“Shqipëria dhe shqiptarët përcjellin sot për në panteonin e përjetësisë gjeniun e tyre të letrave, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Falë talentit të rrallë dhe ndërgjegjes patriotike, Ismail Kadare fitoi për së gjalli statusin e privilegjuar të emancipuesit shoqëror dhe atij identitar.
Novator në stil, si dhe në gjuhë, së bashku me Nënë Terezën, ai u shndërrua në emblemën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve të kohëve moderne. Ismail Kadare do të përkujtohet gjithmonë me nderim si promovues, si askush tjetër, i krenarisë kombëtare, veçanërisht i orientimit evropian të kombit shqiptar. Lamtumirë, i madhi ynë!” ishte mesazhi i Presidentit Begaj.