
Analizë nga Rafael Floqi/
Në një ditë normale, rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, një korridor detar shumë i ngushtë mes Iranit dhe gadishullit Arabik. Kjo e bën ngushticën një nga pikat më të rëndësishme strategjike të ekonomisë globale. Megjithatë, javët e fundit trafiku i tankerëve është ulur ndjeshëm, pasi Irani ka paralajmëruar se çdo anije që hyn në këtë zonë mund të bëhet objektiv. Paralajmërimi ka shkaktuar një rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës dhe ka tronditur tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Nga këndvështrimi amerikan, situata paraqet një paradoks strategjik. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë epërsi të qartë ushtarake, por në një hapësirë të ngushtë detare si Hormuzi, Irani gëzon avantazhin gjeografik dhe taktik. Edhe një kundërshtar më i dobët mund të krijojë pengesa të mëdha në një korridor kaq të kufizuar. Administrata e presidentit Donald Trump u duk fillimisht e papërgatitur për reagimin iranian. Sipas raportimeve në mediat amerikane, zyrtarët e sigurisë kombëtare pranuan në takime konfidenciale se mbyllja e ngushticës nuk ishte parashikuar si skenar kryesor pas sulmeve ndaj objektivave iraniane. Fillimisht u diskutua që marina amerikane të eskortonte tankerët përmes ngushticës, por më pas presidenti deklaroi se anijet tregtare duhet të hyjnë vetë në Hormuz, duke theksuar se një pjesë e madhe e flotës iraniane tashmë “ndodhet në fund të oqeanit”.
Megjithatë, edhe nëse flota konvencionale e Iranit është goditur rëndë, kërcënimi real mbetet nga forcat detare të Gardës Revolucionare Islamike. Këto njësi kanë ndërtuar për dekada një strategji asimetrike për të bllokuar trafikun në Hormuz përmes një kombinimi armësh: mina detare, raketa kundër anijeve, dronë, mini-nëndetëse dhe dhjetëra anije të shpejta të armatosura.
Pse SHBA ka goditur ishullin Kharg të Iranit?
Në këtë kontekst tensioni, SHBA ndërmori një goditje të rëndësishme ndaj Ishullit Kharg, një ishull i vogël në Gjirin Persik që përbën qendrën kryesore të eksporteve të naftës iraniane. Presidenti Trump deklaroi se ushtria amerikane ka bombarduar objektivat ushtarake në ishull, duke thënë se instalimet ushtarake janë “shkatërruar plotësisht”. Megjithatë ai theksoi se SHBA ka vendosur të mos godasë infrastrukturën e naftës për të shmangur një përshkallëzim të madh ekonomik dhe ushtarak. Presidenti paralajmëroi se vendimi mund të ndryshojë nëse Irani ose aktorë të tjerë ndërhyjnë në kalimin e sigurt të anijeve në Hormuz. Nga ana tjetër, ushtria iraniane paralajmëroi se infrastruktura energjetike e kompanive që bashkëpunojnë me SHBA do të shkatërrohet menjëherë nëse goditen objektet energjetike iraniane.
Pse ishulli Kharg është kaq i rëndësishëm për Iranin?
Megjithëse është vetëm një formacion i vogël shkëmbor rreth 24 kilometra nga bregdeti iranian, ishulli Kharg ka një rëndësi strategjike të jashtëzakonshme për ekonominë e Iranit. Rreth 90 për qind e naftës bruto të vendit eksportohet përmes terminaleve të këtij ishulli. Nafta transportohet nga territori kontinental iranian përmes tubacioneve dhe më pas ngarkohet në super-tankerë gjigantë që ankorohen në portet e gjata të ishullit.
Brigjet e Kharg janë pranë ujërave të thella, gjë që e bën më të përshtatshëm për tankerët shumë të mëdhenj sesa bregdeti kontinental iranian, i cili është relativisht i cekët. Pasi ngarkohen, tankerët kalojnë nëpër Gjirin Persik dhe dalin nga Hormuzi, duke transportuar naftën kryesisht drejt Kinës, blerësi më i madh i naftës iraniane. Terminali i Kharg është gjithashtu një burim i rëndësishëm financiar për Gardën Revolucionare.
Çfarë kanë thënë SHBA dhe Irani për sulmin?
Sipas Komandës Qendrore të SHBA, operacioni amerikan goditi më shumë se 90 objektiva ushtarake iraniane në ishull. Mes objektivave të shkatërruara përfshihen depot e minave detare, bunkerët e raketave, instalimet e mbrojtjes ajrore dhe struktura të tjera operative. Presidenti Trump e përshkroi operacionin si një nga bombardimet më të fuqishme në historinë e Lindjes së Mesme, duke theksuar se të gjitha objektivat ushtarake janë neutralizuar. Ai shtoi se për arsye strategjike kishte vendosur të mos shkatërronte infrastrukturën e naftës në ishull.
