


Shani Pnishi
Para dy vitesh Inis Jorgo që jeton në Toronto të Kanadasë botoi prozën biografike për nënën e saj të titulluar “Rushen Golemi, ky testament shpirti”. Zonja Golemi njihet si kirurgia grua e parë e diplomuar në Shqipëri, e cila në fillim të viteve të pluralizmit në Shqipëri, u inkuadrua edhe në politikë.Për gazetën “Dielli” biseduam kryesisht për librin e saj për nënën, për letërsinë si pasioni jetësor i saj dhe natyrisht për nënën e saj, Rushen Golemi, një figurë shembull i një intelektualeje shqiptare.
Po e fillojmë me nënën tuaj, znj. Rushen Golemi, kirurgen e parë grua shqiptare, për të cilën në 85- vjetorin e lindjes së saj, ju keni botuar librin “Rushen Golemi, ky testament shpirti”.…
Mendova të shkruaj për një grua të cilën pata fat ta kisha prind, ajo të ishte nëna ime! E kam ndjekur në çdo moment të jetës së saj dhe ndërsa çdo gjë kur isha fëmijë më dukej fare normale, me kalimin e viteve kuptova se përmasat shpirtërore të saj jo rrallë tejkalonin të zakonshmen. E për gjërat që lenë mbresë, patjetër duhet shkruar! Flitet për një person që mbartte pasion brenda vetes e kjo të bën që dëshirën ta kthesh në zotësi, punën në kënaqësi, bën që të lësh produkt në gjithshka kryen sepse ke vënë shpirt, ke investuar mençuri! Flitet për një zonjë nga e cila buronte natyralisht një mençuri e spikatur, urtësi në mendim, një kurajo që të intrigonte, një elegancë e brendshme e të menduarit, një hijeshi e rrallë fizike shtuar këtu edukimin që ajo morri nga dy prindërit e saj kërkues e sakrifikues të cilët i mësuan asaj se gjërat e bukura në jetë mund ti kthesh në realitet jo menjehërë, jo pa mund e jo pa u djersitur fort!
Si profesioniste, kolegët e saj e kanë cilësuar prej kohësh Rushen Golemin si një kirurge të spikatur ndaj në kushtet sidomos kur prindi largohet fizikisht prej teje, ti ke më tepër nevojë që gjërat pozitive të tij t’i evidentosh, thuash me zë të lartë, krenohesh e ndërkohë lexuesi përse jo?…të mësojë diçka, të tërhiqet nga ajo çka po i rrëfen, të kuptojë sa gjerë mund të shtrihet shpirti njerëzor, përmasat që mund të tejkalojë ai ndaj nëse histori të tilla qëmtohen, kuptohen, apo tërheqin vemendjen, ato padiskutimisht nuk duhet të lihen disi anonime, por të inspirojnë e bëhen pronë e lexuesit. E unë e pata të mundur këtë jo vetëm sepse kisha në dorë një lëndë fantastike jetësore, por edhe për faktin sepse shkruaj e përtej këtyre, edhe sepse ja kisha premtuar jo vetem vetes, por edhe mamit dikur se një ditë do e shkruaja jetën e saj.
