
Besnik Fishta/
Më 5 Dhjetor 1912, qeveria e parë kombëtare e Ismail Qemalit, një javë pas shpalljes së pavarësisë, ngriti një ministri të veçantë, atë te Post Telegrafës, ministër i së cilës ishte eruditi Lef Nosi. Historia e Postës është, në një farë mënyre, historia e vetë shtetit shqiptar, një histori e përshkuar nga thyerje, ringritje, hapa të ngadaltë e këmbëngulës, por gjithnjë e udhëhequr nga dëshira për t’i dhënë këtij vendi një zë që të dëgjohej, të udhëtonte dhe të mos kthehej mbrapsht. Në thelb, ajo nuk është thjesht rrëfim për një institucion, por një tregim i thellë njerëzor dhe kulturor, ku fjala e shkruar merr trajtën e urës që lidh njerëzit dhe i lidh ata me botën.Shqiptarët, si çdo popull tjetër, kanë pasur gjithmonë nevojë për t’u treguar njëri-tjetrit ato që shihen, ato që mendohen, ato që shpresohen. Përpara se të ekzistonte një administratë kombëtare,ne pushtimet gjate shekujve, lajmi udhëtonte nëpër duart e tregtarëve, nëpër hanet që shërbenin si pika të vogla takimi dhe komunikimi. Ishte një lloj “poste spontane”, një mënyrë praktike dhe njerëzore për të mbajtur gjallë lidhjet në një vend ku distancat mateshin me ditë udhëtimi. Në qytetet e mëdha, nën administratën osmane, nisën të funksiononin zyrat e para postare të organizuara. Konsullatat e huaja, sidomos ato austro-hungareze, hapën pika poste që do të bëheshin një nga shembujt e parë të një komunikimi të rregullt. Këto zyra të huaja, së bashku me pullat dhe vulat e tyre, janë sot një pasuri e çmuar e filatelisë sonë, dëshmi e periudhës para-shtetërore të komunikimit shqiptar.Me shpalljen e Pavarësisë në nëntor 1912, Shqipëria nuk fitoi vetëm një flamur e një qeveri. Ajo fitoi edhe nevojën urgjente për të komunikuar. Një shtet i ri ka nevojë për njohje, për urdhra, për njoftime, për lidhje. Për këtë arsye, në 5 dhjetorin e 1912-s, në Vlorë, u hodhën hapat e parë për krijimin e Shërbimit Postë-Telegraf-Telefon të shtetit shqiptar,duke krijuar te paren ministri te qeverise, ate te Poste Telegrafave.

Pulla e pare kombetare shqiptare u emetua me 5 maj 1913, pak me shume se 5 muaj nga data e shpalljes pavaresise.
Me 1913 perjetoheshin ditë të vështira,kur mjetet dhe njerëz mungonin, rrethana politike e veshtire, dhe per me teper kishte mungesa financiare. Por vullneti ishte i pranishëm,atdhedashuria ishte evidente. U prodhuan edhe pullat e para shqiptare,me 5 maj 1913, të thjeshta, modeste. Pulla jone e pare ishte nje vule qe ne qender te saj kishte simbolin tone,shqiponjen dhe ne konturet anesore shkruhej “Ministeria e Poste Telegraf Telefoneve”. Ato qenë më shumë se një taksë postare, ishin akti i parë i identitetit të shkruar të shtetit të ri.


Emisioni pare modern i pulles shqiptare emetuar me 1 dhjetor 1913
Shumë shpejt Shqipëria e re u gjend në një realitet kompleks. Luftërat Ballkanike, pastaj Lufta e Parë Botërore, e ndanë territorin shqiptar në zona me administrata të ndryshme. Çdo zonë solli vulat dhe pullat e veta, Korça kishte emetimet e administratës franceze, Shkodra nën ndikim austro-hungarez, kishte të tjera, te tjera kishte Shqiperia e Mesme, qe kontrollohej nga Esat Toptani etj. Shpesh, mbi pullat osmane apo greke vendoseshin shenja të reja, duke krijuar një mozaik të çuditshëm, por shumë të çmuara për studiuesit e sotëm. Kjo periudhë kaotike është ndoshta periudha më interesante e filatelisë shqiptare. Vetëm pas Kongresit të Lushnjës dhe vendosjes së qeverisë në Tiranë, në vitin 1920, posta shqiptare nisi të marrë formën e saj të vërtetë. Rrjeti postar u riorganizua nga e para, u hapën zyrat e reja dhe u hartuan linja të rregullta komunikimi midis qyteteve. Por ngjarja më domethënëse e kësaj periudhe ndodhi më 1922, kur Shqipëria u pranua zyrtarisht në Unionin Postar Universal (UPU). Ky vit ishte një lloj “drite e gjelbër” ndërkombëtare, që nga ai moment, Shqipëria u bë pjesë e familjes globale të komunikimit dhe pullat shqiptare fituan vlefshmëri të plotë në mbarë botën. Në një kohë kur shteti shqiptar ishte ende në rrënjëzim, ky pranim ishte një garanci e fuqishme e legjitimitetit të tij.