Media iraniane raportoi se instalimet e naftës nuk janë dëmtuar dhe se eksportet vazhdojnë normalisht. Zyrtarët në provincën Bushehr deklaruan se nuk pati viktima dhe se aktivitetet në ishull vazhdojnë pa ndërprerje. Megjithatë ushtria iraniane paralajmëroi se infrastruktura energjetike e kompanive që bashkëpunojnë me SHBA do të kthehet në hi nëse goditen objektet energjetike iraniane.
Pse SHBA nuk goditi terminalet e naftës?
Shkatërrimi i plotë i infrastrukturës energjetike të Kharg do të kishte pasoja shumë të rënda për ekonominë iraniane, por gjithashtu do të përbënte një përshkallëzim të madh të konfliktit. Një sulm i tillë mund të rrisë ndjeshëm çmimet globale të naftës dhe të destabilizojë tregjet energjetike ndërkombëtare.
Për më tepër, një veprim i tillë mund të shtyjë Iranin të godasë infrastrukturën energjetike në gjithë Lindjen e Mesme. Irani ka ende kapacitet të përdorë dronë të shumtë të armatosur me eksplozivë që mund të godasin vendet arabe të Gjirit, anijet tregtare ose instalime kritike. Një nga objektivat më të ndjeshme mund të jenë edhe impiantet e desalinizimit që furnizojnë me ujë të pijshëm miliona njerëz në rajon.
Strategjia iraniane: luftë e ngadaltë në një korridor të ngushtë
Që nga vitet 1980, Irani ka zhvilluar një strategji që nuk synon të fitojë një betejë klasike me flotën amerikane, por të rrisë koston e pranisë amerikane në Gjirin Persik. Hormuzi është pika ideale për këtë strategji. Para fillimit të konfliktit vlerësohej se Irani kishte rreth 5,000 mina detare. Disa prej tyre janë mina të thjeshta kontakti, ndërsa të tjera janë mina moderne që aktivizohen nga ndryshime magnetike, akustike ose presioni i një anijeje që kalon mbi to. Këto mina mund të vendosen nga mini-nëndetëse, anije të vogla peshkimi të modifikuara, dronë detarë pa pilot dhe dhjetëra anije të shpejta të armatosura. Edhe një numër relativisht i vogël minash mund të paralizojë trafikun tregtar për javë të tëra.
Problemi amerikan: pastrimi i minave nuk është prioritet
Për Shtetet e Bashkuara sfida më e madhe nuk është shkatërrimi i flotës iraniane, por pastrimi i minave detare. Në vitet e fundit marina amerikane ka reduktuar flotën e saj të dedikuar për këtë mision dhe vetëm disa anije të posaçme për pastrimin e minave mbeten në inventar. Strategjia e re mbështetet në anije të tipit Littoral Combat Ship, helikopterë dhe robotë nënujorë pa pilot. Megjithatë kjo teknologji nuk është testuar ende në një konflikt të madh real. Pas Luftës së Gjirit në vitin 1991, SHBA dhe aleatët e saj u deshën 51 ditë për të pastruar 907 mina edhe pse Iraku kishte dorëzuar hartat e fushave të minave.
Përshkallëzimi i mundshëm
Nëse Hormuzi bllokohet, Uashingtoni ka disa opsione, por asnjëri nuk është ideal. Një mundësi është zgjerimi i bombardimeve ndaj Iranit për të detyruar Teheranin të ndalojë operacionet në ngushticë. Një tjetër opsion do të ishte kontrolli i drejtpërdrejtë i bregdetit iranian me marinsa ose forca speciale për të shkatërruar bazat detare dhe depot e minave. Por kjo do të nënkuptonte futjen e trupave tokësore në territor iranian dhe rrezikun e një lufte të gjatë dhe të kushtueshme.
Një luftë kohe
Në fund të fundit, strategjia iraniane nuk synon të mposhtë drejtpërdrejt SHBA-në në det. Qëllimi është të zvarritet konflikti, të rritet presioni mbi tregjet globale të energjisë dhe të krijohet presion politik mbi Uashingtonin. Çdo javë që trafiku i naftës mbetet i bllokuar në Hormuz rrit çmimet e energjisë dhe shton presionin mbi ekonominë globale. Për shumë analistë amerikanë, kriza e Hormuzit është më shumë se një përplasje detare; ajo është një provë strategjike për të parë nëse fuqia më e madhe ushtarake në botë mund të mbrojë arterien më të rëndësishme të energjisë globale pa u përfshirë në një luftë të gjatë në Gjirin Persik.