Isha e bindur se personazhi që isha duke përshkruar, patjetër do të linte mbresë në publikun lexues. Unë e di sa shumë kjo mjeke kirurge ka marrë gjithë jetën e saj dashurinë e qytetarëve, pacientëve të saj. Sa shumë ata e deshën, sa bukur parreshtur ja shprehën asaj respektin, sa populli e aprovoi dhe mbështeti Rushen Golemin kur atë e thërriti koha dhe e bëri pjesë të politikës shqiptare. E kjo nuk ndodhi rastësisht! Aspak! Kjo ndodhi sepse ajo dinte të donte, të mendonte, të ishte kurajoze, ajo dinte të pranonte edhe gabime. Sepse ato janë njerëzore e pranimi i tyre, tregon emancipim! Ajo dinte të të përfqësonte! Ndaj edhe u ula të shkruaj për të. Më ka bërë përshtypje fëmijëria e saj e cila u thye jo pak. Rinia në vazhdim kur edhe pse ishte nxënëse me rezultate të shkëlqyera nuk kishte aspak siguri për të ardhmen…apo fakti se si ajo krijoi një emër të bukur si mjeke…në shoqëri , se si ishte një nënë aq e kujdesëshme e një bashkëshorte e respektuar ..Këtu dua të përmend sa shumë im atë ja përkrahu ëndrrën, si ai kurrë nuk e pengoi që ajo t’i ikte familjes gjatë, sa shumë ai ja përshëndeti tërë jetën atë çka ajo bënte për pacientin. Pra kemi një personazh multi-dimensional e libri im këtë ka rrëfyer: kush ishte familja e saj, cilat qenë influencat e bukura gjatë jetës së saj, shembujt që zgjodhi të ndjekë, apo e pati ajo të lehtë konkurrencën me sfidat e jetës..
Si e ka pritur lexuesi shqiptar botimin e kësaj proze biografike?
Ky libër qëndron mes romanit “fiction” e “non-fiction” pasi ndërsa bazohet besnikërisht në fakte reale, materiali është shkruar në formën e një rrëfimi. Kritika në Tiranë e ka konsideruar mjaft mirë librin dhe i falenderoj ndërsa theksoj: lënda e parë e këtij libri ishte atje, ajo “thërriste” dhe pa frikë e them se është shkruar nga vetë nëna ime Rushen Golemi. Unë si bija e saj por edhe si shkruese, kisha detyrën ta rrëfeja jetën e saj sepse ajo la pas një trashëgimi morale të bukur e inspiruese që vlen jo vetëm për ne fëmijët e saj, por që duhet lexuar nga publiku. Ndësa marr komente të ngrohta nga lexuesi, më ka bërë përshtypje se ka jo pak kërkesa që libri të kthehet në një film. Kjo pastaj, nuk është në dorën time…
Zonja Rushen është personazh kryesor edhe në librin “Yjet e Mjekësisë Shqiptare” të Dr. Fedhon Meksit. Ç’mund të na thoni për këtë?
Libri i kardiologut të shquar Dr. Fedhon Meksit, më ka emocionuar thellësisht! Përveç vlerësimit të tij për dr Rushenin, fotoja e saj (në kopertinë) mes mjekëvë të shquar shqiptarë burra, me çoi pas në vite e më erdhi në sy lidhja e saj e papërshkruar me pacienët, sfida e heshtur përherë me arritje të cilat ajo i konsideronte normale. Ndjesia e një përmase shpirti që të bën përshtypje! Nëna ime do jetë aty, mes burrave të ndritur të mjeksisë shqiptare duke i thenë kujddo sa e mundur e sa e bukur është kur ti di ti imponohesh çdo kohe, kur ti din të arrish!
Pas shpalljes së pluralizmit në Shqipëri, zonja Golemi u përfshi edhe në politikë. Çfarë sfidash e përcollën nënën tuaj si politikane?
(Pjesë nga libri) “ Po zëvëndësoheshin sistemet politike gjë që as ishte menduar se mund të ndodhtte. Në vitet 90′, terreni social mund te quhej “i rrëshqitshëm”. Në muret e pallateve shkruhej me një shkrim plot mllef që shprehte frikën e humbjes:” Demokratët të çohen në litar”! Sigurimi i Shtetit kur nuhati se emri i Rushen Golemit po lakohej në skakierën e lëvizjes së re blu , nuk e kurseu por kërkoi ta godiste në pikën e saj të dobët: tek i biri. Trokitën ata në portën e apartamentit tonë një mbëmje shkurti kur sapo ishte rrëzuar busti i diktatorit në sheshin e madh të Tiranës. Kam qënë dëshmitare e atyre momenteve aq gri kur në çast jeta mund të të përmbysej, kur mund të ta trishtonin shpirtin ashtu pa kuptuar-përjetë! Ende më kujtohen telefontata plot presione, fyrje dhe pasjellje, (ndaj mamës por edhe ne familjarëve të saj) ku ndjehej sa shumë ai “dikush” nuk e dëshironte përfshirjen e Rushen Golemit në politikë. Sepse ata e dinin: Ajo dinte të krijonte produkt: ajo fitonte elektorat!