Emision i pullave ajrore me 1928
Periudha e Mbretërisë së Zogut shënoi një fazë të qëndrueshme për postën shqiptare. Pas pranimit në UPU Shqipëria synoi të forconte institucione që të shprehnin një shtet funksional dhe të hapur ndaj botës. Gjatë viteve 1928–1939 u riorganizuan shërbimet postare, u hapën zyra të reja edhe në zona të largëta dhe u vendosën rregulla më të qarta për shpërndarjen e korrespondencës. Kjo periudhë solli një lulëzim të veçantë të artit të pullës shqiptare ku mbizoteronin emisione me portretin e Mbretit Zog I, dhe rralle ose pothuajse fare me motive te tjera,te cilat të shtypura kryesisht në tipografitë italiane, që garantuan cilësi dhe standarde të reja. Paralelisht, u zgjeruan shërbimet e telegrafit e telefonisë, duke e lidhur postën me rrjetin kombëtar të komunikimit. Megjithëse vendi përballej me mungesa infrastrukturore dhe terren të vështirë, shërbimi postar fitoi qartësi, rregull dhe ambicie per zhvillim te metejshem. Kjo fazë e konsolidimit u ndërpre në prill 1939, me pushtimin italian dhe humbjen e pavarësisë institucionale.

Emetim gjate pushtimit gjerman me 1944
Lufta e Dytë Botërore e gjeti postën shqiptare në një gjendje të brishtë, të ndarë mes pushtimeve të njëpasnjëshme dhe përpjekjeve të shtetit për të ruajtur funksionimin bazë të komunikimit. Pas prillit 1939, shërbimet postare shqiptare kaluan nën kontrollin e administratës italiane, duke u integruar pjesërisht në sistemin postar të Mbretërisë së Italisë. Kjo solli standardizimin e disa rregullave postare, por edhe humbjen e pavarësisë në organizimin e emisioneve dhe tarifave. Gjatë viteve të luftës, qarkullimi postar u fragmentua, disa zona mbaheshin nga forcat italiane, të tjera u shkëputën gjatë operacioneve partizane, ndërsa pas vitit 1943 filloi një periudhë edhe më e turbullt me hyrjen e administratës gjermane. Në këtë etapë, posta funksiononte pjesërisht, me ndalesa të shpeshta, me mungesa mjetesh dhe me censurë të rreptë ushtarake. Megjithatë, edhe në kushtet e luftës, komunikimi nuk u ndërpre plotësisht. U krijuan rrugë alternative dërgese, u lëshuan pulla të reja me karakter administrativ, dhe aparati postar u mbajt gjallë falë nëpunësve lokalë që shpesh punonin në kushte të rrezikshme për të ruajtur lidhjet ndërmjet qyteteve e zonave të izoluara. Kur lufta përfundoi dhe u vendos pushteti i ri, rrjeti postar u rindërtua pothuajse nga e para, duke u bërë një nga institucionet e para që u rikthyen në funksion të plotë në Shqipërinë e pasluftës.

Emetim ne vitin 1945
Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria hyri në periudhën e administratës socialiste. Posta u shndërrua në një ndërmarrje të madhe shtetërore, Posta-Telegraf-Telefoni (PTT). Rrjeti i saj u shtri në çdo zonë rurale, duke lidhur fshatra që më parë ishin të izoluar nga qendrat urbane. Në ato vite, ardhja e postierit ishte një rit i përditshëm. Ai sillte lajme, ndonjëherë gëzim e ndonjëherë trishtim, por mbi të gjitha sillte lidhje. Pullat e kësaj periudhe mbajnë një stil të caktuar ideologjik, por janë një dokument i vlefshëm për të kuptuar kulturën politike të kohës. Me rënien e komunizmit, PTT u nda në Postën Shqiptare dhe Telekom. Posta filloi një proces të gjatë modernizimi,dhe pas vitit 2000 u digjitalizuan shërbimet, u modernizuan zyrat, u krijuan shërbime të reja ndërkombëtare dhe u përshtatën standardet me tregun e hapur.

Emetim me rastin e 100vjetorit te shpalljes pavaresise (1912-2012)
Megjithatë, pavarësisht teknologjisë së re, zyrat postare ruajnë ende një atmosferë te tradites. Pavaresisht presionit te risive teknologjike ato mbeten vende ku letërkëmbimi i shkruar nuk ka humbur ende vlerën e tij njerëzore. Çdo pullë, çdo vulë, çdo zarf është një dëshmi e rrugëtimit të shtetit shqiptar drejt organizimit, identitetit dhe komunikimit.

Emetim me rastin e 100 vjetorit te krijimit te Ministrise se Poste-Telegrafes (1913-2013)
Posta ka qenë dhe vazhdon të mbetet ura më e gjatë dhe më e qëndrueshme mes njerëzve; dhe për sa kohë të ekzistojë fjala e shkruar, ajo do të ruajë këtë rol të çmuar. E në këtë traditë, Posta Shqiptare ka pasqyruar përmes emisioneve postare evolucionin historik, politik dhe shoqëror të Shqipërisë.