Sokol Paja/
Worcester (Boston), 16 Nëntor 2024 – Patriotët shqiptarë në Worcester mikpritën në një takim vëllazëror e atdhetar ish- kryetaren e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë zonjën Jozefina Topalli. Një bashkëbisedim i ngrohtë e shumë emocional rreth arritjeve e historive të sukseseve të shqiptarëve në Boston e mallit për atdheun larg vendlindjes. Patriotja Efi Qeleshi në fjalën e hapjes ftoi shqiptarët e Amerikës për tu angazhuar në ndryshimin e gjendjes në Shqipëri si kontribut atdhetar. “Jeni frymëzim dhe shpresë në ditët e sotme kur Shqipëria ka më shumë se kurrë nevojë për ndryshim rrënjësor e thelbësor. Ju na ngrohni zemrën sot se ditë të bukura e të mira do vijnë për Atdheun tonë. Shqipëria ka nevojë për ndryshim radikal. Qeverisja Rama e ka shkatërruar Shqipërinë: shpopullim, korrupsion, hajdutëri, paligjshmëri. Qeverisja e keqe ka larguar trurin kombëtar nga Shqipëria, forcën energjike, moshën vitale duke shkretuar atdheun tonë të bukur. Ju bëj thirrje shqiptarëve të Amerikës e çdo shqiptari kudo që ndodhet në diasporë që të punojë për të ndryshuar Shqipërinë. Shqiptarë, atdheu na thërret, atdheu po lëngon, atdheu ka nevojë për ne. Shqiptarët e Amerikës i janë gjendur pranë kombit e atdheut në çdo vështirësi. Kam bindjen se edhe sot do ta bëjnë këtë kontribut patriotik e historik në largimin e të keqes që shkatërron Shqipërinë prej 12 vitesh” tha ndër të tjera Efi Qeleshi. Patrioti John Lito kujtoi emocionalisht fëmijërinë, përmendi familjet që kanë mbajt krenarinë e vlerat më të mira shqiptare si Topalli, Çoba, Serreqt etj. Aktivisti i komunitetit Franklin Zdruli shpjegoi historinë 115 vjeçare të shqiptarëve në Worcester, histori patriotësh që i dhanë krenari e histori identitetit kombëtar në mërgatë dhe patriotë të shkëlqyer që kontribuan shumë për Shqipërinë, për ruajtjen e vlerave patriotike dhe identitare shqiptare ku shqiptarët e Worcesterit janë krenari kombëtare. Ish – kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë zonja Jozefina Topalli në fjalën e saj u ndal te shpopullimi i Shqipërisë, një histori e dhimbshme që shuan çdo ditë Shqipërinë e kombin tonë. Një eksod modern që shuan çdo vit një qytet shqiptar, tha zonja Topalli. Largimi i shqiptarëve nga Shqipëria sipas Zonjës Topalli është një dramë kombëtare. Kemi “Një Shqipëri më të vogël, më të plakur më të vetmuar” tha në bashkëbisedim zonja Topalli. Si rrezik për lirinë dhe demokracinë zonja Topalli përmendi përfshirjen e grupeve kriminale në çdo zgjedhje elektorale apo lokale që zhvillohen në Shqipëri, politizimin ekstrem të administratës shtetërore, pastrimin e parasë dhe mbështetja shtetërore që iu bëhet bandave kriminale. “Kthehem te diaspora në shenjë mirënjohje dhe respekti për ju për mbështetjen historike që na keni dhënë si patriotë. E kërkojmë mbështetjen tuaj për të ndihmuar e ndryshuar Shqipërinë” përfundoi zonja Topalli. Kënga patriotike e vëllezërve rapsodë Geg e Ndoc Delia “Veç një gjak na rrjedh ndër vena, gjaku i shqipes me dy krena” emocionoi të gjithë të pranishmit në organizimin patriotik e shpirtëror të shqiptarëve të Worcester.