Dhe ajo foli përpara turmave e nuk nxiti mllefe. E shoqëroja në të gjitha mitingjet e asaj kohe e përpiqesha t’ja dallonja fytyrën në podiumet e thjeshta me ato mbulesat e rrudhosura blu ku fshihej aq shumë shpresë! Por turma e egzaltuar që tashmë i kishte dy gishtat lart, nuk më lejonte. E kam dëgjuar si ju imponua me qetësi njerëzve që ta dëgjonin kur ju tha se:”ata më në fund duhet të shpresonin, se demokracia nuk ishte diçka që po ju falej por duhej fituar përmes zbatimit të ligjit.” Nuk u lodh shumë të fitonte elektorat nëna ime! Ajo e kishte të fituar atë me profesionalizmin dhe Njeriun që kishte patur gjithmonë brenda vetes. Tani thjesht, kishte ardhur momenti që të ishte pranë tyre në një tjetër mënyrë si përfaqësuese e tyre! Dhe ajo u përpoq shumë që ata ta meritonin deputeten e tyre por edhe ajo ti meritonte! Nuk ishte politikane nëna ime por Rushen Golemi bëri shkëlqyer e më së miri atë që më së shumti politikanët harrojnë ta bëjnë: Njeriun e Plotë! Ajo doli në tribunën e Kuvendit të Shqiptarëve e ju foli atyre fare sinqerisht! Shpesh nuk kishte letër! Plot dinjitet. Ju foli dhe i bindi. I bindi sepse ju drejtohej plot llogjikë, pa fyer e duke menduar që tashmë gjithshka ata meritonin ishte të jetonin nën një erë te re që do i drejtonte drejt Evropës. Kjo ishte edhe ëndëra e mamës time! Që shqiptari të mos denigrohej rrugëve të botës. Rushen Golemi ju foli qartë se shqiptarët sduhet të ishin më të ndarë nën trysni absurde lufte klasash, nën diferencime mediokre. Ajo përherë shprehej se shqiptarët janë të mrekullueshëm…sistemi absurd krijoi çarje e deformime. Ajo ishte e bindur se meritokracia duhet të dominonte dhe pakti i vetëm që Nëna ime e respektuar bëri gjatë gjithë jetës së saj, ishte pakti më të Vërtetën!
Kur qytetarët i drejtoheshin në rrugë për ta përshëndetur me frazën: “zonja deputete” unë ende e kam në vesh ndërsa ajo ju përgjigjej: “…deputete më bëri koha. Ajo që unë kam dashur të jem, është mjekja , mjekja juaj ndaj më bukur për mua do ishte të më thërrisni:”doktoreshë!” Ajo ndenji pranë elektoratit të saj. Nuk ju premtoi duke i lënë në harresë. Bëri çmos që ti përfaqësonte aq sa mundej për atë kohë të viteve 90′. Kur kthehej nga zona e saj elektorale në shtëpi, e kam dëgjuar t’ju fliste fëmijëve tanë për fëmijët atje në Fushë Krujë apo Mamurras se edhe ata, ishin po aq të zgjuar sa fëmijët e qytetit, po aq të bukur e me po ato ëndra por me shumë më pak , ama me shumë më pak mundësira…. Shpesh lotonte për pamundësinë e tyre…!!!! Rushen Golemi i donte njerëzit e kjo ja bënte gjithshka, shumë, shumë të lehtë… sepse nëse ven në punë shpirtin… është e padiskutueshme se ti, i përket që të gjithëve! “
Ndërkohë, keni botuar edhe dy libra me poezi…
Jam autore e dy vëllimeve me poezi: “Tinguj Shpirti” dhe “Ajzberg” e ky roman është krijimi im i tretë sigurisht më i rëndësishmi për mua për nga vlera shpirtërore si dhe impakti i tij në publik. Kam ndërkohë gati për botim edhe një libër me tregime. Edhe prindërit e shijonin shumë faktin që unë shkruaja e kjo më gëzon! Të shkruarit siç është përgjegjësi, është edhe privilegj sepse ti e kalon kohën në mënyrën intelektuale më të bukur duke i marrë në fund asaj si produkt: librin!
