjëherë nga skena dhe kjo jo vetëm per pasionin per skenën, por edhe se autoriteti i nje pedagogu është shumë më i vlefshem per mesimdhënien kur është artistik, i kombinuar me ate pedagogjik e shoqëror. Ne raportet e mija me studentet, une kam zgjedhur te kem nje mardhënije sa te afërt aq edhe kerkuese. I kam pare gjithnjë me dashurinë dhe preokupacionin e nje nëne studentet dhe nxënësit e mi. Sic e thashë dhe me lart prej 39 vjetesh jam e përkushtuar ne pedagogji. Është pervec nje pune tejet e veshtrë, se mer ne dore nje talent dhe ate duhet ta zhvillosh, por ne te njëjtën kohe, pas nje eksperience jetesore, mund te them me plot bindje se kam nje pasuri te ngritur prej meje, e cila sot kontribuon ne Shqiperi dhe ne botë denjësisht. Jam krenare per studentët e mij si Thomaidha Tili Trebicka, Lidjana Morcka, Ejona Gjermeni, Magi Dizdari etj, etj, qe denjesisht aktivitetin e tyre pianistik e ushtrojne ne USA, apo Jusuf Beshiri e Tonin Suli……e shume te tjere ,ne Itali, Gjermani, France, Greqi, Belgjike, Angli, e kudo ne bote. E gjitha kjo se pari ben te krenohemi per talentet qe Shqiperia prodhon dhe se dyti, qe kemi patur nje shkolle artistike me mesues e pedagoge te pergjegjshëm dhe te perkushtuar totalisht. Sigurisht qe nuk jam shkeputur asnjehere nga skena dhe kjo jo vetem per pasionin qe kam per te, por edhe se autoriteti i nje pedagogu është shume me i vlefshem per mesimdhenien kur është artistik, i kombinuar me ate pedagogjik e shoqeror.
Prof Nora. Ju jeni nje Prof. pedagoge per piano, i nje instrumenti te bukur elegant, qe me tingujt e saj formon nje magji te vertetet. Sa pune e pergjegjshme sublime i është dashur Nores per te arritur majat e suksesit si artiste e talentuar dhe sa i vlefshem është per mesim dhenien kur formimi artistik është i kombinuar me ate pedagogjik e shoqëror. Cfare do te thotë te jesh nje artist ne nivele te larta, te kërkuara , per publikun per fushën akademike dhe atë studentore?
Sigurisht te jesh nje artist instrumentist do te thotë te jesh formuar përmes nje disipline te hekurt pune dhe une jam perpjekur qe kete gjë ta ushtroj dhe kërkoj me studentet, duke u perballur me veshtiresite qe koha ka dhe mund te them se ja kam dalë.
Ne te gjithe karieren time nje rol te madh ka pasur edhe familja. Une e kam pare familjen si keshtjellën time te shenjtë. Nje familje tashme e madhe me artiste, pasi djali dhe nusja jane kineaste dhe femijet e vegjel mesojne piano, jane nje pasuri e cila nuk ka cmim.
Neqofte se do te beja nje bilanc te jetes time te deri tanishme mund te them se ndjehem nje grua ,nje nene, nje artiste e realizuar dhe krenare qe zgjodhem te kontribuojme familjarisht ne vendin tone.
Falenderim Prof. Nora Çashku/Pianiste
Une dua te falenderoj Organizaten e Gruas Shqiptare ne Bote, e ne menyre te vecante Presidenten e saj, Zonjen e nderuar LILIANA PERE, per perpjekjet titanike qe ajo ben, per njohjen dhe promovimin e vlerave te GRUAS SHQIPTARE NE BOTE. Ne jemi nje popull i vogel, por me vlera te ndritshme, shkelqimin e se cilit shpesh here e japin grate dhe kjo levizje, ky trend i evidentimit te ketyre vlerave per mua duhet te vleresohet si mision i shenjte.
Faleminderit zonja PERE
Falenderim nga Liliana
Ju faleminderit e dashur Prof. Nora Cashku. Ishte nje obligim dhe nder per mua qe bisedova me ju. Suksesi juaj i ka kapërxyer kufijte e vendit. Ju jeni ne shkallen me të lartë të profesionit dhe të personalitetit si grua ne c’do këndvështrim.
Do te thosha se jam ndjerë absolutisht dyfish e lumtur, dhe e nderuar per ju patriotja ime, qe bisedova gjatë, u mbusha me respekt e dashuri, per cilesite dhe virtytet e larta qe ju zotëroni dhe transmetoni tek te tjerët, si nëne e shkelqyer, si grua, dhe Prof. pianoje e suksesshme me nje nivel te lartë professional artistic dhe akademik.
U largova nga zyra juaj me nje ndjenjë adhurimi dhe admirimi.
Le te krenohemi per vendin tone qe ka bija, gra te tilla, figura te realizuara, dhe zonja te vërteta, qe shkëlqejne, dhe profesorë te tille që me aftesite e tyre te larta kane kane kontribuar ne edukimin e studentëve te tyre qe kane bere emer ne Bote.
E tille eshte Prof. Nora Cashku, nje artiste dhe nje emer i madh i muzikes shqiptare.
Liliana Pere
Ing Informatik
Presidente
Organizimi Internacional.
”Gruaja Shqiptare Në Botë”
Honorary Advisor of Diplomatic Mission DMPP