Identiteti, është një pikë e fortë e krijimtarisë suaj letrare, por edhe pikë referuese jetësore. A mund të na flisni për mozaikun identitar që ju përcjell?
Rrugët që ne zgjedhim apo vendimet që ndërmarrim në jetë përcaktohen nga vlerat që kemi. Këto zgjedhje tregojnë se edhe kush ekzaktësisht jemi, ku ekzakt përkasim në pentagramin social, çfarë vlerash përshëndesim në jetë! Unin e seicilit pikërisht këto e përbëjnë: kujtimet, eksperiencat lidhjet me ata që vendos, me ata të përngjashmit e tu! Ndaj edhe identiteti im letrar sigurisht bazohet në keto vlera. Poezia ime përshkruan jo pa shkak, ndjesi që kanë të bëjnë me shpirtin. Nëse më lexoni do kuptoni sa shumë e dua vendin tim; sa rëndësi ka që përballë të kem njerëz të vërtetë, çfarë unë konsideroj dashuri, si e ndjej humbjen e dikujt që dua, raportin me shpresën, zhgënimin, natyrën, forcën për të rezistuar e konservuar shpirtin, identiten tim. Shkalla e përfaqësimit në poezinë time mendoj se ka qënë e pëlqyeshme sepse lexuesi im i përket moshave të ndryshme e ky fakt, më gëzon! I falenderoj që të gjithë!
Edhe koncepti i mallit shfaqet shumë në poezinë tuaj, ndërsa duke jetuar larg atdheut thoni se jeni mësuar me mallin…
Pas kaq vitesh emigracion, malli për vendin kthehet në një ndjesi shoqëruese. Shpesh mendoj se malli është si gjaku nëpër trup për këdo që ka lënë vendin e tij.Ai është sindromë e të ikurve, çmimi që kushdo paguan pasi lë aq bosh sytë e prindërve….
Jeta të çon aty ku nuk e kishe menduar e malli bëhet një ekuilibrues i çuditshëm: të shpon shpirtin por edhe pa të nuk bën dot … Me ato fillime, mua edhe qielli këtu në Kanada më dukej ndryshe…Qielli shqiptar për mua është plot yje…Por mendoj se mbas kaq vitesh e për faktin se largësia ka ndryshuar koncept, s’duhet absolutisht të mbetemi robër të mallit edhe pse dihet se një ekran celulari, s’mund të të japë kurrë as aromën e brengdetit të Adritikut e as rehatinë shpirtërore të familjes të madhe atje. Malli pengon adaptimin dhe integrimin, por po aq ai është një luks i shpritërave të ndjeshëm!
I përkas brezit të parë të emigruar dhe malli do të ishte edhe sfida ndaj në një nga poezitë e mia me titull: “Transaksioni i ikjes” unë shkruaj: ”sa herë NE e humbëm betejën me mallin” sepse edhe pse kanë kaluar 20 vjet që kur jam larguar nga Shqipëria, unë sytë i kam vetëm nga Lindja e diellit, atje ku gjendet ai vendi im i vogël por aq i rëndësishëm për mua!
Keni promovuar librin me poezi në një ambient shumë të mrekullueshëm në Toronto. A pritet ta promovoni edhe librin për mamanë?
Masat kundër pandemisë e kanë vonuar këtë promovim por patjetër libri im do t’i paraqitet edhe publikut shqiptar në Toronto/Kanada. Këtu jeton një publik art-dashës, tepër i kulturuar që din të respektojë bukur krijimin. Ja vlen ta ndaj kënaqësinë time me miqtë në Toronto. Edhe ambasada shqiptare në Ottawa, e personalisht ambasori z. Ermal Muca, është një mbështetës serioz i krijimtarisë time. I falenderoj sëbashku me komunitetin shqiptar në Kanada e jo vetëm, për mbështetjen absolute ndaj shkrimeve të mia!
Keni vizituar atdheun pikërisht në kohën e pandemisë. Si mund ta përshkruani rrugën në të cilën keni kaluar individualisht dhe familjarisht atë periudhë atje?
U ndodha në Shqipëri gjatë mbylljes prej pandemisë, e nuk qe çudi që një ditë u gjenda seriozisht e sëmurë me kovid në spitalin e Durrësit (ato kohë isha spostuar të jetoja në bregdet). Nuk ishte aspak e lehtë ndaj falenderimi im për familjarët e sidomos për mjekët e infermieret atje, nuk mjafton! Vetëm kur ti je pranë bluzave të bardha, kupton përgjegjësinë serioze të këtij profesioni. Në ditët në spital, vazhdimisht mendoja se përveç mirënjohjes tonë, sa shumë seriozitet kërkon trajtimi i duhur financiar i mjekëve dhe infermierëve nga instancat shtetërore. Sepse në fakt , ata janë heronjtë e çdo kohe !
Ky moment aspak i lehtë për mua, rastisi me situatën kur m’u desh t’i gjindem pranë babait tim të moshuar.
Që kur jam larguar nga Shqipëria, përherë më ka munduar ideja sesi unë do të mundesha tju isha pranë prindërve kur ata të moshoheshin.. Dhe momenti kishte mbërritur!
Kalova çaste të ngrohta me tim atë e më dukej sikur fati m’a kishte dëgjuar dëshirën! Shpesh harroja edhe djemtë e mi në Kanadanë e largët. Ishte momenti i tim eti e nuk u mendova dy herë! Donja që babai mos të ndjente vetmi! I flisja e i kujtoja ngjarje që kishim kaluar të dy e në një letër shpesh i shkruaja fjalë zemre: “Rri i qetë sepse mua më ke pranë. Jemi bashkë e ti e din se sa të dua!” – e ai pasi më lexonte, në këmbim më jepte atë buzëqeshjen që tërë jetën na e kishte dhuruar. Ajo buzëqeshje përzihej me vitet e tij mbi supe…Sa shumë dëshironja që ai të ndjehej i qetë, në paqe me veten e këtë nuk do kisha arritur ta përmbushja kurrë, pa mbështetjen shumëanëshe të motrës time, edhe pse ajo jeton jashtë Shqipërisë. Të tre ne fëmijët e tij, u munduam t’i kthenim prindërve investimin e madh që ata kishin bërë për ne!
Çdo mëngjes kur pinim të dy kafenë, i përsërisja se të gjithë e donim shumë! Mendoj se më e mira gë që duhet ti ofrohet sidomos moshës së thellë, është dashuria! Dhe cikli i jetës bëri të vetën e im atë u largua qetësisht nga ne një pasdite Marsi, me mua e bashkëshortin tim pranë shtratit të tij.
Kanë kaluar muaj dhe sa herë e kujtoj, emocionohem jo pak, por brenda meje mbizotëron qetësia që nuk e lashë vetëm në ditët e tij të fundit… Nëse njeriu ka nje ndjenjë që ja lumturon thellë shpirtin, është kujdesi për prindin !
Malli e boshllëku rreth teje, rikonfigurohen kur ti i humb prindët! Mungesa e tyre i dha tjetër dimension dashurive, pendesave, maturisë apo edhe kënaqësivë të vogla të cilat kur i kemi, nuk i vlerërojmë edhe aq…Gjatë jetës time kam njohur plot njerëz por të dy ATA prindërit e mi të respektuar, do të jenë përherë busulla ime shpirtërore si më i miri shembull i të qenurit Njeri!